E merkure, 30.09.2020, 10:47 PM (GMT+1)

Komente

Kristo Frashëri: U tregoj historinë studentëve të mi, Milo e Duka

E merkure, 06.10.2010, 08:49 PM


U tregoj historinë studentëve të mi, Milo e Duka

 

Nga Kristo Frashëri

 

Historiani u kthen përgjigje “kritikëve” për keqkuptimet e simpoziumit për Himarën

Një një ese të gjatë të botuar në "Gazetën Shqiptare" më datë 14 dhe 15 shtator "A është Himara krahinë minoritare greke?", historiani Kristo Frashëri veç analizës së debatit që shkaktoi vdekja e Aleksandër Gumës në Himarë, historiani akuzoi Dulen dhe Bollanon se po e instrumentalizonin këtë çështje. Ai kritikoi gjithashtu edhe kryepeshkopin grek Janullatos për qëndrimin e tij mbi këtë çështje. Në mes të tjerash, historiani foli mbi një ftesë që kishte marrë për të qenë pjesë e një simpozium apo seminari, që shoqata e himarjotëve në Tiranë mendonte të organizonte me temën: "A është Himara krahinë minoritare greke?". Me atë rast Frashëri shfaqi edhe mendimin se "do të ishte mirë" që historianët të mos merrnin pjesë në një takim të tillë të organizuar nga një shoqatë politike për qëllime politike. Pas shkrimit të Kristo Frashërit në Gazetë reaguan historianë të njohur si Paskal Milo dhe Valentina Duka të cilët u shprehën se pjesëmarrja në simpozium është pjesë e punës së tyre dhe nuk mund të anashkalohet. Nisur nga kjo Gazeta Shqiptare sot boton një reagim të historianit Kristo Frashëri i cili sqaron keqinterpretimin nga ana e historianëve të sugjerimit të tij. Pas disa ditëve Gazeta Shqiptare do të botojë një tjetër reagim të Kristo Frashërit për debatin e hapur mes tij e kryepeshkopit Janullatos mbi qëndrimin e mbajtur nga ky i fundit për vdekjen e Gumës.

------------------------------

Kanë kaluar disa ditë nga botimi i debatit tim me titull "A është Himara krahinë minoritare greke?", në dy numra të "Gazetës Shqiptare" (14 dhe 15 shtator 2010). Me keqardhje po shoh se ndonjëri nuk e ka kuptuar përmbajtjen e vërtetë të debatit. Është e vërtetë se aty shtrohej pyetja: "A është Himara krahinë minoritare greke?". Por, në të njëjtën kohë, po aty jepej edhe përgjigjja e prerë se Himara nuk është krahinë minoritare greke.

Pasi parashtroja argumente, të cilat sipas mendimit tim, vërtetonin se Himara nuk është krahinë minoritare greke, njoftoja në fund të debatit se më kishte ardhur një ftesë për të marrë pjesë në një simpozium apo seminar, që shoqata e himarjotëve në Tiranë mendonte të organizonte me temën: "A është Himara krahinë minoritare greke?". Me atë rast unë shfaqa edhe mendimin se "do të ishte mirë" që historianët të mos merrnin pjesë në një takim të tillë të organizuar nga një shoqatë politike për qëllime politike. Nga sa po shoh, ndokush nuk e ka lexuar drejt debatin. Fjala është për tre kolegët Paskal Milo, Ferit Duka, Valentina Duka, të cilët, me përjashtim të Ferit Dukës, e anashkalojnë thelbin e problemit - nuk i përgjigjen pyetjes nëse Himara është ose jo krahinë minoritare greke, por kapen pas organizimit të seminarit apo simpoziumit nga shoqata e himarjotëve në Tiranë. Madje, Prof. Paskal Milo, i cili e njeh mirë problemin, ngurroi të shfaqë pikëpamjen e vet. Për më tepër, lë të kuptohet sikur unë jam kundërshtar i simpoziumeve shkencore. Nga ndërhyrja e Prof. Paskal Milos del sikur unë kam bërë thirrje për të ndaluar konferencën me zor, me dhunë apo me mjete antidemokratike (Gazeta Shqiptare, 16 shtator 2010). Po ashtu, Prof. Ferit Duka, nga ana e tij, thotë se, "simpoziumet për një çështje të caktuar mund t'i bëjë kushdo", por "është e rëndësishme që në këto aktivitete, tematika të trajtohet në mënyrë objektive dhe shkencore". Më në fund edhe zonja Valentina Duka, edhe pse justifikohet se nuk e njeh problemin, pranon që ky problem të trajtohet, me fjalë të tjera, pranon që të diskutohet nëse Himara është ose jo krahinë minoritare greke. Ajo shton se: "Mund të them se e quaj fare normale organizimin e një simpoziumi në qoftë se ky do të jetë shkencor dhe jo politik". Po në qoftë se nuk është shkencor dhe është kokë e këmbë politik, çfarë duhet bërë të dashur kolegë? Më vjen shumë keq që të tre kolegëve, të cilët i kam pasur studentë në Fakultetin e Tiranës, do t'u përgjigjem me një fjalë ndoshta të pakëndshme për ta. Unë kam thënë se në një simpozium të tillë, që ka synime politike, antikombëtare, është mirë të mos marrim pjesë. E përsëris: kam thënë, është mirë të mos marrim pjesë dhe nuk kam lëshuar asnjë direktivë, apo urdhër për të mos marrë pjesë. Kjo për arsye se nuk kam asnjë të drejtë të lëshojë direktiva dhe ca më pak urdhra. Të dashur profesorë! Para se të merrni lapsin për t'u përgjigjur, lexojeni mirë shkrimin që ju vendosni t'i përgjigjeni. Nuk është e drejtë, aspak e drejtë të shtrembëroni mendimin e kolegut tuaj, siç më padit Prof. Paskal Milo, sikur unë qenkam kundër simpoziumeve shkencore, kur ato janë shkencore dhe jo politike. As nuk kam qenë, as jam dhe as nuk do të jem kundër seminareve dhe simpoziumeve shkencore. Kam marrë pjesë nëpër dhjetëra e dhjetëra takime shkencore lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare - simpoziume, seminare, konferenca, madje edhe kongrese brenda dhe jashtë vendit, madje edhe brenda në Greqi, po deshët hollësira edhe brenda në Athinë, Volo e Selanik. Por, ato kanë qenë takime shkencore. Nuk di të kem marrë pjesë në ndonjë takim shkencor me prapavijë politike. Çështjet me prapavijë politike, si ato që po na ftojnë Bollanot, trajtohen të paktën nga institucione shtetërore dhe vendosen nga gjykatat kushtetuese apo ndërkombëtare. Kjo është arsyeja përse e refuzova ftesën e Bollanove. Kolegët e mi po deshën, rrugën e kanë të hapur. Unë pyes: Ç'përfaqëson shoqata e himarjotëve të Tiranës? Mos është vallë ndonjë institucion shkencor? A nuk iu duket juve se kjo shoqatë gati krejt e panjohur ngjet me "kolektivat e agjitatorëve të dikurshëm tashmë të harruara", të cilat vepronin sipas direktivave të Komitetit të Partisë së Punës të rrethit? E dyta, unë nuk shoh arsye të shëndoshë për të trajtuar në një takim shkencor një çështje që ka të bëjë me sovranitetin e vendit tim dhe që është në interes të një shteti tjetër. Çështje të tilla, si kjo që po na servirin Bollanot, me sa di unë, i ka trajtuar vazhdimisht Komiteti Panhelenik i Athinës dhe Komiteti Vorio-Epirotik i Janinës, të cilët shërbejnë si organe me funksione propagandistike, në dobi të nacionalizmit grek. Dihet se asnjëra prej tyre nuk ka trajtuar probleme që cenojnë sovranitetin grek brenda në Greqi dhe asnjëherë nuk kemi parë që në territorin grek të trajtohen probleme etnike në dobi të fqinjëve të saj. Madje, ne kemi pritur se tani Greqia, si shtet demokratik, do të lejonte të organizoheshin në territoret e saj takime shkencore, qoftë edhe në nivelet e simpoziumeve, për të drejtat kulturore të arvanitëve dhe sidomos të shqiptarëve të Çamërisë. Nuk e kemi fjalën vetëm për çamët myslimanë që ata i kanë dëbuar me egërsi, por edhe për çamët e krishterë ortodoksë, të cilët edhe sot jetojnë në Greqinë e re evropiane. Po të doni, u japim edhe listën e fshatrave ortodokse shqipfolëse të Çamërisë, të cilët ndodhen në agoninë e tyre etnike, vetëm sepse Greqia e djathtë apo e majtë nuk lejon t'u jepet të paktën një abetare shqipe.

Sikurse e kam pohuar, nuk di të ketë asnjë akt ndërkombëtar që ta ketë cilësuar Himarën krahinë minoritare greke, siç ka për shembull për Dropullin dhe për Vurgun. Si rrjedhim, nuk ka asnjë arsye përse, siç thonë shkodranët, "kur s'ke pula, të bësh ishsh". Nuk ka arsye që të pranojë makinacionet e Vasil Bollanos për të organizuar në Tiranë një seminar apo simpozium që të trajtojë këtë temë, sepse sikurse e kam thënë, të pranosh makinacionet e tyre është njësoj sikur t'i hapësh gropën vetes tënde.

Përgjigje letrës

së një himarjoti

Ditët e fundit kam marrë letër nga një himarjot, i cili prek çështje të trajtuara në debatin tim të përmendur. Nuk dua t'ia zë në gojë emrin, sepse letra është e shkruar prej tij në mënyrë ndoshta konfidenciale. Në të tilla raste, emri i autorit nuk mund të bëhet publik pa lejen e tij. Por, po përfitoj nga rasti të trajtoj çështje që ai ngre në letrën e tij.

Autori himarjot, me inicialet M.R., djali i një mikut tim, nuk priste që unë si historian t'i jepja me anë të atij shkrimi një kontribut politikës dhe gazetarisë (nënkupto: shqiptare). Ai, siç duket, nuk e ka të qartë detyrën e historianit. Ai harron se detyra kryesore e historianit është të nxjerrë në dritë të vërtetën. Sipas tij, po të bësh përpjekje për të nxjerrë në dritë të vërtetën, bëke politikë. Gjithnjë sipas tij, po të provosh se Himara është shqiptare, nuk bën histori, por politikë. Përkundrazi, sipas tij, po të provosh tezën se Himara është greke je në vijë të drejtë, pra nuk bën politikë. Unë nuk di të ketë historianë që ta shkelin këtë parim. Në qoftë se ai di ndonjë historian të tillë, le të na njoftojë që ta kem si shembull.

Për të më vënë në provë se i shërbej politikës ai kërkon nga unë që t'i shpjegoj, se cili ishte qytetërimi në trevat shqiptare para pushtimit turk. Çfarë pret ai nga unë? Ai ndoshta pret që unë të pohoj se para pushtimit osman në trojet shqiptare sundonte qytetërimi helenik. Në qoftë se ai ka këtë pikëpamje, është kokë e këmbë i gabuar.

Para së gjithash, qytetërimi helenik, i cili shndriti në mbarë Mesdheun gjatë Antikitetit, u shkërmoq nga Perandoria Bizantine. Qytetërimin e shkëlqyer helenik e zëvendësoi qytetërimi kishtar bizantin, një qytetërim dogmatik, i cili u përpoq ta fshinte edhe nga fjalori termin qytetërim helenik, për arsye se për të ai qe një qytetërim pagan. Fakti është se pasi mori fund Antikiteti i shkëlqyer helen, grekët bizantinë nuk nxorën më nga gjiri i tyre as Sokratë, as Demoklitë, as Platonë apo Aristotelë, as Aristofanë apo Eskilë, madje as ndonjë hije të tyre. E gozhduan kulturën brenda mureve të manastireve dhe të kishave, kurse jashtë mureve të faltoreve të krishtera, lulëzoi vetëm kultura popullore profane. Pa u zgjatur më tej, mbasi do të shkonte gjatë, do e them me dy fjalë shkurt. Vetë grekët modernë qytetërimin e shkëlqyer helenik e mësuan nga ringjallja (renaissance) që ai pati në Evropën perëndimore. Besoj se nuk ka nevojë të zgjatemi më tej.

Për sa i përket pyetjes tjetër, se cili ishte qytetërimi në trevat shqiptare para pushtimit turk, ndoshta edhe në këtë rast ai priste nga unë të pohoja se ishte qytetërimi helenik. I them të dashurit bashkatdhetar, se edhe këtu ai gabohet. Përderisa vetë helenët u shkëputën nga qytetërimi i tyre klasik, si mundet që shqiptarët të kultivonin një qytetërim të cilin edhe më parë e njihnin përciptazi? Tashmë dihet se shqiptarët hynë në Mesjetë me një qytetërim të tyre, i cili nuk ishte as helenik, as latin, as sllav. Pavarësisht se pati enklava të prapambetura, gjithsesi ishte një qytetërim shqiptar. Ndoshta ai nuk e di se gjatë shekujve të Mesjetës së hershme viset shqiptare të cilat ndodheshin në periferitë perëndimore të Perandorisë Bizantine, kontaktet me kulturën bizantine për shkak të katrahurës sllave, ishin dobësuar së tepërmi. Ishin dobësuar aq tepër sa kur u rivendos stabiliteti politik shqiptarët e kishin kthyer fytyrën e tyre nga Perëndimi. Qytetërimi shqiptar kishte përmasa numerike aq të mëdha, sa e mbushi territorin grek me popullata arvanite, të cilat i dhanë, të paktën ekonomisë së Greqisë, gjak të ri. Sa thashë, djali i mikut tim sigurisht nuk i di, sepse historianët grekë që ai ka lexuar, e kanë shkruar historinë e Greqisë sipas ideologjisë së tyre nacionaliste. Grekët modernë të ditëve tona, të ushqyer me nacionalizmin e tyre të sëmurë kanë shkuar aq larg sa kanë anatemuar historianin e tyre të shkëlqyer të shek. XIX, Kostandin Sathas, vetëm sepse ai ka dokumentuar në mënyrë të bollshme kontributin e madh të arvanitëve në formimin e Greqisë moderne.

Kemi kaluar nëpër duar punime jo të pakta të historianëve grekë të shek. XIX, të cilat kanë një pasuri të dhënash që ndriçojnë jo vetëm kontributin e madh të arvanitëve, por edhe të shqiptarëve në zhvillimin e Revolucionit të madh grek dhe në fitoren e tij kundër zgjedhës osmane. Po sot çfarë ndodh? Sot vështirë të gjesh, e përsëris, shumë vështirë të gjesh, vepër të një historiani helen që të pranojë qoftë edhe shkarazi se ndër heronjtë e pavdekshëm të Revolucionit çlirimtar grek jo pak prej tyre si Miauli, Kandurioti, Karaiskaqi, Kryeziu, Bubulina, Boçarët, Xhavellat, e të tjerë, e të tjerë qenë arvanitë.

Të mos zgjatemi më tej, sepse nuk kam aq fuqi sa të nxjerr nga truri i tij ato që ai ka mësuar për t'i zëvendësuar me të vërtetën historike.

Nëse shqiptarët do të ishin përfshirë në qytetërimin helenik, jemi kureshtarë të dimë: si u shkëputën prej tij dhe përse përqafuan atë që ju nuk e thoni haptas, por e lini të nënkuptohet, qytetërimin turk. Edhe këtu gaboheni. Ju vazhdoni të provoni se jeni viktima të identifikimit të kombit me fenë. Grekët e ditëve tona, natyrisht me përjashtime, vazhdojnë të mendojnë se çdo ortodoks shqiptar, pavarësisht se është shqiptar nga gjuha dhe nga identiteti kulturor, përderisa është ortodoks, është helen. Të quash helen një shqiptar, është padyshim një fyerje jo se grekët janë të ligj, por se përdhunon ndërgjegjen kombëtare të shqiptarit. Gjyshi im, Josif Frashëri dhe im atë Anastas Frashëri, jetuan në Stamboll me dhjetëra vite në lagjen ortodokse "Sirkexhi" jo larg Fanarit. Megjithatë, ata nuk bënë dot asnjë mik grek, sepse grekët sapo dëgjonin nga goja e tyre se nuk pranonin të cilësoheshin helenë, i quanin "prodhotë" (tradhtarë). Edhe sot në Athinë sundon po ky koncept sundon në Athinë edhe mbi shqiptarët myslimanë. Për ta, çdo shqiptar mysliman, sapo deklaron se është mysliman menjëherë cilësohet si turk. Sipas tyre, ndër shqiptarët myslimanë nuk ka qytetërim shqiptar, por vetëm qytetërim turk. Ata nuk duan të pranojnë se shqiptari mysliman dhe turku mysliman ose palestinezi mysliman apo algjeriani mysliman, e të tjerë e të tjerë, vetëm fenë e kanë të njëjtë, kurse qytetërimet i kanë të ndryshme. Ata nuk duan të pranojnë se shqiptari mysliman, shqiptari ortodoks, shqiptari bektashi, shqiptari katolik, janë të gjithë pjesëtarë të një kombi të vetëm. Shkurt, me pushtimin turk të Shqipërisë, shqiptarët edhe pse disa prej tyre u islamizuan, nuk u turqizuan. Këtë të vërtetë të patundshme historike duket se biri i mikut tim e ka të vështirë ta kuptojë.

Shqiptarët kanë trashëguar në gjuhën e tyre një mori fjalësh latine, ndoshta më shumë, ndoshta më pak dhe fjalë sllave, pa dyshim dhe fjalë turqisht. Natyrisht që këto tregojnë një bashkëjetesë të gjatë dhe marrëdhënie shekullore me folësit e këtyre gjuhëve. Pyesim: përse nuk u latinizuan, as u sllavizuan, as u turqizuan? Përsëri pyesim: përse shqiptarët kanë huazuar nga fqinjët mijëravjeçarë grekë një pakicë fjalësh nga greqishtja? Përse emrat e liturgjisë kishtare ortodokse, së bashku me emrat e shenjtorëve të krishterimit, i përdorin edhe sot e kësaj dite në trajtat latine? Përse edhe në atë Himarën e tij të bekuar, shenjtorët e kishës së krishterë thirrën me apelativin latin "Shën" (Shën Pjetri, Shën Ilia, Shën Harallambi, etj.) dhe nuk thirrën me apelativin helen "ajos" (Ajos Petros, Ajos Ilias, Ajos Harallambios, etj.) Ç'tregojnë këto? Kjo trashëgimi gjuhësore dhe kulturore pa dyshim tregon se shqiptarët në pragun e pushtimit osman kishin të konsoliduar qytetërimin e tyre të veçantë, etnik a kombëtar, quajeni si të doni.

Lexuesi himarjot më pyet se cilat krahina e ruajtën të paprekur qytetërimin e krishterë. E ka fjalën për krahinat që ruajtën venomet. Dihet nga literatura ballkanistike se tri qenë këto krahina - Suli, Himara, Mirdita. Është e vërtetë se qenë krahina të krishtera, por mos të harrojmë se ato qenë krahina shqiptare dhe asnjëra prej tyre nuk qe krahinë greke. Për sa i përket fesë, vetëm njëra - krahina e Sulit - qe ortodokse. Përkundrazi, Mirdita qe krahinë katolike. Po Himara? Edhe Himara qe e krishterë, por kur patrikana ortodokse e Kostandinopojës u bë aleate e Perandorisë Osmane në ndarjen e pushtetit të brendshëm, ajo e ruajti ritin lindor, por nëpërmjet Bazilijanëve u lidh me Papatin Roman. Po e mbyllim vizionin absurd që ka djali i mikut tim me pyetjen: në rast se Malësia e Sulit e ruajti autonominë në sajë të ortodoksisë, përse ortodoksia nuk e shpëtoi mbarë Greqinë, por i katandisi helenët e Antikitetit të shkëlqyer të bëhen për qindra vjet "raja" dhe lëpitka të turqve osmanë, derisa trokiti në shpirtin e tyre ora e revolucionit çlirimtar dhe e dinjitetit njerëzor?

Një nga çështjet me të cilat pajtohem me ankesën e djalit të mikut tim, M.R. - ankesë kjo e himarjotëve në tërësi - është problemi i mprehtë se, "mbas 20 vjetësh tranzicion, ne, himarjotët nuk jemi pronarë në ato që na lanë të parët". Hollësira nuk di, mbasi nuk kam as mundësi, as moshë që ta ndjek nga afër këtë çështje, por tashmë jam i bindur se në Himarë (madje, jo vetëm në Himarë), janë bërë padrejtësia të palejueshme në lidhje me të drejtën e pronës dhe se këto padrejtësi duhen zgjidhur menjëherë.

Autori i letrës ankohet ndaj meje sepse unë kritikova zotin Vangjel Dule pse ai në lidhje me aksidentin e të ndjerit Aristotel Guma, nuk priti drejtësinë shqiptare të jepte mendimin e saj. "Cilës drejtësi?" - pyet ai. Dhe më tej më pyet mua se sa për qind e shqiptarëve kanë besim te kjo drejtësi. Pastaj konkludon se: "Ashtu sikurse Dule dhe Bollano u vunë në shërbim të politikës greke, ju, domethënë unë, u vura në shërbim të nacionalizmit shqiptar, fenomenit më negativ të ditëve tona në Ballkan".

Të them të drejtën, këto pohime që unë qenkam në shërbim të nacionalizmit shqiptar as më ka shkuar ndonjëherë nëpër mend se mund t'i dëgjoja me veshët e mi. Unë nacionalist? Jo more ti çunak. A e di ç'do të thotë nacionalist? Nëse nuk e di, po ta them: nacionalist është ai që kërkon të aneksojë vise që i takojnë nga pikëpamja etnike, por që ndodhen nën zgjedhën e një shteti tjetër. Nacionalist është gjithashtu edhe ai që kërkon të aneksojë vise që kujton se i takojnë, ose që i kanë takuar dikur, ose që mendon se nëpërmjet argumenteve të paqena mendon se ka të drejtë mbi to. Unë nuk kam kërkuar asnjëherë asnjë pëllëmbë tokë siç kërkojnë zotërinjtë e Athinës të përpijnë gjithë Shqipërinë e Jugut deri në lumin Shkumbin. Unë nuk e fsheh: jam patriot. Mbroj me të gjitha mundësitë e mia Atdheun tim, lirinë, pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e Atdheut tim. Për këtë arsye, unë mora pjesë vullnetarisht në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër okupatorit fashist italian për të rifituar pavarësinë e humbur dhe jo për të zgjeruar kufijtë e Atdheut tim. Që atëherë kanë kaluar 65 vjet. Më kanë dhënë një mori dekoratash për punë dhe për rezultate që nga medalje, çmime dhe urdhra. Do ta lë mënjanë për një çast modestinë dhe nga kjo listë e gjatë dekoratash atë që çmoj më shumë se të tjerat është ajo më e thjeshta: medalja për kontributin që kam dhënë për çlirimin e Shqipërisë kundër okupatorit duke luftuar me armë në dorë. Prandaj i them çunakut himarjot me thinja, kujdes tjetër herë, mos lësho broçkulla të tilla se të përplasen si boomerang në kokën tënde.

E dyta, çështje parimore me rëndësi të jashtëzakonshme është sesi duhen zgjidhur padrejtësitë. Unë këtu ndahem kategorikisht nga ju personalisht dhe nga z. Vangjel Dule. Sa për Vasil Bollanon atë as që dua ta zë në gojë. Për të do të flas në një vend tjetër. Në letrën tënde më thua se je djali i mikut tim dhe se nga ato që keni dëgjuar nga babai juaj ruani për mua vlerësimet superlative. Faleminderit! Babanë tuaj unë nuk e kam pasur mik. E kam pasur shok. Kemi bërë shkollën bashkë. Kemi luftuar krah për krah me njëri-tjetrin gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Si historianë kemi qenë edhe kolegë. Deri në vitin 1991 kur u ndamë vazhdimisht kemi folur si dy shqiptarë. Edhe ai ka shkruar për kontributin që ka dhënë Himara në lëvizjen kombëtare shqiptare. Por, me sa mbaj mend, ndryshe nga sa thoni ju tani, ai pajtohej me tezën e njohur patriotike se fatkeqësitë e brendshme të vendit nuk mund t'i zgjidhë kurrë i huaji. Historia ka provuar se të huajt nuk kanë nge të derdhin gjakun e bijve të tyre dhe të harxhojnë paratë e taksapaguesve të tyre për të ndihmuar të tjerë në qoftë se nuk kanë interesa jetike nacionaliste apo kolonialiste për atë vend. Në këtë vështrim, nga ndërhyrjet e saj Athina dëmin më të madh nuk po ia bën Shqipërisë, por minoritetit të saj në Shqipëri. Duke i nxitur të veprojnë si pararojë të synimeve të tyre politike, qeveritarët e Athinës, po hapin një hendek të madh midis shqiptarëve dhe minoritarëve grekë në Shqipëri. Çfarë kujton z. Vangjel Dule se i digjet kaq shumë shpirti kryeministrit grek për OMONIA-n? Nuk e di apo bën sikur nuk e di fatin që patën vorio-epirotistët e vitit 1914 kur pas dështimit të aventurës së tyre shkuan në Greqi? A nuk e di ai sesi i priti Elefter Venizelloja me nomuze dhe me fyerje?

E treta, vetëm verbëria politike që gjeneron nacionalizmi dhe shovinizmi krijon iluzionin se vetëm nën hijen e Akropolit ka drejtësi. Ku e ka parë zoti Vangjel Dule drejtësinë që shpreson të zbatojë Greqia po të realizojë ëndrrën e saj, aneksimin e "Vorio-Epirit"? Po mbushen dalëngadalë 200 vjet që arvanitët e Greqisë kërkojnë të drejtën e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat e tyre. Përgjigjja ka qenë kurdoherë arrogante, mosmirënjohëse të paktën edhe për kontributin që ata kanë dhënë për pavarësinë dhe për rimëkëmbjen e Greqisë. Gjithmonë kanë heshtur, gjithmonë kanë bërë sikur janë të shurdhër dhe kurdoherë janë përgjigjur me kokëfortësinë se arvanitët janë grekë që flasin shqip, pra në fund të fundit janë gjithnjë grekë. Po me Çamërinë, të cilën e aneksuan më 1913, si vepruan? Po me "Vorio-Epirin", të cilin më 1914 e patën nën kontroll për gati një vit, çfarë bënë kur u detyruan të largoheshin? A nuk e bënë Shqipërinë e Jugut shkrumb e bi? A nuk dogjën me qindra fshatra, madje edhe fshatra me banorë të krishterë, vetëm se nuk pranuan të ngrinin flamurin grek? Po Kurveleshin kush e dogji? Po gratë fatkeqe të pambrojtura kush i theri me bajonetë? Nuk desha t'i kujtoj, por verbëria që ka kapur disa shqiptarë, si djalin e mikut tim M.R. më detyron t'i përmend si shembull që grekët kërkojnë të vendosin drejtësi, duke e zëvendësuar një padrejtësi me një padrejtësi tjetër.

Nuk duam të kujtojmë as historinë e dhimbshme dhe njëkohësisht të përbindshme që ndodhi me shqiptarët myslimanë të Çamërisë. Dihet se më 1913 sapo vunë dorë mbi Çamërinë, qeveritarët grekë të asaj kohe kopjuan sistemin çnjerëzor të shovinistëve serbë, politikën e spastrimit etnik. Dihet se pjesërisht i shpërnguli me dhunë nga fshatrat e tyre dhe i degdisi në Azinë e Vogël, gjoja si turq. Por, edhe në pjesën e popullsisë shqiptare që mbeti në Çamëri me gjithë këmbënguljen e Lidhjes së Kombeve qeveritarët e Athinës nuk pranuan të hapin për ta asnjë shkollë shqipe, në një kohë kur ulërinin me sa fuqi që kishin për të detyruar Tiranën të hapte shkolla greqishte edhe atje ku nuk kishte minoritarë grekë. Dihet tragjedia që ndodhi në Çamëri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Viktima të kësaj tragjedie që ndodhi në 1945 janë emigrantët çamë, të cilët u detyruan brenda një nate të braktisnin vatrat e tyre dhe të marshonin drejt Shqipërisë.

Që atëherë kanë kaluar 65 vjet. Evropa e Pasluftës ka ecur përpara në rrugën e demokracisë. Është krijuar Bashkimi Evropian, i cili ka në themelet e tij të ndërtojë një Evropë të bashkuar mbi themelet e të drejtave të shenjta të njerëzve dhe të popujve. Greqia ka hyrë me kohë në këtë familje të madhe, ku ëndërrojnë të hyjnë të gjithë popujt e kontinentit. Ne, njerëzit e thjeshtë, kemi shpresuar se Greqia me hyrjen e saj në familjen evropiane do të veshë pelerinën e respektimit të të drejtave të njerëzve dhe të popujve. Por, më duket sikur jemi atje ku kemi qenë. Si dëshmi do të sjell këtu një fragment nga një takim ndërkombëtar që ka ndodhur pas shembjes së Murit të Berlinit.

Vizioni i Athinës

mbi të drejtat dhe drejtësinë

"Federata Ndërkombëtare e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut" organizoi në Vjenë (Austri) në qershor 1993, një konferencë të posaçme, me temë: "Rikthimi i çështjes shqiptare - Rëndësia e saj për Ballkanin dhe Evropën". Konferenca pati për detyrë të ritrajtonte pas 80 vjetësh çështjen shqiptare, e cila ishte trajtuar më 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër, në kohën kur u njoh pavarësia e Shqipërisë. Në atë kohë, theksonin organizatorët e konferencës, me çështje shqiptare nënkuptohej krijimi i shtetit shqiptar me kufij dhe madhësi në sistemin politik të Gadishullit Ballkanik. Në 1913, thuhet në preambulën e programit të konferencës, çështja shqiptare ishte tepër komplekse. Fuqitë e mëdha kërkonin që nëpërmjet krijimit të shtetit shqiptar t'i jepej një goditje për vdekje në Evropën Juglindore Perandorisë Osmane. Nga ana tjetër, nuk donin të lejonin krijimin në Ballkan të një shteti të ri të fuqishëm që ta zëvendësonte të sëmurin e Bosforit. Në të njëjtën kohë, Fuqitë e Mëdha nëpërmjet shtetit shqiptar kërkonin të pengonin daljen e Rusisë në Adriatik. Më në fund, Fuqitë e Mëdha detyroheshin të kënaqnin edhe aspiratat territoriale të monarkive ballkanike, si Bullgarisë, Greqisë, Malit të Zi, Serbisë, që kishin fituar luftën kundër Perandorisë Osmane. Si zgjidhje e këtyre komponentëve, Fuqitë e Mëdha miratuan më 1913 krijimin e shtetit të ri shqiptar duke lënë jashtë kufijve të tij vise shqiptare, ndër të cilat bënte pjesë edhe Kosova që iu dha Serbisë.

Shpërbërja më 1991 e Jugosllavisë shumëkombëshe, theksohej në preambul, e aktualizoji përsëri çështjen shqiptare. Kjo për arsye se Kosova, e cila mbeti deri në fund si një krahinë kompakte shqiptare, nuk dëshironte të ishte më nën zgjedhën e Serbisë. Gjendja u acarua nga politika e vjetër që rimori Serbia, e cila synoi pastrimin etnik të Bosnjës nga sllavët myslimanë dhe të Kosovës nga shqiptarët myslimanë. Argumenti që sjellin politikanët e Beogradit, thuhet në preambul, është prirja e "nacionalizmit" shqiptar radikal për ta kthyer Kosovën në një republikë më vete. Përkrahja ndërkombëtare që ajo ka në arenën ndërkombëtare do të sillte, sipas serbëve, edhe humbjen e Maqedonisë. Sipas opinionit evropian, thuhet në preambul, pas një situate të tillë fshihet rreziku i një lufte te re ballkanike. Pikërisht për të parandaluar këtë luftë, "Federata Ndërkombëtare e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut" organizoi këtë konferencë, e bindur se dialogu është rruga më e drejtë e zgjidhjes së konflikteve. Për këtë dialog ajo ftoi shkencëtarë - historianë, filologë, sociologë shqiptarë, bullgarë, maqedonas, grekë, turq, serbë. Në të vërtetë në konferencë u përfaqësuan tre rreshtime. Njërin e përbënin serbët, të ardhur nga vise të ndryshme të Ballkanit, midis tyre edhe serbë të Kosovës. Rreshtimin e dytë e përfaqësonin shqiptarë kryesisht nga Kosova, pastaj nga Shqipëria dhe nga Maqedonia. Rreshtimi i tretë, tepër i fuqishëm, përbëhej nga personalitete të jetës politike, shoqërore dhe kulturore evropiane. Konferenca me temë, siç u tha, "Rikthimi i çështjes shqiptare - Rëndësia e saj për Ballkanin dhe Evropën", i hapi punimet e veta më 7 qershor 1993 në lokalet e Parlamentit të Austrisë. Ditët e tjera konferenca i zhvilloi punimet në lokalet e Lidhjes së Arkitektëve dhe Inxhinierëve të Austrisë. Ajo i mbylli punimet më 10 qershor 1993. Ndryshe nga tri ditët e para ku u mbajtën referate dhe kumtesa mbi rrënjët historike, politike, ekonomike dhe kulturore të krizës, dita e fundit e konferencës më 10 qershor, u rezervua për debatet.

Të gjithë pjesëmarrësit e respektuan programin e konferencës. Të gjithë trajtuan probleme të lidhura kryesisht me çështjen e Kosovës. Natyrisht, shqiptarët mbrojtën pikëpamjen e shkëputjes së Kosovës si një republikë më vete, kurse pjesëmarrësit serbë folën për të drejtat historike të Serbisë mbi Kosovën. Përkundrazi, profesoresha Vasiliqi Papulias e Universitetit të Selanikut, e cila bënte pjesë në rreshtimin e përfaqësuesve evropianë, foli madje me gjuhë të ashpër vetëm mbi shkeljen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. Kur lexon referatin e saj të duket sikur është shkruar më 1911. Ajo pranoi që minoriteti grek në Shqipëri është përqendruar vetëm në krahinën e Dropullit dhe të Vurgut, në gjithsej 90 fshatra. Ankohet se qeveritë shqiptare nuk kanë pranuar të përfshijnë në listën e fshatrave minoritare "katër" fshatrat minoritare të Himarës. Pranon se gjatë regjimit komunist në shkollat lokale të fshatrave minoritare mësohej greqishtja. Madje, pranon se qeveria e Enver Hoxhës kishte ngritur edhe një shkollë të mesme pedagogjike, ku përgatiteshin arsimtarë për shkollat e minoritetit grek. Por, këto të drejta, të cilat ajo i konsideroi si praktikë staliniste, i quajti të parëndësishme. Shkurt, sipas saj, minoritarët grekë në Shqipëri nuk gëzonin të drejtat që meritonin. Për shqiptarët, përfundon ajo, regjimi komunist ishte një regjim "totalitar", për minoritarët një regjim shtypës. Ditën e fundit, në seancat e rezervuara për debate, profesoresha Papulias u mor me historianin kosovar Sabri Hamiti. Në fakt, historiani kosovar e kritikoi historiografinë greke vetëm tangencialisht. Ai tha shkurt se politikanët grekë kishin ngjashmëri me politikanët serbë në fushën e spastrimit etnik. Ai zuri, ndër të tjera në gojë edhe Janinën, e cila dikur kishte popullsi shqiptare dhe tani po greqizohej. Prof. Papulias nuk u trondit për stigmatizimin që profesori shqiptar i bëri politikës greke të spastrimit etnik, por u shqetësua nga pohimi i tij për Janinën. U krijua përshtypja sikur për atë lindi rreziku që shqiptarët të merrnin Janinën. Kështu, ajo foli gjerë e gjatë mbi karakterin grek të Janinës.

Për të mos i lenë pa sqaruar pjesëmarrësit e konferencës rreth pasqyrës së shtrembëruar që profesoresha e Selanikut parashtroi rreth problemit çam, ndërhyra në seancën e debatit. Ajo e justifikoi dëbimin e çamëve nga Greqia me argumentin se ata kishin bashkëpunuar me ushtritë okupatore italiane dhe gjermane.

E pyeta me urtësi: jemi dakord që bashkëpunimi me kriminelët hitlerianë përbën një akt që duhet dënuar, por me sa dimë ne përgjegjësia është personale dhe jo familjare, as racore. Ju, vazhdova, përgjegjësit e krimeve duhet t'i kishit arrestuar, gjykuar dhe dënuar. Por, çfarë faji kishin gratë dhe fëmijët e vegjël, po ashtu pleqtë e tyre të sëmurë, të cilët ju i dëbuat pa asnjë vendim gjyqësor? Mund të justifikoheni zonja Papulias se ishte ende gjendje lufte dhe grekët ishin të mbushur me urrejtje kundër bashkëpunëtorëve hitlerianë. Por më vonë përse nuk e rishikuat vendimin e padrejtë? Përse kur u bë pajtimi i përgjithshëm grek dhe kur shpallët amnistinë për ata që ndodheshin në arrati nuk i përfillët fare emigrantët çamë? Kam edhe një pyetje tjetër, - i thashë zonjës Papulia. Në bazë të ligjeve tuaja, nënshtetësinë greke e përfitojnë edhe fëmijët e lindur nga prindërit nënshtetas grekë. Në bazë të këtij ligji, përse nuk ua njohët të paktën fëmijëve që nuk kishin asnjë përgjegjësi për krimet, të drejtën për nënshtetësi greke? Më në fund e pyeta: po pronat të cilat në Kushtetutën tuaj njihen si të drejta të pacenueshme, përse nuk ia ktheni këtyre emigrantëve fatkeq?

Përballë këtyre pyetjeve, pa dyshim të vështira, profesoresha Papulias u përgjigj me retorikën e kapadaijëve: kjo është një çështje tashmë e mbyllur. Më kot e ngre zërin zoti Frashëri. Në atë seancë unë isha në presidium si kryetar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Pranë kisha deputetin italian në Parlamentin Evropian, Aleksander Langer. Po kjo, më tha nën zë, kërkon të në bëjë edhe neve naivë? Mua ma mbylli derën, - i thashë, - iu takon juve të flisni. Profesori Langer nuk përtoi, por u ngrit dhe i drejtoi këtë pyetje profesoreshës: Zonjë e nderuar, profesori shqiptar kërkon sqarime rreth çështjeve që ai ngriti. Jo vetëm ai, por edhe unë personalisht ngela i pakënaqur. Bëni mundim, - i tha, - dhe përgjigjuni. Të dalim të sqaruar nga kjo mbledhje interesante. Zonja e nderuar nuk lëvizi fare nga vendi. Ç'kisha për të thënë, i thashë, tha ajo.

Që atëherë po mbushen dalëngadalë njëzet vjet. Kur u drejton personaliteteve grekë të njëjtën pyetje, merr prej tyre si përgjigje vetëm dy fjalë: kjo është një çështje e mbyllur. Kush e ka mbyllur?

E pyes djalin e mikut tim: mirë bën që e ngre zërin për pronat e tua dhe unë të paktën me sa fuqi kam, do të të ndihmoj. Por ti, more qyqar, përse hesht kur është fjala për të drejtën e një shqiptari që është vëllai yt? Ti kërkon me të drejtë kopshtin që ta kanë marrë në Himarë, po përse nuk thua të paktën një fjalë për pronat që u kanë marrë me shtëpi, me toka dhe me varre vëllezërve të tu në Çamëri? Ti vjen dhe ikën lirisht në Himarë sa herë të duash. Po emigrantët çamë përse nuk i lënë të vënë një tufë lule mbi varret e prindërve dhe të gjyshërve të tyre? Kjo është drejtësia që z. Vangjel Dule kërkon të verë në emër të partisë së tij në Shqipëri?

Shënim:

Në ditët në vijim "Gazeta Shqiptare" do të publikojë replikën e profesor Kristo Frashërit me kreun e Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos.                   

 

____________

 

Himara? Historianët në një vijë me Kristo Frashërin

 

Rezarta Delisula

 

Na vjen keq që jemi keqkuptuar". Kjo është ajo ç'ka historianët Paskal Milo dhe Valentina Duka shprehën pas replikës së profesor Kristo Frashrit, për çështjen e simpoziumit që do të mbahej nga shoqata e himarjotëve me temë "A është Himara krahinë minoritare greke". Sipas historianes Valentina Duka, ajo shpreh keqardhjen për këtë keqkuptim ku profesori Kristo Frashëri fliste për mospjesëmarrje duke e konsideruar çështjen politike. Të njëjtën gjë shpreh edhe politikani apo historiani i njohur Paskal Milo duke e quajtur reagimin e profesorit Frashëri thjesht një keqkuptim, ndërsa ka shprehur idenë se në demokraci cilindo ka të drejtë të shprehë pikëpamjet dhe idetë e tij. Çështja Himara lindi pas vrasjes të së riut Aristotel Guma nga një i ri vlonjat, i cili pretendon se konflikti ka ndodhur për një sherr banal i cili ka shkaktuar vdekjen e himarjotit dhe jo për motive etnike. Më pas reaguan politika e shoqata duke vënë në diskutim përkatësinë e Himarës. Pikërisht në këtë moment reagoi profesor Kristo Frashëri, i cili kishte marrë një ftesë nga një shoqatë e himarjotëve në Tiranë ku do të diskutohej tema "A është Himara krahinë minoritare greke?". Në këtë rast, Kristo Frashëri shprehu pikëpamjen e tij që në raste të tilla kur simpoziumi nuk është historik por thjesht teorik, historianët të distancohen. Kjo gjë u bë shkas debatesh dhe pati reagime nga të tjerët. "Me atë rast unë shfaqa edhe mendimin se "do të ishte mirë" që historianët të mos merrnin pjesë në një takim të tillë të organizuar nga një shoqatë politike për qëllime politike. Nga sa po shoh, ndokush nuk e ka lexuar drejt debatin. Fjala është për tre kolegët Paskal Milo, Ferit Duka, Valentina Duka, të cilët me përjashtim të Ferit Dukës, e anashkalojnë thelbin e problemit nuk i përgjigjen pyetjes nëse Himara është ose jo krahinë minoritare greke, por kapen pas organizimit të seminarit apo simpoziumit nga shoqata e himarjotëve në Tiranë. Madje, Prof. Paskal Milo, i cili e njeh mirë problemin, ngurroi të shfaqë pikëpamjen e vet. Për më tepër, lë të kuptohet sikur unë jam kundërshtar i simpoziumeve shkencor", - thotë akademiku Kristo Frashëri në qëndrimin e tij. Ndërkohë reagojnë ish-studentët e zotit Frashëri, të cilët ai i përmend në deklaratë. "Më vjen keq që jemi keqkuptuar me profesorin që sipas shpjegimit të tij të dytë tregon që paskemi qenë të dy në të njëjtën linjë. Vazhdoj të kem të njëjtin respekt për akademikun e nderuar Kristo Frashëri që ka qenë udhëheqësi im ekselent i doktoraturës time". Kështu shprehet historiania, Valentina Duka pas debatit të hapur në shtyp, ndërsa profesor Paska Milo ka argumentet e tij. "Mua më vjen keq, që juve jeni keqkuptuar. Unë nuk kam marrë ndonjë ftesë për asnjë simpozium apo konferencë deri tani nga asnjë shoqatë dhe nga asnjë person. Unë iu përgjigja një pyetjeje që mu bë në parim dhe as më ka shkuar kurrë në mendje që t'ju "padis". Po e përsëris edhe një herë mendimin tim, jo si kundërvënie ndaj jush: Cilido në demokraci ka të drejtë të shprehë pikëpamjet dhe idetë e tij dhe cilido ka të drejtë të pajtohet ose të mos pajtohet me këto ose ato pikëpamje", - thotë Paskal Milo ndërsa vijon të shprehet për historinë e Himarës. "Unë pretendoj ta njoh historinë e Himarës, jo vetëm si historian, por edhe si bir i atij vendi. Nuk kam hezituar t'i shfaq pikëpamjet e mia në mënyrë publike kur ka qenë rasti dhe nuk janë të pakta ato. Por, ngurroj që të shprehem në kohë trysnish nacionaliste e keqpërdorimi politik që marrin shkas nga marrja në mënyrë kriminale të jetës së një të riu, cilido qoftë ai. Do ta them fjalën time kur të jem plotësisht i bindur se kanë mbaruar në mënyrë të kënaqshme kërkimet e mia shkencore për këtë temë. Edhe një herë tjetër i dashur profesori im respekte dhe mirënjohje. Thinjat e mia nuk më lejojnë të jem veçse i matur e i kujdesshëm edhe me profesorin tim të 43 viteve më parë", - shton Paskal Milo në deklaratën e tij mbi këtë çështje. Ky a qenë reagimi i dy prej historianëve të njohur të cilët u bënë pjesë e debatit të hapur nga 'Gazeta Shqiptare' për Himarën.

 



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora