E hene, 14.10.2019, 04:28 AM (GMT+1)

Komente

Agim Popoci: Ave UNMIK...

E shtune, 15.12.2007, 01:13 PM


Ave UNMIK...

Nga Agim Popoci

Pas përfundimit të negociatave Prishtinë-Beograd, ku të dyja palët u zotuan për vetëpërmbajtje, Beogradi zyrtar, si gjithmonë, kaloi në aksion. Por, ky nuk ishte aksioni ose shkelja e parë, por shkelja e radhës e Rezolutës 1244, që qeveria serbe e ka shumë për zemër. Me hapjen e zyrës në pjesën veriore të Mitrovicës, në mënyrë solemne, ajo bëri me dije se aty është Serbia dhe toka serbe, ndërsa UNMIK-u dhe shefi i saj vetëm sa konstatojnë shkeljen e radhës…

Gomisteri dhe ligji

Ishte pranvera e vitit 2002 në rrugën nacionale Prishtinë-Shkup, kohë kur ishin instaluar institucionet e Kosovës, ndërsa Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vlente dhe vlen vetëm për shqiptarët për t‘u respektuar.

Shqetësimi im që kisha me gomën e makinës u shua, kur për pak sekonda para syve më doli një reklamë gomisterie, e për pak sekonda edhe vetë gomisteria. Gomisteri dëgjoi me vëmendje hallin tim, më dha ca këshilla se ku duhet të drejtohesha, ndërsa shërbimin nuk ma ofronte dot. Sepse ishte në pritje të marrjes së licencës dhe nuk dëshironte të kishte punë me shtetin. U futa në makinë për të vajtur për 7-8 kilometra te gomisti i radhës, por u mahnita nga veprimi i tij. Edhe pse kishte investuar një goxha kapital, ai nuk i donte lekët "hë për hë", vetëm pse iu dha rasti, sepse ishte shkelje e ligjit.

Në një vend si Kosova, ku të gjithë serbët dhe shumica e punëtorëve të administratës ndërkombëtare nuk e çajnë kokën për ligj, e të sillen orë e çast para hundës, ka edhe gomisterë, që nuk të fut makinën në krik (sepse nuk ka licencë), në një rrugë nacionale, ku "shteti" mund t‘i shkojë një herë në vit. Dhe, po në këtë Kosovë asnjë serb nuk ka licencë për punë, asnjeri nuk paguan drita, nuk i njohin targat kosovare të makinave, nuk dalin as në zgjedhje, sepse kështu ka vendosur Beogradi dhe UNMIK-u, përveçse bën sehir me institucionet e Kosovës, kërkon edhe llogari nga më të çuditshmet për shqiptarët e Kosovës. Ndërsa këta të fundit nuk dihet se ku e akumulojnë gjithë këtë marrëzi, por zullumi mbi ata dhe tokën kosovare vazhdon të shtohet.

Ave UNMIK...

Nuk dihet se për ç‘arsye UNMIK-u ka keqpërdorur dhe vazhdon ta bëjë një gjë të tillë me durimin e shqiptarëve, madje dhe në kohën kur ditët i ka të numëruara, provokon në mënyrën më të keqe të mundshme. Atje ku shqiptari nuk shkel dot, nuk shërohet dot dhe nuk i lejohet t‘i vizitojë as varrezat pa ushtarë, snajper, tanksa dhe helikopterë të KFOR-it, pra në pjesën veriore të Mitrovicës, aty qeveria e Serbisë hap zyrë, ndërsa ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, përveçse bën përurimin, edhe kërcënon: "Serbia do të vazhdojë të udhëheqë punët e saj në Kosovë, ashtu siç ka vepruar në vitin 2000, që do të thotë se në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë, do të krijojë paralelizmin e plotë institucional në Kosovë".

Dhe veç kërcënimit, ai takohet dhe me zv/shefin e UNMIK-ut, Steven Schook, i cili vetëm sa konstaton shkeljen. "I dërguari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecker, më ka autorizuar të them se UNMIK-u nuk është informuar dhe nuk ka dhënë leje për këtë zyrë, si dhe do të konsultohet me Grupin e Kontaktit dhe Nju-Jorkun për hapat e mëtejmë", theksoi Schook pas takimit me ministrin Samarxhiç. I cili nuk kthehet mbrapsht në Serbi, por kërcënon e thekson se në të gjitha vendet ku jetojnë serbët në Kosovë dhe ku janë kishat serbe, gjithmonë do të jetë prezent shteti i Serbisë.

Pa respektuar zotimin e dhënë në Baden të Austrisë për vetëpërmbajtje, Beogradi zyrtar kërcënon në cep të Urës së Ibrit, aty ku qytetarët e dëbuar venë e vijnë, duke kujtuar kohërat kur kanë jetuar, por jo duke shpresuar se një ditë do të kthehen, sepse askush nuk angazhohet për një gjë të tillë. Këtë e konfirmon edhe ai që bën ligjin, si për gomisterin, ministrin apo serbin që jeton në Kosovë, shefi i UNMIK-ut. "Unë kam kërkuar nga zëvendësi im, Steven Schook, të shkojë në Mitrovicë dhe t‘i tregojë z. Samarxhiç se kjo zyrë nuk është në harmoni me rregullativën ligjore në Kosovë dhe përbën shkelje të Rezolutës 1244. Ne tani do të kërkojmë udhëzime nga Nju-Jorku dhe do të konsultohemi me Grupin e Kontaktit për këtë hap", tha shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, një ditë pas këtij provokimi të hapur serb, i cili ka shqetësuar popullin e Kosovës, durimi i të cilëve është në skadim e sipër.

Mbi 30 mijë shqiptarë vazhdojnë të jetojnë rrugëve të Kosovës, si refugjatë në tokën e tyre, ndërsa serbët, ata që e dëbuan këtë masë njerëzish nga shtëpitë e tyre, vazhdojnë t‘i gëzojnë pronat dhe të mirat e tjera të shqiptarëve. Shqiptarët e Kosovës vazhdojnë të fajësohen për ngjarjet e marsit të vitit 2004, por as sot e kësaj dite nuk dihet se kush i nisi, cili ishte roli i Beogradit zyrtar dhe pse UNMIK-u e KFOR-i nuk i parandaluan ato trazira. Shqiptarët e Kosovës detyrohen të paguajnë faturat e dritave për të regjistruar makinat e tyre, ndërsa serbët as nuk i paguajnë dritat dhe as nuk i regjistrojnë makinat. Shqiptarët e Kosovës thirren për vetëpërmbajtje, por doza e provokimeve nga ana e serbëve, jo që nuk mbetet në atë nivel, por edhe shtohet.

Madje, shqiptarët sot edhe i luten Zotit se mos një ditë po i bie ndërmend Beogradit zyrtar dhe afër përmendores së Gjergj Kastriotit Skënderbeu në Prishtinë, të vendosin atë të liderit të tyre shpirtëror dhe historik, Sllobodan Millosheviç.

Për administratën e OKB-së në Kosovë, UNMIK, kjo do të ishte shkelje e Rezolutës 1244 dhe do të ishin në pritje të këshillave të Nju-Jorkut, kjo do të nënkuptonte edhe pritje për institucionet e Kosovës, ndërsa popullit të Kosovës nuk do t‘i mbetet asgjë tjetër, vetëm duke perifrazuar gladiatorët e Romës, të cilët para hyrjes në arenë përshëndesnin Çezarin: "Ave UNMIK, morituri te salutant" (Lexo në shqip: Përshëndetje UNMIK, ata që po vdesin të përshëndesin).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT