E premte, 26.04.2024, 09:47 AM (GMT+1)

Editorial

Lindita Sejdiu: Kodoshët e stolisur me pushtet

E premte, 06.08.2010, 09:58 PM


Ballafaqimi me hijet e së kaluarës

 

Kodoshët e stolisur me pushtet

 

Çështja e pastrimit me të kaluarën e dyshimt në Maqedoni, ka edhe një kontekst specifik që lidhet me shqiptarët. Këta të fundit me dekada ishin objekt survejimi nga ana e shërbimeve sekrete, por edhe të individëve të caktuar. Kur t’i kthehemi një retrospektive, do të shohim se survejimi ishte bërër për çështje gati banale, në të shumtën, për probleme të arsimit, kulturës etj. Lidhja e fortë që ekzistonte në mes të politikës (ish Komitetet e LK) dhe shërbimeve sekrete, përbënte merimangën e zezë të shoqërisë, e cila ishte kurth i kobshëm për qindra intelektualë shqiptarë

 

Nga Lindita SEJDIU*

 

Dhjetëra emra funksionarësh, që ende s’bëhen publik, kanë qenë objekt “observimi” i Komsionit shtetëror për lustrim. Prej tyre shtatë, a tetë janë deputetë. Sipas ligjeve në fuqi, ata nuk kanë kurrfarë pengese juridike që t’i ushtrojnë funksionet e tyre. Gjithashtu, as emrat e tyre nuk mund të publikohen, deri sa të qartësohet deri në fund implikimi i tyre në shërbimet e ndryshme sekrete.

Por, paqartësitë e tanishme ligjore, për të cilat është ankuar edhe kryetari i Komisionit shtetëror për lustrim, Janaqie Vitanovski, nuk duhet të shërbejnë si alibi për ndonjë mjegullim të situatës.

Pastrimi me të kaluarën e dyshimt është sfida më madhore e të gjitha sistemeve politike.  Në shumë shtete ish-komuniste, sidomos në Çeki, Hungari, Poloni, procesi i distancimit nga e kaluara komuniste, ka kaluar nëpër disa faza, por epilogu ka qenë mjaft i frytshëm. Bartësit e funksioneve publike, nëpër këto shtete iu kanë nënshtruar procedurave institucionale hetimore, kurse në Çeki enkas për këtë problematikë është ngritur edhe një institut, i cili në bashkëpunim me institucionet relevante shtetërore merret me dokumentimin dhe verifikimin e fakteve inkriminuese, që lidhen me persona, të cilët kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete.

Një shoqëri e cila nuk e ka hequr nga vetvetja llumin e së kaluarës, ajo nuk mund të pretendojë për ndonjë perspektivë të ndritshme. Por, e kaluara asnjëherë nuk mund të ndriçohet, nëse nuk funksionojnë mekanizmat adekuat institucional, si dhe vetëdija politike.

Maqedonia nuk bën përjashtim nga mozaiku i vendeve të prekura nga sindromi i të kaluarës jo të pastër. Individë të caktuar, me vite të tëra kanë bartur funksione të rëndësishme publike e shtetëre, por pa u mërzitur se karriera e tyre buronte në “podrumet e errëta” të së kaluarës.

Vitet e demokracisë në Maqedoni, kaluan pa ndonjë turbulencë të theksuar në pikëpampje të identifikimit të personave, që kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete. Institucionet e shtetit, sidomos Parlamenti, Prokuroria, Qeveria, por edhe universitetet dhe institutet shkencore, nuk kanë qenë gjithaq të preokupuar me detektimin e së kaluarës së individëve të caktuar. Ka kohë që është formuar Komisoni shtetëror për lustrim, mirëpo tek tani, kanë dalë rezultatet e para nga verifikimi që ky komision po bën në terren.

Çështja e pastrimit me të kaluarën e dyshimt në Maqedoni, ka edhe një kontekst specifik që lidhet me shqiptarët. Këta të fundit me dekada ishin objekt survejimi nga ana e shërbimeve sekrete, por edhe të individëve të caktuar. Kur t’i kthehemi një retrospektive, do të shohim se survejimi ishte bërër për çështje gati banale, në të shumtën, për probleme të arsimit, kulturës etj.

Lidhja e fortë që ekzistonte në mes të politikës (ish Komitetet e LK) dhe shërbimeve sekrete, përbënte merimangën e zezë të shoqërisë, e cila ishte kurth i kobshëm për qindra intelektualë shqiptarë. Rreziku i vazhdimësisë së kësaj lidhjeje edhe në periudhën pluraliste, pati indikacionet e veta në forma e natyra të ndryshme. Mjafton të përmendet “afera e përgjimeve” e vitit 1999-2000, për të konkluduar se segmentet e caktuara të deformimeve policore ishin inkorporuar edhe në politikë dhe kjo e fundit, në situata të caktuara, ishte bërë vegël qorre e këtyre segmenteve.

Shkëputja e “vagonave” të së kaluarës që sollën deri në ditët e sotme lloj-lloj mbeturinash, është një proces jo i lehtë, por i domosdoshëm. Për hir të rrugës që duhet ta ndjek në të ardhmen Maqedonia, ajo e ka patjetër ta eliminojë hijen zezë të së shkuarës. Në të kundërtën, të gjithë mund të ngelim në një “stacion” që nuk të shpie askund.

 

*Autorja është redaktore në gazetën FAKTI, në Shkup



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora