E premte, 26.04.2024, 11:07 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

"Më rrihte dhe kërkonte të isha e lumtur"

E premte, 16.07.2010, 08:26 PM


Nga Esmeralda Keta

 

Ajo nuk është si rastet tipike që i drejtohen "strehëzës" për t'u mbrojtur. Rreth të 50-ave, e veshur me kujdes, e sjellshme, me një tualet të lehtë që i ndriçon pamjen, ajo tashmë është çliruar nga "maska" që mbante gjatë jetës me burrin e saj. I ka fshirë lotët dhe ka vendosur të nisë një jetë të re, për të dhe për djalin e saj 10-vjeçar. Jeta (kështu do ta quajmë, për shkak se nuk do të merret vesh se ku ndodhet aktualisht), tregon se ka qenë shumë e pafat. E ka takuar dy herë dashurinë në jetë, por në të dy rastet ka rënë "nga shiu në breshër". Është detyruar që të jetojë e ngujuar në shtëpi, madje të mos kalojë pragun e derës, por ajo vendosi të arratiset nga shtëpia vetëm kur i shoqi filloi të rrihte edhe djalin 10-vjeçar.

 

Historia

 

"U martova kur isha në gjimnaz me një djalë që kishte mbaruar inxhinierinë. Për dy vjet ishim shumë të lumtur, u bëmë dhe me një vajzë, por më pas ai u transferua me punë në një qytet tjetër, - tregon ajo. - Këtu filluan edhe problemet. Filloi të vinte rrallë e më rrallë, derisa morëm vesh se ai kishte një lidhje tjetër. Vjehrra ime, me të cilën jetoja, nuk e pranonte një gjë të tillë dhe e 'mohoi' si djalë. I tha të shkonte ku të donte me gruan tjetër, se ajo nuk do ta pranonte më në atë shtëpi. Por unë nuk mund ta pranoja një gjë të tillë. U divorcova dhe u ktheva në shtëpinë e prindërve. Ata kishin një dyqan të vogël, nga i cili nxirrnin të ardhura të mira. Vendosa t'i përkushtohem vajzës dhe e bëra një gjë të tillë për shumë vite, derisa ajo u bë 16 vjeçe dhe u martua. Isha rehatuar. Me mendjen time kisha hequr dorë nga burrat sepse në fund të fundit, të gjithë janë njësoj, por duket se fati më kishte rezervuar diçka tjetër", - tregon Jeta, e cila nuk e fsheh pendimin dhe lotët i rrjedhin çurg. "Kishte kohë që një burrë më vinte rrotull. Kishte dy vjet që këmbëngulte për një lidhje me mua, por unë nuk pranoja. Kisha një dyqan që më siguronte jetën, qetësi, vajzën që kishte krijuar familjen e saj dhe ishte e lumtur. Ç'doja më shumë?? Më bindi vajza dhe njerëzit e tjerë të afërm dhe unë isha e bindur se pas kësaj këmbënguljeje dyvjeçare kishte dashuri, ndaj edhe pranova. Vendosëm të martoheshim dhe në fillim gjërat na shkonin shumë mirë. Shumë shpejt u bëmë me një djalë, dilnim shëtitje, shkonim për vizita tek të afërmit tanë. Unë vazhdoja të punoja në dyqan, ndërsa ai punonte dhe na sillte mjaft të ardhura. Pas katër vjetësh që ishim martuar, ai më kërkoi që ta shisnim dyqanin dhe të blinim një shtëpi më të madhe e më të rehatshme dhe unë të pushoja, pasi ai sillte mjaft të ardhura në shtëpi. Dhe unë pranova. Thashë me veten time: përse të mos pushoj edhe unë ca? Por këtu nisi të shfaqej fytyra e tij e vërtetë", - tregon Jeta dhe ndërsa kujton momentet e kaluara, lotët nuk i largohen nga sytë. "Fillimisht më tha se nuk kisha përse të dilja të bëja pazarin, pasi do ta bënte ai, meqë qëndronte shumë kohë jashtë. Edhe këtë e pranova. Mendova: përse jo? Dhe nuk e kuptoja qëllimin e asaj që do të vinte më pas. Më pas më ndaloi të dilja vetëm nga shtëpia, të shkoja tek të afërm, tek ndonjë shoqe. Nëse doja të shkoja diku, duhej të prisja atë dhe të shkonim së bashku, vetëm nuk më lejohej në asnjë vend. Fillova të mbytesha, por më e keqja do të vinte më pas. Nuk guxoja ta pyesja as pse, se bëhej shumë arrogant, më fyente dhe më qëllonte...Xhelozia e tij rritej çdo ditë dhe çdo ditë bënte gjëra të paparashikueshme. Shkoi deri aty sa më ndaloi që të dilja edhe në ballkon që të hapja rrobat e lara, madje as të ndërroja çarçafët. Të gjitha këto punë duhej t'i bëja vetëm kur ishte ai në shtëpi. Dera jonë u mbyll për njerëzit e mi dhe të atij nëse ai nuk ishte i pranishëm, ndërsa për të tjerë as që bëhej fjalë. Ai shkoi deri atje sa në pragun e derës, kur largohej nga shtëpia, hidhte rërë të imët që të ngelnin gjurmët nëse unë dilja nga shtëpia. Nuk kam fjalë për ta përshkruar monstrën në të cilën ai u transformua. Dhe me gjithë këto që më bënte, më kërkonte që të isha e lumtur. Dhe unë bëja siç më thoshte ai. Kur isha në prani të njerëzve, vija një maskë, që askush të mos e kuptonte se çfarë ndodhte në të vërtetë në shtëpinë tonë. Dhe u mësova me këtë maskë", - rrëfen Jeta, e cila sa më shumë që tregon, aq më shumë bindesh se "është me të vërtetë e pafat". Por gjërat nuk u përmirësuan, madje ai e kishte bindur djalin që si burrë që ishte, duhej të më "spiunonte" për çdo gjë që unë bëja. "Por duke qenë se unë nuk bëja asgjë pasi nuk dilja nga shtëpia, filloi ta nxirrte inatin me djalin dhe u bë më i dhunshëm. Ajo që më detyroi të marr djalin e të iki ishte para pak ditësh, kur ai erdhi në shtëpi dhe pa ndonjë arsye filloi të më shante dhe të më qëllonte. Djali nuk duroi dhe filloi të më mbronte. Ai u tërbua dhe filloi të godiste me sa fuqi që kishte djalin. Këtu gjithçka mori fund. E vendosa që atë moment. Prita sa ai u nis në punë të nesërmen, bëra gati rrobat, mora djalin dhe erdha këtu tek qendra e gruas. Tani jam më e qetë, edhe djali po ashtu. Ai nuk e di se ku ndodhem unë, por që të dy, unë dhe djali mund të fillojmë të jetojmë jetët tona tani, pa pasur frikë nga askush", - tregon Jeta, e cila prej kohësh ndodhet në këtë qendër. Këtu ka ndarë historinë e saj me gra të tjera fatkeqe nga e gjithë Shqipëria, ndërsa psikologia dhe stafi i qendrës e kanë ndihmuar të kapërcejë hendekun e mosbesimit ndaj vetes dhe tani po fillon të mendojë për një punë, e cila do të ndihmonte për krijimin e një jete më të mirë edhe për të birin 10-vjeçar.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora