E shtune, 27.04.2024, 09:54 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Young Europeans

E shtune, 19.06.2010, 06:58 PM


(Foto: Jetmir Idrizi)
(Foto: Jetmir Idrizi)

Për këto 10 vjet, të pakta kanë qenë kauzat që i kanë mobilizuar qytetarët për të protestuar. Dje, në Prishtinë, për “shaminë në shkolla” dolën një numër i madh njerëzish.

A është ky problemi më i madh që e ka kjo shoqëri?

 

Nga Lirita Halili, Express

 

Meshkujt veç, e femrat veç, por të gjithë kishin dalë në protestë për të njëjtin qëllim. Të premten në Prishtinë pati një protestë jo shumë të zakonshme. Mijëra qytetarë, në këtë mënyrë, kundërshtuan një udhëzim administrativ të Ministrisë së Arsimit dhe një rregullore të Komunës së Prishtinës, që ndalon shaminë në shkollat publike, fillore dhe të mesme.

 

Me brohoritjet “Allahu Akbar” dhe me gishtin tregues të ngritur drejt qiellit, ata protestuan para Ministrisë së Arsimit për të vazhduar me marshin e tyre drejt Komunës së Prishtinës.

 

Kjo protestë u organizua nga iniciativa e më shumë se 20 organizatave joqeveritare që veprojnë në Kosovë.

 

Halil Kastrati, udhëheqës i kësaj proteste, tha se vendimi për ndalimin e bartjes së shamisë nga ana e besimtareve myslimane është i jashtëligjshëm, duke u bazuar edhe në Konventën Universale e të Drejtave të Njeriut dhe me Kushtetutën e Kosovës.

 

“Një vendim i tillë prish tolerancën ndërfetare të shqiptarëve që ekziston për shekuj me radhë”, u shpreh Kastrati para protestuesve.

 

Pas këtij fjalimi, Kastrati iu drejtua zyrës së ministrit të Arsimit për t’u takuar me të, por atë nuk e priti askush.

 

“Si gjithmonë, zyrtarët janë të zënë me punë kur bëhet fjalë për ne. Ministri është në udhëtim. Të tjerët më thanë që të hënën sapo të kthehet ministri, do të kem një takim me të”, tha Kastrati.

 

Ndërsa Adile Morina, nxënëse e shkollës së mesme, e që mbante të veshur rroba sipas obligimit islam, iu drejtua masës së protestuesve duke thënë se edhe ajo duhet të jetë e barabartë kur bëhet fjalë për respektimin e lirisë qytetare, ashtu sikurse të gjitha bashkëmoshataret e saj.

 

“Prandaj, lus institucionet shtetërore që të marrin kërkesën time parasysh dhe të mos luajnë me ndjenjat e mia shpirtërore”, tha Adilja.

 

Muharrem Thaçi, i cili kishte ardhur nga qyteti i Kamenicës, shpjegoi për Express se tërë këtë rrugë e ka bërë vetëm për t’iu bashkuar kësaj proteste.

 

“Është obligim i institucioneve, t’u jepet e drejta të gjithë këtyre myslimanëve, që ta mbajnë fenë që ata dëshirojnë. Aq më shumë femrave, sidomos në shkolla që t’i mbajnë shamitë”, thotë i bindur Muharremi.

 

Ndërs, Burhan Hoxha, një pjesëmarrës tjetër në protestë, i cili e kishte mbyllur dyqanin për t’iu bashkuar protestuesve, thotë që ky vendim i MASHT-it dhe i Komunës së Prishtinës, duhet të anulohet.

 

“Edhe motra ime është në moshë të re dhe është e mbuluar. Edhe ajo vishet me Miss Sixty (firmë e veshjeve), por e mban shaminë që është obligim i myslimanit. Tash për këtë arsye, ajo të mbesë pa shkollë. Kjo është absurde”, thotë Burhani për Express.

 

Përveç kosovarëve të besimit islam, të cilët ishin pjesëmarrës në këtë protestë , edhe njerëz me etni të huaj ishin të pranishëm aty. Madje morën të drejtën edhe për t’iu drejtuar masës që protestonte.

 

Njëra ndër ta ishte edhe Rachel Goteres, një amerikane, e cila kishte dalë për të kërkuar paqe për myslimanët.

 

“Duhet respektuar të gjitha fetë, Ministria e Kosovës nuk ka të drejtë të marrë vendime se çfarë duhet të veshin nxënësit në shkolla e çfarë jo. Po flas për veshjet myslimane”, u shpreh ajo.

 

Menjëherë pas përfundimit të fjalimeve, para objektit të Ministrisë së Arsimit, organizatorët apeluan të gjithë protestuesit që të niseshin drejt objektit të Kuvendit Komunal të Prishtinës.

 

Sapo mbërritën aty, Halil Kastrati, udhëheqës i protestës, u nis drejt objektit të Komunës me qëllimin që të takohej me kryetarin e Komunës. Por as ai nuk e priti.

Kryetari Isa Mustafa është jashtë shtetit.

 

“U takova vetëm me nënkryetarin e Komunës. Ai tha se që ditën e hënë, do të na thërrasin për të na aranzhuar një takim me kryetarin”, tregon Kastrati, rezultatin e takimit me nënkryetarin. “Më tha që e drejta juaj është të rrini në rrugë, rrini”, tha Halil Kastrati.

 

Kurse Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, tha se nënkryetari Avdullah Hoti ua sqaroi procedurat e rregullores, e cila është në diskutim publik

 

“Komuna nuk ka miratuar kurrfarë vendimi për ndalimin e uniformës fetare nëpër shkolla”, thekson Gashi për Express.

 

Mirëpo, sipas tij, Komuna e Prishtinës ka nxjerrë një rregullore për kodin e mirësjelljes nëpër shkolla, e cila është miratuar nga Kuvendi dhe është në diskutim publik nga nxënësit e shkollave dhe arsimtarët.

 

“Pasi që ajo rregullore nuk është miratuar ende, protesta e sotme, sipas meje, është e pakuptimtë”, u shpreh Gashi.

 

Sidoqoftë, udhëheqësit e OJQ-ve nuk do të dorëzohen me kaq. Ata thonë se protesta do të vazhdojë derisa këto dy institucione të respektojnë të drejtën e myslimanit dhe heqjen e këtij vendimi.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora