E premte, 26.04.2024, 04:59 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Si u ngrit propaganda komuniste në luftën e egër kundër besimeve fetare

E shtune, 01.12.2007, 04:45 PM


Leonard Veizi - Metropol

Shifrat: 217 klerikë në pranga

Më 1967, besimet fetare dhe institucionet e tyre e ndërprenë me dhunë veprimtarinë për të filluar sërish pas lëvizjeve demokratike të vitit 1990. Lëvizja kundër institucioneve fetare e nxitur nga shteti diktatorial komunist u mbulua gjoja me një lëvizje të rinisë ateiste. Shumë kisha u kthyen në salla publike, disa u kthyen në salla bagëtish, disa u rrënuan plotësisht. U prishën 2169 objekte kulti, si kisha, xhami e teqe. Atëherë u burgosën 217 klerikë për terror e disa prej tyre vdiqën nëpër burgje ose u pushkatuan. Kodi penal i vitit 1977 dënonte propagandën fetare, si dhe përhapjen e liturgjisë. Sipas këtij kodi u dënuan shumë ish-klerikë, por edhe laikë.

Sigurimi i Shtetit, luftë për të përçarë katolikët

Enveri: Për klerin katolik shqiptar të vendosin shokët sovjetikë

Absurdi kishte përfshirë në mënyrë “revolucionare” shtetin shqiptar të pas Luftës së Dytë Botërore. Meqenëse revolucioni kishte munguar në thelb të formimit të sistemit të ri, ai zëvendësohej herë pas here me lëvizje revolucionesh, brenda për brenda, të iniciuara më së shumti nga vetë kupola drejtuese. Por herë pas here vetë ky lloj “revolucioni” bëhej më absurd nga sa ishte në të vërtetë. Në rastin konkret, u propagandua me të madhe se iniciativa nuk i përkiste shtetit, as Byrosë Politike, madje as Komitetit Qendror të Partisë, por rinisë shqiptare, madje rinisë së bazës. Dhe për këtë, modeli u gjet në një gjimnaz periferik.

Në fakt, historia e luftës kundër fesë dhe kulteve fetare kishte filluar shumë më parë te disa të rinj të shkollës “Naim Frashëri” në Durrës, që deklaronin se kishin marrë një nismë të madh, madje të stërmadhe. Ta zhduknin krejt fenë, apo idealizmin fetar nga mentaliteti i njeriut të ri socialist. Ndaj kjo do të fillonte së pari me mbylljen dhe prishjen e kulteve fetare, pa asnjë dallim sigurisht. Dukej se asgjë në jetën shoqërore të viteve të ndërtimit të socializmit nuk çonte ujë në mullirin e fesë, përkundrazi, punohej për shkëputjen e njerëzve nga ajo. Punohej nëpër shkolla dhe media, klube, pallatet e kulturës, bibliotekat, kinematë dhe teatrot. Pra, ishte krejt e qartë që në ato vite feja ishte bërë një “tabelë qitjeje”. Ushtrimi i lirë i fesë kishte bashkudhëtare edhe veprimtarinë për edukimin ateist-shkencor, që bëhej gjithnjë e më intensiv, pak a shumë dhe më i kualifikuar. Madje, duke mos e harruar asnjë çast armikun e saj të heshtur, partiakët komunistë në pushtet, që në prill të vitit 1947, kishin porositur sektorin e arsimit të organizonte edhe propagandë fetare në shkolla e kudo, duke stimuluar ndjeshëm edhe luftën kundër fanatizmit fetar dhe praktikave të tyre. Kjo luftë do të vazhdonte me uljet dhe ngritjet e saj, derisa në janar të vitit 1967, pikërisht rinia e shkollës së mesme “Naim Frashëri” në Durrës shpall publikisht nismën “Të luftojmë deri në fund ideologjinë fetare, besëtytnitë, zakonet prapanike”.

Fjalimi i Hoxhës

Më 6 shkurt të vitit 1967, Enver Hoxha mbajti fjalimin me temë “Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”. Dy ditë pas këtij fjalimi, gazeta “ZP” i bënte jehonë nismës së nxënësve dhe mësuesve të shkollës nëpërmjet kryeartikullit: “Me shpatën e mprehtë të ideologjisë së partisë, kundër ideologjisë fetare, paragjykimeve, besëtytnive dhe zakoneve prapanike”. Situata po ndizej dhe në Durrës, qytete e krahina të tjera nisën debatet, fletërrufetë e veprime të tjera konkrete kundër fesë. Më 26 mars organizohet Kuvendi i Tre Brezave në Lezhë, si simbol i karakterit masiv të asaj lëvizjeje. Në atë kohë Enver Hoxha pretendonte në punën bindëse. Ai ishte shprehur: “Populli duhet të bindet për kotësinë dhe rrezikshmërinë e fesë, kishës, xhamisë, të çdo institucioni e zakoni fetar dhe vetë të marrë vendim të prishë ose jo, ta braktisë fenë menjëherë ose ngadalë”.

Kushtetuta

Vite më parë Marksi kishte shprehur idenë se “partia e klasës punëtore, duke lënë të lirë besimin fetar, synon çlirimin e ndërgjegjes së punonjësve nga prangat shpirtërore të opiumit fetar. Kjo është strategjia”. Ndërkohë, bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Frederik Engels, ishte shprehur se “shërbimi më i mirë që mund t´i bëhet idesë së Zotit është shpallja e ateizmit simbol i detyruar”. Por ky konkluzion lidhej me disa veprime të nxituara e sektare të Komunës së Parisit më 1871, që mbylli 20 kisha. Megjithatë, ajo që e ekspozoi keq dhe e vuri në pozitë delikate Shqipërinë socialiste para perëndimit ishte neni 37 i Kushtetutës së vitit 1976 ku thuhej: “Shteti nuk njeh asnjë fe, zhvillon dhe përhap propagandën ateiste”. Më keq akoma, ishte formuluar neni 55 i Kodit të Procedurës Penale që vendoste dënimin “agjitacion dhe propagandë fetare” njëlloj si atë “propagandë fashiste luftënxitëse”.

Vendim 245

Por si filloi lufta kundër fesë në vendin e vogël që pretendonte se po mundohej të ndërtonte socializmin? Natyrisht, ajo nuk mund të bëhej e menjëhershme, nëse nuk krijohej një terren i përshtatshëm. Pikërisht vendimi me numër 245 që po publikojmë këtë herë, është marrë nga mbledhja e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë të datës 22 dhjetor 1951. Ky informacion mban firmën e Sekretari të Përgjithshëm të PPSH-së. Gjatë fjalës së tij, në këtë mbledhje të Sekretariatit, Enver Hoxha thotë:

Sekretariati i Komitetit Qendror të PPSH-së mori në shqyrtim problemet e mëposhtme që u shtruan nga sekretari i partisë dhe N/kryeministri, shoku Mehmet Shehu:

1) Çështja e statutit të klerit katolik

2) Çështja e sektit Halfeti (komuniteti mysliman)

3) Trajtimi ekonomik i komuniteteve fetare nga ana e shtetit

4) Çështja e ndërhyrjes së Patriarkanës së Stambollit në punët e brendshme të Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fjala e Enverit

“21 priftërinj janë me qeverinë”

Mbasi dëgjoi raportin e shokut Mehmet Shehu mbi të gjitha këto çështje, Sekretariati konstatoi:

1- Projektstatuti i tretë i klerit katolik bije në kundërshtim me ligjin mbi komunitetet fetare në nenin e tij të 13-të, ku sipas propozimit të klerit katolik, gjerarkët e kishës katolike (vikar kapitullarët dhe mitropoliti) zgjidhen nga konferenca e klerit katolik, i parashtrohen Papës për konfirmim dhe pastaj i paraqiten qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë për aprovim, kurse sipas ligjit të komuniteteve fetare, këta gjerarkë, mbasi të zgjidhen nga konferenca e klerit katolik, i paraqiten qeverisë për aprovim dhe pastaj mund të kërkojnë, në rrugën shtetërore, bekimin e Papës. Nenet e tjera të projektstatutit pothuajse të gjitha pajtohen plotësisht me ligjin mbi komunitetet fetare. Për të zgjidhur çështjen e përmbajtjes së nenit 13-të të projektstatutit të tretë të kishës katolike, është kërkuar mejtimi, në formë këshillimi, i shokëve sovjetike. Nga puna e bërë nga organet e partisë dhe Sigurimit të Shtetit në rrethet me popullsi katolike, është shkaktuar një përçarje në gjerarkët e klerit katolik, gjë e cila ndodh për herë të parë në konferencën e fundit të katolikëve, kur u mor në diskutim projektstatuti i tretë i tyre nga të 56 priftërinjtë, 21 shfaqen për propozimet e qeverisë.

“Armiku mes sektit halfeti”

2- Sekti halfeti këto kohët e fundit ka bërë një mbledhje ku ka zgjedhur një kryesi dhe ka vendosur të shkëputet nga komuniteti mysliman dhe të lidhet me komunitetin bektashian. Nga ana e Kryeministrisë e gjithë kjo veprimtari është quajtur ilegale dhe është disaprovuar, për shkak se kjo mbledhje nuk është bërë në rrugën demokratike dhe nuk përfaqëson të gjithë sektin halfeti, iniciatorët e saj (Sheh Abedini etj) e kanë bërë me qëllime karrieriste dhe ndoshta në këtë punë ka gisht armiku. Sektit halfeti i është rekomanduar nga Komiteti i besimeve fetare që, në rast se dëshiron të zgjedhë kryesinë e vet dhe të marrë vendime të këtilla, duhet të veprojë duke marrë pëlqimin e të gjithë besimtarëve të sektit.

“Klerikët, kërkesa të tepruara ekonomike”

3- Komuniteti mysliman, komuniteti bektashian dhe komuniteti ortodoks, i kanë paraqitur Kryeministrisë kërkesa të tepruara fondesh për vitin 1951, si dhe kërkesa të tjera në lidhje me trajtimin ekonomik të tyre. Këto kërkesa pjesërisht janë të drejta.

“Spiunazhi amerikan pas Patriarkanës së Stambollit”

4- Patriarkana e Stambollit, në shërbim të spiunazhit amerikan, ka vendosur të dërgojë në Amerikë Marko Lipen, si peshkop të Kishës shqiptare atje. Qëllimi i Patriarkanës së Stambollit është të përçajë Kishën Shqiptare në Amerikë dhe ta vërë atë në shërbim të qeverisë amerikane dhe të qeverisë së Athinës, kundër interesave të atdheut tonë. Fan Noli, Peshkop i Kishës Shqiptare në Amerikë me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, i ka komunikuar Kishës sonë ortodokse se tash prej armiqve si një element për të luftuar Kishën Shqiptare të Amerikës. Sinodhi i Shenjtë i Kishës sonë Ortodokse ka konstatuar vendimin e Kongresit të III-të ortodoksëve mbi pranimin e kërkesës së Fan Nolit për t’u lidhur me Kishën tonë ortodokse, dy ditë përpara se të vinte telegrami i Fan Nolit, që e konsideron tash këtë kërkesë si të padëshirueshme.

Në lidhje me të gjitha këto, mbasi e diskutoi çdo çështje veças, Sekretariati i PPSH vendosi:

Pika e parë

1- Për të zgjidhur çështjen e nenit 13-të të projektstatutit të tretë të kishës katolike, të pritet mejtimi i shokëve sovjetikë. Ndërkohë që punohet nga ana e organeve të partisë dhe të Sigurimit të Shtetit për të thelluar dhe shfrytëzuar kontradiktat e brendshme të klerit katolik me qëllim që të izolohen elementët reaksionarë dhe të binden masat katolike si dhe klerikalët e vegjël dhe të mesëm për drejtësinë e politikës së shtetit në lidhje me kishën katolike.

Pika e dytë

2- Të punohet nga ana e komitetit mbi besimet fetare dhe nga organet e Sigurimit që në konferencën e ardhshme të sektit halveti të vijnë elementë pro pushtetit, që në këtë konferencë të zgjidhen si anëtarë të këshillit dhe të kryesisë elementë të një të kaluare të pastër dhe me qëllim të mirë dhe të dështojnë tentativat për shkëputjen e sektit halveti nga komuniteti mysliman e për lidhjen e tij me komunitetin bektashian, sepse kjo do të na dëmtonte rëndë dhe prej saj nuk do të përfitonte përveçse armiku.

Pika e tretë

3- Kërkesat e komuniteteve myslimane, bektashiane dhe ortodokse të shqyrtohen nga Këshilli Ministerial dhe të aprovohen ato që janë të drejta.

Pika e katërt

4- Me anë të komitetit mbi besimet fetare të orientohet Kisha ortodokse që të protestojë për ndërhyrjen ilegale të Patriarkanës së Stambollit në punët e brendshme të Kishës Ortodokse Shqiptare n’Amerikë; kjo protestë t’u dërgohet të gjithë patrikave të botës, Fan Nolit, të shtypet në gazetë dhe të transmetohet me radio. Kisha ortodokse të orientohet gjithashtu që t’i dërgojë Fan Nolit vendimin e Sinodhit të Shenjtë mbi lidhjen organike të Kishës Ortodokse Shqiptare t’Amerikës me Kishën tonë ortodokse dhe zbatimi i këtij vendimi të Sinodhit të lihet fakultativ për Fan Nolin. Shtypi dhe radioja të demaskojnë tentativat e Patriarkanës së Stambollit dhe të mbështesin qëndrimin e tashëm të Fan Nolit në lidhje më këtë çështje

Tiranë, më 22. XII. 1950

Sekretari i përgjithshëm i PPSH

Enver Hoxha



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora