E premte, 26.04.2024, 04:27 AM (GMT+1)

Mendime

Besim Muhadri: Zgjimi i kujtesës apo trokitje në dyert e drejtësisë së heshtur

E marte, 13.11.2007, 06:06 PM


Zgjimi i kujtesës apo trokitje në dyert e drejtësisë së heshtur

“Vilsoni & Genci”, përgatitur dhe pajisur me shënime dhe monografi nga Sadik Bejko. Botoi SHB “55”, Tiranë, 2006

Nga dita e vrasjes së poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi kanë kaluar më shumë se tridhjetë vjet. Gati po bëhen njëzet vjet që të njejtët ekzekutorë në qendër të qytetit të Kukësit varën poetin Havzi Nela, ndërkaq drejtësia vazhdon të heshtë karshi ekzekutorëve të poetëve dhe të qindra shqiptarëve të tjerë, të cilët ose u pushkatuan, ose vdiqën nëpër burgjet e regjimit, që i përngjanin më tepër kampeve naziste të përqëndrimit

Shkruan: Besim Muhadri

Në natën e 17 korrikut të vitit 1977, te vendi i quajtur “Përroi i Firarit”, disa kilometra larg qytetit të Librazhdit, regjimi komunist i Enver Hoxhës po i pushkatonte dy poetë. Genc Lekën, 34 vjeçar dhe Vilson Blloshmin, 29 vjeçar. Që të dy nga Bërzeshta e Librazhdit. Arsyeja e këtij pushkatimi makabër ishte: pse kishin shkruar vjersha, pse dinin gjuhë të huaja dhe pse mendonin ndryshe. Nuk mund të besonte ndoshta askush në botën e moderuar se si mund të vriteshin poetët, por kjo ndodhte në Shqipërinë e asaj kohe. Nëse dikush mund të mendonte se kjo do të ishte vrasja e fundit, do të gabohej, sepse njëmbëdhjetë vjet më vonë, më 1988, në qytetin e vogël të Kukësit, në Veri të Shqipërisë, regjimi komunist, nuk do të pushkatonte, por tani do të varte edhe një tjetër poet-Havzi Nelën, vrasje e cila do të tmerronte dhe natyrisht do të trondiste qenien e njeriut të ndërgjegjshëm.
Regjimi totalitar i bënte këto vrasje, jo vetëm pse këta djem mendonin ndryshe, apo pse shkruanin vjersha dhe pse dinin gjuhë të huaja, por edhe për arsyen tjetër: se me këto vrasje donte të fuste frikë dhe tmerr te njerëzit, përkatësisht tek intelektualët, të cilëve ua kishte frikën, në mënyrë që jeta e këtij regjimi të vazhdonte e paluhatur ndoshta edhe për vite me radhë.

Historia e një vrasjeje bërë nga shteti i quajtur RPSSH

Dhe këto vrasje poetësh bëheshin me gjakftohtësinë më të madhe. Në këto vrasje pjesëmarrës ishin jo vetëm ekzekutorët e nomenklaturës komuniste, por edhe njerëz të kategorive të tjera, qoftë këta edhe kolegë të poetëve, të cilët nga frika se  mund të kishin të njejtin fat, ishin të detyruar të shikonin në heshtje, të shkruanin ndonjë recension, apo edhe  të bënin ndonjë ekspertizë letrare, të cilat “viktimat” i çuan drejt kalvarit të vdekjes, siç nodhi me këtë rast me poetët Vilson Blloshmi e Genc Leka, poezitë e të cilëve, të ruajtura tash e tridhjet vjet në arkivat e policisë së Librazhdit, bashkë me disa letra dhe përkthime, por edhe me nje monografi shumë interesante, me të dhëna dhe fakte konkrete dhe tejet rrëqethëse i sjell para lexuesit Sadik Bejko, në librin me titull “Vilsoni&Genci”, që siç shprehet Ismail Kadare në një pasues të parathënies së këtij libri “është historia e një vrasjeje. Një vrasje mizore e bërë jo nga ndonjë kriminel, jo nga ndonjë psikopat ose vrasës në seri, por nga një shtet që emërtohej Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë”.
Libri “Vilsoni dhe Genci” është një libër i rëndësishëm, jo vetëm me faktin se ai prezanton krijimtarinë e saponisur të dy poetëve, e cila u ndërpre dhunshëm (që s’është edhe qëllimi parësor i autorit), por edhe për atë se Sadik Bejko përmes këtij libri, siç shprehet më tutje Kadare kërkon kujtesë. Unë do t’i shtoja kësaj edhe atë se ai është një libër që kërkon me të vërtetë vemendje dhe kujtesë për poetët që u vranë nga shteti, sepse, siç shprehet në një rast Bejko me gojën e një të burgosuri “ata janë në inatin e shtetit”. “Poetët vriten se janë në inatin e shtetit, sepse lapsi (pena) e tyre dredh burrat mbi burra e shkund botën nga themelet. Poetët i ndjek ndëshkimi dhe vdekja që nga Soloni, që nga Platoni. Mbase edhe më herët”.

Bazimi në materialet arkivore të policisë

Libri “Vilsoni dhe Genci” është i sajuar nga katër pjesë. Pjesa e parë përbëhet kryesisht nga poezi të Genc Lekës (1943-1977), qoftë këto të botuara në shtypin e kohës, apo qoftë edhe vetëm dorëshkrime, ashtu sikurse edhe e dyta, e cila përbëhet nga krijime petike, por edhe shqipërime nga frëngjishtja të Vilson Blloshmit (1948-1977). Ndërkaq në pjesën e tretë Bejko prezanton letrat, poashtu të shkruara në shqip dhe frëngjisht të Vilsonit që ia kishte dërguar kushurirës së tij Lumes (Lumturi Blloshmit, një piktore e talentuar). Ndërkaq, pjesa e këtërt, që është mbase më e rëndësishmja është monografia e Sadik Bejkos mbi jetën dhe veprën e dy poetëve të vrarë. Në këtë monografi autori jep portretet e këtyre dy poetëve, duke filluar që nga historitë familjare (trungu familjar) e deri te dita e ekzekutimit, por edhe post mortum, histori të cilat janë po aq të dhimbshme dhe rrëqethëse sa edhe nata e 17 korrikit të vitit 1977.
Duke folur për poezinë e këtyre poetëve, Bejko thotë se “mbase është rasti i parë në historinë e letërsisë shqipe që të flasim për poezinë në përgjithësi, për krijimtarinë e dy poetëve, duke u bazuar në materialet arkivore të policisë, ndërkaq arsye pse thotë kështu, është se tërë krijimtarinë e poetëve të ndjerë Leka dhe Blloshmi ai e ka të siguruar nga arkivat e shtettit, përkatësisht nga dosjet e poetëve që gjendeshin që nga ajo kohë në arkivat e policisë. “Ne po flasim për ata si poet mbi bazën e disa dorëshkrimeve, të ca poezive të lëna dorëshkrim dore, në copa letrash ashtu si u sekuestruan në kohën që ata u burgosën. Poezi që kanë shkuar nga një dosje në tjetrën, nga një stacion policie në tjetrin dhe prej andej në gjykatën e Librazhdit deri në Gjykatën e Lartë. Prokurorë dhe hetues janë përkulur mbi këto copa letrash të pafajshme, për të provuar se këta djem ishin armiq të regjimit”.(f. 155).
Në anën tjetër autori pohon se duke pasur parasysh ato që u thanë më lartë, s’është e sigurtë nëse janë ruajtur apo jo të gjitha poezitë, prozat, shënimet, ditarët, esetë dhe gjithçka që ata kanë shkruar, sepse gjatë sekuestrimit nuk ishte mbajtur kurrfarë procesverbali për krejt materialin letrar që u gjend në shtëpitë e dy poetëve. Prandaj, “ne po paraqesim dy poetë me materialet letrare që na vijnë, që na vihen në dispoziocion prej asaj policie që me paramendim, me çdo mënyrë donte që këta poetë donte t’i dënonte me vdekje”, spikat Bejko.

Poezia e Genc Lekës dhe e Vilson Blloshmit

Siç mund të vërejmë edhe në libër, prej Genc Lekës, janë ruajtur gjithësej 27 poezi. Për shkak të arsyeve të lartcekura, nuk dihet nëse ai kishte shkruar më shumë. Siç e pohon edhe Sadik Bejko, por edhe siç vërehen edhe vet gjatë leximit të tyre, motivet e këtyre pozive janë të njejta me ato që trajtohen në gjithë poezinë e gjithmbarshme që krijohej në atë kohë në Shqipëri. Sipas Bejkos për nga forma poezitë e Gencit janë të thjeshta, të kuptueshme, me vargjet e matura, shumica me strofa katërshe dhe me rimë. Por edhe pse në përputhje të plotë me të gjitha kërkesat e kohës, pra si në përmbajtje, ashtu edhe në formë, prapë se prapë nga ata që u gjykua pasi u arrestua, u mor në të kundërtën e saj që mendonte autori. E gjithë kjo behëj sepse ata ishin shenjuar për “kurban”. Madje edhe nga “ekspertët” letrarë poezitë e tij u quajtën “të trishtuara”, “jooptimiste”, “jo të ndritshme e jo të gëzuara”. Dhe e gjithë kjo bëhej, “sepse ai ishte si një dru i shenjuar i caktuar për t’u prerë”.
Ndërkaq, duke four për poezinë, përkatësisht për profilin letrar dhe artistik të Vilson Blloshmit, Bejko thotë se krahasuar me Genc Lekën, Vilsoni kishte një tjetër përkushtim dhe të tjera shije letrare, pavarësisht se si moshë me Gencin nuk ishin shumë larg (i ndanin vetëm pesë vite). Ishte i bindur se si letrar nuk do t’i takonte botës në të cilën jetonte. Nga ato poezi që kanë arritur del se ai është një poet me talent-natyrisht i ndikuar nga poetët frëng të cilët edhe i përkthente. Poezia e tij ishte ndryshe nga ajo e poetëve të moshës së tij. Ai besonte te liria e artit dhe e artistit. Te të shkruarit, pa marrë parasysh seç mund të kërkonte cenzura, estetika e socrealizmit.
I përkushtuar pas letërsisë, ai përveç se krijonte, edhe përkthente. E tërhiqte veçanërisht letërsia frënge, por i interesonte edhe muzika, piktura, filozofia, teologjia.
Sipas Sadik Bejkos, Genc Leka mund të ishte një poet i mirë. Një poet i cili cilësisht ishte një tip që ndiqte një model të qëndrueshëm dhe zhvillohej. Një poet që premtonte, të cilin po mos ta kishin ndërprerë sot do të ishte dikushi. Ndërkaq Vilson Blloshmi, gjithnjë sipas S. Bejkos, ndiqte instinktin e tij, jo modelet. Ai dinte të ecte nëpër errësirë, për të çarë atë. Autori i monografisë “Vilsoni dhe Genci” duke pasur parasysh nivelin estetik të poezisë së Vilsonit arrin në konstatimin se poezia e këtij poeti, ndonëse e shkruar tridhjetë vjet më parë, edhe sot, qoftë me mjetet shprehëse, qoftë me tërësinë e saj ajo mbetet një poezi për t’u lexuar e rilexuar.

Inskenimi i vdekjes apo i një tragjedie në tri akte

Ajo që mbetet një nga pjesët më interesante, më të dhimbshme dhe më trishtuese të librit në fjalë, është pjesa ku flitet për inskenimin e likudimit të poetëve. Ndonëse nuk kishte prova të mjaftueshme, gjithçka ishte e inskenuar për të arritur në një fund tragjik. I gjithë ky inskenim i ngjan një tragjedie në tri akte. Në aktin e parë kemi arrestimin, në të dytin hetimin dhe në aktin e tretë vendimin për ekzekutim apo dënimin me pushkatim. Duke lexuar këtë pjesë të librit lexuesi nuk ka se si të mbetet indiferent ndaj të gjitha atyre torturave që hetues, gjykatës e prokurorë, por edhe një makineri e tërë shtetërore godet pamëshirshëm mbi trupin dhe personalitetin e dy poetëve, të cilët edhe pse të dërrmuar nga torturat fizike dhe psiqike nuk pranojnë aktakuzën që ishte një shpifje e kullluar.
Gjatë leximit të kësaj pjese lexuesi do të hasë në një anakroni të një shteti fund e krye kriminal që vriste njerëzit e vet, vetëm pse mendonin ndryshe, apo pse injorantëve që udhëhiqnin me strukturat e atij shteti u dukej se ata mendonin ndryshe, apo pse ishin më të ngritur intelektualisht dhe fizikisht. Gjatë zhvillimit të akteve të kësaj tragjedie ndiejmë tërë peshën e bagazhit të një sistemi kriminal dhe tërë peshën e injorancës, fodullëkut dhe serviletit të “njeriut” të shndërruar në hiqnjeri, që kënaqej me të keqen e tjetrit, të cilën ia përgatiste vetë, duke mos ditur, apo edhe ditur se i njejti fat nesër do të përcillej edhe tek ai. Vrasja e poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka ishte një vrasje me paramendim. Një inskenim i përgatitur edhe në zyrat më të larta shtetërore, ngase siç shihet, gjatë përgatitjeve kishin marrë pjesë edhe krerë më të lartë të shtetit, në mesin e të cilëve edhe ish ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu, i cili siç dihet u vra edhe vet pas “vetëvrasjes” së ish- kryeministrit Mehmet Shehu, më 1982.

Espertizat letrare, apo naivitetit i “ekspertëve” letrarë

Përveç hetuesve, gjykatësve e prokurorëve, në gjykimet e poetëve një rol të rëndësishëm dhe jo pa peshë kishin edhe të ashtuquajturat ekspertiza letrare, të cilat bëheshin nga të ashtuquajturit “ekspertë letrarë”. Vlerësimet e këtyre “ekspertëve”, në të shumtën e rasteve, ishin fatale për fatin e të burgosurve. Një fat të tillë fatal këto ekspertiza ua caktuan edhe poetëve Vilson Blloshmi e Genc Leka. Mjaftoi një mendim i këtyre ekspertëve që vjershat e tyre të quheshin reaksionare, të errëta dhe jokonform kërkesave të sistemit, në mënyrë që hetuesit, gjykatësit dhe prokurorët të kishin një mbështetje më shumë në marrjen e vendimeve të tyre. Ndonëse dihet fare mirë se kush ishin ekspertët letrarë që bënë ekspertizat e krijimeve letrare të poetëve Leka dhe Blloshmi (D. Çuli, K. Petriti dhe M. Xhaxhiu), ekspertiza të kërkuara nga hetuesia, Sadik Bejko megjithatë nuk i tregon emrat e tyre në libër. Ai madje edhe emrat e hetuesve, gjykatësve, prokurorëve etj. i shënon vetëm me iniciale. Siç e pohon vet këto ekspertiza i sjell vetëm si një provë për këso ekspertizash, të bëra me porosi nga shteti i asaj kohe. “Ballafaquar me krijimtarinë e autorëve Leka dhe Blloshmi, këto ekspertiza mund të vënë në mendim cilindo. Sjellim vetëm një përvojë të atyre viteve, përvojë që, në një mënyrë apo tjetër, disa nga të ardhurit nga ajo kohë e kaluan mbi shpinën e tyre”(267).
Ja ç’thuhet në ekspertizë në mes tjerash për poezinë e Genc Lekës: “Autori shkruan me një frymë pesimiste shpreh dëshprim, kujton me nostalgji të kaluarën (“eksperti”, në këtë rast “ekspertja” nuk e ka ditur se e kaluara, sidomos fëmijëria gjithmonë kujtohet me nostalgji sido që të ketë qenë ajo, sepse është diçka që ikën dhe s’kthehet më- BM), bën aluzion për një të ardhme dhe e shikon me alegori, gjë që tregon se ai ka një tronditje të theksuar idelogjike, ose vetë autori nuk është i kënaqur nga realiteti i sotëm dhe e quan të rëndë ambientin ku jeton, se për të është mbytës dhe i padurueshëm, prandaj kërkon rrugë për të dalë”. Ç’irioni?!!
Kështu vlerësonte poezinë e Genc Lekës Diana Çuli, atë kohë një krijuese e re në moshën 25 vjeçe, tash shkrimtare me përvojë dhe mjaft e afirmuar e letërsisë sonë. Dhe kur kësaj zonje ish minsitri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj, pas botimit të librit të Bejkos dhe jehonës së tij iu drejtua në Parlament me fjalët se është botuar një libër i Sadik Bejkos, i cili ka pasë shumë sukses dhe që flet për poetët Vilson Blloshmi e Genc Leka, ndërsa ata janë poetët që Diana Çuli i çoi drejt pushkatimit me një reçencë të sajën, Diana Çuli, tash deputete e PSD-së, me gjakftohtësi, sikur të mos kishte ngjarë asgjë tash e tridhjetë vjet më parë, i përgjigjet: ”Në atë kohë kur kam qenë 25 vjeç, ai ka qenë gjykimi im për letërsinë”.
Ndërkaq, K. Petriti, poet dhe pedagog, i cili në atë kohë punonte mësues letërsie në Librazhd, pas analizës së “thukët” që i bën vjershës “Sahara” të Vilson Blloshmit arrin në përfundimin, që për poetin Vilson Blloshmi do të jetë me përmasa tragjike-dënim me vdekje, përkatësisht me pushkatim. Sipas K. Petritit  “vjersha ka frymë pesimiste, nihiliste, mohon gjithçka që lidhet me aktivitetin e njerëzve, simbolika e bën atë me një alegori, e cila e bën më një përmbajtje reaksionare. Apo krejt në fund: “Vjersha ka edhe mjaft vargje pa kuptim, të errët e kontradiktore, që në fakt shprehin çoroditje, pakënaqësi nga realiteti ynë dhe frikë për të mos thënë direkt mendimin” (f. 274).
 “Këto si dhe vjersha, fragmente të shkëputura nga libra të ndryshëm flasin qartë për një tendencë nihiliste, pesimiste, flasin për mërzitjen, për vdekjen, mohojnë jetën, kuptimin e punës së dobishme”
Ajo që vërehet në këto “ekspertiza” është naiviteti dhe serviliteti i “ekspertëve” letrarë, të cilët, me dashje ose padashje gjatë analizës së poezive, më në fund arrijnë te konstatimet e kërkuara nga hetuesit, gjykatësit, prokurorët, që janë fatale për poetët në gjykim.

Heshtja e drejtësisë dhe “shpërblimi” i ekzekutorëve

Dhe nga vrasja e poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi kanë kaluar më shumë se tridhjetë vjet. Gati po bëhen njëzet vjet që të njejtët ekzekutorë në qendër të qytetit të Kukesit varën poetin Havzi Nela. Shtatëmbëdhjetë vjet po bëhen që kur ka rënë edhe diktatura komuniste, ndërkaq drejtësia vazhdon të heshtë karshi ekzekutorëve të poetëve dhe të qindra shqiptarëve të tjerë, të cilët ose u pushkatuan ose vdiqën nëpër burgjet e regjimit, burgje të cilat përngjanin më tepër kampeve naziste të përqëndrimit. Megjithë vrasjet apo vetëvrasjet e atyre ekzutorëve për të këqijat që kishin bërë, për shkak të mëkateve të bëra gjatë atyre viteve në shërbim të diktaturës, dënimet vazhdojnë t’iu vijnë vetëm nga Zoti, por jo edhe nga drejtësia.
Këto i mësojmë te Epilogu i librit, të cilat Bejko i jep në mënyrë kronologjike: “Një ish-nënkryetar i Gjykatës së Lartë, nga viti 2000 u plagos për vdekje nga një i panjohur. Vdiq në barrelë në aeroportin e Tiranës në pritje për të marrë vizën në pasaportë që të nisej për mjekim për Itali, ndonëse pas ’90-ës, ai pati një karrierë në ngritje si avokat. Ish-gjykatës dhe ish-hetues të diktaturës sot punojnë si avokatë dhe noterë në Tiranë e në rrethe. S.S, kryetari i gjyqit të poetëve në gjykatën e Librazhdit, vazhdon të jetë avokat. Prokurori Q L vrau veten ditën që në Tiranë ra dhe u zvarris rrugëve shtatorja e diktatorit Hoxha. S.K, ish-sekretarin e rrethit të Librazhdit e sheh që të dalë pleqërisht rrugëve, të ulet në kafe me të shoqen dhe me shokët e tij të vjetër. S C, kryehetuesi, mbase e pësoi më keq nga të gjithë. Pas gjyqit të 1977-ës e çuan punonjës të komitetit të partisë në Librazhd. Që atëherë dha shenjat e një njeriu të tronditur mendërisht. Pas ’90-ës u bë avokat. Më pas i dha fund jetës me vetëvrasje. Hetuesi P A është jurist në zyren e Avokatit të Popullit”.
Ky sqarim i Bejkos, që vjen në Epilogun e librit të tij flet shumë. Është më tepër se një qortim, për të mos thënë akuzë ndaj drejtësisë që vazhdon të heshtë dhe madje edhe të avansojë kriminelët, edhe pas rënies së diktaturës, e cila në shpirtrat e njerëzve la gjurmë kujtese të hidhur. Prandaj Kadare me të drejtë konstaton se “Libri “Vilsoni dhe Genci” i Sadik Bejkos nuk është një libër që kërkon revansh. Ai kërkon në radhë të parë kujtesë”.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora