E merkure, 01.05.2024, 11:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Shkodra

E premte, 04.05.2007, 06:26 PM


Historiku i qytetit të Shkodrës

Kalaja Rozafa dhe Liqeni i Shkodres

Zona përreth vendit ku ndodhet sot qyteti ka qenë e banuar që në kohët parahistorike. Këtu janë gjetur gjurmë të paleolitit të mesëm, ndërsa që nga neoliti gërmimet kanë zbuluar vazhdimësi jetese që vjen deri në ditët tona. Objektet e gjetura gjenden në muzeumin e qytetit, në atë të Tiranës dhe në muzetë e Europës. Kjo sepse zona ka një kombinim të rrallë faktorësh fizikë për jetesë.
Rrëzë kodrave të Tepës, në anën jugore të qytetit të sotëm, materialet arkeologjike fillojnë nga Bronxi i hershëm (2000 p.k). Në shekullin V - IV p.k. filloi ndërtimi i kalasë me gurë ciklopike të puthitur pa llaç. Kalaja është e vendosur mbi një kodër në hyrje të qytetit në një lartësi 130 m.

Në atë periudhë treva banohej nga fisi Ilir i Labeatëve. Në këtë kohë qyteti merr një zhvillim ekonomik, gjë që dëshmohet nga prerja e monedhës në qytet që në vitin 230 p.k. Nga monedha mësojmë emrin që ka patur qyteti në atë kohë, Scodrinon. Në vitin 181 p.k. bëhet Kryeqytet i Mbretërisë së Ilirisë, me sundimtar Gentin, dhe kishte një shtrirje të madhe në pjesën veriore. Gjatë shekullin II p.k. në kalanë e qytetit zhvillohen luftërat me Romën dhe në vitin 168 pushtohet nga Roma dhe bëhet një nga qendrat e njësive administrative të Perandorisë Romake. Me reformat e Dioklecianit bëhet qendër krahinore. Nga Shkodra kalonin rrugë tregetare të rëndësishme drejt bregut Dalmat, nga veriu, dhe nëpërmjet luginës së Drinit për në Kosovë, nga lindja.

Me dyndjet sllave pushtohet dhe bëhet kryeqendër e shtetit të Zetës në shek. Xl. Më pas vjen pushtimi i shkurtër Bullgar. Në shekullin XIV bëhet qendër e rëndësishme autonome me institucione të zhvilluara dhe në vitin 1360 bëhet kryeqendër e Principatës së familjes Balshaj. Më 1396 kalon nën sundimin e Republikës së Venedikut e cila rikonstrukton kalanë dhe qytetin e quan Scutari. Qyteti ka institucione dhe ligje si çdo qendër e zhvilluar veneciane në Adriatik.

Kalaja e Rozafës

Mbas vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, i cili drejtoi rezistencën e popullit shqiptar ndaj pushtimit Osman, në vitin 1479 Sulltan Mehmeti II rrethon përsëri Shkodrën me mbi 100'000 ushtarë, si qyteti i fundit shqiptar i pa pushtuar. Mbrojtja vazhdoi mbi shtatë muaj nga një garnizon prej 1600 vetash i cili u dorëzua me kusht. Kjo qëndresë u përshkrua nga historiani i parë shqiptar dhe dëshmitar i kësaj ngjarjeje, shkodrani Marin Barleti. Libri i tij "Rrethimi i Shkodrës" u botua në Europë në vitin 1504. Pas pushtimit qyteti u rrënua por dalëngadalë u rimëkëmb dhe në shek. XVII u bë qendër sanxhaku e Perandorisë. Në këtë periudhë qyteti ka mbi 1800 shtëpi dhe ka filluar të shtrihet në fushën ku është sot. Zhvillohen zejtaria, punimi i armëve, punimi i mëndafshit, i bakrit dhe i stolive prej argjendi.

Në shekullin XVIII bëhet qendër pashallëku nën sundimin e familjes vendase të Bushatlive. Më 1787, Mahmut Pasha i Bushatlive tentoi për herë të parë krijimin e një principate të pavarur shqiptare, që më vonë u shtyp nga perandoria osmane.

Më 1718 janë hapur në Shkodë agjencitë e para konsullore. Më 1730 krijohet Dhoma e Tregtisë. Nga viti 1807 deri me 1809 ndërtohet bexhisteni në zonën tregtare në rritje të qytetit. Në shek. XlX rritja ekonomike ecën me ritme të larta. Qendra tregtare ose pazari ka rreth 2500 dyqane dhe është më i madhi në Ballkan. Qyteti arrin në 50'000 banorë dhe bëhet qendër Vilajeti. Këtu prodhohen veshje kombëtare, pëlhurë, lëkurë, duhan, barut, që eksportohen. Ushtrohen 80 profesione. Në qytet jane 6 konsullata të fuqive europiane dhe vendeve fqinje.
Në vitin 1867 qyteti bëhet qendë e Arqipeshkvisë. Ka institucionet tregtare të kohës, gjykatë, drejtori postale, dogane.

Foto e Qytetit të Shkodrës në vitet 1930

Më 1865 kalaja braktiset pasi Lumi Drin ka ndryshuar shtratin. Qyteti është kthyer në port lumor dhe tregton me botën nëpërmjet skelave ndërmjetëse si ajo e Obotit, Shëngjinit, Ulqinit, Tivarit. Qyteti shquhet për mjedise të gjelbëruara dhe oborret me lule.

Në vitin 1878 krijohet Lidhja e Prizrenit për mos copëtimin e trojeve të Shqipërisë. Shkodra bëhet një vatër e rëndësishme e lëvizjes kombëtare. Ushtritë e Shkodrës luftojnë për mbrojtjen e territoreve shqiptare të Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës, Ulqinit dhe Tivarit. Fillon kështu një periudhe trazirash për qytetin, që reflektohet në rënien e shpejtë të numrit të popullsisë. Shkodranët morrën pjesë aktive në luftën për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, duke luftuar me armë dhe duke nxjerrë figura të shquara udhëheqësish dhe njerëzish të pendës.

Kryengritja e vitit 1911 e zonë së veriut tronditi pushtimin otoman në Shqipëri.
Pas shpalljes së pavarsisë në vitin 1912, populli shkodran përballoi për shtatë muaj rrethimin e ushtrive të Malit te Zi dhe Serbisë, të cilat në luftën ballkanike që kishte nisur, donin të pushtonin qytetin dhe rajonin përreth tij.
Pas fillimit të luftës së parë botërore Shkodra sulmohet nga ushtritë malazese të cilat më 1915 hyjnë në qytet. Në janar të 1916 pushtohet nga austriakët të cilët e bejnë Shkodrën qendër të zonës së tyre të pushtimit.
Me mbarimin e Luftës I Botërore në Shkodër vendoset një administratë ndërkombëtare. Mbas Kongresit të Lushnjes, më 1920, qyteti administrohet nga qeveria shqiptare që doli nga ky kongres.

Porti në Lumin e lundrueshëm Buna

Në vitet 1924 deri më 1939 pati një zhvillim industrial me fabrika të vogla kryesisht në industrinë ushqimore dhe të çimentos. Në vitin 1939 kishte rreth 70 fabrika të tilla. Gjatë kësaj periudhe të monarkisë qyteti ka një administrim europian, me institucione të rregullta, dhe kryhen një varg reformash progresiste.
Në vitin 1939 Shqipëria u pushtua nga ushtritë fashiste.

Në vitin 1945 u vendos diktatura komuniste dhe qyteti vuajti per 45 vjet nga represioni që donte ta privonte qytetin nga prirjet e tij demokratike dhe kulturore, nga marrëdhëniet me botën dhe nga ekonomia e tij tradicionale. U persekutuan personalitetet më të spikatura të qytetit. U vu dorë mbi institucionet e kulturës dhe të kultit, duke i transformuar sipas ideologjisë së re. U bë çdo gjë që qyteti të humbiste identitetin e tij mijravjeçar.
Megjithatë ishin shkodranët që dhanë sinjalet e para në Shqipëri për rrugën e re të demokracisë që në janar të vitit 1990.

Peisazh nga Liqeni i Shkodrës

Trashëgimia kulturore e Shkodrës për kombin Shqiptar fillon që në shek. XV me shkrimet e para në gjuhën shqipe. Kemi në këtë qytet shkrimtarët, gjuhëtarët, historianët e parë të vendit. Në shekujt XVIII - XIX kemi institucionet e para shtetërore që pasqyrojnë lidhjet e Shkodrës me botën e qytetëruar europiane. Për herë të parë në Shqipëri zhvillohet arti, sporti, lindin muzetë dhe bibliotekat. Fillon arti fotografik, shtypshkrimi dhe, më vonë, kinemaja dhe energjia elektrike.
Firmat e fuqishme tregtare bëjnë tregti me të gjithë botën deri në Japoni, duke sjellë në qytet prodhime egzotike. Në familjet shkodrane nuk mungojnë pianofortet dhe piktutrat e klasikëve botërorë...

Përshkrimi Gjeografik

Qyteti i Shkodrës ndodhet në veriperëndim të Shqipërisë.
Kordinatat gjeografike janë: Gjerësi 190 30’ 42”, gjatësi 450 03’ 05”.
Qyteti është i vendosur kryesisht në rafshinë. Në drejtimin jugperëndim-verilindje ka kuotat nga 9.5 m deri në 24 m mbi nivelin e detit. Në veriperëndim të tij ndodhet Liqeni i Shkodrës.
Pjesa kryesore fushore e qytetit sot ka një shtrirje prej 1150 ha, ndërsa pjesa kodrinore ka një shtrirje prej 350 ha. Në qytet përfshihen dhe tri lagje të jashtme: Bahçallëku në jug, Shiroka dhe Zogaj në perëndim, të cilat zënë gjithsej një sipërfaqe prej 180 ha. Nga ana lindore qyteti kufizohet nga Lumi i Kirit që buron nga Malësitë e Veriut dhe është 43 km i gjatë. Ky lum derdhet në Lumin Drin që rrethon Shkodrën nga ana jugore.
Nga liqeni buron Lumi i Bunës që derdhet në detin Adriatik dhe ka një gjatësi prej 44 km. Rrjedha e poshtme e lumit Buna ndan kufirin me Malin e Zi. Lumi Buna ka qenë i lundrueshëm nga anije të vogla tregtare në çerekun e parë të shekullit të kaluar, duke e kthyer Shkodrën në një port lumor. Lumi i Bunës bashkohet me lumin Drin rreth 2 km në jugperëndim të qytetit.
Shkodra nga ana lindore dhe jugore rrethohet nga nje varg kodrash deri në 110 m lartësi, kodrat e Rrencit në lindje dhe të Tepes në jug. Në jugperëndim gjendet kodra shkëmbore e kalasë së Rozafës, pikë strategjike shekullore, me lartësi 130 m dhe sipërfaqe 3.6 ha.
Nga veriu dhe veriperëndimi shtrihet Fusha e Mbi-Shkodrës, përtej të cilës fillojnë Alpet e Shqipërisë. Rreth 30 km në juglindje ndodhet bregdeti adriatik me Plazhin e Velipojës. Siç shihet brenda një rrezeje prej 30 km, me qendër Qytetin e Shkodrës, përfshihen të gjitha elementet gjeografike.
Gjeologjikisht qyteti ndodhet në rajonin e një fundosjeje tektonike të periudhës së pliocenit. Në truallin e qytetit gjenden depozitimet e lumenjve përreth. Klima ka tipare mesdhetare fushore ku ndërthuret ndikimi detar dhe ai kontinental.

Të dhëna klimatike

Bashkimi i lumenjve të Drinit dhe Bunës

Qyteti i Shkodrës ka një temperaturë mesatare vjetore prej 15.3° C. Ne muajin janar temeperatura mesatare është 4.7° C, ndërsa në muajin korrik  26.0° C. Kryesisht qyteti është vend me diell, mesatarisht janë 2600 orë me diell në vit. Sasia mesatare e rreshjeve është rreth 1700 mm, kurse sasia maksimale është 2500 mm  në vit. Përsa i përket lagështirës është në masën 66 %. Shpejtësia e erës varion nga 25 - 45 m/s dhe fryn nga drejtimi verilindor, jugor.

Burimet Natyrore të Rrethit Shkodër

Rrethi i Shkodrës kufizohet nga veriu me rrethin e Malësisë së Madhe, në perëndim me Republikën e Malit të Zi dhe detin Adriatik, nga jugu me rrethin e Lezhës dhe në lindje me rrethin e Pukës. Ka një sipërfaqe prej 2049 km2 dhe një popullsi prej 241 mijë banorë. Në këtë territor ka tre liqene.
Liqeni i Shkodrës ka një sipërfaqe prej 369 km2, nga të cilat 149 km2 janë në territorin shqiptar, pjesa tjetër i takon Republikës së Malit të Zi. Thellësia mesatare është 10 m, temperatura mesatare e ujit është 16.50 °C. Liqeni ushtron ndikim zbutës mbi klimën e qytetit dhe është shumë i pasur me peshk. Rendimenti vjetor ështe 50 kg/ha. Ky liqen është më i madhi në Ballkan. Vija e bregut të liqenit ka një gjatësi prej 14.5 km, nga e cila rreth 10 km është shkëmbore dhe 4.5 km fushore. Siperfaqja e liqenit që mbulohet nga kjo vijë është rreth 2300 ha.
Liqeni Artificial i Vaut të Dejës ka një siperfaqe prej 27 km2. Liqeni i Komanit ka një sipërfaqe prej 17 km2.
Rrethi i Shkodrës përshkohet nga tre lumenj: Drini, Buna dhe Kiri.
Mbi lumin Drin ndodhen dy hidrocentrale: i Vaut të Dejës i ndodhur 20 km nga qyteti, me fuqi 250 MW; i Komanit i ndodhur 40 km nga qyteti, me fuqi 600 MW. Në malësitë e Shkodrës ekziston një pellg ujëmbledhës malor, me lartësi mesatare 800 m dhe me një rezervë energjie të shfrytëzueshme prej 400 MW/orë, i cili është i përshtatshëm për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla.
Ndër burimet minerale kryesore përmendim: Miniera e Bakrit - Palaj Karme, në distancë 45 km nga qyteti. Rezervat e mineralit llogariten mbi 1 milion ton me 2.5% Cu. Burime të tjera minerale bakri ka në Turrec, 40 km larg dhe minerali titanoilmenit në Ungre, 55 km larg.
Ndër mineralet jometalore përmendim: kaolina në Domen-Postribë dhe Vig; vendburim silici në Vilzë; boksite në Villgare; dolomite në Rrasek; rriolite në Guri Zi. Në periferi të Shkodrës ka reserva të mëdha lënde të parë për prodhimin e materialeve të ndërtimit.
Rrethi i Shkodrës ka një natyrë të shumëllojshme. Në jugperëndim, rreth 30 km larg ndodhet plazhi detar i Velipojës. Në bregun e liqenit kemi qendrat klimaterike dhe turistike Shirokë dhe Zogaj. Liqenet artificiale malore janë plot me peshk dhe lumenjtë malore janë në vetvete atraksione turistike. Nga veriperëndimi fillojne alpet e veriut, deri në 2600 m lartësi, ku ndodhen pikat turistike të Thethit dhe Bogës.

Institucione Kulturore dhe Sociale të Qytetit

Fototeka "MARUBI".

Foto nga Studio "MARUBI"

Arti i fotografimit në vendin tonë zë fill në Shkodër në vitet '50 të shekullit XIX dhe lidhet me emrin e Pietro Marubit (1834 - 1903) me origjinë nga Piacenca (Itali). I ardhur si azilant politik në Shkodër, ku dhe u vendos duke themeluar studion fotografike "Marubi", e para e këtij lloji në Shqipëri. Puna e tij mbi dyzetvjeçare si fotograf ka lënë gjurmë të rëndësishme, me vlera historike dhe artistike.

Ndër fotografitë më të herëshme konsiderohen ato të Hamz Kazazit (1858) dhe Leonardo de Martino-s (1859).

Në studion "Marubi" pati njëkohësisht kontributin e vet modest edhe nxënësi i mjeshtrit italian, Mati Kodheli, me origjinë nga fshati Kodhel i Zadrimës që fatkeqësisht vdiq i ri (1862 - 1881). Nga viti 1885 në këtë studio punoi edhe vëllai i Matisë, Keli (1870 - 1940) i cili, me vdekjen e Mjeshtrit trashëgoi studion dhe filloi punen i pavarur. Ky i fundit mbajti paskëtaj për nderim e mirënjohje të mësuesit bujar, mbiemrin "Marubi"si mbiemër të vet.

Krahas rritjes së kërkesave të publikut, rritet dhe aktiviteti i studios "Marubi", duke ndjekur hap pas hapi teknikat evolutive të fotografimit e duke u shquar për cilësi të lartë deri në realizimin e fotografisë së mirëfilltë artistike.

Brezi i tretë i dinastisë "Marubi", pas vdekjes së Kelit, përfaqësohet nga biri i tij, Gega, i cili e trashëgoi këtë thesar të vyer dhe e pasuroi më tej atë, duke punuar me po atë përkushtim e profesionalizëm deri më fund të jetës së tij.

Foto nga Studio "MARUBI"

Në vitin 1970, fotografi i shquar Gegë Marubi ia dhuroi shtetit  shqiptar këtë koleksion, fryt i një pune të pandërprerë njëqind e sa vjeçare, ku shkrihen së bashku arti dhe kujtesa e Shkodrës dhe e kombit tonë, i cili përmban rreth 160.000 negativë në pllaka xhami e në celuloid. Me bazën e këtyre fondeve u krijua fototeka “Marubi” e cila përfshin edhe katër arkiva të tjera negativesh  me vlera të spikatura, nga fotografët e shquar shkodranë. Respektivisht Shan Pici, Rraboshta,  Dedë Jakova e Angjelin Nënshati, duke e trefishuar pothuajse numrin e negativave në këtë fototekë. Vlen të theksohet se secili prej këtyre fotografëve kishte krijuar profilin e vet artistik.

Fondet prej mbi 400.000 negativash, përveç harkut të gjatë kohor, kanë një shtrirje gjeografike përtej kufinjve të qytetit e qarkut të Shkodrës. Aty janë fiksuar përveç mijëra e mijëra individë qytetarë ose jo të Shkodrës, qindra ngjarje historike lokale e kombëtare, kronika të përditshme të qytetit, persona të njohur publikë e personalitete të fushave të ndryshme të jetës politike, ekonomike, shoqërore e kulturore.

Gjithashtu është dokumentuar urbanistika e monumente të qytetit të Shkodrës e të pjesës më të madhe të qyteteve të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Një vlerë të veçantë marrin mijëra negativa që pasqyrojnë veshjet tradicionale, që përfshijnë të gjitha zonat etnografike të Shqipërisë së Veriut, shtëpitë karakteristike shkodrane dhe ato të fshatit, Pazari i Madh i Shkodrës, peisazhe natyrore deri në ato të Alpeve të Veriut etj.

Fototeka "Marubi" ruan përveç negativeve edhe regjistrat origjinalë, që nga viti 1918, ku janë të regjistruar me saktësi emrat e personave, grupeve dhe datat e sakta të fotografimit. Një punë e mirë dhe e kujdesshme është bërë nga vetë Kel Marubi, për të vënë në dukje përmbajtjen e negativave të punuar nga paraardhësit e tij. Me vlera të veçanta muzeale janë edhe objektet e materialet e përdorura nga Marubët dhe fotografët e tjerë në studiot e tyre.

Fototeka "Marubi" u vihet në dispozicion të gjithë enteve apo klientëve të interesuar për të shfrytëzuar arkivin e pasur të saj, duke ofruar një shërbim përherë e më të kualifikuar e të shpejtë, duke respektuar legjislacionin përkatës, në kushtet e ekonomisë së tregut. Ajo ruan ekskluzivitetin e plotë mbi këtë pasuri kombëtare dhe të drejtat e autorit.

Gjatë viteve të fundit është zhvilluar një veprimtari e dendur dhe e larmishme në drejtim të promovimit të vlerave të kësaj Fototeke. Janë hapur periodikisht disa fotoekspozita brenda dhe jashtë vendit. Njëkohësisht janë botuar deri më tani disa albume me tematika të ndryshme nga vetë institucioni apo në bashkëpunim me institucione të huaja.

Në bashkëpunim me institucione të specializuara simotra e partnerë të tjerë të huaj europianë po punohet me mbi një platformë të studjuar e perspektive për realizimin hap pas hapi të disa projekteve në drejtim të përmirësimit të kushteve të konservimit të negativave sipas standarteve bashkëkohore e një shërbimi sa më të kualifikuar e të shpejtë.

Aktualisht po punohet për skedimin e dixhitalizuar të të gjithë fondeve të arkivit, proces që tashmë është në rrugën e realizimit.

Në fillim të vitit 2004 Fototeka Marubi, me vendim të Këshillit të Ministrave, kaloi në vartësi të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

Teatri "MIGJENI"

Godina e Teatrit "MIGJENI"

Për herë të parë në Shqipëri trupat teatrale u krijuan në Shkodër para 120 vjetësh. Në vitin 1958 u ndërtua godina e teatrit, me 500 vende dhe me një arkitekturë të veçantë, rikonstruktuar në vitin 2001 nga një projekt i UNOPS/PASARP, me një vlerë prej 32.2 milion lekë. Në skenën e këtij teatri janë luajtur pjesët më të famshme të autoreve botërore dhe nga gjiri i tij kanë dalë aktorët nga më të mirët e vendit.
Gjithashtu në Shkodër është vënë në skenë opera e parë shqiptare "Mrika" me autor kompozitorin shkodran Preng JAKOVA, ekzekutuar nga orkestra sinfonike dhe interpretues vokal të Shkodrës.

Kinema "REPUBLIKA"

Shkodra është një nga qytetet e para në Shqipëri ku filloi projektimi i filmave kinematografik. Deri në vitin 1944 qyteti kishte 5 salla kinematografike. Në vitin 1958 u ndërtua një kinema moderne me 600 vende. Ka filluar puna për rikonstruksionin e saj me një projekt financuar nga IDA.

Muzeu Historik

Muzeu Historik i Shkodrës ka nisur të organizohet që në vitin 1947 (nën emërtimin "Muzeu Popullor"), por mori formë të plotë më 1949. Ai u vendos në qendër të qytetit, në një ndërtesë monumentale të shek 19, vlerat e së cilës ia shtonte "Kulla e Sahatit" bashkëngjitur me të.

Si bazë e eksponateve shërbyen objektet arkeologjike dhe etnografike të dy koleksioneve të pasura të Kuvendit Jezuit e atij Françeskan, themeluar që nga fundi i shek.19 si dhe materiale të tjera kryesisht etnografike e historike të familjeve shkodrane. Më 1953, me pasurimin e mëtejshëm të tij u bë riorganizimi i tij e ndahet në disa sektorë, ku për shkak të ideologjizimit, përparësi merr ai i Luftës Nacional-Çlirimtare dhe i ndërtimit socialist.Gjatë viteve në vazhdim ngrihen muze dhe shtëpi-muze të tjera, duke formuar një rrjet prej 7 qendrash muzeale.

Muzeu i Qytetit "Oso Kuka"

Pas ndërrimit të sistemit, me reformat e thella që u ndërmorën në fillim të viteve '90 dhe për pasojë shtëpitë ku ishin ngritur muzetë iu kthyen ish pronarëve, ky rrjet muzeal u shpërbë, duke mbetur në funksion vetëm Muzeu qëndror ku u grumbulluan të gjitha objektet muzeale të qendrave muzeale të mëparëshme. Muzeu Historik u transferua në banesën monumentale të sapo restauruar (shëpi karakteristike shkodrane që mban emrin "Oso Kuka), ku ndodhet edhe sot. Vazhdoi të funksionojëedhe Muzeu i Kalasë "Rozafa". Në vitet '70 në këtë institucion u përfshi Fototeka "Marubi".

Sektori i arkeologjisë

Në nëntor të vitit 2002 u përurua Pavioni i Arkeologjisë në Muzeun Historik të Shkodrës, fryt i bashkëpunimit me Universitetin e Firences (Itali). Sipas një projekti të përbashkët, duke shfrytëzuar hapësirat e katit përdhes të ndërtesës, të përbërë prej dy sallash, me elementë arkitekturorë tradicionalë e me vlera origjinale të punimit të gurit e drurit, gërshetuar me panelat metalike ekspozuese, realizohet kombinimi ikonstruksioneve të traditës me ato moderne. Ndriçimi individual i objekteve të vendosur brenda kubeve prej qelqi, vë në dukjemirë ato dhe krijon efekte emocinale duke e futur vizitorin në një mjedis të vërtetë lashtësie.

Objekt arkeologjik Shek VII-VI P.K.

Sektori i arkeologjisë është i vendosur në katin përdhesë të godinës, me sallat ekspozuese dhe atë të fondeve. Fondi arkeologjik përmban rreth 500 objekte, nga të cilët rreth 200, ndër më të përzgjedhurit, janë të ekspozuar ndersa pjesa tjetër ruhet në fond. Objektet arkeologjike muzeale të këtij sektori përfaqësojnë të gjitha periudhat historike, nga Neoliti (6000 vjet P.K.) deri në Mesjetën e vonë (shek.XVI). Ato kanë një shtrirje gjeografike që përfshin krejt pellgun e Shkodrës. Një pjesë e mirë e tyre vjen nga gjetje të rastit, por ka edhe objeke që vijnë nga gërmimet arkeologjike të ekspeditave të kryera në këtë territor.

Në aspektin funksional objektet mund të klasifikohen si: vegla pune, enë të përdorimit shtëpiak e të transportit, objekte kulti, armë luftarake, stoli, objekte varrezash, arkitekturore, monedha e medalje. Një pjesë e tyre janë me vlera të spikatura artistike. Përsa i përket materialit të përdorur, ato janë të punuar në strall, gurë, mermer, kockë, qeramikë, metale, qelq etj.

Ka objekte të prodhimit lokal, por edhe të ardhura përmes shkëmbimeve tregtare me vende të afërta e të largëta.

Objekt arkeologjik Shek VII-VI P.K.

Kjo ekspozitë do t'u shërbejë si vizitorëve vendas, e sidomos nxënësve e studentëve,të cilët mund të shohin konkretisht historinë e lashtë e vlerat e krijuara nga brezat paraardhës , ashtu edhe vizitorëve të huaj që duan të njihen me traditat historike e kulturore të qytetit e të krahinës së Shkodrës.

Muzeu vë në dispozicion të vizitorëve shpjegim të kualifikuar dhe materiale udhëzuese e promocionale të mjaftueshme.

Sektori i Historisë

Sektori i Historisë përmban Arkivin dokumentar dhe relike të karakterit historik. Në rrjetin muzeal të Shqipërisë është ndër më të pasurit. Ai ndahet në 55 fonde. Dokumentacioni ka të dhëna për gjithë Prefekturën e Shkodrës e më gjërë. Pjesa kryesore është në origjinal dhe e shkruar në shqip, italisht, frëngjisht, gjermanisht e serbisht.

Lënda që përmban është e karakterit historik, ekonomik, kulturor, artistik, gjuhësor, arsimor, administrativ, muzeor, shoqëror, memorialistik. Aty ruhen edhe përkthime në shqip e botimet e bëra nga Muzeu pas vitit 1949.

Pjesë e Arkivit është edhe videoteka me materiale historike të filmuara në Arkivin Qëndror të Shtetit e me imazhe të tjera (gjithësejt mbi 3000). Gjithashtu, fonoteka me koleksionin e pllakave të para të gramafonit, të regjistruara në Shkodër pas vitit 1953, dhe regjistrime orale të kujtesës historike. Një koleksion më vete përbëjnë fotografitë, ku janë fiksuar ngjarje, personazhe individuale ose në grup, monumente të ndryshme, personalitete të historisë etj.

Dokumenti më i vjetër konsiderohet një pergamenë katër faqesh ende e padeshifruar, për të cilin mendohet se daton në shek.XII - XIV.

Dokumentacioni tjetër i shkruar vazhon me fillimin e shek.XIX, ku veçohen shkrime me alfabetin e vjetër të Shkodrës (1827).

Pranë Muzeut ruhet dhe një koleksion me objekte të artit të pikturës e skulpturës (105 punime).Veçohet një basoreliev mesjetar, i punuar në dru, që paraqet Jezu Krishtin me 12 Apostujt, me tekste në alfabetin cirilik. Veprat e tjera, shumica të punuara me bojra vaji i datojnë fundit të shek.XIX e vazhdojnë deri më sot.

Fondi i objekteve historike të Muzeut përbëhet nga 4 koleksione kryesore që dokumentojnë periudhën nga shek.XV deri më sot

1. Koleksioni i armëve: Përmban armë të të gjitha llojeve, prodhime vendi ose importi.

Artileri e lehtë (topa të vegjël),shek.XIV - XV.
Artileri e lehtë (topa të vegjël),shek.XIV - XV.
Armë zjarri, krahu ose brezi të shek.XVII e në vazhdim.
Armë të ftohta tipesh të ndryshëm,shek.XVIII - XX.pede. Ut a metus.
Predha furioze metalike të madhësive të ndryshme (veçohen predhat prej guri të shek.XV, më masivet - deri më 600 kg.)

2. Koleksioni i relikeve: Lidhet me ngjarje historike e personalitete të shquara të qytetit e krahinës së Shkodrës (ndër to: të L.Gurakuqit, P.Vasës, Sh.Gjeçovit, B.Currit, D.Boriçit, Migjenit)

3. Koleksioni i vulave: Lidhen me veprimtarinë e institucioneve shtetrore, fetare a të individëve të ndryshëm të qytetit e të krahinës së Shkodrës, por edhe të shtetevetë huaja.

4. Koleksioni numizmatik (monedha e kartëmonedha të periudhës moderne): Përmban prerje monetare ose letra me vlerë të Shqipërisë e tëdisa shteteve që kanë patur marëdhënie politike apo tregtare me Shkodrën apo Shqipërinë (shek.XIX - XX ). Këtu veçohen kartëmonedhat e prera e të qarkulluara në Shkodër më 1920, kur qyteti iu bashkua përfundimisht shtetit shqiptar.

Sektori i Etnografisë

Ky sekor ka një fond prej rreth 1500 objektesh që u përkasin shek.18 - 20. Ato janë prodhime artizanale të qytetit të Shkodrës e zonave gjeo-etnografike të pellgut të tij: Dukagjinit, M.Madhe, Shllakut, Postrribës, Zadrimës, Anamalit, Krajës si dhe të krahinave të Pukës e të Mirditës.

Një pjesë e tyre janë prodhuar nga individë të familjeve qytetare apo fshatare, kurse pjesa tjetër prodhime të mjeshtërve të punishteve artizananale të qytetit të Shkodrës duke ndjekur traditën shekullore vendase, por edhe me elementë të rinj, të ndikuar nga kontaktet me kultura të huaja, në kohë të ndryshme.

Materialet e përdorura për punimin e tyre janë kryesisht të burimit vendas, por janë përdorur edhe materiale importi, kryesisht në prodhimet qytetare e më tepër në kohë të vona, me futjennë treg të materialeve të industrializuara.

Objektet janë të klasifikuara sipas funksionit në:

Tekstile (veshje komplete ose elemente veshjesh, sende mobilimi të ambienteve shtëpiake, si qylyma,perde, mbulesa tryeze, shtretrish.,strishe muri, etj.). Ruhen rreth 500 njësi, në një gjendje relativisht të mirë konservimi.

Në punimin e tyre është përdorur dendur leshi, mëndafshi natyror, pambuku, liri, duke kryer ciklin e plotë të procesit në vend, sipas teknikave tradicionale, natyrisht në një proces evolutiv të tyre. Vlen të theksohet se ato shquhen për origjinalitet, dekoracion të pasur, plot simbolikë e kolorit. Në mënyrë të veçantë vlera të rralla artistike përmbajnë veshjet, ku shpesh është përdorur filigrana me nuanca të shumta ngjyrash. Po kështu qëndisjet me dorë të të pëlhurave prej mëndafshi, liri e pambuku të shamive,këllefëve, çarçafëve etj.

Orendi druri me gdhenie si rafte, tryeza, karrige, elementë dekorativë të interiorit të banesave, me motive gjeometrike, floreale e zoomorfe. Gjithësejt ruhen rreth 35 objekte të tilla.

Enë të përdorimit të përditshëm, si kupa, pjata, tepsi,enë uji,etj, tangarë zjarri, të punuara në dru, qeramikë, porcelan, metale etj. Ato i përkasin jetës së fshatit, kryesisht asaj baritore si dhe asaj qytetare.Prej tyre ruhen rreth 120objekte.

Objekte prej guri, elementë të eksteriorit të shtëpive qytetare, si gryka pusi, lugje, enë masive depozitimi, pjesë arkitekturore banesash etj, të gdhendura me motive interesante e me forma origjinale.

Vegla pune të mjeshtrive të ndryshme, të kovaçit, argjendarit, lëkurpunuesit, bakërpunueit,drugëdhendësit, armëpunuesit, etj. Ruhen rreth 200 objekte të tilla.

Vegla muzikore tradicionale si lahuta, qifteli, fyej, zumare, saze etj. Ruhen rreth 50 copë.

Ka edhe objekte të importuara kryesisht nga Italia e Turqia, sidomos paisje e orendi të shtëpisë qytetare shkodrane: llampadarë, vazo, enë kuzhine e tryeze.

Bibliblioteka e Muzeut

Biblioteka e Muzeut që në themelimin e saj u ka shërbyer dhe u shërben jo vetëm punonjësve të brendëshëm, por edhe bashkëpuntorëve të tij e studjuesve të tjerë të jashtëm.

Ajo ka arritur të sigurojë një fond relativisht të pasur që mbulon të gjitha fushat e Albanologjisë, por edhe literaturë tjetër, të autorëve shqiptarë e të huaj, në shumë gjuhë të botës, duke numëruar rreth 15.000 tituj.

Librat më të vjetër i përkasin shekullit të 17-të, mund të përmendim librin "Dottrina Christiana" të P.Budit (1618), libri "Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander - Begh" i G.Biemm-it (1742).

Një vend të veçantë zënë koleksionet e librave, revistave e gazetave periodike që nisin nga fundi i shek 19.

Fondi prej mbi 2000 vëllimesh i bibliotekës  të familjes "Pipa" dhuruar Muzeut Historik të Shkodrës, ia ka rritur edhe më shumë vlerat kësaj biblioteke. Përmendim këtu, veçanërisht koleksionin "Albania" të F.Konicës dhe koleksionin "Shejzat" të E.Koliqit. 

Veprimtaritë shkencore e promovuese

Muzeu Historik i Shkodrës ka grumbulluar tashmë një eksperiencë të mirë përsa i përket organizimit të veprimtarive shkencore, duke bashkëpunuar ngusht me institucione shkencore- kulturore e intelektualë të qytetit si dhe studjues vendas apo të huaj që hulumtojnë për historinë e traditat tona të pasura lokale.

Veprimtaria kryesore në këtë sferë mbetet Seminari Ndërkombëtar "Shkodra në Shekuj", i cili në vitin 2002 realizoi me sukses tubimin e pestë periodik të tij.

Deri tani institucioni ka arritur të hedhë në shtyp materialet e katër seminareve të para (gjithësejt 8 vëllime) dhe po përgatitet të hedhë në shtyp ato të seminarit të pestë.

Një aspekt tjetër është organizimi i simpoziumeve e konferencave shkencore që hedhin dritë rreth ngjarjeve e personaliteteve të historisë, kulturës e artit shkodran e kombëtar, materialet e të cilave finalizohen në botime monografike.

Muzeu vazhdon botimin e revistës shkencore- divulgative "Kumtari" që ka nisur në vitet '70 dhe ka arritur në numrin e 8-të të saj.

Hapat e parë janë hedhur edhe në botimin e guidave e materialeve të tjera promocionuese të karakterit turistik, si kontribut në zhvillimin e turizmit në qytetin e Shkodrës e zonën përreth. Ndër këto shënojmë: "Shkodra-guidë"(1994), albumi me kartolina "Fletore të ikonografisë shqiptare (I)" dhe është në shtyp një tjetër guidë, "Kështjella "Rozafa".

Përsa i përket publikimeve promocionale nga arkivi "Marubi" mund të përmendim albumin "Gjurmë të Historisë Kombëtare në Fototekën Marubi" (1982), Albumin "Albanie, Visage des Balkans", realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës të Francës në vitin 1995 si dhe albumin “Marubi” botuar në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve në tetor të vitit 2003.

Shkodra - djep i shumë sporteve

KLUBI SPORTIV “VLLAZNIA”

Klubi sportiv “ Vllaznia” është klubi më i vjetër themeluar në Shqipëri (16 Shkurt 1919).  Bashkimi i Shoqerive Sportive "Vaso Pasha" dhe "Mustafa Pasha" solli krijimin e Shoqërisë Kulturore Sportive “Vllaznia”. Shkodra është origjina e lindjes së çdo sporti. Ndër evenimentet më të spikatura për sportin shqiptar mund të përmenden:

më 1908  për herë të parë luhet futboll në Shkodër;
topin e parë të vërtetë të futbollit ne Shqipëri e sjell prifti maltez At Gutt Ruter;
më 1913 luhet në Shkodër ndeshja e parë nderkombëtare e futbollit për vendin tone: mes skuadrës “Indipendenca” dhe një formacioni austro – hungarez;
më 1920 organizohet gara e parë me biçikleta;
më 1925 organizohet i pari Rreth çiklistik që më vonë do të hynte në histori, si Rrethi i Parë Çiklistik në Europë për amatorë;
më 1922 organizohet e para garë atletike në këtë qytet.
 
Stadiumi "LORO BORIÇI"

Stadiumi Loro Borici

Është ndërtuar në vitin 1956, me kapacitet 12 mijë spektatorë dhe me përmasa të standardeve olimpike. Në vitin 1985 filloi ristrukturimi i tij për t'ia rritur kapacitetin në 35 mijë spektatorë. Pas fazës së parë të rikonstruksonit, përfunduar në vitin 2002 nga MPP me një vlerë rreth 5 milion lekë
Në Shkodër u luajt ndeshja e parë e futbollit me 1905, kurse Klubi Sportiv "Vllaznia" u krijua në vitin 1919. Në vitin 1921 në Shkodër u zhvillua rrethi i parë ciklistik i Shqipërisë. Skuadrat sportive Shkodrane kanë nxjerrë kampionë në një seri sportesh si futboll, basketboll, volejboll, atletikë, boks, çiklizëm, not, ngritje peshash etj., duke konkuruar me sukses edhe në gara ndërkombëtare.

Besimet Fetare ne Shkoder

Në qytetin e Shkodrës ekzistojnë tradicionalisht tre komunitete fetare: Musliman, Katolik dhe Ortodoks. Seicili prej tyre ka institucionet dhe objektet e veta të kultit.
Krishtërimi në Shkodër i ka rrënjët të herëshme dhe sipas burimeve historike qysh nga fundi i shek.IV ajo ishte qendër arqipeshkvije. Besimi musliman ka filluar të përhapet këtu, nëpërmjet të konvertimit të popullsisë qysh në shek.XV. Si në gjithë vendin edhe në Shkodër, gjatë viteve '60, diktatura komuniste ndaloi me ligj praktikimin e besimit fetar, duke shkatërruar edhe objektet e kultit, të cilat kishin edhe vlera të rëndësishme historike, arkitekturore e artistike. Në fillim të viteve '90, me me vendosjen e sistemit të ri demokratik, institucionet fetare u riorganizuan, u rikonstruktuan ose u ndërtuan objekte të reja të kultit dhe nisi praktikimi i lirë i fesë nga qytetarët.  
Shkodra, një nga metropolet  e ekonomisë e të kulturës në Ballkan, i hapur e tolerant ndaj kulturave  të ndryshme lindore e perëndimore, mund të konsiderohet me të vërtetë simbol e model i bashkëjetesës e harmonisë ndërfetare.

Institucione Shtetërore Buxhetore

Institucione qendrore
Prefektura

Drejtësia dhe Rendi

Gjykata e Faktit
Gjykata e Apelit
Prokuroria e Rrethit
Prokuroria e Apelit
Prokuroria Ushtarake
Komisariati i Policisë
ShIK-u
Policia e Ndërtimit

Drejtoritë në Varësi të Institucioneve të Qeverisjes Qendrore

Drejtoria Arsimore
Drejtoria e Shërbimit Shëndetësor Parësor
Drejtoria Spitalore
Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit
Drejtoria e Punës dhe Përkrahjes Sociale
Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor
Drejtoria e Shërbimit Pyjor
Drejtoria Doganore

Degë të Institucioneve të Qeverisjes Qendrore

Dega e Buxhetit
Dega e Thesarit
Dega e Tatim-Taksave
Dega e Kontrollit të Shtetit
Dega e Statistikës
Dega Ushtarake
Dega e Agjencisë Kombëtare të Privatizimit
Dega e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes së Mjedisit
Zyra e Rregjistrimit të Pasurive të Palujtshme
Dega Rajonale e Punësimit

Institucione Shtetërore jo Buxhetore

Filiali Albaposta
Filiali Albtelekom
Dega e Sigurimeve Shoqërore
Dega e Sigurimeve Shëndetësore
INSIG
Dega e Bankës Kombëtare Tregtare
Dega e Bankës së Kursimeve
Filiali i Bankës Shqiptare
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë
Radio Shkodra
Inkubatori i Biznesit
Dega e Kontrollit të Mjeteve Matëse
Kryqi i Kuq Lokal
Drejtoria e Ujrave
Drejtoria Rajonale e Hekurudhave
Dega e Karburantit
Enti i Banesave
Dega e Shërbimit të Transportit
 
Web: www.shkodra.gov.al



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora