Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Zë në shkretëtirë
E shtune, 27.03.2010, 11:17 AM
Reshat Kripa
Zë në shkretëtirë
Ditën rri menduar, natën rri pa gjumë,
Zemra turbulluar, nuk e di as unë.
Hidhem e përdridhem, mendjen vras më shumë.
Të gjej të vërtetën, kur punët venë lumë.
Dua që të shkruaj, dua që të flas,
Dua që të ndihem, dua të thërras,
Sado që mundohem , sado që bërtas,
Hap pas hapi ndeshem, male rrugës has.
Zëri im i dobët, zëri im i fortë
Ngjan si pëshpërimë, ngjan si zë i kotë,
E mbulojnë atë, zhurmë zërash plotë,
Zërat e çakejve, që sundojnë në botë.
Ndihen disa zëra, shpesh kemi dëgjuar,
T’u bëjnë hosana, idhujve përçmuar,
Idhujve të kohës, kohës së kaluar,
Idhujve përmbysur, plot me turp mbuluar.
Këta shakaxhinj, oh të përparimit,
Si ç’i quante Noli, pjellat e mashtrimit,
Vallë si nuk skuqen, në pellg të mjerimit,
Ku kanë hedhur veten, turpi njerëzimit?
Si nuk kanë sedër, që thërrasin haptas,
Ca janë të djathtë, të tjerë janë majtas,
Ca janë zhonglerë, klloun ecin praptas,
Kudo vjellin vrerë, me turpin janë baras.
Në këtë kaos, këtë vend të nxirë,
Nga këta bandillë këta “xhevahirë”,
Zërat tanë të fortë, zërat tanë të mirë,
Zërat tanë të lirë, zë në shkretëtirë!