E diele, 18.04.2021, 07:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Arben Kallamata: Trimat e mençur të UÇK-së

E hene, 07.12.2009, 08:26 PM


Trimat e mençur të UÇK-së
 
Shënime mbi librin e Uk Lushit “Shqiptaro-Amerikanët e UÇK-së - Kronikë e Batalionit “Atlantiku”.
 
Nga Arben Kallamata
 
Shqipja ka boll përcaktues për të përforcuar mbiemrin trim. Trim i marrë, trim i çartur, trim i krisur, trim i rrallë, trim mbi trima, janë togfjalësh të rëndomtë. Megjithatë, rrallëherë e gjen fjalën “trim” të lidhur me mbiemra si i mençur, i zgjuar, i mprehtë, i edukuar, me shkollë. Duket sikur në mendësinë e shqiptarit trimëria dhe mençuria janë të papajtueshme.
 
Me të tilla mendime nisa të lexoj librin “Shqiptaro-Amerikanët e UÇK-së - Kronikë e Batalionit “Atlantiku” të Uk Lushit. Lushin e njihja pak – patëm biseduar nja dy herë në telefon; kemi shkëmbyer disa emaile; si edhe i kisha lexuar do shkrime, gjithsesi duke krijuar përshtypjen e një djali inteligjent, të shkolluar dhe me humor. Ndërkohë, fakti që ai i ishte bashkuar batalionit “Atlantiku” të shqiptaro-amerikanëve të UÇK-së, tregonte se
ishte edhe trim. Nisa ta lexoj kronikën e tij pikërisht me kurreshtjen për të zbuluar se si do të përpuqeshin këto dy cilësi.
 
Nuk m’u deshën shumë faqe lexim për t’i dhënë përgjigje pyetjeve të mija. Që në pjesën e parë krijova mendimin se ky libër duhet të jetë pjesë e leximit të detyruar për nxënësit e shkollave tetëvjeçare dhe të mesme, kudo që jepet mësim shqip. Kur mbarova së lexuari librin, ky mendim më ishte kthyer në bindje.
 
Libri i Uk Lushit flet për një lloj të ri, modern, të trimit shqiptar – për njeriun e shkolluar, inteligjent, më së miri të edukuar, që jeton ndoshta në metropolin më të rëndësishëm të botës, që flet dy-tre gjuhë pa vështirësi dhe që, në çastin e caktuar, me gjakftohtësi, me arsyetim krejtësisht të kthjellët, pa emocione boshe, arrin në përfundimin se është koha të lërë gjithçka pas, të sakrifikojë çdo gjë dhe të rrëmbejë armët për të mbrojtur gjënë më të shtrenjtë, atë që vetëm ai mund ta mbrojë.
 
Një nga befasimet e para duke lexuar këtë kronikë të shkëlqyer ngjarjesh përreth dhe në brendësi të luftës për çlirimin e Kosovës në pranverën e vitit 1999 për mua ishte pohimi i Lushit se ai e sheh veten si pacifist. Duke e parë edhe vetë veten si të tillë (kundërshtar i dhunës dhe luftës si mjet për arritjen e një qëllimi) isha dyfish kurreshtar të mesoja se si do t’ia justifikonte vetes Lushi rrëmbimin e armëve dhe vajtjen në luftë. Arsyetimi praktik dhe filosofik i tij është për t’u admiruar. Por jo thjesht arsyetimi. Edhe gjithë rrjedha e veprimeve të tij përgjatë ngjarjeve të përshkruar në libër bëhen dëshmi të palëkundshme të vërtetësisë, sinqeritetit dhe vlershmërisë së këtij arsyetimi. Meritë e veçantë e librit është se Lushi as sforcohet dhe as e merr mundimin të argumentojë ose t’i dalë në mbrojtje arsyetimit të tij. Përkundrazi, në rrjedhën e kronikës së tij ai e shtjellon gjithçka natyrshëm, në mënyrë logjike dhe bindëse.
 
Ditari të rrëmben që në kapitullin e pare me bisedën telefonike nga Nju Jorku me familjen në Prishtinë, një bisedë me pyetje e përgijgje në dukje nga më të rëndomtat, por qe shprehin thelbin e një drame të të vërtetë emocionale dhe intelektuale. Uk Lushi e përmbledh të gjitha pa stisje, aq sa të krijohet përshtypja se ai nuk është aspak i vetëdijshëm për forcën e thjeshtësisë së tij. Mjaftojnë dy fjalë të thëna nga motra në telefon, mjafton një heshtje dhe ngurim, një pauzë apo ndërrim bisede nga ana e nënës, që t’i japin kronikës ngarkesën e duhur për të justifikuar plotësisht vendimin për t’iu bashkuar UÇK-së.
 
Ndërkohë, lexuesi nuk e ka të vështirë ta kuptojë se s’bëhet fjalë për një vendim emocional e të nxituar, por për përfundimin racional, në të cilin arrin një intelektual i logjikshëm, madje edhe llogaritës. Është njeriu që ka përpara të vetmin shans për të ndihmuar atdheun; për t’i provuar vetes se kush është; për t’iu përgjegjur thirrjes për ndihmë të motrës dhe nevojës së pashprehur për mbështetje të prindërve të atij vetë, si edhe prindërve, motrave e vëllezërve të gjithë atyre që ai i sheh si pjesë të vetvetes, të gjithë shqiptarëve. Është përfundimi i njeriut që e ka kuptuar se po s’veproi ai, gjërat nuk kanë për të ndodhur vetë, nuk do të zgjidhen nga të tjerët. Është përfundimi i njeriut që e ka kuptuar në çdo qelizë të tij se ky është shansi i vetëm historik që iu jepet shqiptarëve për të realizuar ëndrrën e tyre, dhe se humbja e këtij shansi do të përbënte humbje jo vetëm për atdheun sot, por për breza të tërë paraardhëse dhe pasardhëse të shqiptarëve.
 
E gjithë rrjedha e mëtejshme e ngjarjeve përbën një vazhdim logjik dhe të padiskutueshëm të mbërritjes në këtë përfundim. Me ta bindur veten se vendimi i tij është e vetmja rrugëdalje, Uk Lushi (dhe me Uk Lushi nënkuptoj të gjithë brezin e luftëtarëve të UÇKsë që, si ai, lanë rehatinë dhe vetveten mënjanë për t’ia përkushtuar jetën çlirimit të Kosovës) është më se i qartë dhe i palëkundur në ato që bën. Atë nuk e lëkundin politikat dhe prapaskenat e organizimit paraprak të batalionit në New York. Si një kronikan profesionist, fare i ftohtë, ai e përshkruan me vërtetësi dhe objektivitet gjithë situatën, pa u lëkundur vetë për asnjë sekondë nga veprimi që ka marrë. Praktikisht, vendimi nuk ka të bëjë fare me ata që i bien gjoksit me grusht dhe bërtasin me zë të lartë për patriotizëm dhe heroizëm por që, kur iu vjen rasti të tregojnë veten, i bëjnë bisht gjithçkaje. Sado i madh numri i tyre, sado e hidhur braktisja që ata i bëjnë çështjes në çaste të ndryshme (disa qysh në fillim, në New York, të tjerë më vonë, në Durrës, apo në Burrel), ata s’kanë pikë ndikimi në vendimin e Uk Lushit dhe mijëra të tjerëve që janë të palëkundur në synimin e tyre.
 
Me një modesti mahnitëse, Lushi arrin të çpersonalizojë edhe një zhanër aq intim e personal si ditari. Lexuesi e ndjen në çdo rresht se autori i librit e sheh veten më tepër si kronikan të papërfshirë në ngjarje, megjithëse kronika është shkruar edhe në intervalet e shkurtra midis luftimeve. Megjithatë, Lushi shkon edhe një hap më tej duke ftuar në rreshtat e librit edhe ditarin e Florim Lajçit, një djali të ri të lindur në SHBA nga prindër shqiptarë. Ditari i Florimit i jep një përforcim përfundimtar kronikës së Uk Lushit dhe, në një farë mënyre, sikur e kornizon portretizimin e luftëtarit modern të UÇKsë. Ai është një element plotësues, përforcues dhe i futur me mjaft mençuri në libër.
 
Vullnetarët e Atlantikut nuk lëkunden as nga “çuditë“ që ndodhin me fondet e mbledhura në ndihmë të UÇK-së; as nga perversitetet e pjesës më idiote dhe të papërgjegjshme të medias shqiptare; as nga gafat e politikanëve shqiptarë në të katër anët e spektrit dhe në të dy anët e kufirit që ndan kombin në mes. Ata s’tërhiqen as nga verbëria dhe fodullëku i disa drejtuesve të vetë UÇK-së, e as kur policia ushtarake e ushtrisë që ata kanë krijuar fillon t’i trajtojë si kriminelë. Uk Lushi dhe bashkëluftëtarët e tij tregojnë në këtë rast jo vetëm trimëri, durim dhe vendosmëri. Ata tregojnë një mençuri, gjakftohtësi dhe vetëpërmbajtje të rrallë. Qëllimi i tyre përfundimtar është shumë më i lartë, më i rëndësishëm se sa cic-micet dhe vogëlsitë e jetës së përditshme, më sublim se sa vetë jeta dhe vdekja.
 
Nga mënyra se si i përshkruan kronika e Uk Lushit ngjarjet, të duket sikur këto janë vështirësitë e vërteta. Me t’u gjendur në front, aty përballë armikut, në kushtet më të vështira, ku ditët janë tmerrësisht të nxehta dhe netët tmerrësisht të ftohta, kur flihet (ose kalohet nata pa gjumë) jashtë dhe hahet keq, ku plumbat e snajpërve, bombat, e minat mund të ta marrin jetën (dhe madje arrijnë të marrin jetë) në çdo sekondë, duket sikur gjithçka bëhet më e lehtë. Kjo sepse vendimi i Lushit dhe bashkëluftëtarëve të tij nuk ka të bëjë aspak me jetën dhe me vdekjen, ai qëndron mbi to.
 
Një tjetër element tepër i rëndësishëm i vendimit të mençur të Uk Lushit, është fakti që ky vendim merret nga dashuria dhe jo nga urrejtja. Uk Lushi merr vendimin të luftojë për çlirimin e atdheut të tij; të luftojë për të ardhmen e motrës, prindërve, dhe bashkëqytetarëve të tij. Ai nuk merr vendim të luftojë për të zhdukur serbët. Luftëtari modern i UÇKsë është një qytetar krejtësisht perëndimor, larg meskiniteteve dhe urrejtjeve boshe ballkanike. Ai lufton regjimin e Milosheviçit dhe të bandave të tij – të cilët, po, i urren dhe kërkon t’i shkatërrojë. Por Lushi di të kujtojë me dashuri, madje edhe të merakoset për mësuesen e tij serbe të letërsisë, për profesorin fqinj serb dhe për gjithë të njohurit e miqtë e tij tjerë serbë. Fakti që Uk Lushi si kronikan i batalionit amerikan të UÇK-së dhe si luftëtar i tij, jo vetëm nuk harron, por edhe bën kujdes që ta analizojë pozicionin e tij në lidhje me dallimin midis regjimit pushtues dhe popullit të thjeshtë e të pafajshëm serb, midis kriminelëve të organizuar, dhe viktimave të pafajshme është vërtet për t’u admiruar. Kini parasysh, flitet për një njeri që ka flakur tej jetën e tij personale dhe po rrezikon gjithçka, një njeri i cili fare lehtë mund ta linte veten të përflakej nga urrejtja pa kufi. Ky vështrim kaq i kthjellët i gjendjes, kjo pastërti logjike, të mbush me shpresë.
 
Ndërthurja e trimërisë me mençurinë kthehet në domosdoshmëri veçanërisht me çlirimin e Kosovës, në ato ditë aq delikate dhe të rëndësishme për fatin e shqiptarëve. Vullnetarët e “Atlantikut” dijnë të krijojnë marrëdhëniet e nevojshme jo vetëm sepse njohin gjuhën, por edhe sepse njohin modelin e komunikimit me ushtarakët ndërkombëtarë. Rezultat i kësaj janë dy fitore të vogla në kohë paqe: “mini-çlirimi” i hotelit kryesor të Prishtinës e, më vonë, nxjerrja në shesh e të vërtetës në lidhje me fatin e tre vëllezërve Bytyçi.
 
Do të desha të shtoja edhe dy fjalë për gjuhën e librit. Është e shkëlqyer: një shqipe e pastër, me një strukturë gramatikore të përkryer; mjaft e këndshme dhe e pasur. Uk Lushi nuk e ka të vështirë të ndërthurë shqipen letrare me elementë të shqipes së folur në Kosovë, dhe e bën këtë pa e rënduar aspak lexuesin. Në fund të fundit, ai ka shkruar një libër për të gjithë shqiptarët. Nuk e teproj po të përsëris mendimin se ky libër duhet të jetë pjesë e leximit të detyrueshëm për nxënësit e shkollave shqipe.


(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora