E premte, 26.04.2024, 08:57 AM (GMT+1)

Faleminderit

Lamtumirë Pater!

E hene, 01.10.2007, 06:54 PM


Anila Dushi

Me një ceremoni madhështore, mijëra njerëz të ardhur nga e gjithë Shqipëria i dhanë lamtumirën e fundit At Zef Pllumit. Pas homazheve në kishën françeskane, mesha e përshpirtshme u dha në Katedralen e Shkodrës

Dje ne ceremonine mortore te At Zef Pllumit ne katerdalen e Shkodres
Atë e deshën të gjithë. Pa dallim feje, sepse edhe ai i deshi po ashtu. Dita e djeshme tregoi se dashuria dhe dhimbja nuk njeh flamuj fetarë dhe politikë. Qytetarët e Shkodrës, por dhe mjaft të ardhur nga rrethet e tjera të vendit, përcollën dje për në banesën e fundit, një prej figurave më të njohura dhe më të nderuara të katolicizmit dhe atdhetarisë shqiptare, At Zef Pllumin. Gjatë gjithë paradites së djeshme, me mijëra qytetarë, ashtu si dhe një ditë më parë, bënë homazhe para arkivolit me trupin e pajetë të humanistit, filozofit, shkrimtarit e qëndrestarit të pashoq, "Nderit të Kombit", At ZefPllumi. Kisha françeskane priti e përcolli gjatë këtyre dy ditëve mjaft njerëz, besimtarë katolikë, qytetarë të thjeshtë, ish-të përndjekur politikë, politikanë nga Shkodra e Tirana, si dhe shtetas nga viset Shqiptare përtej kufirit, përfaqësues të besimeve të tjera fetare etj. Deri në orën 13.00, vazhduan homazhet, ku nuk munguan as figurat e njohura të politikës si Edi Rama, Ilir Meta, Gramoz Ruçi, Nard Ndoka, Ekrem Spahia, etj. Pas orës 13.00, në një procesion të organizuar nga Urdhri Françeskan, arkivoli me trupin e 83- vjeçarit Pllumi u zhvendos në Kishën Katedrale të qytetit të Shkodrës. Mijëra njerëz e shoqëruan më këmbë në rrugën kryesore të qytetit. Në krye të këtij procesioni ishte banda e qytetit dhe përfaqësuesit e provincës françeskane. Kurora dhe tufa të shumta me lule si dhe një foto e dimensioneve të mëdha e At Zef Pllumit i ka prirë procesionit. Në kishën katedrale është mbajtur dhe mesha e rastit, ku të pranishëm ishin edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ish- presidenti Alfred Moisiu, ministrat Sokol Olldashi, Genc Pollo, Nard Ndoka, deputetë të Parlamentit të të gjitha kaheve politike. Meshën e Shenjtë për nder të tij e mbajti Arqipeshkvi Metropolitan i Tiranës e Durrësit, Imzot Rrok Mirdita dhe Arqipeshkvi Metropolitan Shkodër-Pult, Monsinjor Angelo Masafra.

Me gjithë kërkesën nga ana e institucioneve shtetërore, At Zefit nuk iu bë një ceremoni shtetërore. Në mungesë të saj, Presidenti i Republikës Bamir Topi foli në Katedralen e Shkodrës në shenjë rrespekti për figurën e At Zef Pllumit. "At Zef Pllumi i takon asaj plejade patriotësh, të cilët iu kundërvunë diktaturës së egër komuniste me zërin e shpirtit, me dashurinë e Zotit dhe në emër të kombit. Mbijetesa e tij ishte dëshmi e gjallë e ekzistencës së Zotit. At Zef Pllumi iu kundërvu si diktaturës, ashtu edhe armiqve të kombit shqiptar", - u shpreh ndër të tjera Presidenti. Njerëzit e shumtë që kishin mbushur si asnjëherë tjetër katedralen e qytetit të Shkodrës, por dhe mjaft të tjerë që qëndronin jashtë saj apo bashkoheshin në rrugë me procesionin, derdhën lot për At Zefin, për atë që me qendresën e veprën e tij i ka ndihmuar të kuptojnë të kaluarën e mbi të gjitha të falin. Që i ka mësuar të dinë të përballojnë vuajtjet e saktificat. Për françeskanin që e kapërceu dimensionin e një kleriku, duke u bërë një shembull i gjallë i humanizmit, sakrificës, intelektualit dhe mbi të gjitha patriotit e atdhetarit të madh. Pas përfundimit të meshës, një numër dhe më i madh njerëzish pa dallim feje si dhe mjaft intelektualë e personazhe të njohura të shoqërisë civile, jo vetëm në Shkodër shoqëruan trupin e At Zef Pllumit në banesën e fundit. Këtu ka pasur të tjerë persona që kishn mbushur rrugën tek kisha e Zonjës Rruzare, tek Arra e Madhe, në kapelën e së cilës u varros At Zef Pllumi. Ai prehet tashmë përkrah klerikëve françeskanë Gjolaj, Gjeçaj e Maka, të ndarë nga jeta përkatësisht në vitet 2000, 2002, dhe 2004. Atyklerikët e Urdhërit Françeskan kryen gjithë ritualet e ceremonisë mortore, ndërsa pas mbylljes së varrit, njerëzit e shumtë që qëndronin në ambientet e jashtme të kishës dhe në oborrin e saj, kryen homazhet e fundit dhe u shtrënguan duart të afërmve të të ndjerit. Pjesëmarrja e njerëzve në ceremoninë e lamtumirës së fundit për At Zef Pllumin ka qenë më e madhja e këtyre viteve të fundit në qytetin e Shkodrës. At Zef Pllumi la pas një vepër të shkruar e të pashkruar me shumë vlera për të sotmen dhe të ardhmen. Ishte jeta e vepra e këtij njeriu sa të thjeshtë aq dhe të madh që bëri që dje qyteti i Shkodrës të derdhte lot dhe të respektonte kujtimin e tij.

Shkon At Pllumi, na lë trashëgimi dëshmitë e mbijetesës në “Rrno vetëm për me tregue”

Gazeta 55
     
Meshë e procesion i posaçëm dje në Shkodër në përcjelljen e françeskanit At Zef Pllumi për në banesën e fundit, në kishën e Zojës Rruzare. Në ceremoni kryeipeshkvi Imzot Rrok Mirdita si dhe presidenti Bamir Topi. Imzot Pllumi ishte shndërruar në një formulë pajtimi për shoqërinë shqiptare, megjithatë nuk duhen harruar xhelatët, të cilët po shfaqen të shndërruar, edhe në mjediset ku prodhohet politikë

Dje, në orën 14 në katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër filloi kremtimi i Meshës për shpirtin e Atë Zef Pllumit, vdekur në Romë më 25 shtatorin e kaluar. Meshën e salikimeve, në praninë e një numri tepër të madh njerëzish, ndërmjet të cilëve edhe presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi, e kryesoi kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, kryeipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot Rrok Mirdita, në bashkëkremtim me kryeipeshkvin metropolit të Shkodër-Pultit, Imzot Anxhelo Masafrën, me provincialin e provincës françeskane të Zojës Nunciatë, Atë Gazmend Tinajn, që mbajti homelinë e rastit, dhe me ipeshkvij, meshtarë e rregulltarë të Kishës Katolike nga Shqipëria, Kosova e Mali i Zi. Të pranishëm edhe përfaqësues të feve të tjera e të botës politike e kulturore. Homazhet për at Pllumin, klerikun-kundërshtar të paepur të regjimit ateist të Hoxhës, të nderuar me urdhrin më të lartë të Shqipërisë “Nderi i kombit”, kanë vazhduar për tre ditë me rradhë. Gjatë ditës së djeshme, pasi kanë bërë homazhe pranë trupit të pa jetë të At Pllumit, autoritetet e larta kanë lënë shënimet e tyre në librin përkatës. Ra në sy pjesëmarrja në homazhe e shumë deputetëve të Kuvendit, të të gjitha spektrit politik. Përveç tyre ishin të pranishëm
autoritete dhe përfaqësues të artit, kulturës e arsimit që nderuan kujtimin e atit françeskan, të konsideruar si një prej ikonave të persekucionit komunist. Pas meshës së posaçme, At Pllumi është përcjellë në banesën e fundit pranë kishës së Zojës Rruzare të Arrës së Madhe ku do të prehet në të njëjtat varreza ku prehen edhe të tjerë prelatë të njohur të urdhrit françeskan.
Gjatë fjalës së tij në Katedralen e Shkodrës Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ndër të tjera theksoi: “At Zefi i takon asaj plejade patriotësh, të cilët iu kundërvunë diktaturës së egër komuniste me zërin e shpirtit, me dashurinë e Zotit dhe në emër të kombit. Mbijetesa e tij ishte dëshmi e gjallë e ekzistencës së Zotit. At Zef Pllumi iu kundërvu si diktaturës ashtu edhe armiqve të kombit shqiptar. Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka u shpreh: “At Zef Pllumi është simbol i krishtërimit shqiptar.Vlerat e tij do jenë busull orientuese për të krishterët shqiptarë. Nderi i Kombit na ka bërë të gjithëve një nder me punën e tij, me jetën e me përkushtimin e tij. Do jetë një busull orientuese, jo vetëm për besimtarët e krishterë, por për gjithë shqiptarët. Ai e përkushtoi jetën e tij në shërbim të kombit dhe ky është një vlerësim maksimal”. Kreu i LSI-së Ilir Meta u shpreh për mediat se “At Zef Pllumi do të mbetet gjithmonë një figurë që me veprën e tij, e cila për fat të mirë në një pjesë të konsiderueshme është e shkruar dhe e botuar, do të na ndihmojë për të kuptuar mirë të kaluarën tonë të dhimbshme, por edhe do të na ndihmojë më shumë për të ndriçuar të ardhmen tonë që të mos përsërisim ato gabime të së shkuarës që i kanë kushtuar shumë dhimbje dhe sakrifica popullit dhe kombit tonë. Për mua mbetet një figurë përveç se shumë e rëndësishme e kulturës e katolicizmit, mbetet edhe një figurë e çmuar e tolerancës, mbetet figurë e rëndësishme patriotike me ndjenja të fuqishme
kombëtare. Natyrisht për mua dhe familjen time do të mbetet, përveç të tjerash një mik i paharruar dhe një këshilltar vërtet shumë i çmuar dhe i pazëvendësueshëm.
Botuesi i veprës monumentale të Padër Zef Pllumit, publicisti Fahri Balliu, për gazetën “55” tha: “Padër Zefi ishte Atë, jo në kuptimin zyrtar, ai ishte Atë në kuptimin e modelit njerëzor, ai ishte tolerant pa i shkelur parimet e tij. Aktualisht një figurë e tillë shfaqet shumë rrallë në historinë gjaknxehtë të shqiptarëve, por Padër Zefi ia mbërriti, me ndritjen e talentit të tij, të bëhet një formulë njerëzore pajtimtare. Por gjithsesi, pasi të krasitet thelbësia e së keqes në mesin e shqiptarëve, se nuk mund të shkojë puna deri aty saqë ta trajtojmë librin “Rrno për me tregue”, një gjenialitet të tij, sikur ky e shkroi duke ndenjur në qelë. Harrojmë që ky ishte prift i futur në burg dhe i kërcënuar nga vdekja me urdhrin më të zi serbo-rus për të mbyllur dyert e qytetërimit perëndimor në Shqipëri. Nuk duhen harruar xhelatët. Ai ishte simboli i persekutimit të klerit katolik shqiptar. Ai ishte emblema e rrugës qytetërimore shqiptare, drejt Perëndimit. Ai ishte mbrojtësi dhe përkrahësi i idesë se në Evropë do të shkojmë të gjithë shqiptarët, me këto besime që kemi dhe kjo s’është kurrfarë pengese. Ai u bë kështu një nga prokursorët e thirrjes kombëtare mbarëshqiptare për ta çuar kombin në Evropën prej nga ka dalë e ka lindë. Sigurisht morti i tij asht i randë, ndër të gjithë njerëzit që e kanë njohë e e kanë dashtë. Por sigurisht asht ma i randë ndër ata që s’kanë dashtë të marrin prej tij, por atë t’ia japin të tjerëve. Dhe ky është një ndryshim i madh”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora