E shtune, 14.12.2019, 01:28 PM (GMT)

Komente

Hija e Shkallnuerit dhe kulti i vdekjes

E enjte, 27.09.2007, 05:53 PM


Nga Andrea Stefani

Një fantazmë po vërtitet nëpër Shqipëri. Nuk është as e komunizmit, as e antikomunizmit dhe as e Mbretit Hamlet. Është fantazma e një fshatari të një fshati të humbur që quhet Shkallnuer. Ka vdekur rreth 6 vjet më parë në një aksident automobilistik të mbështjellë me ende mister. Tamam sikur të ishte një vrasje. Përflitet se një "Benz" luksoz e ka përplasur dhe madje se, gjë që nuk është e sigurt, fajtorët e kanë hedhur viktimën në kanal. Por është e sigurt që nuk e morën viktimën për t‘i dhënë ndihmën për jetën, është e sigurt se e kanë braktisur duke kryer kështu një krim. Është thënë se aksidentin dhe më pas edhe braktisjen (krimin) e ka kryer ish-kryeministri Fatos Nano. Opozita e atëhershme akuzoi fort dhe premtoi drejtësi. Lideri i saj gati e bëri të flasë fantazmën e shkretë për të goditur me tragjedinë e saj, imazhin e një pushteti të korruptuar. Por vetëm kaq. Sot ai, aleatët politikë dhe pushteti i tij po heshtin. Thuajse të gjithë deputetët, pavarësisht nga ngjyra, refuzojnë të hetojnë çështjen e Shkallnuerit që duket sikur drejtësia e papërlyer e providencës ia u risolli si një sfidë në tryezën e debatit politik. Politika sëkëlldiset të fusë në telash "liderin e madh dhe historik" Fatos Nano, për sebepin e një fshatari, jeta e vockël e të cilit nuk ka asnjë rëndësi për shtetin. Por fantazma e 60-vjeçarit Petrit Islamaj, e çliruar nga vargonjtë dhe frikërat që mundojnë të gjallët, vërtitet prej vitesh nëpër shtet, duke kërkuar drejtësi. Dhe këtë nuk e bën në emër të vdekjes. Fantazma e tradhtuar e fshatarit të shkretë, kërkon drejtësi nga bota e vdekjes në emër të jetës. Sepse çdo krim i pandëshkuar nga drejtësia, pjell krim. Shteti demokratik nuk njeh krime fisnikësh dhe krime proletarësh, krime "të ligjshme" dhe krime të paligjshme. Ndaj i vdekuri i pafajshëm kërkon nga bota e përtejme barazi para ligjit, i tmerruar për fatin e fëmijëve të tij, familjes, i tromaksur për fatin e secilit prej nesh që kërcënohet nga ky diskriminim mesjetar që i jep të drejtën dikujt të vrasë, qoftë edhe aksidentalisht, pa u ndëshkuar nga ligji. Fantazma kërkon drejtësi për ne, por ne, e kemi tradhtuar atë dhe veten tonë. Sepse ne jemi shteti. Për këtë shkak e kanë tradhtuar e braktisur edhe policia, prokuroria, politika dhe drejtësia. Të gjithë për hatër të kultit politik, aleancave cinike dhe të pista për pushtet, kemi tradhtuar kultin e njeriut. Kemi braktisur dhimbjen për njeriun ndaj shoqëria duket si pa zemër. Ndaj njeriu është më i pambrojtur se kurrë, ndaj fantazma e një fshatari, e një shtetasi, e një qytetari qëndron prej 6 vjetësh po aq e braktisur në një rrugë të varfër të një fshati të varfër, sa ditën kur e vranë. Dhe ashtu do të qëndrojë, si protestë dhe aktakuzë e tradhtimit të njeriut, derisa njerëzit, shteti i tyre dhe drejtësia e shtetit, ta ngushëllojnë.

***

Cili është dallimi mes demokracisë dhe diktaturës? Demokracia themelohet mbi kultin e njeriut, jeta dhe liria e të cilit, shpallet dhe është e paprekshme. Asnjë arsye shtetërore, asnjë pushtet, asnjë lavdi, asnjë lider nuk kanë vlerë më të madhe sesa jeta e një njeriu, sepse arsyeja më e thellë e themelimit të një shteti demokratik është jeta e njeriut. Në të kundërt, diktatura themelohet mbi kultin e liderit, ajo ushqehet duke burgosur dhe marrë jetën e njeriut. Ajo që po ndodh është pikërisht një reminishencë e kësaj marrëdhënieje faraonike mes liderit dhe njeriut. Jeta e njeriut është braktisur në thonjtë e vdekjes, njeriu është vrarë por ligji hesht sepse duket nuk e lë të flasë një kult politik që është më i fuqishëm se ligji. Atëherë çfarë shteti jemi ne? Ky është shteti ligjor i barazisë së të gjithëve para ligjit kur njerëzit (që dihet se nuk mund të jenë të barabartë në jetë), nuk janë të barabartë as para vdekjes? Dhe dëgjon deputetët të japin "arsyet" se përse nuk mund ta hetojnë parlamentarisht çështjen e Shkallnuerit. Parlamenti nuk duhet të dublojë institucionet kur pranon kërkesa për ngritjen e komisioneve hetimore - deklaron kryetari i grupit parlamentar republikan. Pak a shumë kështu shprehen edhe të tjerë pavarësisht nga lëkura politike e majtë ose e djathtë. Parlamenti nuk duhet të përzihet në një çështje që është marrë nën hetim nga prokuroria. Kurrë politika nuk ka qenë kaq në unitet. Por të gjithë harrojnë se vetëm pak kohë më parë, po ky Parlament mori në shqyrtim rreth 80 çështje që po ndiqeshin nga prokuroria, me akuzën se prokuroria nuk po i ndjek ato si duhet. Atëherë si dy standarde? Kur është puna për të luftuar Sollakun, pra për çështje pushteti, është kushtetuese të hetosh hetimet e prokurorisë, por kur është fjala për një viktimë të mjerë fshati, nuk është kushtetuese? Pse, se tani e kemi Nanon aleat dhe jo rival? Vetëm një politikë që ka braktisur përfundimisht njeriun mund të bëjë pelivanllëqe të tilla cinike. Një politikë që nuk ka për kult njeriun por antinjeriun.

***

Shqiptarët nuk po heqin dorë nga zakoni i tyre i lashtë i ngjizjes së mbinjeriut. Por jo i mbinjeriut në kuptimin niçean, në kuptimin e krijesës që do të lërë pas për nga pasurimi me vlera humane njeriun e sotëm, ashtu sikundër njeriu i sotëm ka lënë pas homoerektusin. Ashtu si goditjet e çekanit i japin formë hekurit të skuqur, ashtu edhe duartrokitjet dhe servilizmi masiv, pushtetet e tejzgjatura në kohë dhe lajkat e përnatshme të medias si një lavdi e përnatshme, e çnjerëzojnë natyrën e liderit, duke e bërë të pandjeshme për fatin e njeriut. Dhe si mund të shpjegohet që Nano nuk ju gjend pranë të mbyturve të Vlorës apo studentëve nga Kosova, përveçse me këtë ftohtësi mbinjerëzore për jetët e vockla njerëzore? Mbinjeriu shqiptar është lideri që shpallet më i shenjtë për shtetin se qytetari, që jeta, planet dhe fama e tij, trajtohen më të shenjta për shtetin se jeta e një njeriu. Ligjet që veprojnë mbi njerëzit nuk veprojnë mbi të. Por gjithkush që do të fitojë një forcë mbiligjore, nuk do të jetë më njeri por mbinjeri, një lloj monstre. Sepse forca dhe liria e njeriut qëndron te ligji i bërë nga njerëzit dhe për njerëzit pa dallim. Siguria dhe liria e individit, e njeriut ndjehet e kërcënuar sapo dikush del jashtë rrezes që kap ligji. Ky status mbiligjor, nuk është pjellë vetëm e një sjellje pushtetesh, institucionesh, deputetësh, por mbi të gjitha është një mendësi dhe një marrëdhënie e pranuar nga thuajse të gjithë. Pothuajse të gjithë mendojnë se ka një apo disa jetë që janë më të çmuara, gati të shenjta, jo si jetët e tyre të thjeshta prej njerëzish. Një hap pranë këtyre kulteve, shtrihet sakrifikimi i jetëve për faraonin dhe piramidën e tij. Sepse viktima e Shkallnuerit e braktisur nga gjithkush, nuk ka thuajse asnjë ndryshim nga sakrifikimi i skllevërve në varrin e faraonit që ishte dhe lavdia e faraonit. Ku janë përbetimet e opozitës së djeshme për drejtësi? Nuk jemi ne që kërkojmë llogari, është klithma e fantazmës që akuzon.

***

Në politikën e sotme për sa i takon moralit, shihen vetëm gërmadha. Por shqetësimi më i madh është se njerëzit, publiku, po familjarizohen me to. Ka një akuzë publike që implikon Nanon. Është ende e pavërtetuar, por megjithatë, një akuzë që as nuk është hedhur poshtë. Dhe të gjithë heshtin si nën një Omerta mafioze. Dhe Nano vazhdon jetën politike sikur të mos ketë ndodhur gjë, madje pretendon, pikërisht ai që ka për art braktisjen e gjithçkaje përveç ambicies së vet, të marrë përsëri në dorë fatet e shqiptarëve. Çfarë shakaje e hidhur! Shihet qartë se kultet e politikës e kanë mposhtur kultin e njeriut dhimbjen për të. Vriten minatorë nëpër zgafelle dhe askush nuk jep dorëheqje. Zhduket një jetë dhe ligji ka frikë të hetojë se kush e vrau. Askush nuk troket në portën e viktimës, askush nuk pyet, askush nuk heton në Shkallnuer. Rastësisht? Kulti i jetës, më i larti, më sublimi, shpërfillet, poshtërohet, tradhtohet nga një shoqëri e tërë, nga një shtet i tërë, sepse kështu i leverdis kulteve të politikës që kërcënojnë dhe si pa kuptuar, po kthehen në kulte të vdekjes. Dhe bëjmë sikur nuk e shohim hijen e shpirtit të viktimës që vërtitet e lemerisur nëpër rrugë, se e braktisëm në rrugë. Nuk e dëgjojmë vajtimin e tij dhe brengën e të afërmve. Na duket sikur nuk ka të bëjë me ne. Dhe nuk do të shpëtojmë nga ndëshkimi i kësaj braktisjeje derisa të gjithë ne, çdo shtetas të shohë te viktima e Shkallnuerit, kufomën e shtetit të njeriut, trupin e tij të vrarë dhe të braktisur nga lakmia për pushtet e lavdi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT