E premte, 26.04.2024, 01:15 AM (GMT+1)

Mendime

Traumatizimi në Politikë

E merkure, 26.09.2007, 06:36 PM


Nga Menduh THAÇI*

Nëse do të flasim për teorinë politike, për atë mjeshtri që krijon mundësi për suksesin ose dështimin e një kursi politik, të bartësve dhe të zbatuesve, prej ministrave e deri te sportelistët, vlerësoj se duhet të bërë një rikapitullim i procesit të deritashëm politik për të pasur një pasqyrë të qartë për fillet tona, për rezultatet, pengesat dhe për ardhmërinë politike jo vetëm të PDSH-së, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Njëri nga problemet kryesore me të cilat është ballafaquar njerëzimi në fushën e politikës është padyshim përcaktimi i mënyrave të përfaqësimit të interesave të popullit. Në procesin e deritashëm historik u bë e qartë se zgjedhjet demokratike janë mënyra më e drejtë jo vetëm me përfaqësimin, por edhe kontrollit të pushtetit. Këtë përcaktim tanimë askush nuk mund të kontestoj, por vetëm të abuzojë. Abuzimi shfaqet në forma të ndryshme banale apo sofistike që mund ta përkufizojmë si inxhinjering elektoral. Me këtë metodë synohet që demokracia të zbatohet formalisht dhe jo thellësisht. PDSH-ja disa herë ka qenë viktimë e manipulimeve të tilla.Ajo ka qenë viktimë, jo për shkak tëfrikës, por për shkak të bindjes së paluhatshme se demokracia është mënyrë e vetme e legjitimimit, të fitimit të së drejtës për përfaqësim të interesave të popullit. Prandaj kjo parti ka ngecje dinjitoze dhe ngritje marramendëse, në dallim nga partitë tjera shqiptare, të cilat kur janë pozitë harlisen si mëzetërit në pranverë, ndërkaq kur kalojnë në opozitë i kap gjeremi dhe duken si pulat në shiun e vjeshtës. Në Maqedoni veçmas në pjesën perëndimore të saj këto manipulimeelektorale kanë një përvojë të hidhur. Kjo ka të bëjë me procesin e tranzicionit në përgjithësi.

Shtetet dhe shoqëritë që dolën nga kolapsi i ideologjisë komuniste vështirë pajtoheshin me risitë doktrinare, veçmas me margjinalizimin e tyre në sistem. Prandaj këto struktura në mënyrë instiktive kaluan në pozicione të imitimit të demokracisë. Pjesë e kësaj strategjie të evitimit të pasojave të pluralizmit politik dhe të demokracisë ishte manipulimi në zgjedhje me qëllim të riciklimit të kuadrove dhe strukturave në sistemin e ri të vlerave politike. Siç dihet pluralizmi me automatizëm krijonte mundësi për liri të shprehjes dhe të afirmimit të ideve të ndryshme, madje edhe atyre të spektrit etnik. Të mësuar me kontrollin e rreptë të lirisë së fjalës dhe të sfidave etnike këto struktura, të vetëdijshme për pasojat nga afirmimi i vlerave kombëtare, në pamundësi që të parandalojnë depërtimin e standardeve demokratike, bën çmos që të imponojnë përfaqësues që do të jenë sërish nën kontrollin e tyre. Këtë mund të arrinin vetëm me përdorimin e teknikave të përsosura jo vetëm gjatë zgjedhjeve, por edhe gjatë formimit të partive politike.

***

Shqiptarët e Maqedonisë prej fillimit u ballafaquan me këto projekte qëkrijonin konfuzion gjatë vlerësimit të situatave të ndryshme. Ky konfuzion i moliste kapacitetet politike, intelektuale dhe ekonomike në përgjithësi. Përmes kontrollit absolut të mediumeve, të organeve të ndjekjes dhe institucioneve të tjera, strukturat e vjetra arrinin të arbitrojnë në zënkat e brendshme politike të shqiptarëve duke mbrojtur favoritët e tyre. Nga këto fërkime politike u brumos edhe partia jonë e cila që nga fillimi ka hasur pengesa frontale nga strukturat e vjetra të shtetit.

Ndjej nevojën që të flas edhe kësaj radhe për këtë kronikë të hidhur meqë jemi para sfidave të mëdha politike dhe kombëtare. Them politike meqë vlerësoj se ka ardhur koha që kjo parti të fillojë të lirohet nga pasojat që imponohen nga strukturat e hirta joformale të shtetit që tashmë kanë krijuar përvojë të madhe se si ta kontrollojnë sfidën demokratike shqiptare. Them njëkohësisht kombëtare, ngaqë proceset që nisën me shthurjen e Jugosllavisë janë në përfundim e sipër dhe shqiptarët e Maqedonisë duhet përfundimisht të përkufizojnë pozicionin e tyre politik dhe strategjik. Pra, PDSH-ja në zgjedhjet e vitit 2006 fitoi 11 deputetë që nuk pasqyron assesi relevancën e kësaj partie në elektorat. Ne e pranuam këtë rezultat meqë jemi të vetëdijshëm se këto manipulime nuk mund të eliminohen lehtë dhe se rrugëdaljen duhet kërkuar në një proces të gjatë të "pjekjes" të demokracisë, veçmas në inkuadrimin e Maqedonisë në strukturat evropiane dhe strukturat veri-atlantike.

Sipas një tradite që tashmë po thellohet, PDSH-ja hyri në koalicion për formim të qeverisë së re me partinë maqedonase me doktrinë të ngjashme,me VMRO-DPMNE. Ky përfundim i zgjedhjeve të 2006 krijoi shqetësime të ngjashme si në vitin 1998 dhe unë ndjej nevojën që të shpjegojë natyrën e këtij shqetësimi. Motivi kryesor i këtij shqetësimi është humbja e relevancës, humbja e burimit të interesave të strukturave të vjetra të pushtetit dhe rrjedhimisht të politikave të tyre. Në vitin 1998 PDSH-ja hyri në koalicion me VMRO-DPMNE, me përcaktimin që të krijohet një klimë e re politike që njëherë e përgjithmonë do ta lironte Maqedoninë dhe qytetarët e saj nga skemat e vjetra mentale, politike dhe gjeo-strategjike. Në këtë periudhë filloi procesi i çmontimit të strukturave të vjetra të sistemit. Ç'është e vërteta në bllokun shqiptar ky proces pati filluar që në vitin 1996 me fitoren brilante të PDSH-së në zgjedhjet vendore ku ajo fitoi në dy qytetet kryesore shqiptare, Tetovë dhe Gostivar.

Në periudhën e qeverisjes së PDSH-së me VMRO-në shqiptarët realisht filluan të qeverisin me vetveten. Në këtë kohë LSDM-ja e përdorte deri në absurd akuzën kundër VMRO-së se ajo paska lejuar që në Maqedoninë Perëndimore pushtetin ta ushtrojë PDSH-ja. Kjo akuzë nënkuptonte faktin se në Maqedoni nuk duhet lejuar që pushtetin ta ushtrojnë ato parti që e formojnë qeverinë, por strukturat e hirta, joformale dhe të vjetra të pushtetit. Kjo akuzë e zbulonte projektin e suspendimit të demokracisë, që sipas tyre duhej të zbatohej vetëm formalisht. Për ta fshehur këtë fakt mediumet e kontrolluara nga këto struktura filluan ta përhapin frikën e ndarjes së Maqedonisë. Çmontimi i strukturave të vjetra është rrezik i madh për çdo shoqëri. Ato reagojnë në mënyrë konspirative, të nëndheshme, me kërcënime llojesh të ndryshme. Nxjerrja e ligjit për hapjen e dosjeve filloi të hedhë dritë mbi mekanizmat që nga hija e drejtonin kursin politik dhe zhvillimet e tjera në këtë shtet. Zbulimin e tyre disa nga bartësit e këtyre strukturave e quajtën si rrënim të shtetit. Në këtë fazë ndodhi kriza e Kosovës të cilën PDSH-ja siç dini e menaxhoi në mënyrë të jashtëzakonshme në të gjitha planet, politike, kombëtare, humane etj. Këtë proces e lehtësoi tej mase çmontimi i strukturave të vjetra të shtetit që kulminacionin e vet të refuzimit të frymës së re politike arriti me eksplodimin e protestave anti- NATO kur u pushtua edhe ambasada amerikane.

***

Gjatë periudhës së qeverisjes së parë të PDSH-së me VMRO-në, 1998-2002 u arrit që të instalohen forcat e NATO-s, të strehohen refugjatët, të organizohet qëndrimi i tyre në këto hapësira dhe kthimi i tyre i shpejtë në Kosovë. Por, jo vetëm kaq, koalicioni i PDSH-së me VMRO-në është shqetësues për shkak se tashmë shndërrohet në skemë funksionale që i prish interesat e ndryshme strategjike. Kjo u pa edhe tani kur dështoi imponimi përmes burimeve të ndryshme dhe presioneve absurde që të eliminohet kjo skemë me infiltrimin e BDI-së në qeveri. Si gjatë qeverisjes së parë ashtu edhe kësaj radhe mes PDSH-së dhe VMRO-së, Maqedonia, institucionet e saja politike kanë qëndrim shumë më të avancuar ndaj çështjes shqiptare, përkatësisht ndaj angazhimeve të faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen përfundimtare të konflikteve në këtë pjesë të Evropës. Çmontimi i strukturave të vjetra të pushtetit dhe me këtë të interesave të prekshme individuale dhe grupore krijon mundësi reale për hapjen e perspektivave të reja. Por, ky proces nuk është aq i lehtë ngaqë këto struktura, për t'i mbrojtur interesat e tyre ofrojnë shërbime edhe faktorëve të rinj politik ndërkombëtar. Ata paraqiten si element që mund të stabilizojë situatën politike. Natyrisht ata që destabilizojnë mund ta stabizliojnë shumë më lehtë atë, meqë çdo gjë varet prej tyre. Por, faktori ndërkombëtar nuk mund të mashtrohet aq lehtë sa pandehin ata. Të pafuqishëm për ta parandaluar këtë frymë të re demokratike këto struktura zgjedhin metoda tjera të veprimit parandalues, sidomos kur është fjala për zhvillimin e politikës shqiptare në Maqedoni.

***

Njëra nga metodat më efikase të luftës speciale kundër kundërshtarëve politik apo etnik është traumatizimi i kursit politik, në këtë kontekst konkret të partive politike shqiptare. Kjo metodë u përdor veçmas kundër PDSH-së e cila në bashkëpunim me VMRO-në arrinte që të zhvillojë një politikë të pavarur, konform oportuniteteve që krijonte konteksti i ri demokratik. Kjo më së miri u pa pas fitores në zgjedhjet lokale të vitit 1996. Kjo fitore paralajmëroi rrezikun se në Maqedoni një parti politike krijohet jashtë vullnetit të tyre me çka rrezikshëm fillon procesi i pavarësimit të politikës shqiptare, të shkëputjes së saj nga tutela e strukturave të vjetra të pushtetit. Në pamundësi që të anulohen rezultatet zgjedhore, këto struktura e zgjodhën metodën e traumatizmit të organizmit politik shqiptar, të bashkësisë shqiptare në përgjithësi. Kjo uarrit në vitin 1997, me ndërhyrjen brutale të policisë në dy komunat që u fituan nga PDSH-ja, në atë të Gostivarit dhe atë të Tetovës. Ekspertët e këtij traumatizimi, që synonte ta mposhte rritën e PDSH-së dhe të politikës autoktone shqiptare kalkulonin me mundësitë optimale se pas këtij intervenimi do të hapeshin ngatërresat në mes të shqiptarëve, do të fillonin akuzat e ndërsjella që do të rezultonin me demisionimin e kursit politik të PDSH-së dhe rrënimin eskemës qeverisësealternative PDSH-VMRO. Si në çdo sferë të jetës edhe në politikë cilësia eprojektit varet nga sprovat e rënda të mbijetesës.

Antagonizmat e brendshme kombëtare

Ishte shumë vështirë të sanoheshin efektet e këtij projekti traumatizues, por megjithatë PDSH-ja gjeti rrugë që të ikë mjeshtërisht nga thellimi i antagonizmave të brendshme kombëtare dhe problemin e krijuar e barti në institucione ndërkombëtare që nënkuptonte akuzimin e qeverisë për shkelje të rëndë të lirive dhe të drejtave të njeriut. Në vend që të ngatërroheshin hesape ndërmjet shqiptarëve u arrit që të ngatërroheshin hesapet e Maqedonisë me faktorin ndërkombëtar. Në këtë periudhë përmes dëshmive tronditëse që u prezantuan në Bruksel dhe në Uashington u rrënua imazhi pozitiv i Maqedonisë që trajtohej si oazë e paqes. I njëjti proces ndodhi edhe pas vitit 1998 kur filloi të funksionojë skema PDSH-VMRO që nënkuptonte kurs të ri politik, diametralisht të kundërt me atë të strukturave të vjetra të pushtetit të ricikluara në kuadër të LSDM-së. Të brengosur nga eliminimi i tyre nga skena politike dhe historike, sidomos për shkak të qeverisjes së suksesshme dhe fitores absolute të PDSH-së në zgjedhjet vendore të vitit 2000, këta projektantë e organizuan traumatizmin e ri, konfliktin e vitit 2001, që mori përmasat e një kryengritje masive të shqiptarëve. Shpesh herë hesapet që bëhen pa hanxhiun lënë pasoja më të rënda. Edhe kësaj radhe u bënë përpjekje që të thellohen konfliktet brenda subjektit politik shqiptar. Në realitet përmes inicimit të këtij konflikti, që fillimisht ishte projektuar si eksperiment laboratorik, synohej që të ulej, ose të rrënohej tërësisht rejtingu i PDSH-së dhe të shkëputej njëherë e përgjithmonë relacioni funksional dhe i suksesshëm PDSH-VMRO. Ideja ishte shumë e thjeshtë dhe funksionale. Përmes incidenteve të organizuara mirë duhej bindur VMRO-në dhe faktorin ndërkombëtar se PDSH-ja nuk e kontrollon më situatën e sigurisë në Maqedoni. Kjo tezë sa vjen thellohej dhe krijohej një situatë e faktit të kryer. Por ashtu si dështoi më 1997 ashtu edhe më 2001 dështoi për shkak se PDSH-ja nuk veproi sipas parashikimeve të autorëve të traumatizimit. Faktori tjetër që ndikoi në dështimin e këtij projekti ishte revolta spontane e popullit shqiptar, e akumuluar me dekada të tëra. Ndonëse PDSH-ja ishte në pozitë të fortë politike, morale dhe kombëtare, ndonëse kishte raporte të mira me faktorin ndërkombëtar, me partnerin e koalicionit, VMRO-në si dhe me faktorin e gjithëmbarshëm shqiptar, megjithatë u desh që t'u kundërvihej të gjithëve për t' i ikur pasojave të rënda nga përçarjet e brendshme dhe triumfalizmi maqedonas, përkatësisht i LSDM-së.

Pandehnin se lufta zhvillohej për çlirim kombëtar

T'ju përkujtoj edhe me këtë rast, kjo ndodhi në momentin e kulminimit të suksesit të koalicionit, në vigjilje të nënshkrimit të Marrëveshjes për asocim dhe stabilizim të Maqedonisë me Unionin Evropian. Me distribuimin e Non Paper-it më 12 prill 2001 në Bruksel, në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes ku u shpjeguan motivet e konfliktit dhe mënyrat e rrugëdaljes nga ky rrezik, PDSH-ja demonstroi edhe një herë lojalitetin e saj ndaj kauzës kombëtare dhe jo pushtetit. Në atë kohë askush nga nxitësit e kryengritjes nuk kishte guximin të dilte me një platformë ku do të shpjegoheshin motivet dhe qëllimet e konfliktit. Së këndejmi projektin e bënte vetë populli. Ata pandehnin se lufta zhvillohej për çlirim kombëtar dhe pikërisht për këtë qëllim ishin të gatshëm që të flijoheshin. Masivizimi i befasoi të gjithë manipulantët, projektatët e luftës speciale. Luftëtarët vinin nga të gjitha viset shqiptare dhe gjithsesi, siç është thënë me qindra herë, ata nuk do të ishin të motivuar që të hynin rreziqeve të këtilla për motive që sot përkufizohen me floskulën "lufta për ruajtjen e integritetit territorial të Maqedonisë". Iniciatorët e kryengritjes sot haptazi thonë se organizuan luftën për ta parandaluar rrezikun që i kanosej Maqedonisë nga binomi PDSH-VMRO. Pra, rreziku vinte për struktura të caktuara para-shtetërore nga suksesi dhe instalimi i natyrshëm i skemës alternative qeverisëse PDSH-VMRO. Me eliminimin e kësaj alternative qeverisëse pretendohej se rreziku për çmontimin e strukturave të ashtëzuara të pushtetit do të evitohej.

Projekti II i traumatizmit të politikës shqiptare jo vetëm që dështoi, por përfundoi me suksesin politik të shqiptarëve që u kurorëzua me Marrëveshjen e Ohrit. Askush sot nuk mund të mohojë faktin se bartës kryesor i këtij procesi ishte PDSH-ja. Edhe kësaj radhe, për të eliminuar efektet rrënuese të traumatizmit, PDSH-ja u dashtë që t'i flijojë interesat partiake në emër të interesave kombëtare. Si rezultat i kësaj politike altruiste ishte themelimi i një partie të re politike që do të ringjallte strukturat e vjetra të grumbulluara nën ombrellën e LSDM-së. Kjo parti e re politike që sot identifikohet me emrin BDI, falë përcaktimit të PDSH-së për mbrojtje të interesave kombëtare hyri në skenën politike triumfalisht dhe e mirëpritur. Bartësit kryesorë të kësaj politike krijuan iluzion se janë të paprekshëm saqë filluan të rikthejnë në skenën politike idetë dhe njerëzit që ishin të deklasuar pas demokratizimit të sistemit politik. Partia politike e re që identifikonte veten si vazhduese e vlerave të luftës në fillim e pa të udhës që të riafirmojë idenë e bashkim-vëllazërimit tashmë të profanizuar si ide dhe realizim. Për të qenë sa më të pranueshëm nga popullata maqedonase, në kohën kur asnjë nga pikat e Marrëveshjes së Ohrit nuk ishte realizuar ata filluan të hapin degë të partisë në Maqedoninë Lindore, ta afirmojnë idenë për kombin politik, të rikthejnë në pushtet ata që gjithmonë kanë qenë kundër politikës që afirmonte kauzën kombëtare shqiptare në Maqedoni.

Partia e sapoformuar shqiptare, mbrojtësja e fryteve të luftës, politikën e vet e filloi si nxënëse e dëgjueshmee patronëve të prapa skenave. I gjithë ky absurd që ndodhte habitshëm në skenën politike shqiptare ishte në funksion të krijimit të imazhit të ri të LSDM-së si subjekt që di dhe mundet t'i kontrollojë shqiptarët, për dallim nga VMRO-ja që lejonte partisë shqiptare në qeveri, PDSH-në të qeveriste realisht jo vetëm në zonat e dominimit të saj politik, por edhe më gjerë. Nga konflikti i vitit 2001, nga projekti laboratorik i traumatizmit të politikës shqiptare doli një fitore e madhe, Marrëveshja e Ohrit, por edhe pasoja që mund të përkufizohen si rifreskim i strukturave të vjetra të pushtetit në formacionin e LSDM-së dhe infiltrimi i tyre në kuadër të BDI-së. Me këtë rast duhet përmendur edhe faktin tejet shqetësues, humbjen e sigurisë në viset e banuara me shqiptarë. Konflikti i vitit 2001 ishte një ekuacion me shumë të panjohura dhe në të ardhmenvështirë do të mund të jepet një përkufizim real historik për motivet, qëllimet dhe bartësit. Ky konflikt kishte një dimension të fuqishëm kombëtar që i befasoi autorët e traumatizmit. Por, nëse merret parasysh se i gjithë faktori ndërkombëtar e dënoi me nocione shumë përçmuese që përputheshin me interesate kundërshtarëve të shqiptarëve që punonin ditë e natë në rrënonin e imazhin tonë, nuk mund të heshtim pasojat që një kohë të gjatë do ta heqë populli shqiptar, nuk mund të heshtet qëllimi i tij parësor antikombëtar. Nuk mund të heshtim as rrezikun se ky konflikt dha pretekstin që pala maqedonase, e mbështetur nga segmente të ndryshme ndërkombëtare të përgatiste një kundërofanzivë, të ngjashme me atë të kroatëve kundër serbëve të rebeluar. Këtë mundësi trishtuese e eliminoi PDSH-ja me Marrëveshjen e Prizrenit përkatësisht me dhënien e legjitimimit të saj demokratik udhëheqësve të kryengritjes. Them pretekstin ngaqë kryengritja ishte befasi për të gjithë, sidomos për faktorin ndërkombëtar, ngaqë ata e kuptonin drejtë rolin e Maqedonisë në vitin 1999, e cila fundi-fundit iu bashkua aleancës veri-atlantike në procesin e çlirimit të Kosovës. Shqiptarët e çliruar, në vend që të jenë mirënjohës, ata, para faktorit ndërkombëtar, u treguan bukëpërmbystë. Prandaj bartësit e kryengritjes trajtoheshin jo si politikanë, por si kriminelë, kontrabandistë, vrasës, fundamentalistë etj. Pra, ta rrumbullakoj këtë proces.

Cikli i pare: 1994,

PPDSH fiton 4 deputetë;

1996, fiton bindshëm në zgjedhjet lokale;

1997, TRAUMATIZIMI.

Cikli i dytë: 1998,

PDSH fiton 11 deputetë,

sipas marrëveshjes dhe jo vullnetit të lirë të elektoratit dhe hyn në qeveri;

2000, PDSH arrin fitore absolute në zgjedhjet vendore;

20001 TRAUMATIZIMI.

Cikli i tretë: 2002,

PDSH fiton 7 deputetë;

2004, PDSH, për shkak të dhunimit të votës tërhiqet nga zgjedhjet vendore;

2006, PDSH fiton 11 deputetë, hyn në qeveri;

 pritet TRAUMATIZIMI i ri.

Pasojat e konfliktit të vitit 2001

Pasojat e konfliktit të vitit 2001 janë brengosëse sidomos në segmentin e sigurisë në hapësirat e banuara me shqiptarë. Krahas idealistëve në këtë luftë u inkuadruan edhe kriminelë llojesh dhe nivelesh të ndryshme. Për ta kjo luftë ishte shans ideal jo vetëm për t'i larë mëkatet e mëparshme, por për të vazhduar pa penguar veprimtarinë kriminale, tashmë të kamufluar me petkun kombëtar. Në vend që të moralizohej shoqëria shqiptare në Maqedoni ajo filloi të humbë sigurinë individuale dhe familjare. Këta kriminelë, të liruar, të shfajësuar tashmë nga mëkatet e tyre, të bindur se kanë zënë peng subjektin politik që e sollën në skenën politike, vazhduan pa penguar veprimtarinë e tyre në institucionet e sistemit dhe jashtë tyre. Ata e pushtuan jetën shoqërore të shqiptarëve duke filluar prej Bashkësisë Islame e deri në USHT-ja. Ata vendosnin për kuadro, ata jepnin nota kaluese, madje edhe diploma fakulteti analfabetëve, ata merrnin haraç, ose siç thuhet sot reket në emër të garantimit të sigurisë së njerëzve të thjeshtë, të biznesmenëve etj. Ata u bënë faktorë vendimmarrës në politikë, në shoqëri, në ekonomi, në kulturë, në arsim, ata merrnin dhe jepnin shpirt njerëzve të cilët kinse i patën marrë në mbrojtje. Sa më shumë që harliseshin aq më shumë vërtetohej pohimi i faktorit ndërkombëtar për prapavijën e qëllimeve të luftës. Prandaj për ata që kishin hyrë në këtë valle për interesa banale, Marrëveshja e Ohrit, që ishte produkt i angazhimit politik i PDSH-së ishte një dhuratë prej qielli. PDSH-ja, duke lexuar, vlerësuar drejtë efektet dhe qëllimet e luftës speciale që ushtrohet kundër PDSH-së, pra shqiptarëve edhe me këtë rast do të gjejë rrugëdaljen. Kuvendarë të nderuar, problemi i PDSH-së dhe i shqiptarëve nuk është dorasi, instrumenti që shkakton krizën, por projektanti i saj, LSDM-ja. Kjo parti që në vete grumbulloi ish-strukturat komuniste është burimi endemik i krizës. Pa çmontimin e këtyre strukturave, tashmë të kriminalizuara, të infiltruara në të gjitha institucionet e sistemit veçmas në ato ekonomiko-finansiare nuk mund t'i parandalojmë tentativat për traumatizime të reja. Siç dini këto struktura që lehtë-lehtë përvetësuan pronat më të leverdishme shoqërore sot, të frikësuar nga ndëshkimi i ligjit, sërish përpiqen që në zonat shqiptare të shkaktojnë kriza. Sa më shumë që qeveria aktuale e zbulon këtë rrjetë të krimit të organizuar, të ashtëzuar me politikën dhe segmente të caktuara institucionale, aq më shumë rriten gjasat për tentativë destabilizimi të shtetit. Arrestimi i vazhdueshëm i krerëve të këtij rrjeti të kriminelëve legalë, të ulur në karriget e udhëheqësve të institucioneve bankare apo të tjera ekonomike që deri më tani kanë grabitur qindra miliona euro të kapitalit shoqëror, ndikon që të rihapet kriza në zonat shqiptare. Pikënisja si gjithmonë është Tanusha. Tashmë të gjithë e dinë se atje nuk ka banka, fabrika, hotele, kazino, por vetëm fshatarë hallexhinj që shërbejnë si instrument, kanosje kundër qeverisë, vetëm e vetëm për ta ndaluar hovin e qeverisë në ndjekje të krimit të organizuar, në çmontimin e strukturave, tajkunëve që me dekada e plaçkitin pasurinë shoqërore.

Nuk ka krizë në relacione ndëretnike

Qeveria aktuale vlerëson se nuk ka dhe nuk mund të ketë krizë në relacione ndëretnike dhe në raport me qeverinë, por kriza ekziston brenda atyre strukturave që kanë abuzuar me pronën shoqërore. Kriza ekziston në radhët e LSDM-së, autorit të oktopodit që një kohë të gjatë, fshehur prapa kuintave të politikës menaxhon me interesat vitale të shtetit. Elektorati në Maqedoni e mbështet këtë projekt të zbulimit të oktopodit, prandaj rejtingu i partive në qeveri sa vjen shtohet. LSDM-ja pak nga pak shndërrohet në parti margjinale që shthuret nga brenda. Sa më shumë që ata e mbrojnë njëri tjetrin, sa më shumë që ata tentojnë të nxisin konflikte aq më shumë dhe aq më shpejtë e humbin elektoratin. Hemorragjia tashmë e ka kapluar LSDM-në dhe ajo një herë e përgjithmonë do të largohet nga skena historike. Me te do të zhduken edhe sajesat e saja në kontekstin shqiptar. Ky proces është i pandalshëm, ireverzibil. LSDM-ja di që nuk ka forcë ta ndalë rrënimin e vet, prandaj e vë në veprim BDI-në. Ajo insiston të hyjë në qeveri, jo për shkaqe politike, programore, por pragmatike, për ta shpëtuar partneren e vet të koalicionit, skemën alternative të qeverisjes dhe atë sistem krimi, atë grup të interesit që këto ditë merr goditje të padurueshme. LSDM-ja vetë nuk është në gjendje ta krijojë krizën, prandaj këtë detyrë ia ka besuar BDI-së, e cila po ashtu është e shqetësuar për tëardhmen e saj, ngaqë me zhdukjen e LSDM-së, automatikisht humbet patronazhi dhe skema e tyre e qeverisjes, humbet partneri i bashkëveprimit. Por as ajo më nuk ka mundësi ta motivojë popullin me demagogji, prandaj krizën do të përpiqen ta iniciojnë individë të caktuar që dita-ditës do ta humbin dheun ndër këmbë. Që ky proces i çmontimit i strukturave jodemokratike, të hirta, paralele të pushtetit të zhvillohet pa penguar PDSH-ja duhet të angazhohet tej mase në rruajtjen e sigurisë në mjediset shqiptare. Këtë më së miri do ta bëjë përmes respektimit dhe zbatimit të ligjit. Në shoqëritë moderne askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin, sidomos jo kriminelët. Këta të fundit kanë bërë shumë mëkate, kryekëput kundër shqiptarëve. Prandaj ata që kanë vrarë, që kanë plaçkitur, që kanë abuzuar me pushtetin duhet të dalin para gjyqit. Vetëm në këtë mënyrë ne do të arrimë që ta mbrojmë popullin shqiptar nga instrumentalizimi i tyre në favor të strukturave që dita-ditës do të japin përgjegjësi për veprimtarinë e tyre kriminale. Qeveria aktuale pa dilema dhe pa kompromis zbaton konceptin e shtetit ligjor, i ndjek shkelësit, çfarëdo qofshin ata. Këtë guxim dhe gatishmëri e mbështesin të gjithë faktorët, vendorë dhe ndërkombëtarë veçmas populli.

***

Në kuadër të kësaj platforme për vënien e rendit dhe kthimit të sigurisë, sidomos në zonat e banuara me shqiptarë, PDSH-ja jep kontribut të shumanshëm. Edhe pse populli pa dilema e mbështet dhe i inkurajon institucionet që të vazhdojnë pa hezitime me punën për vendosje të rendit, megjithatë shfrytëzoj këtë rast që të apelojë faktorët e ndryshëm politik që shfrytëzojnë këtë iniciativë për rikthim të sigurisë dhe qetësisë për të mbjellë huti dhe konfuzion në interes të punëdhënësve në hije, që sa më parë të heqin dorë nga demagogjia boshe dhe të bashkëngjiten aksionit për vendosje të rendit. Ata që në mënyra të ndryshme përpiqen ta pengojnë këtë aksion pandehin se me veprimet e tyre që shkaktojnë krizë politike dhe të sigurisë do të arrijnë që të pengojnë integrimin e Maqedonisë në strukturat veri-atlantike. Këta politikanë shkurtpamës nuk kuptojnë seaktivitetin e tyre pengojnë dhe dëmtojnë interesin kombëtar. Habitem se si nuk kuptojnë rrezikun se nëse Maqedonia nuk do ta marrë ftesën për NATO, atëherë Shqipëria madje edhe Kroacia që përbëjnë grupin e Kartës së Adriatikut do të pësojnë për shkak të interesave banale të grupeve të ndryshme të interesit. Këto që u thënë më lartë ishin në funksion të shpjegimit të një procesi historik që u zhvillua në Maqedoni dhe më gjerë ku përfshihen edhe shqiptarët dhe interesat e tyre. PDSH-ja luajti një rol korrektues, duke korrigjuar gabimet dhe projektet e të tjerëve që në momente të caktuara kanë mundur të lënë pasoja të riparueshme. Uroj që ky kapitull të jetë i mbyllur dhe të gjithë ne bashkërisht t'i përveshim mëngët, ta qetësojmë situatën në Maqedoni, ta lehtësojmë rrugën për integrimin e saj në strukturat e euro-atlantike, ta zhvillojmë ekonominë, ta risim sigurinë dhestandardet e mirëqenies së qytetarëve. Në Kongresin e fundit të PDSH-së në fjalimin tim përmbyllës u zotova që do të përkushtohem idesë që Maqedoninë ta shndërrojmë në një vend ku shqiptarët do të jetojnë më mirë dhe më të sigurt se kudo tjetër. Gjasat i kemi të mëdha.

*(Autori është kryetar i Partisë Demokratike të shqiptarëve të Maqedonisë)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora