E premte, 06.12.2019, 10:20 AM (GMT)

Komente

Mburrjet paralele...

E hene, 24.09.2007, 10:41 PM


Nga Hill Mëhilli

I sapo kthyer nga Turqia, m’u krijua ideja se avioni kishte ndërruar drejtim dhe në vend që të na sillte nga Azia në Evropë, na kishte çuar në Afrikën e zezë, ku mbizotëronte errësira dhe shkretëtira. Nga gjuha që fliste gjindja përreth e kuptova që kisha ardhur përsëri në katundin tim plot zhurmë e pluhur, ku dhe mjalta të duket si balta, ku s’jetojmë dot pa zhurmat, pluhurin, tymin e banalitetet e çdo lloji që mund të prodhojë një mendje njerëzore, e sëmurë, e çartur apo normale qoftë ajo!

Fëmijët ka kohë që nuk krenohen e mburren me rezultatet në mësime, por me celularët e videot porno, me paret dhe makinën e babait, për të cilin as që duan të dinë ku punon e sa fiton! Në vend të listës së librave të lexuar ata të nxjerrin listën e thyerjes së fjalës, ligjit e të moralit. Morali? Guxo t’u flasësh për të, e do të marrësh disa përqeshje! Mburren me mashtrimin, me abuzimin...

Mburrjes si shpëtojnë dot as deputetët e ministrat, bile këta ca më shumë. Ata, kur bëhen apo zgjidhen të tillë, janë hollakë e bukuroshë dhe pa u mbushur mirë dy vjet transformohen me gusha e barqe të fryrë e kodoshë. Para zgjedhjes ndajnë çakmakë e stilolapsa me numër telefoni e adresa, e pasi ulen në karriget e tyre të buta, harrojnë çfarë kanë thënë, çfarë kanë premtuar, ndërrojnë telefona e adresa. TI mund t’i shohësh në ekran ndërsa mburren...

Mburren të gjithë... Nuk u turpëruan kur na i prenë për pesë orë në ditë dritat. Por mburren kur e shkurtojnë orarin nga pesë në katër orë! Nuk u turpëruan që ngritën deri edhe çmimin e bukës.

Sikur për një moment do supozonim që problemi i bukës do ishte akoma në menaxhimin e shtetit, ne aktualisht do merrnim bukë me tallona dhe ministri i Ekonomisë do dilte në media vizive apo të shkruara, dhe do përshkruante shkaqet e krizës së bukës. Ai do thoshte se pati thatësirë në Kanada, prandaj s’ka bukë në Topana`! Do shpjegonte se është rritur çmimi i grurit nga bllokada ruse, etj., etj. E pastaj do mburrej me atë që e shtoi dhe me njëqind gramë racionin. Si dikur…

Shteti ka mbajtur ende në duart e tij tre shërbime kryesore për popullatën: Dritat, Rrugët dhe Ujin. Mund ta quajmë shteti i DRU-së, ose dru me pre. Se sa efektiv është menaxhimi i shtetit në këto tre sektorë duket qartë: në vendin e burimeve të mëdha energjetike, s’ka drita, në fshatrat e qytetet që notojnë mbi ujë, s’ka ujë. Përsëri pranë lumit, i palarë, pranë dritës, i paparë... Rrugë ka po shumica janë të baltosura, të groposura, pa sinjale, tabela, kufizime e burime aksidentesh të përditshme. Kemi rrugë pa rrugë, rrugë të ferrit e të vdekjes, rrugë të mundimshme drejt së ardhmes. Kemi më shumë gardhe e mure sesa ura! Por pushtetarët vazhdojnë të mburren se kanë fonde dhe tendera pa fund për të tria këto aspekte dhe bile tendera që maten me miliona dollarë apo euro. Tendera që pasurojnë të pasurit e varfërojnë më tej të varfrit. Tendera që me procedurat e tyre pafund arrijnë të sigurojnë çmime më të larta se ato të tregut dhe fitime më të larta se ato të biznesit.

Mashtrimi dhe gënjeshtra tek ne quhet ekonomi tregu, amoraliteti quhet normë e tregut, ngitja e zërit dhe banaliteti quhen zotësi dhe mburrje. Të gjithë bërtasin e shajnë si të jetonim në një shoqëri shurdhësh. I bërtet e këlthet shefi vartësit, drejtori shefit, ministri drejtorit e kryeministri ministrit. I nxjerrin gjoksin vartësit e i ulin kurrizin shefit! Më kujtohet koha dikur ku drejtori vinte në punë në ora shtatë dhe pasi i mblidhte u bërtiste personelit për dhjetë minuta rresht, pa dëgjuar të tjerët, ikte gjoja për mbledhje “lart”, shkonte poshtë në dreka e dahete dhe kthehej në zyra dhjetë minuta para se të mbaronte orari zyrtar dhe përsëri bërtiste e shante për një gjysmë ore rresht, ikte për të vazhduar të nesërmen ritin e tij. E ky quhej drejtor model. Me keqardhje konstatoj që paralelet vazhdojnë, ndryshon vetëm forma, thelbi është po ai. S’ka si të ndodhë ndryshe, janë po ata të kuqtë që ose u ka dalë pak boja, duke u bërë rozë, ose u është nxirë pak, duke u bërë blu…

Një mburrje e veçantë, më ka bërë shumë përshtypje këto kohët e fundit. Mburrja me targat e makinave. Sigurojnë targa me katër numrat njëlloj, si katër njësha, dysha, etj. Thonë që po paguajnë deri në 2000 euro për të siguruar një targë të tillë dhe kjo jepet vetëm “me urdhrin e drejtorit”. Se çfarë do na dëgjojnë veshët e do na shohin sytë, do ia lemë të ardhmes!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT