E premte, 29.05.2020, 05:37 AM (GMT+1)

Komente

Dorian Koçi: Rreziku i toleruar i 11 Shtatorit

E hene, 17.09.2007, 10:57 PM


Nga Dorian Koçi

Dorian Koçi
Një mori artikujsh madje dhe librash u shkruan për të shpjeguar apo dhënë kuptim veprimit të tmerrshëm të 11 Shtatorit, ku humbën jetën rreth 3000 veta të pafajshëm. Po aq i madh është dhe ai që mbështet teoritë e konspiracionit dhe organizimit të njëanshëm të ngjarjeve me qëllim hegjemoninë botërore. Ajo që të bie në sy, është se pothuajse të gjithë merren me krahasimin e qytetërimeve, dallueshmërinë dhe epërsitë e njërit qytetërim mbi tjetrin. Mbi bazën e këtyre vlerësimeve janë ngritur dhe politikat e ndryshme që ndiqen ndaj Lindjes së Mesme. Në fakt, në pranimin apriori të teorisë së përplasjes së qytetërimeve, ne rrezikojmë të biem në gabimin fatal të gjeografëve arabë të shekullit IX e të X, që kur përshkruanin udhëtimet e tyre në skajet e largëta të Evropës perëndimore i konsideronin këta popuj "barbarë" duke marrë si kriter jetesën dhe zhvillimin e dijes në Kalifatin e tyre të Kordobës.
 
Duke i konsideruar të paqytetëruar ata as që denjonin të hynin në kontakt me ta, duke fituar kështu padijen dhe natyrisht dhe urrejtjen e tyre. Jo më shumë se disa shekuj më vonë këta popuj jo vetëm që përvetësuan filozofinë e lashtë, por zhvilluan dhe Rilindjen Evropiane duke prodhuar një periudhë të shkëlqyer zhvillimi, që do të bëhej bazamenti mbi të cilin do ngrihej ngrehina e qytetërimit dominues evropian përkundrejt atij lindor, që pas shekullit të XV do të degradonte në shkëlqime lokale dhe jo më universale si kish qenë më parë. Tendencat lokaliste të qytetërimeve gjithmonë krijojnë gjeneratore mbytëse që ndajnë botën në pole të ndryshme duke shkaktuar konflikte të panevojshme. Mrekullitë e qyteteve, kryeqendra të kulturave, si Athina në lashtësi, Firencja në Mesjetë dhe deri Voskopoja jonë në shekullin e XVIII, kanë qenë më shumë kryeqendra të përplasjes së kulturave të ndryshme sesa kultura të mirëfillta lokaliste të popujve që i banonin ato.

Gjendja që paraqitet sot në botën e Lindjes së Mesme, me eksplozionin tronditës të popullsisë, analfabetizmin e madh në mes të kësaj popullsie, fanatizmin fetar, konfliktet e sajuara etnike midis tyre dhe varfërinë e trashëguar nga mos ndarja e mirë e burimeve të jetesës, kanë sjellë prodhimin me bollëk të akteve nga më të ndryshme terroriste. Një botë e tërë është përfshirë në pikëshënjestrën e akteve terroriste duke influencuar në mënyrë të tërthortë dhe në jetesën tonë të përditshme, që fillojnë nga përgjimet e telefonatave, kontrollet e forta në aeroporte etj., masa të domosdoshme për të luftuar "armikun e padukshëm" që fare mirë mund të jetë fqinji yt i derës përballë.

Gjithsesi, në këto masa janë vërejtur dhe shkelje të të drejtave të njeriut, të cilat përbëjnë një nga parimet bazë të qytetërimit tonë universal evropian. Ne kurrë nuk duhet të lejojmë që të degradojmë qytetërimin tonë në një copë letër të pajetë, të përfaqësuar vetëm nga thirrjet tona për drejtësi dhe barazi sepse kështu rrezikojmë me të vërtetë të biem në retorikën e gjithë atyre sharlatanëve, që në emër të po këtyre parimeve rekrutojnë terroristë gjithandej në Lindjen e Mesme. Rreziku i vërtetë i 11 Shtatorit, nuk qëndron në aktin e fundit të atyre që hodhën në erë kullat apo të tjerëve, që në të ardhmen do ndërmarrin akte të tilla të shëmtuara terroriste, por në neglizhimin e faktorëve që i detyrojnë këta njerëz të bëhen kamikazë e të marrin jetë njerëzish. "Për të njohur ujkun, duhet të hysh në lëkurën e tij" thotë një shprehje e njohur dhe kjo nuk mund të arrihet nëpërmjet përsosmërisë së mjeteve policore-ushtarake, por duke njohur dhe analizuar shkaqet nga buron terrorizmi.

Perëndimi nuk e ka bërë "mia culpa" e vet përsa i përket politikës që ka ndjekur ndaj Lindjes së Mesme, duke u dhënë kështu një armë të fortë propagandiste terroristëve për të "ironizuar" kulturën dhe vlerat tona demokratike. Bota arabe, e lindur mbi gërmadhat e sistemit kolonial, duke mos qenë nën efektin e asnjë lëvizjeje iluministe që ka kaluar Evropa, vazhdon të përpëlitet ende midis Empirizmit dhe Racionalizmit për të gjetur identitetin e vet. Këtu duhet të jetë ndërhyrja vendimtare e Perëndimit, për t'i përqasur në vlerat universale nëpërmjet promovimit kulturor, shkollimit dhe mbrojta e parimeve të veta të lirisë, demokracisë dhe barazisë, si vlera humane që i përkasin gjithë njerëzimit. Reformat e iniciuara nga Perëndimi duhen të synojnë në rigjetjen e individualitetit dhe njeriut modern arab, për të mos krijuar diferencën e madhe midis mirëqenies dhe mungesës së lirisë, siç vërehet në vendet e Gjirit. Vetëm kështu, rreziku i 11 Shtatorit paralizohet dhe humbet bazat e veta, duke u kthyer në një ishull të lehtë për t'u identifikuar dhe luftuar. "Liria gjithmonë jep rezultate", kjo shprehje universale duhet të vlejë dhe për vendet e botës arabe. 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora