Kulturë
Mustafa Kruja: Të thanme mbi miqsi
E marte, 04.08.2009, 05:21 PM
| Mustafa Kruja, 1956 | 
Nga Mustafa Kruja
Fjalët e urta për miqësinë janë mbledhur dhe botuar në një numër të revistës "Agimi". "Shekulli" po riboton këtë zgjedhje të komentuar nga Mustafa Kruja, kushtuar miqësisë.
Kruja gjuhëtar është ndoshta ana më me dritë e këtij njeriu, i njohur më së shumti si politikan, si ish-Kryeministri në kohën e pushtimit fashist. Vepra e tij prej shkencëtari modern është një kapitull më vetë i sapohapur.
Vitin e kaluar u botua vepra e tij gjuhësore "Nji studim analitik - Ç'na mëson Frangu i Bardhë me Fjalorin e vet", një studim krahasimtar ndërmjet gjuhës së Bardhit e shqipes së sotme.
1. "Miku i mirë, dera e parrizit", thohet për nji mik, i cili nuk kursen kurrgjâ për me të bâ fatbardhë në kohën mâ të vështirë.
2. "Mâ mirë nji mik, se sa nji çiflik", thohet sepse çifliku me kohë mund të shitet, ose edhe sa e ke nuk të sjell ndonji dobí, në vênd qi miku, kur të kesh nevojë, të gjindet në ndihmë.
3. "Mikut të mirë, mos i u rândò!". Kjo âsht nji e vërtetë. Shumë herë ndodh qi na e bjerrim ndonji mik të dashtun, tue e mërzitun ec e peja me ndonji nder, prandej me të drejtë thot fjala e vjetër mikut të mirë mos i u randò, sepse ai kur të shef në ngushticë të ndihmon vetë.
4. "Vëllazën jemi, por miq s'jemi". Kjo e thânme përdorohet për me diftue se njeriu, mâ të shumtën në këtë jetë, këshillohet me nji mik të dashtun se sa me afërí të vet. Thohet edhe për me diftue se vllan e ke për vlla, por jo për mik
5. "Miku te rreziku". Kjo e thânme i ep vlerën e vërtetë fjalës mik, tue diftue, se mik âsht ai, qi të gjindet në nevojë, kur ti të ndodhesh në rrezik, por jo ai qi të shtihet mik, kur ti je mirë.
6. "Ari njifet në zjarm, miku në nevojë". Edhe kjo e thânme ka atë kuptim si e sipërmja.
7. "Miq për fiq" janë ata të cilët kur ti të keshë të gjinden gjithmonë përpara, por përkundra, kur ti të jesh në rrezik ose në ndonji ngushticë, as nuk të duken mâ.
8. "Kur ka shporta fiq, të gjith bota t'bâhen miq". Kur ti të keshë, atëherë miq sa për të pasë dobina prej tejet ke sa të duesh.
9. "Miqsija miqsí, kuleta le t'losin". Kjo e thânme e çmon vlerën qi ka miqsija, tue tregue, miqsija duhet mbajtun si miqsí, por jo për me pasë dobina prej sajë. Kur ndodhesh në shoqní me nji mik, e shef, se ai gjithnjí do t'i pagojë shpenximet e bâme bashkarisht, atëherë përdoron këtê të thânme.
10. "Miqsija e mirë, hesapin e dlirë". E ka atëherë, kur ti të kesh punë ose ndonji marredhânje me mikun t'ând edhe nuk këqyrë ketë miqsí t'a përfitosh, për me fitue ndër njehtime qi ke me mikun.
11. "Ai mik qi s'mund të ndihmojë, si anmik mund të turpnojë". Thohet për atë lloj miku, i cili fjalë ka të mira e kur vjen koha me t'u gjetë në ndihmë nuk të qaset, por përkundra, ty qi ke pasë të gjith shpresën tek ai, të turpnon.
12. "Mikut ankoju, anmikut lavdoju". Mikut mundesh me i a tregue nevojët e të vishtirat t'ueja, se ai merr pjesë n'idhnimin t'ând; por anmikut lavdoju, sepse atij po t'i qahesh, ai do të gëzohet.
13. "Sa rron kusija, rron dhe miqsija". Miqsija e vërtetë âsht kaqë e fortë sa nuk shuhet kurr, veç rron aqë shumë sa kusija, e cila kurr nuk çartet.
14. "Mâ mirë nji anmik me mênd, se sa nji mik të marrë". Prej nji anmiku të mêntshëm e t'urtë nuk âsht friga se të ndodh ndonji e keqe, por nji mik i marrë, mbasi t'a din, të din të gjith mêndjen e zêmrën t'ânde, mundet me të shprrallue tue të bâ dâm.
15. "Ç'e don anmikun, kur ke mikun" . Thohet kur të vjen nji e keqe prej ndonji mikut të marrë e të dobët.
16. "Perëndija më ruejtë prej mikut, se prej anmikut ruhem vetë". Kjo thohet për me tregue, se prej miqvet njeriu vetë nuk mund të ruhet, veçse n'e ruejtë Perëndija, kurse nga anmiqtë mundet vetë të ruhet.
17. "Anmiku të shikjon ndër kâmbë, miku të shikjon ndër sy", për me tregue, se anmiku vetëm të keqen t'a do e miku t'a dishron të mirën.
18. "Miku i vjetër s'hidhet poshtë". Nji mik të vjetër, të cilin për shumë kohë e ke pasë mik, nuk mundet njeriu t'a largojë aqë shpejt, sepse ai mos t'ish qênë i mirë, nuk do t'a kishe pasë aqë kohë mik.
Marrë nga revista "Agimi"
Komentoni
					Artikuj te tjere
						Traboini: Trishtimi dhe përbuzja e Bodlerit
						Arsim Halili: Intervistë  me aktorin Fatmir Spahiu
						Engjëll Koliqi?: Ta ndërrojmë botën me dashuri III (Cikël poetik)
						Cikël poetik nga Thani Naqo
						Poezi nga Luan Çipi
						Poezi nga Albina Idrizi
						Përparim Hysi: Një qerasje në klubin e ri
						Blerim Rrecaj: Intervistë me skulptorin dhe piktorin Bekim Rexhepi
						Arif Molliqi: Rekuiem për Azem Shkrelin
						Përparim Hysi: Vargje të shkruara në gusht (cikël me poezi)
						Shazim Mehmeti: Cikël poetik nga libri ''Lumenjtë e dritës''
						Vilhelme Vranari: Letërsia ndryshe kërkon rivlerësim...
						Milazim Kadriu: Çdo dëshmor simbolizon Feniksin e Lirisë që rilind nga hiri i tij i shenjtë
						Poezi hebraike nga Rumania - Menachem M. Falek
						Agron Tufa: Me dhanë gajret
						Doli nga shtypi revista Edukologia
						Ali Aliu: Ekziston vetëm një letërsi shqiptare
						Gjok Beci, "Mjeshtër i Madh i Punës" në 70-vjetor
						Demir Krasniqi: Motrat Mustafa - Këngëtare me traditë dhe kulturë universale kombëtare
						Edona Beqiri: Zemra troket në zemër (Cikël poetik)
					
				
 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










