E enjte, 01.05.2025, 09:25 PM (GMT+1)

Faleminderit

Baki Ymeri: Vigani i letërsisë rumune me origjinë shqiptare?

E enjte, 11.06.2009, 08:49 PM


Viktor Eftimiu ne vitin 1926
Viktor Eftimiu ne vitin 1926
Viktor Eftimiu në 120 vjetorin e lindjes (1889-1972)
 
VIGANI I LETËRSISË RUMUNE ME ORIGJINË SHQIPTARE

Nga Baki Ymeri

Titani i letërsisë rumune me prejardhje shqiptare u lind në Boboshticë, më 1889, dhe vdiq në Bukuresht (1972). Mërgimi i familjes së tij nga Korça në një vend mikpritës për bashkatdhetarët tanë vjen si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike. Para dhe pas lindjes së tij, Rumania kishte strehuar me bujari një plejadë të tërë mërgimtarësh si Vasile Ujkun (rum. Vasile Lupu), Gjikajt, arnautët e Tudor Vladimireskut, Dukajt, Naum Veqilharxhin, stërgjyshin e Nikolla Jorgës, Nikolla Naçon, Asdrenin, Mitrush Kutelin, Lasgush Poradecin, Petru Vullkanin, Ibrahim Temon, një plejadë rumune, arumune  e shqiptare që kanë lënë gjurma të pashlyera në historinë e të dy popujve.

          “Stërgjyshërit e mij jan’ fisi/ I kërkimtarëve të yjeve,/ Që endeshin tër’ jetën botës...”, do të shkruajë më vonë Viktori në poezinë “Krillat”, duke e përkujtuar Boboshticën e tij ku “çdo mbrëmje bie e butë e me ngadalë”,  ku “dhe pyjet po ofashajnë, thërrasin me ngulçim/ atë që u largua dhe, ndoshta s’kthehet kurrë”. U vendos në Bukuresht më 1907. Brenda një kohe të shkurtë e përvetësoi rumanishten dhe filloi të merret me poezi, të botojë një revistë, të shkruajë drama, novela, romane, duke u bërë i famshëm qysh në rini, duke botuar gjatë jetës së tij rreth 125 vepra. Jon Barbu ia dedikon nje poezi duke i thënë: “Yni je Viktor Hygoi/ Është fjalë pa zarar/ Por dikush i juaj shtoi/ Se ti je Viktor shqiptar”. Vehbi Bala e konsideron si Amfitrion shqiptar.. E pat njohur për herë të parë në Bukuresht, më 1948, kur Eftimiu ishte në moshën 58 vjeçare dhe në kulmin e famës si shkrimtar rumun me vlera universale. Ishte studenti i parë shqiptar që shkelte në shtëpinë e tij, ku e pat njohur edhe bashkëshorten e tij, aktoren Axhepsina Makri, “kurreshtare për të ditur diçka nga vendlindja e burrit të saj”. Ja se si e përshkruan këtë moment të paharruar:

          “Shkrimtari kishte traditë familjare që të shtunave mbrëma të ftonte për darkë miq dhe dashamirë, artistë, shkencëtarë...Dhe në ato mbrëmje zhvilloheshin biseda të zjarrta rreth ngjarjeve të ditës, shfaqjeve dhe botimeve të ndryshme. Nganjëherë vlonte edhe kënga vendçe ose ndonjë arie nga atë të klasikëve të operave botërore, kënduar prej mjeshtërve të kantos. Unë, në përgjigje të kësaj mikpritje dhe bujarie, u sillja zonjës dhe zotit të shtëpisë lajme të reja për botime të fundit nga Shqipëria. Shpesh mjeshtri më deklamonte pjesë të tëra nga krijimtaria jonë e mrekullueshme gojore e popullit. Dhe këto i lidhte me fshatin e lindjes, me fëmijërinë e tij, me nënën e tij, me gjyshërit dhe të afërmit që s’i kishte më”. E kam njohur edhe unë, së bashku me kolegun e studimeve, Hajro Hajrën nga Ferizaji, duke mbajtur në ndërkohë korrespondencë me sekretareshën e tij, Ankuca Kendi e cila e shkriu rininë për t’u përkujdesur për këtë shkrimtar të famshëm që jetonte si princ.

          Vehbi Bala thekson se në mbrëmjen e 28 nëntorit 1960 i kishte shfaqur dëshirën për ta shkruar një dramë për Skënderbeun, por në vend të dramës, më 1971, Viktor Eftimiu e qëndisi një poemë kushtuar kryetrimit të Shqipërisë, të cilën do ta botojë më vonë “Fjala” e Prishtinës, në shqipërimin tonë. Më 1964, me rastin e 75 vjetorit të lindjes, Vehbi Bala do ta vizitojë me dy miq të tij. “Mirë se erdhët, vëllezër”! “Me këto fjalë më priti tek dera. Ishte një mbrëmje e butë qershori. Na bëri vend në dhomën e punës, rreth një tryeze të rrumbullakët. Sekretari i tij, një rumun mjaft i shtyrë në moshë, kryente shërbimin e mikpritjes. Menjëherë të binte në sy pasjisja e asaj dhome me gjithfarë punimesh pikture dhe skulpture, me rafte plot libra të vjetër dhe të rinj. Nga një dritare e madhe, e çelur, që të çonte në verandë, hynte erëza e mirë e luleve”. Ne s’e mbajmë mend sekretarin e tij, Kristian Pançesku, por kemi patur fat ta njohim çunin e tij, Jon Mihai Pançesku, bashkëpunëtor i zellshëm i revistës “Shqiptari”, si dhe nipin e Kristianit, Dragosh Pançesku, cili e shpëtoi një pjesë të mirë të arkivit të Viktor Eftimiut, tashmë pronë e arkivit tonë në Bukuresht (dhjetra libra, qindra dokumente, dorëshkrime, fotografi etj).

          Për akademikun Viktor Eftimiu,  ishpresident i PEN klubit rumun, anëtar i Akademisë rumune, në 120 vjetorin e lindjes së tij mund të qëndisen disa artikuj analitikë me subjekte si: Viktor Eftimiu dhe Shqipëria, Poezia e Viktor Eftimiut, Eftimiu si dramaturg dhe romansier, Publicistika e Viktor Eftimiut, Viktor Eftimiu dhe Masoneria, Viktori dhe sekretareshat e tij etj. Për momentin po e lemë vetëm me kaq, sa për të joshur kurreshtjen e lexuesit, duke e dinamizuar këtë shkrim me disa fotografi që i prezentohen për herë të parë opinionit shqiptar..

Eftimiu para piktures se fmashme Na ishte sec na ishte
Eftimiu para piktures se fmashme Na ishte sec na ishte

Viktor Eftimiu me mamanë e tij
Viktor Eftimiu me mamanë e tij
Viktor Eftimiu me sekretareshën e tij në Çishmixhiu (1968)
Viktor Eftimiu me sekretareshën e tij në Çishmixhiu (1968)
Viktor Eftimiu ne gjirin e admiratoreve te tij
Viktor Eftimiu ne gjirin e admiratoreve te tij
Kristian Pancesku dhe Viktor Eftimiu
Kristian Pancesku dhe Viktor Eftimiu


(Vota: 8 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx