E marte, 11.05.2021, 09:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Mexhid Yvejsi: Stolia e besimit, argument i islamit

E premte, 10.04.2009, 12:32 PM


STOLIA E BESIMIT,
ARGUMENT I ISLAMIT

IMAM MUHAMED EL-GAZALI
(1058-1111)

Nga Mexhid YVEJSI, Gjakovë

Kush ishte Imam Muhamed el-Gazaliu?

Imam Gazaliu ishte një dijetar i madh, ishte teolog, jurist, psikolog, sociolog, kosmolog, filozof, poet, mistik ose sufi, me bindje islame, me prejardhje persiane.

Emri i tij i plotë është: Ebu Hamid Muhammed bin Muhammed El-Gazali, i lindur në vitin 1058, në qytetin Tus, në krahinën e njohur Horosan të Persisë (sot, Republika Islamike e Iranit).

Prejardhja, shkollimi, veprimi dhe dyshimi

Rrjedh nga një familje e varfër, por që ishte shumë e pasur shpirtërisht! Mësimet e para i mori nga një dervish, që ishte një sufi i varfër, por i dashur dhe i ndershëm. Më vonë i vazhdoi në qytetin Xhërxhan, te dijetari i madh, Ebu Nasrel Ismaili.

Në moshën njëzetvjeçare shkoi në Nishabur, që ishte një qendër e njohur e kulturës islame, ku u regjistrua në Medresen me famë «Nidhamije» te myderris Xhuvajeni, Imam El-Haremejn, i cili ishte një nga dijetarët më të shquar të kohës.

Gjatë studimeve, prej vitit 1078-1086, Gazaliu ishte studenti më i dalluar prej të gjithëve dhe zgjuarsia e tij e madhe e kishte bërë të njohur kudo.

Në vitin 1091, mbas diplomimit, u ftua nga kryeministri Nidhamul Mulk, i cili kishte simpati të madhe për dijetarët dhe i ofroi postin e profesorit në Medresenë “Nidhamije” të Bagdadit, që ishte një nga qendrat më të njohura arsimore-kulturore të botës.

Pas katër vitëve, në kohën kur Gazaliu arriti kulmin e famës, njëkohësisht, kishte arritur edhe kulmin e dyshimit! Ai dyshonte jo vetëm në teologji, por edhe në njohuritë e tjera, sidomos në filozofi.

Në vitin 1095, papritmas, la detyrën e lakmueshme të myderrisit (profesorit), e lë qetësinë që e gëzonte në familje, u nda edhe nga familja...! E braktisi edhe Bagdadin e bukur...!

Vizitoi El-Kudsin (Jerusalemin), Damaskun, Aleksandrinë dhe shumë qytete me rëndësi. Kreu edhe vizita në dy qytetet e shenjta: Mekke dhe Medine, në kohën e duhur, ku e mori edhe titullin haxhi.

Dhjetë vite lutje, meditim, pastrim…

Pas dhjetë vjetëve, të cilat i kaloi i veçuar, por me lutje të vazhdueshme dhe meditim, Gazaliu e gjeti atë që po e kërkonte, e gjeti qetësinë shpirtërore në sufizëm!

Dyshimi i tij, më në fund, u zhduk! Duke e përshkruar këtë periudhë të jetës së tij të veçantë, Gazaliu në veprën autobiografike “El-Munkedhu mined-dalal” (Shpëtimtari nga lajthitja), tregon së shpëtimi nga errësira dhe dalja në dritën e besimit, nuk i erdhën nga provat dhe argumentet,

“Por nga Drita që Zoti e solli në zemrën time, Dritë që ndriçon hyrjen në të gjitha dituritë. Të mendojmë se kuptueshmëria e sigurtë vjen vetëm duke u bazuar në argumente formale, kjo është kufizim i mëshirës së pafund të Zotit.”

Dritën e besimit, që i erdhi nga Zoti, me përvojën e veçantë të sufizmit, Gazaliu filloi t’a hedhë në letër dhe kështu na ka lënë libra me vlerë, të cilat janë përkthyer në gjuhët e Lindjes dhe të Perëndimit. Këto libra janë në qarkullim edhe sot dhe lexohen me vëmendje e komentohen prej dijetarëve më të shquar.

A. Badeviu, një dijetar i shquar egjyptian, ka përgatitur një listë me titujt e librave të shkruara nga Imam Gazaliut dhe libra të shkruara për Imam Gazaliun, që janë gjithsejt 457 tituj të librave…

Këtu, për Imam Gazaliun, mjafton të përmendim se vetëm Enciklopedia Britanike ia shënon rreth shtatëdhjetë vepra. Kryevepra e tij është libri monumental: “Ihja ul-ulumuddin” (Përtëritja e shkencave fetare). Një botim në gjuhën arabe, i vitit 1939, përmban 3095 faqe.

Për këtë libër madhështor të Imam Gazaliut disa dijetarë kanë thënë:

“ Po të zhduken të gjitha librat e shkruar mbi Fenë Islame, do t’ishte një humbje e vogël, me kusht që libri i Gazaliut “Përtëritja e shkencave fetare» të ruhej”.

Si një personalitet i madh dhe me autoritet të pacenueshëm, Imam Gazaliu nderohet në përmasa botërore, sepse ndikimi i tij, në veçanti në filozofi, ka qenë me shumë rëndësi tek filozofët jo vetëm muslimanë, por edhe tek filozofët hebrenj dhe krishterë-evropianë…

Sa për informim, këtu po i japim vetëm dy mendime:

Prof. Mustafa Maragiu, ish-rektor i Universitetit të famshëm “Al-Az’har” të Kajros, Egjypt, për Imam Gazaliun ka thënë:

“Po të përmenden Ibni Sina’i dhe Farabiu, menjëherë na shkon mendja te dy dijetarë të mëdhenj në filozofi; po të kujtohet emri i Ibn el-Arabiut, do të mendojmë për burrin e madh sufi, mendimet e të cilit kanë rëndësi e peshë të madhe në tesavvuf (mistika islame); po të përmendën emrat e Imam Buhariut dhe Imam Muslimit, menjëherë do të mendojmë për dy tradicionalistët më të mëdhenj islamë, që shënuan me sinqeritet të madh fjalët dhe veprat e Pejgamberit (a.s.), duke ruajtur një thesar të vlefshëm. Por, po të përmendet emri i Gazaliut, këtu kemi shumë aspekte; nuk na shkon mendja te një burrë, por te shumë burra dhe secili prej tyre me vlerë e rëndësi të veçantë në fushën e vet. Na kujtohet Gazaliu teolog, jurist, gjykatës, prijës i Ehli Sunnetit, mbrojtësi i ideve të tyre; Gazaliu sociolog i specializuar për gjendjen e shoqërisë njerëzore, Gazaliu filozof që e luftoi filozofinë, Gazaliu edukator, sufi! . Ose, po të duash thuaj: “Kur të kujtohet Gazaliu, të shkon mendja tek burri që ishte enciklopedia e diturive të shekullit të tij.”

Kurse në Perëndim prof. Mc Donald-i, në librin e tij “Development of the Muslim Theology” (Zhvillimi i teologjisë myslimane), e quan Gazaliun:

“Më i madhi dhe sigurisht figura më simpatike në historinë islame; i vetmi mësues i kohërave të vona që vihet nga myslimanët në një radhë me katër imamët e mëdhenj. Në fenë islame nuk ka njeri pas tij, që të zë vendin e tij dhe as që është kuptuar plotësisht prej myslimanëve. Në ringjalljen e islamit që po ngjet tani, do të vijë koha e tij dhe një jetë e re do të vijë për Gazaliun, nga ristudimet e veprave të tij.”

Imam Gazaliu jetoi pak në këtë botë të përkohëshme, vetëm 54 vite, të cilat i kaloi në mësime, predikime, shkrime, lutje të vazhdueshme, pastrim shpirtëror, deri në ditën e fundit të jetës, që ishte e hënë me 19 dhjetor 1111.

Ahmedi, vëllai i Gazaliut, për vdekjen e tij, thotë:

“Të hënën në mbrëmje, vëllau im mori abdes dhe u fal. Mbasi u fal më tha: “Më sillni qefinin!” Pasi e mori, e puthi, ngriti sytë lart e tha:

“Unë dëgjoj dhe i bindem urdhërit, të shkoj te Zoti.” U shtri në shtrat dhe ia dorëzoi shpirtin Krijuesit...”

Kështu ndërroi jetë Imam Gazaliu, në qetësi, paqë e dashuri.

A thua, si do të ndahemi unë, ti, ai...?

Imam Gazaliu u kthye tek Zoti, të Cilin e njohu, e dashuroi dhe Ai e ndriçoi e udhëzoi!

Unë lutem, uroj që i madhi Zot të na udhëzojë, të na ndriçojë edhe neve, shqiptarëve, që jemi aq krenarë, por edhe aq të mjerë, aq të ndarë, aq të përçarë…!

Amin! Ashtu u bëftë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora