E diele, 19.04.2026, 08:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Fran Luli: Në gjurmët e historisë së Ndërfanës - analiza e veprës së Gjon Markut

E shtune, 18.04.2026, 06:49 PM


Në gjurmët e historisë së Ndërfanës: analiza e veprës së Gjon Markut

"NDËRFANA" (Monografi), Shtëpia botuese "Mirdita", Rrëshen, 2001.

Nga Fran Luli

Është një ndër botimet më me vlerë për krahinën e gjerë dhe me interes për Mirditën, falë zellit dhe formimit të autorit Gjon Marku. Këtyre u shtohet edhe origjina e këtij studiuesi nga vetë Mirdita, gjë e cila bën që argumentet dhe faktet e gjalla të jenë më autentike dhe më bindëse.

Libri ndahet në 14 çështje, një mënyrë kjo jo e pa vlerë për të zbërthyer dhe për të imtuar gjërat që lidhen me këtë apo atë krahinë. Treva e Ndërfanës, si një pjesë e pashkëputur e kësaj krahine, është studiuar në këndvështrime të shumta, ku njëri plotëson dhe shkoqit tjetrin. Përgjithësisht, tri janë vështrimet që ngërthehen në libër: natyra dhe pasuritë e saj, historia dhe etnografia, të shikuara dhe vlerësuara në njëfarë lidhjeje midis tyre.

Në çështjen e parë flitet për pozitën gjeografike, klimën dhe popullsinë, si një vend në qendër të Mirditës, midis dy lumenjve, Fanit të Madh dhe Fanit të Vogël, pozicion i cili i ka dhënë edhe emrin. Si konfiguracion, është më tepër vend fushor, me një klimë të butë, mesdhetare. Popullsia ka qenë disi e lëvizshme, në varësi nga kushtet shoqërore, ekonomike dhe historike, siç vë në dukje autori (f.5). Por, më herët, në vitin 1641, sipas relatorit M. Skura, Ndërfana kishte 500 frymë të krishtera a më shumë (f.4).

"Ndërfana në lashtësinë e vet" përbën çështjen e dytë, ku hidhet një sy legjendave e gojëdhanave të ndryshme popullore, ku spikat legjenda: "Ndërfana ka qenë përpara Krishtit" (f.6). Më tej autori flet për materialet dhe zbulimet arkeologjike në Gëziq, me vlerë për historinë e tij, si dhe për disa zeje e mjeshtri, si shkrirja e bakrit, ku sjell edhe toponimin e gjallë "Kodra me farkë".

Rëndësi kanë lidhjet urbane, veçanërisht rrugët e rrahura të këtyre anëve, që i lidhin me qytetet dhe krahinat e tjera, brenda, por edhe jashtë Shqipërisë, si: Shkodër – Dejë – Kashnjet – Kalor – Bukmirë – Ndërfanë – Kodër Rrëshen – Shkallë Gjanë – Nënshejt, duke vazhduar në Shëngjin – Xhuxhë – Qafa e Komit, Surroi – Kukës, duke përfunduar në Nish të Serbisë. Pastaj, vihet re një kala e lashtë (Meshurdh) përmes rrënojave të saj.

Një pikë e veçantë është "Ndërfana, një emër i vjetër", ku, siç u pa, e ka marrë emrin nga vetë pozicioni, ndërmjet dy Faneve, Ndërfana pra. Diskutohet aty çështja e Mirditës, e cila në kohën paraosmane quhej herë "Ndërfanë", herë "Dukagjin", duke theksuar: "Kalimi i emrit nga Dukagjin në Mirditë është bërë shkallë-shkallë, madje disi përzitas" (f.9).

Veç faktorëve dhe shkaqeve të tjera, mendojmë se ky kalim dhe ndërrim emri duhet të ketë ndodhur edhe për vetë faktin etnografik dhe demografik se Mirdita është vëlla me Dukagjinin. Më poshtë, autori, mbështetur në gjetjen arkeologjike, abacinë dhe kishat e shumta, mbërrin në përfundimin se Gëziqi ka qenë qendra e Ndërfanës së herëshme (f.9).

Një pikë më e zgjeruar i përket Ndërfanës së Mesjetës, ku ka më shumë të dhëna historike, bile edhe mbishkrime. Autori mbron tezën se në periudhën e Mesjetës Ndërfana ishte pjesë e principatës së njohur të Arbërit, që në shekullin XII, sipas fragmentit epigrafik në Shën Mëri të Ndërfanës, vërtetuar prej T. Ipenit (f.11).

Më saktë, për këto epigrafe dhe mbishkrime shprehet Dh. Shuteriqi, ky gërmues dhe arkivist i palodhur, i cili saktëson 8 fragmente mbishkrimi në Gëziq (më 1967), të dëshifruara nga I. Zamputi (1984) dhe K. Zhegu, shkruar me germa latine në tri radhë, përkthyer edhe në gjuhën shqipe.

Më tej, autori i monografisë i kushton vëmendje të veçantë kushteve dhe krijimit të shtetit të Arbërit, një pikë kyçe për historinë e kombit shqiptar, ku shkruan: "Krijimi i shtetit të Arbërit në atë periudhë bëri që shqiptarët të dalin me një shtet të mirfilltë të tyre..." (f.17).

Çështja e tretë, "Abacia e Ndërfanës...", përmbledh në vetvete mjaft probleme dhe të dhëna që kanë lidhje me Mirditën dhe me hapësira të tjera gjeografiko-historike, mbështetur në shumë historianë vendas dhe të huaj. Që në fillim, studiuesi jep mendimin se Abacia e Ndërfanës u ndërtua në fund të shekullit XII dhe në fillim të shekullit XIII.

Më tej mësojmë se pikërisht në anët e Abacisë është gjetur një mbishkrim epigrafik, si dhe gurë me gdhendje e motive, një shqiponjë me një kokë në gurë mermeri, i quajtur prej studiuesve "Stemë e Arbërit" e më vonë "Stemë e Dukagjinëve", duke ditur se: "Zotërit e parë të Arbërit, Progoni me të dy djemtë, ishin të të njëjtës derë me Dukagjinët, pra epiqendra e tyre gjendej në viset ku dihet me siguri se kanë qenë sundimtarë Dukagjinasit" (f.21), duke iu referuar edhe Shuteriqit.

Po këtu jepet edhe fotoja e kësaj Steme, e gdhendur me art të veçantë dhe me shije (f.20). Në faqet vijuese flitet për Abacinë e Ndërfanës, por e lidh ngushtë me Dhimitrin e Arbërit dhe politikën e tij, veçanërisht me lidhjet me Papatin dhe me traktatin midis Arbërit dhe Raguzës, të dyja këto në vitin 1209. Ky personalitet i fuqishëm arriti kulmet e zhvillimit të Principatës, duke i atribuar mjaft tituj si "Gjykatës", "Princ" dhe "Arkond".

Më poshtë vijojnë dokumentet me historianë të ndryshëm për këtë Abaci, sidomos gjatë shekujve XII dhe XVII, si dhe për konsideratat e larta të Papa Kalistit të III-të ndaj abatit të Shën Mërisë së Ndërfanës, Palit, duke e pajisur edhe me letërnjoftim për t'u paraqitur si i dërguar i tij për punët e jashtëzakonshme në Shqipëri, Dalmaci, Bosnjë e Greqi (f.23–24).

Autori i monografisë përshkruan bukur vendin, shtrirjen dhe klimën ku u ndërtua Abacia. Duke iu drejtuar edhe studiuesit tjetër Ndue Dedaj, autor i librit "Toka e Katedraleve", pohon se në Ndërfanë kishte pasur rreth 20 kisha, ku më 1970 janë identifikuar këto: vetëm në Gëziq kisha e Shën Gjinit, e Shën Markut, e Shën Barbullës, e Shna Premtes, e Shën Gjergjit, e Shën Kollit dhe disa të tjera bashkë me dy të tjera në Ndërfanë: Kisha e Shën Kollit dhe ajo e Bulqëve (f.25), të cilat përshkruhen një për një prej autorit.

Një trajtesë e ngjeshur, mbështetur pothuajse krejtësisht te studiuesit e huaj, i është bërë çështjes "Nga Arbëri tek Dukagjinët", si një vazhdimësi historike. Në fillim flitet për faktin e njohur se emri "Dukagjin" shpjegohet me "Duka Gjin" (Duca Ginum Tanuschum). Aty shënohet edhe njëfarë gjenealogjie:

Progoni I (v. 1190–1199)

Gjini (1199–1208)

Dhimitri (1208–1216)

Progoni II (1216–...)

Gjini, Dukë (1280), që i dha emrin principatës dhe familjes princërore të Dukagjinëve.

Vazhdon më tej jeta dhe historia e Dukagjinëve sipas historianëve të ndryshëm, duke dhënë edhe origjinën e tyre: prej Trojës, Anzhuinëve etj., gjithësesi një familje e moçme.

Çështja e pestë bën fjalë për zgjerimin e territoreve të Ndërfanës gjatë Mesjetës e më vonë, gjë që e sjell vetë koha dhe proceset historike. Në fillim trajtohet familja e njohur e Blinishtëve, në veri të Ndërfanës, me pinjollët e kësaj dere: Vlad, Guliem e Kolojan, me tituj, grada dhe ofiqe shtetërore dhe papale, të cilët lakmonin zgjerimin e principatës së tyre, veçanërisht në dëm të Dukagjinëve. Por këta kishin grindje dhe konflikte edhe me familjet feudale të Topiajve, duke shtuar aty edhe armiqësinë shekullore të serbëve, më në krye Car Stefan Dushanin e njohur.

Këta Blinishtë, pra, mbërritën të shpallnin luftën dhe kryengritjen e përgjithshme të Shqipërisë së Veriut, e cila filloi në korrik të vitit 1336, për të marrë hov e turr më vonë. Blinishtët harruan se si kundërshtarë apo shkaktarë të tjerë dolën më në fund edhe vetë familjet e mëdha të Topiajve e Dukagjinëve. Dhe, si përfundim, familja e Blinishtëve humbi keq, duke kaluar tashmë zotërimet e tyre nën sundimin e dinastisë serbe dhe të Dukagjinasve.

Për pasojë, territoret e principatës së Dukagjinëve u zgjeruan shumë, duke fuqizuar dhe renditur këtë principatë ndër më të mëdhatë e Shqipërisë, sidomos gjatë shekullit XIV. Kuptohet se me fuqizimin e kësaj principate dhe të kësaj familjeje të madhe feudale, fuqizohej edhe vetë Ndërfana, një nga qendrat më të rëndësishme dhe më të mëdha të Dukagjinëve, e "ndoshta njëra ndër qendrat më të mëdha e më të përmendura për gjithë Shqipërinë e Epërme", siç shprehet autori i monografisë (f.43).

Çështja tjetër trajton popullsinë e Ndërfanës dhe të trevave përreth saj, ndonëse një krahinë më shumë malore, marrë në tërësi. Kjo çështje zbërthehet në disa nënçështje për t'u bërë më e kapëshme nga lexuesit. Menjëherë zë fill Kalaja e Meshurdhit, e lënë në harresë, por e dalë në dritë nga autori dhe studiues të tjerë. Një kala e vjetër, e mbuluar nga pluhuri i kohës, megjithëse një vend fortifikimi i veçantë, me rrënoja dhe gjurmë të tjera vjetërsie, ndodhej në veri-perëndim të Ndërfanës.

Autori vë në dukje se: "Kalaja e Meshurdhit nuk është i vetmi vend fortifikues. Në Mirditë janë identifikuar disa qendra të tilla..." (f.46), sidomos në Rubik, Velë, Simon, Kodër Rrëshen, Bisakë dhe Domgjon. Pas kësaj kalaje, vjen Blinishti i njohur, si një qendër e rëndësishme urbane, ku mbizotëronte familja princrore e Blinishtëve. Në këtë hapësirë gjeografike gjendet edhe Kuvendi Benediktin i Shën Palit dhe një kishë e vjetër, Kisha e Shtjefnit, vende kulti që i përshkruan M. Skura në vitin 1641 dhe 1644.

Më poshtë mësojmë se ndër këto rrethina janë gjetur disa stoli zbukuruese: vëthë, varëse, byzylykë (të gjitha prej bronxi), disa rruaza qelqi si dhe mjaft vegla pune, enë, armë etj. Theksojmë se një përshkrim të hollësishëm rreth Blinishtit, me të gjithë gjetjet dhe të dhënat historike, ky studiues i zellshëm e ka bërë edhe kohët e fundit në revistën e Shkodrës, "Rrezja jonë" (Nr.2, 2002, f.46–55).

Pika e fundit e kësaj çështjeje bën fjalë për vendpopullimet e Bukmirës, Malajve dhe Përlatit. Për të parën herë vërejmë se aty janë gjetur disa objekte të periudhës së Mesjetës së hershme, si: sëpata, rruaza, vathë, byzylykë dhe tjegulla. Në Malaj u gjet një fibul, dy unaza bronxi, si dhe tëmthore, rrathë, thikë dhe një varg rruazash. Në Përlat flitet për një varrezë të kohës ilire dhe një përkrenare bronzi të tipit klasik ilir.

"Kuvendi i Ndërfanës 1595" trajtohet në pikën vijuese, gjithnjë e përmbledhur. Ai është një ndër kuvendet shqiptare të shekullit XVI të njohura edhe në planin europian, bashkë me kuvendet e tjera të përmendura ballkanike. Pas mospranimit të thirrjes së krerëve shqiptarë drejtuar atyre të Europës, flitet për mbledhjen e Kuvendit të Madh në Manastirin e Shën Mërisë, më 1595 (Ndërfanë), në të cilin u paraqitën projektet dhe "u rrahën mendime për një kryengritje të madhe e të përgjithshme kundër hordhive turke", siç shprehet autori (f.53), por fatkeqësisht nuk iu përgjigjën sa e si duhet disa vende europjane të kohës.

Më tej mësojmë për organizimin e një Kuvendi tjetër, atë të Ndërfanës, më 7 qershor 1595, përkatësisht në Manastirin e Shën Mërisë, ku kishte disa arsye për mbajtjen në këtë vend të shenjtë, ndër të cilat veçohet fakti se: "në disa treva të Shqipërisë kishte filluar, për interesa ekonomike, të ndryshonte besimi, të ndodhte myslimanizimi" (f.54).

Më vonë, më 1602, marrim vesh për një kuvend tjetër, në Manastirin e Shën Llezhdrit. Po në këtë fillim shekulli, pushtuesit osman ndërmorën fushata ndëshkimore të rënda kundër Mirditës, duke rrënuar dhe plaçkitur katundet dhe banorët.

Çështja e tetë përmbledh Ndërfanën në relacionet kishtare të shekullit XVII përmes misionarëve M. Bici, arqipeshkëv i Tivarit, dhe M. Skurës. Me interes është sidomos një relacion i vitit 1630, ku renditen popujt që nuk i janë nënshtruar turqëve, banorë kryesisht të Shqipërisë Veriore, midis të cilëve janë edhe banorët e Fanit të Madh, me 80 shtëpi.

Relacioni i mëvonshëm, ai i vitit 1641–1650 prej M. Skurës, është disi më i hollësishëm, ku shkruhet: "Ka Shën Mëri të Ndërfanës... mbahet një prift që i shërben asaj. Frymë të krishtera nja 500 a më shumë" (f.59). Në vitin 1644 ky relator rendit këto dioçeza: Shën Llezhdrin, Shën Markun, Shën Mërinë e Ndërfanës, Shën Markun e Fanit të Madh.

Në lidhje me regjistrat dhe defterët turq, autori shënon: "Ndërfana, duke mos iu nënshtruar turkut, gjendet pak në regjistrat kadastrale turke", dhe shton më tej: "Ndërfana, edhe pse nuk u nënshtrua asnjëherë, ajo u rrënua prej turqëve, të cilët kanë qenë të pamëshirshëm, sidomos ndaj abacisë dhe vendeve ku ndodheshin ato" (f.59). Më poshtë mësojmë se tempulli i Ndërfanës është ndërtuar dhe rindërtuar disa herë, si në vitet 1930–33, 1944, 1966, 1967 dhe 1993.

Duke ditur rëndësinë e madhe që ka pasur bajraku dhe flamuri në jetën dhe historinë e trevave të Veriut, si simbol dhe si njësia administrative feudale, autori i monografisë i trajton këto probleme në një çështje të veçantë, me titull: "Ndërfana – pjesë e Bajrakut të Kuzhnenit". Pasi përmend formimin e fshatrave të Mirditës dhe thekson: "Çdo bajrak në Mirditë ka pasur flamurin e vet" (f.62), ai ndalet dhe analizon raportin simbolik flamur–duvak me mjaft elemente dhe domethënie të nënkuptuar, ku mbizotërues është flamuri ynë kombëtar me shqiponjë.

Përshkrim të hollësishëm rreth këtyre dy simboleve kanë bërë edhe etnografët e njohur F. Nopça dhe E. Durham. Autori thekson: "Flamuri qëndron në mes të traditës mirditore dhe përbën shenjën e bashkimit, nga njëra anë, dhe të nacionalizmit, nga ana tjetër" (f.64). Mos të harrojmë se fjalët "Flamur" e "Bajrak" shënojnë të njëjtën gjë dhe janë sinonime të njëri-tjetrit; e para fjalë grekolatine, e dyta fjalë turke.

Bajraku i Kuzhnenit renditej ndër 12 bajrakët e Mirditës, duke përfshirë Kuzhnenin, Blinishtin, Pëshqeshin, Gjegjanin, Simonin, Gëziqin dhe Ndërfanën. Më tej, autori flet për Gëziqin si një pjesë e pashkëputur e Ndërfanës.

Përsëri për Gëziqin, autori do të trajtojë gjendjen ekonomiko-shoqërore dhe kohën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, për Korpusin XI gjerman, për qëndresën e luftëtarëve dhe rënien e disa dëshmorëve.

Përsëri për problemet e ndërlikuara të shtrirjes dhe të administrimit të krahinave, trevave dhe vendbanimeve më të vogla, kryesisht gjatë Mesjetës së vonë, autori flet në çështjen e dhjetë, ku trajton përfshirjen e Ndërfanës në Abacinë e Mirditës.

Vendin kryesor aty e zë Dekreti i posaçëm i Papës i vitit 1888, në të cilin thuhet se Famullia e Ndërfanës i kalonte për juridiksion Abacisë së Mirditës. Dekreti riprodhohet më poshtë, me nënshkrimin e Kardinalit Gjon Simeonit, i vërtetuar nga ipeshkëvi i Lezhës, Fran Melzynski. Shkaqet kryesore të kësaj rindarje ishin largësitë e famullive dhe besimtarëve, të cilëve abati i vetëm i Lezhës (Kallmetit) nuk mund t'iu shërbente të gjithëve për nevojat e tyre shpirtërore. Për rrjedhojë, aty kishin lindur edhe disa marrëdhënie të vështira midis mirditasve dhe banorëve të tjerë të dioqezës së Lezhës.

Qendra e abacisë ishte Shën Llezhdri, e në krye të saj imz. Prend Doçi, një prelat i zellshëm, dijetar ndër fusha të ndryshme të kulturës dhe kryetar i shoqërisë së mirënjohur "Bashkimi". Bashkë me figura të tjera të njohura klerikësh, si Gj. Fishta, D. Koleci etj., ata hartuan një sërë librash për kulturën tonë kombëtare, si: "Abetaren", "Gramatikën", "Manualin e estetikës", "Historinë e Shqipërisë" dhe mbi të gjitha "Fjalorin e ri të Shqipes", një ndër veprat leksikore më të mira të gegënishtes dhe të mbarë gjuhës shqipe.

Çështjes së arsimit autori i kushton një pikë më vete. Që në fillim të kësaj trajtese, ai vë në dukje gjurmët e para të një arsimi të organizuar herët, në shekullin XII, kur Roma themeloi disa kuvende benediktine në Orosh, Ndërfanë, Shpal e Rubik, në të cilat përgatiteshin klerikë të shumtë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe përtej saj, deri në Dalmaci.

Por në këtë mes duhet kuptuar mirë se klerikët dhe kishat nuk ishin të mbyllura vetëm për misionin e tyre fetar. Përkundrazi, ata dhe ato ishin të hapura ndaj jetës së popullit dhe vendit ku ndodheshin, duke kërkuar, duke mësuar dhe duke studiuar, herë-herë me rrënjë e degë në drejtim të historisë dhe të kulturës së popullit besimtar.

Urdhërat kishtarë në Shqipëri, si herët ashtu edhe më vonë, kudo kanë përhapur dijen dhe dritën e shkollës. Ku ka pasur kishë e prift, aty ka pasur edhe kulturë. Falë punës së tyre dhe mendjeve të ndritura, sot kemi një trashëgimi të pasur kulturore. Kjo shihet më së afërmi tek kontributi i klerikëve katolikë në disa shkolla, si ajo e Velës dhe e Pllanës, etj., sepse kjo ishte "koha kur lëvizja kishtare fillon të marrë karakter të theksuar kombëtar", siç shprehet autori (f.85), duke u referuar edhe literaturës.

Por pushtuesi i huaj, aq më tepër i një feje tjetër, me kalimin e kohës, bëri punën e vet rrënuese ndaj institucioneve, ku, në këtë krahinë, u shkatërrua Abacia e Ndërfanës dhe e Oroshit. Për këtë, studiuesi P. Doçi shkruan:

"Qysh nga fundi i shekullit XV dhe gjatë shekujve XVI e XVII, qenë rrënuar dhe goditur disa herë nga pushtuesit turq, të cilët bënë që të mbylleshin abacitë dhe të mos funksiononin shkollat për një kohë të gjatë" (f.86).

U deshën mjaft kohë që arsimi të fillojë sërish në këto anë. Vitet '30 shënojnë hapjen e shkollës së Ndërfanës. Më 1935 hapet një shkollë e përbashkët për Gëziqin dhe Ndërfanën, me mësues Luigj Shkjezin. Shkolla e Gëziqit vazhdoi jetën dhe veprimtarinë e saj gjatë gjithë kohës, me mësues të ndryshëm nga rrethe të tjera të vendit dhe me nxënës të shumtë nga viti në vit, ku një pjesë e mirë e tyre u bënë njerëz të dijes dhe të shkencës.

Autori shkruan: "Shkolla e Gëziqit ka luajtur një rol të veçantë historik e kulturor në jetën shoqërore të këtij fshati", duke radhitur një varg intelektualësh të fushave të ndryshme si: Loro Gjeçi, Gjon Simoni, Zef Brozi, Ndue Lazri, Ndue Marku e mjaft të tjerë (f.89).

Në çështjen e 13-të trajtohen pasuritë natyrore të Ndërfanës, duke veçuar pyjet dhe burimet ujore. Përshkruhen mirë pyjet dhe shumëllojshmëria e drurëve të tyre, veçanërisht lisi dhe llojet e tij: qarri, bungë, shparthi, si dhe përpjekjet e vendasve dhe të të huajve për t'i mirëmbajtur, ruajtur dhe shfrytëzuar këto pyje gjatë gjithë kohës. Veçohen pyjet e Qafë-Mollës, Livadhezit, Gëziqit, Molungut, me masive të tjera.

Ndër shkurret përmendet: frashëri, dëllinja, mareja, shkoza, boshtrra, shqopa, krifsha. Po në këto masive nuk mungon as pisha e zezë, aq e vlefshme për ndërtime dhe rrëshirë.

Disi më gjerë, autori flet për burimet ujore, të shumta dhe të pastra, të shpërndara si arterie në Ndërfanë, duke krijuar një mjedis natyror të bukur dhe të këndshëm, gjithsesi romantik, veçanërisht për turistët. Më poshtë vërehet përpjekja për t'i përdorur këto rrjedha ujore për vaditje tokash, në dobi të bujqësisë.

Ky përshkrues i imët na jep rrjedhat e tjera ujore, sidomos krojet me ujë të pastër, ku përmendim: Kroi i Lkethit, Kroi i Kalanjanit, Kroi i Mimanit, Kroi i Akajve, Kroi i Mekullit, Kroi i Frashnit, Kroi i Gurit, Kroi i Lakut të Ktisë, Kroi në Gjurra.

Nga përrenjtë rendisim: Përroi i Dukagjinit, P. i Mekullit, P. i Shehut, P. i Çakajve, P. i Gjazhdës, etj. Ndonjë prej tyre është përdorur edhe për rezervuar uji, kurse përgjithësisht, deri në vitet '60, këta përrenj janë përdorur për vija mullinjsh, aq të shpeshtë dhe të domosdoshëm për banorët e malësive, e quajtur kjo edhe si një zeje e veçantë, disa prej të cilëve të dëshmuar historikisht që në Mesjetë.

Në çështjen e fundit, autori i kësaj monografie analizon traditat e banorëve të Ndërfanës e më gjerë, si një pjesë e kulturës materiale dhe shpirtërore të kësaj treve, duke e ndarë edhe këtë në disa nënçështje.

Fillimisht trajtohet rituali i vdekjes, ku njeriu ka hall të madh përgatitjen e petkave të vdekjes, për t'u veshur në ditën e fundit si "dhëndërr" ose si "nuse". Një tjetër hall ishte lajmëtari, apo "fjalëtori", i cili shpërndante lajmin ndër miq e dashamirë të shtëpisë së të vdekurit. Kishte më shumë se një fjalëtorë, në vartësi nga largësia e të lajmëruarve. Miqtë e largët merrnin me vete edhe vajtimoret, ndërsa dajat dhe nipat vinin duke bërtitur me "gjamë" dhe duke gërvishtur fytyrën, gjë që na kujton vajtimin e Lekë Dukagjinit në vdekjen e Gjergj Kastriotit.

Gjatë ceremonisë së mortes, vajtojnë gratë, ato të vendit dhe të krahinave, ku përparësia u takon këtyre të fundit. Më poshtë, shfaqet një fragment vaji prej shumë vargjesh, ku dalin çastet më të rëndësishme të jetës së të vdekurit.

Pika e dytë bën fjalë për gjamat, veçanërisht ato realizuar dhe ekzekutuar nga burrat, një moment emocional dhe i trishtueshëm në ritet e vdekjeve tona, ku si shembull sillet gjëma e Lekë Dukagjinit. Aty mungon muzika dhe vendin e ka britma (brima), e cila shpreh ankth dhe dhembje të fuqishme. Më tej mësojmë llojet e gjamave: teke, dyshe dhe në grup, me përshkrime të hollësishme mbi mënyrat, format dhe mjetet e realizimit të tyre si rite jo të zakonshme.

Loja e "filxhanave" zë një pikë tjetër në këtë çështje, si një lojë popullore burrash në dhomën e tyre, midis dy palëve, për të gjetur unazën nën 10 filxhanë, ku fshihet njëfarë zgjuarsie. Pala fituese këndon me bejte e thumba, si p.sh.:
"Prapa tij ky Pjetri i dyti / Rrin syulë porsi puc fiku."

Një vend të veçantë zë pika tjetër, që i kushtohet veshjes popullore të gruas mirditore, mjaft të ndërlikuar por me art të rrallë, si shumë veshje e kostume të tjera të krahinave shqiptare, secila me të veçantën e vet. Autori shkruan:
"Elementët e kësaj veshje, prerja, zbukurimet, mënyra e qepjes, të bëjnë të japësh një gjykim mbi shijet estetike, mbi kulturën, botën shpirtërore..." (f.109).

Ai rendit një e nga një elementët e kësaj veshjeje: këmisha, xhamadani, qemeri, tufat, përparsja, çorapet, këpucët ose "opinga lope", xhupi, xhahengu, xhurdini, shamija, kësula e kuqe, të punuara dhe të zbukuruara nga duart e arta e të shkathta të grave mirditore.

Veç këtyre, kostumin e bukur e shoqërojnë dhe e stolisin edhe zbukurimet metalike: unaza, vathët, parellikët (prej ari e argjendi). Në këtë veshje dallon shumëngjyrshmëria, ndonëse mbizotëruese është e bardha. Ka harmoni të veçantë midis ngjyrave, dhe kontrastet e vëna re kanë efektet e tyre dhe kryejnë funksione stili.

Është e vështirë të përfshihen të gjitha pjesët e vogla të këtij kostumi dhe po aq e vështirë t'i përshkruash me të gjitha vlerat materiale dhe artistike të tyre. Këto i lëmë veçanërisht etnografeve femra, të shoqëruara dhe me vetë gratë punëtore dhe duararta mirditore.

Vështruar në tërësi dhe në veçantinë e vet, kjo monografi përbën një vepër serioze për Mirditën, mbështetur në një literaturë të pasur, shfrytëzuar racionalisht nga autori i zellshëm, i vëmendshëm dhe i formuar, Gjon Marku. Për bukuri, ai ka ditur të përthithë dhe të derdhë në librin e tij çdo të dhënë nga fusha të ndryshme studimi, shoqëruar me trajtimin e vet të veçantë, duke përzgjedhur gjithçka që është qënësore dhe e rëndësishme për krahinën e marrë në studim, kaq me interes për Mirditën.

Çdo kërkues ka çfarë të marrë dhe të shfrytëzojë nga kjo monografi. Ndonëse një biolog si formim fillestar, Gjoni ua kalon sociologëve për ato çfarë ka shkruar. Më vjen mirë, sinqerisht, që ndër këto vitet e fundit kanë dalë disa pena e firma të afta nga Mirdita dhe për Mirditën, si rrallë në ndonjë krahinë tjetër. Urojmë për më mirë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Jonuz Delaj nuk është më, por telat e lahutës së tij do të vibrojnë në shpirtin e paepur të përkatësisë Sabile Basha: Anatomia e krizës dhe demonstratat e vitit 1981 si artikulim i kërkesave kombëtare (1) Dorian Koçi: Gjergj Fishta dhe ligjërimi historik-letrar i epikës shqiptare Albert Vataj: Ne i përkasim vetes, aq sa i përkasim njëri-tjetrit Lekë Mrijaj: Romani “Klasiku V”, pasqyrë e një epoke Xhavit Çitaku: Dëshmia si letërsi dhe kujtesa si rezistencë Sevdail Hyseni: Përurimi i librit “5000 Aforizma” të Halim Hasanit - një festë e fjalës së mençur dhe mendimit kritik Fran Luli: Një pasqyrë shumëdimensionale e Mirditës në intervistat e Gjon Markut Hysen Ibrahimi: Lendita Uka Ibishi - Nxënësi është e ardhmja Albert Vataj: Shkodra e 40 viteve më parë, kur kënga shkruante historinë përmes virtuozitetit të mjeshtërve Pjetër Gaci dhe Zef Çoba Nexhmije Mehmetaj: Një zë shqiptar në skenat e muzikës klasike – Fjolla Iseini rrëfen rrugëtimin e saj artistik Albert Vataj: Simone de Beauvoir, ndërgjegjja që guxoi të jetë grua dhe njeri në të njëjtën kohë Lekë Mrijaj: Pjetër Nikolla - Vështrim historik mbi mitologjinë pellazgo-ilire dhe falsifikimet greke, romake dhe serbe Jahja Drançolli: Përvjetorë të rëndësishëm nga historia jonë! Ilir Muharremi: Brishtësia e rezistencës Tefë Topalli: Rreth librit "Kohë të trazuara" të autorit Gjon Marku Rovena Vata Mikeli: Dimensionet etnokulturore dhe narrative në romanin “Shtjellë Fatesh” të shkrimtarit Llesh Ndoj Albert Habazaj: 7 prilli i Toninit Albert Vataj: Dervish Shaqa, rapsodi që skaliti monumentin e tij me zë dhe tingull, shpirt dhe qëndresë Fran Gjoka: Melodi të mira mund të luhen edhe me një violinë të vjetër

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx