E shtune, 18.04.2026, 09:00 PM (GMT+1)

Mendime

Rushit Zejneli: Arnaut Zejneli, shqiptari që u bë Hero në Turqi

E shtune, 18.04.2026, 06:55 PM


Në kërkim të njerëzve të rrënjëve e të gjakut në Turqi

Arnaut Zejneli, shqiptari që u bë Hero në Turqi

Nga Rushit Zejneli

Kujtesa ka pengjet e saj, dritë-hijet që thurin e shthurin pëlhuren e mendimit dhe projeksionin e ëndrrës.

Isha i vogël, fëmijë plot dëshira dhe ëndrra fëmijnore, kur bridhnim me gjyshin lëndinave të fshatit, një fshat periferik në rrethin e Kukësit dhe gjyshi gjithmonë më rrëfente një histori për vëllain e tij, Arif Zejnelin, të humbur pa nam e nishan në rrjedhat e Luftës së Parë Botërore.

Kishte ikur që i ri rrugëve të mërgimit dhe nuk ishte kthyer më. Fjalë pas fjale, si në një baladë të moçme, thuhej se kishte shkuar në Turqi, në kërkim të një dashurie rinore me një turke. Disa lajme, të mjegullta si vetë ikja e tij, thoshin se ishte verbuar në flakët e Luftës greko-turke...Të tjerë thoshin se ishte verbuar shumë më vonë, disa vjet para se të vdiste. Por asgjë nuk ishte e sigurtë, gjithçka mbështillej me mjegullën e largësisë në kohë dhe në territor, duke lënë pas dilema dhe enigma...

Kjo kujtesë vazhdoi të më mbante peng gjatë gjithë jetës, një kujetesë fëmijnore, kur teksa shetisja me gjyshin lëndinave të fshatit, ai tregonte për vëllanë e tij, ikur nga vendlindja që fëmijë dhe të cilin nuk do ta takonte më kurrë.

Gjyshi iku nga kjo botë me këtë peng në zemër dhe pengu i tij u kthye në peng për mua si nipi i tij...

Ishte një rrëfim prekës, ku përzihej emocioni i humbjes së njeriut të dashur me lotët e përmallimit për shkak të mungesës së gjatë. Një mungesë, që me kalimin e stinëve dhe viteve u kthye në fiksim, u bë referencë kohore, para dhe pas vëllait të humbur...

Unë, fëmijë dhe i ri, por dhe më vonë kur u burrërova, u rrita me këtë histori, të cilën gjyshi e mori me vete në atë botë, duke lënë pas tek unë kërsheri dhe një nevojë të ngutshme për të gjetur gjurmët e vëllait të gjyshit, kudo që të ndodhej, i gjallë apo i vdekur.

Kjo është një histori ku ndërthuret kërkimi për familjarin e humbur në shtjella vitesh të largët, me ankthin e pritjes, përmallimin dhe realizimin e një kërkimi shumëvjeçar, të ethshëm dhe shterues.

Sot jetojmé në një epokë ikje të madhe, ikje nga vendlindja, ikje nga atdheu, ikje për një jete të re dhe fat të ri, por jo humbje pa nam e nishan, pasi mjetet e komunikimit janë më të pranishme se kurrënjëherë më parë...

Kur Arif Zejneli mori udhët e mergatës, në kërkim të fatit të ri por dhe të një dashurie me një turke, Turqia sapo kishte lënë pas luftën ruso turke, që i pati kushtuar aq shumë.

Gjyshi tregonte se megjithë tentativat për të zbuluar gjurmët e të vëllait, çdo përpjekje kishte dështuar dhe midis tyre që nderë mjegulla e humbjes, por jo e harrimit. Vuajtjet dhe mungesat, lufta dhe varfëria kishin bërë të tyren dhe mundësia për të rënë në gjurmët e vëllait pati shterur për gjyshin tim të shtrenjtë...

Unë e mbajta këtë mesazh si një peng dashurie për gjakun e bjerrur, u rrita dhe u burrërova me këtë vizion, si nevojë për të gjetur gjurmët e Arif Zejnelit ...

Në kohën e demokracisë, kur u rritën mjetet dhe mundësitë e komunikimit, tentova disa herë, që nëpërmjet emisioneve si "Njerëz të humbur" ta gjeja vëllain e gjyshit, të gjeja familjen e tij, por kjo u bë diçka e pamundur...

Kur i kisha humbur shpresat, rastësisht pashë një emision në shqip të gazetares dhe moderatores Mimoza Elezi dhe më lindi një shkëndijë shpresë se kjo gazetare mund të bënte diçka, ndaj i shkruajta dhe fatmirësisht mora përgjigje pozitive.

Pra, ajo u angazhua me përkushtim për të gjetur dhe nxjerrë në dritë të diellit gjithçka që kishte lidhje me vëllain e gjyshit tim, Arif Zejneli. Inevestigimi i saj nxorri në dritë faktin se vëllai i gjyshit tim, Arif Zejneli kishte jetuar, pati vdekur dhe që varrosur në Manisa Turgutlu, 80 km larg Izmirit. Ai ishte thirrur gjatë gjithë kohës dhe figuronte dhe në rregjistrat e popullatës, si dhe në vendprehjen e fundit, në varreza, me emrin Arnaut, emër me të cilin ai identifikohej si një figurë e shquar e historisë turke.

Pasi kishte lindur djalin, Rrahmiun, ai qe verbuar, i pati ikur gruaja për të cilën ai e kishte nisur atë aventurë ikje pa kthim nga vendlindja, por siç tregonin familjarët tanë, ai nuk u demoralizua dhe nuk u thye për asnjë çast. Rahmiu ka lënë tre djem dhe dy vajza: Zenelin, Bahriun, Skënderin, Sherifen dhe Mynyren. Këto janë gjithashtu me fëmijë, që mbajne lart emrin e të parit të tyre Arnaut Zejneli, me të cilin krenohet gjithë Turqia e jo më të mos krenohen pasardhësit e tij.

Të gjitha këto unë nuk i dija, por do t'i mësoja kur së bashku me bashkëshorten time, morëm rrugën drejt Turqisë për të gjetur rrënjët dhe gjakun e shpërndarë të familjes sonë të madhe...

Ishte përvoja dhe emocioni më i bukur i jetës sime. Në familjen e Arnaut Zejnelit, tek trashëgimtarët e tij, gjeta gjakun tim, nderimin, bujarinë, respektin, sajdinë, vlerat e një trashëgimie familjare, që kishte ruajtur në themel identitetin dhe krenarinë shqiptare. Arnauti kishte lënë pas bijë të denjë, që dinin të vlerësimin dhe trashëgiminë e një emri dhe vepre të ndritur, që i rrinte si kurorë e artë mbare Turqisë, ku vëllai i gjyshit kaloi thuajse gjithë jetën, si një burrë i shquar, me vepra guximi dhe trimerie të pashoqe.

Parku në Turgutlu mbante emrin e Arnaut Zejnelit. Një rrugë mbante emrin e tij, ndërkohë që nxënësit e shkollës në Turgutlu mësonin në programin e tyre shkollor historinë dhe bëmat e tij prej heroi. Për Arnaut Zejnelin ishin shkruar libra, qenë bërë filma dokumentarë dhe pagëzuar rrugë e sheshe publike.

Djali i tij Rahmiu, siç thamë më sipër, ka lënë pas tre djem dhe dy vajza: Zenelin, Bahriun, Skënderin, Sherifen dhe Mynyren, të gjithë me femijë, nipër e stërnipër të denjë të Arnaut Zejnelit, i cili iku nga vendlindja e tij në moshë fare të re dhe u bë mit dhe simbol në Turqi.

Kur vajta në familjen e tyre, m’u duk se i njihja prej kohësh, se nuk ishim ndarë prej tyre asnjë ditë, ngaqë mikpritja dhe ngrohtësia e tyre ishte kaq e veçantë dhe gjaku i munguar prej dekadash të tëra më mungonte e më thërriste drejt tyre...

Shqiptarët e Turqisë janë një komunitet i madh dhe i fuqishëm, që kanë dhënë kontribute të çmuara në historinë e saj, siç ka ndodhur me Aranut Zenelin, që jetoi si shqiptar dhe vdiq si një nga figurat e nderuara të shtetit turk.

Arnaut Zeneli ishte mik dhe bashkëpunëtor i themeluesit të shtetit modern turk, Ataturkut të famshëm, rrugën e të cilit ndoqi dhe u bë një nga simbolet e Turqisë, në të cilën la gjurmë të ndritura dhe u bë model krenarie për të gjithë pasardhësit e tij dhe brezat. Iku në këtë vend si emigrant, në kërkim të një romantike dashurie dhe zuri rrënjë, duke kryer akte qëndrese e fisnikërie, të atilla që të meritonin vëmendjen dhe respektin e këtij shteti të madh e të fuqishëm.

Sot ndihem i lumtur që e “gjeta” vëllain e gjyshin tim, gjeta gjurmët e lotit dhe përmallimit të gjyshit tim të shtrenjtë dhe mbi të gjitha, gjeta një familje të re, pasardhësit e Arnaut Zenelit, pjesë e rrënjëve të mia, pjesë e gjakut dhe trashëgimisë familjare të familjes së madhe Zejneli.




(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Kalosh Çeliku: Zagarët sot ndërsehen pas posteve partiake Isuf B. Bajrami: Dëbimet e shqiptarëve në Ballkan (1877–1999) Luljeta Pula: Bashkimi Kombëtar, amaneti që po e tradhëtojmë çdo ditë Fejzulla Berisha: ADN-ja e shqiptarit është e shkruar me Shkodrën, Prizrenin, Vlorën dhe Prekazin Isuf B. Bajrami: E drejta ndërkombëtare dhe përdorimi i forcës në Ngushticën e Hormuzit Sadbere Emshiu: Rri me këmbë në tokë, o Muhamet Idrizi – historia nuk fillon në Maretstraße, e as me ty Don Fran Sopi: Papa Leoni i XIV flet me zemrën e Ungjillit shënjtë Idriz Zeqiraj: Dr. Vjosa Osmani – kurban në mbrojtje të rugovizmit Albert Zholi: Çelik Petriti dhe Fitim Çaushi - Qeveria shqiptare po shmang një problem me rëndësi mbarëkombëtare Sabri Hamiti: Dorëshkrim nga Kosova Florim Zeqa: Në Koshare nuk ra kushtrimi, ndodhi mashtrimi! Idriz Zeqiraj: Dr. Vjosa Osmani as “notere e Kurtit”, as “karrieriste”, por presidente unike e Kosovës Gjon Keka: Vendosni disa emra për president në tavolinën e bisedimeve dhe ecni përpara Vladimir Shyti: Pushtimi i Shqipërisë nga vetë shqiptarët Kalosh Çeliku: Qyqja Ndue Dedaj: Çdo edicion, lajmi i parë – qeveria! Isuf B. Bajrami: Armët e shkatërrimit në masë dhe kërcënimi për njerëzimin Fahri Xharra: Falsifikimet ruse ne krijimin e Serbisë Fejzulla Berisha: Solidariteti ndërkombëtar me shqiptarët e Kosovës - “Edhe unë jam shqiptar” Ilir Çumani: 7 prilli i vitit 1939 na kujton se asgjë nuk harrohet…

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx