Kulturë
Fran Luli: Një pasqyrë shumëdimensionale e Mirditës në intervistat e Gjon Markut
E merkure, 15.04.2026, 06:50 PM
Një pasqyrë shumëdimensionale e Mirditës në intervistat e Gjon Markut
(Reth Librit Mirdita Intervista e autorit Gjon
Marku)
Nga
Fran Luli
Si
për çdo recension, edhe për këtë të Mirditës është e vështirë të pasqyrosh
gjithë vlerat kulturore të një libri, monografie apo interviste. Aq më tepër
bëhet e vështirë për një vëllim të posaçëm intervistash, ku dihet se të
intervistuarit japin gjithmonë gjërat thelbësore, qenësore e kryesore për
problemet që trajtojnë, për shkak të vetë hapësirës që u jepet në vëllim dhe
kufizimeve të tjera në drejtim të sqarimeve, hollësirave apo referencave. Të
gjitha këto të bëjnë të jesh domosdoshmërisht racional në përshkrimin e
mendimeve të shprehura prej njërit e tjetrit autor.
Kjo
përgjegjësi dhe vëmendje shtohet edhe më tepër kur ke përpara firma të njohura
të shkencës dhe të kulturës shqiptare, si Dhimitër Shuteriqi, Zef Mirdita,
Moikom Zeqo, Mark Tirta, Gjokë Beci, Ndue Dedaj, Anxhelo Massafra, bashkë me
autorë të huaj, që duhen nderuar dhe respektuar edhe më tepër si njohës të
kulturës dhe të jetës shqiptare, si: Kristofor Palmieri, Franc Vinsauer,
Klarisa de Val, Peter Blomejer, Tobias Sveningsen (nga Austria, Anglia,
Gjermania, Norvegjia).
Vëllimi
hapet me prof. Dhimitër Shuteriqin, personalitet i shquar dhe i gjithanshëm i
historisë dhe i kulturës sonë. Në fillim, ai merret me mbishkrimin e Kishës së
Gëziqit, duke u shtrirë më tej te problemi i dinastive dhe i shtetit mesjetar
të Arbërit, ku bënte pjesë edhe vetë Mirdita gjatë shek. XII dhe XIII. Kjo nuk
është pa rëndësi për historikun e Mirditës.
Më
tej, autori bën një lidhje origjinale midis Mirditës dhe Dukagjinit mesjetar,
bashkë me Matin, si qendër gjeografike, por në atë kohë edhe politike të vetë
shtetit të Arbërit. Janë probleme dhe tema të trajtuara mirë në historiografinë
tonë prej këtij kërkuesi dhe arkivisti të njohur.
Në
lidhje me ndihmesën që kanë dhënë mirditasit për kulturën kombëtare, Shuteriqi
vë në dukje rëndësinë e Mirditës si pjesë e këtij shteti mesjetar, por përmend
edhe kishat e manastiret në Gëziq e Rubik, në shek. XIII, si qendra të
rëndësishme kulture dhe feje gjatë gjithë kohërave në jetën shqiptare.
Si
individ të veçantë, autori dallon imzot Preng Doçin, si njeri të fesë dhe të
librave, duke theksuar formimin prej tij të shoqërisë "Bashkimi", e
cila, në thelb, kontribuoi në unifikimin e alfabeteve të shqipes, për të
arritur më vonë te alfabeti që përdorim sot.
Një
interes të posaçëm paraqet edhe vizatimi i gdhendur në një shkëmb të Rubikut,
me emrin "Shkëmbi i Judejve", si dhe toponimi tjetër "Kepi i
Judejve" (Rubik), ku judenjtë njihen si luftëtarë kundër herezisë së
fuqishme mesjetare. Aty shtohet, sipas këtij studiuesi, edhe emri i mirënjohur
i krahinës Bulgër, duke e lidhur me bullgarët "heretikë".
Shprehimisht,
autori thekson: "E pra, Rubiku bën pjesë në krahinën e quajtur Bulgër, pra
të 'bullgarëve heretikë' të Mesjetës! Ja një zbulim krejt i hatashëm" (f.
19).
Jup
Kastrati bën objekt të intervistës së tij studimin "Topografia e
Lezhës" të Preng Doçit, i cili ngjall interes, veçanërisht për onomastikën
tonë, duke dhënë gjykimin e vet dhe të autorit rreth disa shpjegimeve dhe
etimologjive të mjaft emërtimeve toponimike.
Përveç
makrotoponimeve të kësaj treve të gjerë, autori rendit edhe disa të tjera më
pak të njohura, por me interes gjuhësor, si: Varoshi, Mërqinja, Mali i
Shëlbuesit, Molungu, Kryezezi, Manatia, Gryka. Shpjegime të pranueshme jepen
sidomos për Varoshin dhe Molungun, ndërsa mbeten të diskutueshme Bulgër dhe
Lezhë (Lissus).
Këto
emërtime vendesh shoqërohen edhe me përshkrime gjeografike, madje për disa prej
tyre edhe mjaft të hollësishme. Në fund të intervistës jepet një gjykim i
poetit të njohur arbëresh, Jeronim De Rada, rreth veprës së imzot Preng Doçit,
ku shprehen vlerësime shumë pozitive, të mbështetura tërësisht në vlerat e saj.
Njohësi
i mirë i historisë së krishterimit shqiptar, prof. Zef Mirdita, e titullon
intervistën kështu: "Mirdita: shtyllë e katolicizmit, mbrojtëse e
identitetit kombëtar", një titull mjaft kuptimplotë. Pyetjes për faktorët
e ruajtjes së besimit katolik në Mirditë, autori, në radhë të parë, i
përgjigjet duke renditur relievin gjeografik, kryesisht malor, ku pushteti osman
nuk arriti të depërtonte plotësisht.
Mbi
mundësinë e ekzistencës së një shteti të Arbërit në Gëziq të Ndërfanës dhe mbi
rolin e derës princore të Gjomarkajve, prof. Mirdita, në përgjithësi, e
vlerëson këtë derë si një faktor të rëndësishëm për zhvillimin e vetëdijes së
unitetit politik, të mbështetur edhe nga krerët e klerit katolik.
Më
poshtë, autori vlerëson veprat e shkruara për Mirditën, si ato të Pal Doçit,
Ndue Dedës, Gjush Sheldisë etj., duke rekomanduar që të bëhet një përmbledhje e
shkrimeve të ndryshme, të shpërndara në revista të kohëve të mëparshme, por,
sipas nesh, edhe të kohëve të sotme.
Studiuesi
i mirënjohur Jorgo Bulo ka për objekt vlerat kulturore të Mirditës dhe të
mirditorëve, duke i dhënë një vend të veçantë Preng Doçit, si abat dhe si njeri
i letrave. Më tej, autori vë në pah pasurinë e madhe të traditave arkeologjike,
etnografike, gjuhësore, folklorike dhe kulturore të Mirditës.
Vend
të rëndësishëm i jep edhe zhvillimit shpirtëror të kësaj treve, si një vend
katedralesh, duke theksuar: "Traditat e jetës pagane dhe të qytetërimit
kristian, të pasuruara me idetë e kulturës moderne të Rilindjes, i japin
Mirditës një vend të veçantë për kontributin e saj në rrjedhat e kulturës
kombëtare" (f. 52). Në fund, autori bën një paralelizëm domethënës midis
pasurisë minerale të Mirditës dhe pasurisë shpirtërore e kulturore të saj.
Studiuesi
i lashtësisë, Moikom Zeqo, shtjellon mitet dhe historinë e lidhur me Mirditën.
Në thelb, ai thekson se Mirdita përmban shumë histori të pashkruara dhe se
studimet e bëra deri më sot mbeten të pjesshme. Ai arrin në një lloj sinteze,
kur shprehet: "Populli i Mirditës është esencialisht popull shqiptar"
(f. 58).
Për
këtë përfundim, ai paraqet disa argumente, ndër të cilat më i rëndësishmi është
struktura gjeografike e Mirditës, që lidhet me një nga fiset më të rëndësishme
ilire, atë të pirustëve, të njohur për shkrirjen dhe përpunimin e metaleve. Në
këtë kuadër, ai i kushton vëmendje të veçantë epokave të hekurit dhe të
bronzit, duke theksuar: "Kultura mineralogjike e ilirëve zë një vend
kryesor në historinë antike të Evropës si kontinent dhe si qytetërim" (f.
59).
Vetëkuptohet
që këto epoka kanë lidhje të drejtpërdrejtë me historinë e Mirditës. Në pyetjen
rreth etimologjisë së emrit "Mirditë", autori përpiqet të bëjë një
analizë të hollësishme, duke u mbështetur edhe në mendimet e studiuesve të
tjerë, por pa arritur në një përfundim përfundimtar shkencor. Me këtë rast, ai
u drejton një vërejtje gjuhëtarëve, të cilët ende nuk kanë dhënë një shpjegim
të plotë dhe të pranueshëm.
Sa
i përket enigmës dhe historisë së Shën Aleksandrit të Mirditës, studiuesi i
kushton një trajtim të gjerë, duke e analizuar që nga origjina dhe në
vijimësinë historike, mbështetur në shkrimet dhe relacionet e misionarëve të
shekujve XVII dhe XVIII.
Vihet
në dukje, veçanërisht, roli i rëndësishëm i benediktinëve, si në përhapjen e
abacive mesjetare, ashtu edhe në zhvillimin kulturor të vendit. Autori ndalet
gjithashtu te figurat e tre shenjtorëve të tjerë: Shën Prokopi, Shën Dhimitri
dhe Shën Nestori, të cilët, si martirë të fesë, paraqesin një ndërlidhje të
natyrshme me figurën e Shën Aleksandrit.
Etnografi
nga Oroshi, Mark Tirta, e trajton Mirditën në planin e botës së jashtme, si një
trevë të njohur nga studiues të ndryshëm. Pyetjes se ç'vend zënë mitet në
mendësinë e banorëve të Mirditës, autori i përgjigjet menjëherë: "Mitet,
ritet e besimit me zanafillë pagane zënë një vend të veçantë në etnokulturën e
krahinës së Mirditës" (f. 81), duke e shtjelluar më tej këtë ide gjatë
përgjigjes.
Në
lidhje me shkrimin e tij "Mirdita në gojën e të huajve", vihet në
dukje se shumë studiues të huaj, që kanë vizituar Mirditën, kanë lënë dëshmi
dhe vlerësime për të, sidomos për autonominë gjatë sundimit osman, për ligjet
dhe traditat dokësore, si dhe për rolin e abacisë dhe të kapidanit të kësaj
krahine të gjerë. Si autorë të njohur të huaj përmenden: A. Boué, G. Hahn,
Hecquard, F. Nopcsa, E. Durham, G. Meyer, Degrand, M. Lambertz, F. Cordignano
etj.
Për
pyetjen e fundit, rreth vlerave të botimeve të fundit nga autorë vendas,
etnologu i njohur shpreh vlerësime pozitive, duke dhënë edhe këshilla e
sugjerime konkrete, si: forcimi i kërkimit shkencor në arkiva, në literaturë
dhe në terren, si dhe organizimi i tryezave të rrumbullakëta.
Mirditori
tjetër, Pal Doçi, e titullon intervistën e tij me një pyetje domethënëse:
"Pse nuk u mbajt në Orosh kjo konferencë?". Pyetjes se ç'përfaqëson
figura e imzot Preng Doçit, abat i Mirditës, në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare,
historiani i jep tri përgjigje kryesore:
a)
Preng Doçi është një nga figurat madhore të Rilindjes;
b)
ai ka bashkëpunuar dhe luftuar me Preng Bibë Dodën;
c)
Preng Marka Prenga përfaqëson një dimension të veçantë historik, të cilin
autori e shtjellon në mënyrë të argumentuar.
Një
pyetje tjetër me interes lidhet me raportin midis Kanunit dhe Mirditës. Autori
e konsideron të vështirë një përgjigje përfundimtare, por thekson: "Temën
'Kanuni dhe Mirdita', në mënyrë të përgjithshme, e ka shtruar Dom Prend Suli
qysh në vitet '30 të shekullit XX; pra është një çështje e hapur, me interes
filozofik dhe historik" (f. 93).
Dy
pyetje i drejtohen autorit edhe për figurën e njohur të Ambroz Marlaskës, një
personalitet mirditor me formim të gjerë intelektual, doktor në filozofi.
Autori e vlerëson lart këtë figurë, si në planin e dijes, ashtu edhe në
veprimtarinë atdhetare e fetare. Në një nga përgjigjet e tij, ai shprehet:
"Unë kam përvijuar profilin e Marlaskajt si sociolog, erudit, historian e
etnolog, gjuhëtar, pedagog, publicist, deputet" (f. 95), duke e paraqitur kështu
si një figurë poliedrike.
Më
poshtë renditen disa nga veprat e këtij dijetari, ndër të cilat veçohen:
"Një moment historik pazotësie në fushën e arsimit në Shqipëri",
"Ligjëratë mbi Shqipninë", "Shënime historike",
"Historia e Kryqit të Kuq", "Jeta e shqiptarëve",
"Fjalor latin", "Mbi ortografinë e sotme".
Poeti
Gjokë Beci trajton jetën, artin dhe shpirtin krijues të Mirditës, duke u
përqendruar në përvijimet thelbësore. Që në përgjigjet e para, autori vë në
dukje vlerat e mëdha artistike dhe kulturore të Grupit Folklorik të Mirditës në
vitin 1968, si dhe më vonë të Ansamblit "Mirdita" (1978), me
"Grupin e burrave" si shtyllë kryesore.
Në
vijim, ai analizon më në hollësi këtë ansambël, duke veçuar figura si Dava
Gjini dhe Tomë Lleshi, për të arritur në një përfundim sintetik: "...mund
të kujtoj se nga 13 numrat e atij koncerti brilant, asnjë plasaritje artistike
nuk ka pasur" (f. 103).
Një
pyetje tjetër i drejtohet të intervistuarit lidhur me traditat folklorike
shqiptare, e në veçanti me ato të trevës së Mirditës. Poeti dhe kritiku në
fjalë ngre lart vlerat e mëdha artistike të këtyre traditave kulturore, sidomos
në këngët e dasmës, elegjitë, vajet, këngët e punës dhe ato të atdhedashurisë,
duke përfshirë gjithashtu edhe veshjet e kostumet shumëngjyrëshe, të gjitha të
realizuara me një mjeshtëri të rrallë artistike.
Në
një moment të kësaj përgjigjeje, autori sintetizon: "Vetëm këto pak fjalë
të vërteta, natyrisht, do të mjaftonin për të vërtetuar faktin se Mirdita është
jetë. Më tej – Mirdita është ar" (f. 105).
Pyetjes
së hollë: "Besoni se bukuria mund të përsëritet?", poeti –
njëkohësisht edhe estet – i përgjigjet me pasion, duke shprehur dëshirën për të
rikthyer vlerat e dikurshme, ndonëse e pranon se kjo nuk është e lehtë. Ai
vendos disa kushte thelbësore, si p.sh.: "duhet, së pari, të gjendet
mënyra për të ringjallur atë krenari që na pushtonte dikur për vlerat e
traditës sonë", si dhe "...të gjendet mënyra për të na
rigrupuar" (f. 108).
Në
vijim, autori sqaron ndikimin e dukshëm të vendlindjes në frymëzimin e tij
poetik, një dukuri e pranishme edhe te shumë krijues të tjerë. Ai nuk e mohon
për asnjë arsye origjinën dhe efektet e saj, duke vënë në dukje, me një ton
kritik, tendencën e disa të rinjve për të shmangur këtë identitet, duke u
përpjekur të paraqiten artificialisht si të ardhur nga qytete të njohura.
Ndërkohë, ai thekson se shkolla dhe kultura e përforcojnë këtë ndikim, duke e
bërë më të plotë, më të qëndrueshëm dhe më të orientuar drejt përsosmërisë. Jo
rastësisht, ai shprehet: "...të ndikohem dhe të ndikoj" (f. 109).
Publicisti
dhe analisti i njohur, Frrok Çupi, trajton temën e mirditorëve si njerëz me
pasion për të renë, për të rrallën dhe për të veçantën. Që në përgjigjen e
parë, ai shpreh një lidhje të fortë emocionale me vendlindjen e tij,
Blinishtin, të cilën e përshkruan me një metaforë të bukur si "perlë
mahnitëse", që e ka ushqyer dhe frymëzuar në krijimtarinë e tij, përmes
bukurive natyrore dhe pasurisë shpirtërore jo vetëm të këtij vendi, por të
gjithë Mirditës.
Një
analizë të zgjeruar autori i kushton kontributit të Mirditës në kulturën
kombëtare, duke theksuar se kjo trevë ka tërhequr më shumë interes nga studiues
të huaj sesa nga ata vendas. Ndër të huajt përmenden veçanërisht Edith Durham,
Z. Majani dhe N. Jorga. Megjithatë, Çupi ndalet më tepër te studiuesit anglezë,
duke e lidhur këtë me marrëdhëniet historike dhe aleancat e Mirditës me
Britaninë. Ai thekson: "Udhëtarët dhe studiuesit anglezë kanë pasur lidhje
të afërta me Mirditën" dhe shton se "mirditorët, nën kryesimin e
prijësit të tyre Preng Bib Doda (Plaku), kanë qenë aleatë të Britanisë në
Luftën e Krimesë" (f. 118–119).
Me
ndjeshmëri të veçantë, autori ndalet te figura e udhëtares dhe studiueses
angleze Edith Durham, e cila e ka njohur dhe përshkruar në mënyrë të thellë
Mirditën. Më tej, ai vë në dukje interesin e vazhdueshëm të të huajve për këtë
krahinë malore, të varfër në burime materiale, por të pasur në vlera kulturore
dhe shpirtërore.
Në
këtë kuadër, theksohet qëndresa e veçantë e Mirditës ndaj pushtimit osman, duke
ruajtur të paprekur fenë katolike: "Është e vetmja krahinë, jo vetëm në
Shqipëri, por edhe në rajon, që mundi të ruajë të paprekur nga pushtimi osman
besimin dhe edukimin katolik" (f. 120).
Një
tjetër aspekt ku ndalet autori është ruajtja e identitetit të fortë shoqëror të
mirditorëve, ku ndikojnë faktorë historikë, gjeografikë dhe shoqërorë. Ndër
elementet që përmenden është edhe ndalimi i martesave brenda fisit apo
bajrakut, gjë që ka ndikuar në ruajtjen e një strukture të qëndrueshme
shoqërore. Në këtë kontekst, ai shprehet se kështu "rritet mundësia për
ruajtjen e një vazhdimësie të pastër shoqërore" (f. 120).
Publicisti
tjetër mirditor, si dhe autor i disa monografive, Ndue Dedaj, shfaqet si një
ndër zërat më përfaqësues dhe më të përkushtuar ndaj Mirditës. Me veprat e tij
të shumta kushtuar kësaj treve, ai mund të krahasohet metaforikisht me një rrap
të rrënjosur thellë në tokën e Kaçinarit. Jo rastësisht, intervistën e tij e
titullon "Mirdita – shtet etnokulturor", duke e konceptuar atë si një
entitet me identitet të veçantë, pothuajse "shtet më vete".
Në
një nga përgjigjet e tij, ai vë në dukje kontributin e disa figurave të shquara
të letrave dhe studimeve nga Mirdita, si Zef Gjinali, Dom Nikollë Kimza, Dom
Dodë Koleci, Dom Prend Suli, të cilët kanë dhënë ndihmesë të çmuar në fusha të
ndryshme të dijes. Në këtë vazhdë përfshihet edhe vetë Ndue Dedaj me veprat e
tij, ndër të cilat veçohen: "Ajzbergu i Hanës", "Toka e
Katedraleve", "Kanuni dhe koha e sotme", "Kaçinari",
"Këndej kaloi koha" etj.
Një
pyetje e veçantë i kushtohet studimit të tij të rëndësishëm "Toka e
Katedraleve", për të cilin autori jep një përgjigje të shkurtër, por
domethënëse. Që në fillim, ai thekson: "Kisha katolike e Mirditës ka
mbetur kisha më e paepur, sepse ajo ruajti të pazhbërë një bashkësi njerëzore
dhe një bashkësi vlerash" (f. 129).
Më
tej, ai evidenton katër kuvendet benediktine të Mirditës, duke nënvizuar rolin
e tyre të rëndësishëm në përhapjen e fesë dhe kulturës: "Aty përgatiteshin
klerikë për viset veriore e deri në Dalmaci" (f. 129). Ky fakt dëshmon se
Shqipëria jo vetëm ka marrë ndikime kulturore nga jashtë, por ka qenë edhe
dhënëse e tyre.
Në
këtë kontekst përmenden edhe udhëtarë dhe relatorë të shumtë, ipeshkvij e
abatë, si: M. Bici, B. Orsini, P. Mazrreku, P. Budi, P. Bogdani, Gj. Bardhi, M.
Skura, S. Gaspari, V. Zmajeviç, P. Duoda, së bashku me një varg të gjatë
klerikësh vendas të ditur e të përkushtuar.
Pyetja
e fundit lidhet me vizionin intelektual për të ardhmen e Mirditës, për të cilin
Dedaj shfaq një ton disi pesimist. Ai e lidh këtë me mungesën e kushteve të
përshtatshme për arsim dhe zhvillim kulturor të rinisë, e cila shpesh detyrohet
të marrë rrugën e emigrimit. Në përfundim, ai shprehet: "Shpopullimi është
vdekja e së nesërmes; si i tillë, i papranueshëm" (f. 138).
Vargun
e autorëve mirditorë e vijon Nikollë Loka, publicist dhe studiues i fushës
letrare. Objekt i intervistës së tij është Rilindja Kombëtare në Mirditë, ku ai
paraqet në mënyrë historike rolin e kësaj krahine gjatë kësaj periudhe të
rëndësishme, duke përmendur figura të njohura si P. Zarishi, P. Doçi, Gj.
Gazulli etj.
Në
një përgjigje tjetër, ai ngre disa çështje që kërkojnë vëmendje dhe trajtim të
mëtejshëm në studimet historike dhe kulturore për Mirditën. Ndërsa në
përgjigjen përmbyllëse, ai ndalet te ajo që e quan "metafora e
lirisë", e lidhur me vetë emrin "Mirditë", duke theksuar:
"Mirdita është një emër i bukur, që i flet së kaluarës dhe së
ardhmes".
Monsinjori
italo-arbëresh Anxhelo Massafra paraqitet me intervistën e titulluar
"Mirdita, shtëpi e katolicizmit", një formulim mjaft kuptimplotë. Në
përgjigjet e para, ai ndan mbresat dhe konsideratat e tij për Mirditën gjatë
shërbimit kishtar në këtë krahinë, në periudhën e vështirë të tranzicionit
shqiptar, veçanërisht në vitin 1997. Ai shprehet:
"Është
e vërtetë, edhe unë s'e di si kam patur mundësi për të tejkaluar një moment
shumë të vështirë njerëzor, shpirtëror, nga ana shoqërore dhe nga ana kishtare,
kur në Shqipëri kishim humbur arsyen, logjikën, kishim humbur gjithçka. Vetëm
Zoti na ka liruar nga kjo e keqe, nga humnera më e tmerrshme" (f.148).
Këto
çaste të vështira, Monsinjori i kaloi së bashku me të tjerët dhe me përkrahjen
e madhe të besimtarëve mirditorë, duke shërbyer me përkushtim dhe duke lutur
Zotin. Ai vë në dukje punën e madhe dhe kujdesin në ndërtimin e katedrales së
Rrëshenit, si një simbol të rëndësishëm për këtë krahinë me besim të fortë
fetar. Në një pyetje tjetër, ai thekson se dioqeza e Rrëshenit ka më shumë
kisha të ndërtuara sesa ajo e Shkodrës. Monsinjori flet gjithashtu për hapjen e
shkollës profesionale "Shën Jozef Punëtor", ku të rinjtë e fshatrave
mësojnë zanate dhe përgatiten për punësim. Në përgjigjen e fundit, ai trajton
çështjen e ndërlikuar të pajtimeve ndërpersonale, jo vetëm në Mirditë, por dhe
brenda dioqezës së Shkodrës, përmes konceptit të simbolikës së "Shtëpisë
së Paqes", një vend i kuptimshëm dhe i rëndësishëm për shërimin e plagëve
shoqërore.
Administratori
Apostolik i dioqezës së Rrëshenit, Patër Kristofor Palmieri, intervistën e tij
e titullon "Rindërto mbi të gjitha njeriun!". Që në fillim, ai
përshkruan punën e madhe tetëvjeçare të meshtarëve në dioqezë dhe mbështetjen e
pashoqe të Vatikanit dhe të komunitetit katolik të Mirditës. Ai thekson lidhjen
e Kishës me komunitetin jo vetëm në aspektin fetar, por edhe në atë kulturor dhe
arsimor, duke shprehur:
"Është
për këtë që aty ku mbërrin Kisha, Ungjilli, aty arrin promovimi i njeriut,
kultura, dhe gjithçka që favorizon dinjitetin e njeriut" (f.158).
Një
tjetër përgjigje trajton rëndësinë e ndërtimit të katedrales së re në Mirditë:
"Për
atë që beson, ajo është shtëpia në të cilën Hyu takohet me popullin e tij, por
mund të ndriçojë edhe atë që akoma ecën në errësirë..." (f.160).
Ai
flet gjithashtu për emërimin e tij në drejtimin e dioqezës, për punën dhe
përkushtimin e tij fetar në këtë krahinë të gjerë, duke renditur një varg
arritjesh që dëshmojnë ndikimin e tij të qëndrueshëm në zhvillimin e jetës
kishtare dhe kulturore të Mirditës.
Ipeshkvi
ndihmës i Shkodrës, Monsinjor Zef Simoni, trajton kryesisht çështjen e
pastërtisë morale dhe fetare të mirditorëve gjatë historisë. Intervista e tij
konsiderohet një nga më të studiuarat dhe të argumentuarat në këtë botim.
Monsinjori ngre lartë ndjenjën e fortë fetare të katolicizmit në këtë krahinë
dhe tek banorët e devotshëm, duke theksuar prerazi:
"Besimin
katolik e ka asimiluar e pëlqyer me rranjë" (f.166).
Ai
përshkruan devocionin e thellë të besimtarëve dhe rendit një varg festash dhe
shenjtorësh të nderuar: Pashkët, Këshndellat, Sh. Aleksandrin, Shënkollin,
Shmarkun, Shëlbuemin, Shemhillin dhe Shnaprenden. Monsinjori vë në dukje
kremtimin solemn të pagëzimeve, kurorëve dhe salikimeve, si dhe përdorimin e
ujit të bekuar dhe bekimeve.
Ai
thekson binomin "Fe e atdhe", duke shtuar si element të tretë
kulturën dhe qytetërimin, një trinome që kleri shqiptar e ka ndjekur dhe
ruajtur. Monsinjori vlerëson veçanërisht rolin e madh të Abacisë së Oroshit dhe
rendit personalitete të njohura fetare dhe kulturore që ka nxjerrë Mirdita,
duke përmendur dinastinë e Gazulloreve gjatë shtatë shekujve, Imzot Prengë
Doçin, Dodë Kolecin dhe të tjerë, duke analizuar kontributin e tyre në fusha të
ndryshme.
Në
një përgjigje tjetër, ai shprehet qartë:
"...Mirdita
gjatë krejt historisë së vet ka ruajtur, me gjithë ndeshtrashat dhe rreziqet e
shumta, fenë katolike, së parit përballë skizmës së Lindjes në vitin 1054 dhe
ka luftuar kundër pushtimeve osmane..." (f.170).
Kur
trajton rolin e meshtarëve dhe drejtimin e kishës nga misionarët e huaj
italianë, Monsinjori vlerëson punën e tyre, duke theksuar se drejtimin e Kishës
shqiptare e bën kleri vendas, ndërsa misioni i huaj ofron ndihmë dhe përkrahje.
Ai shkruan:
"Shqipëria
të drejtohet nga ipeshkëvij të vendit. Misioni i huej do të punojë, tue ndihmue
kishën. Të kihet parasysh se misioni i huej asht edhe i përkohshëm" (f.174).
Një
tjetër përgjigje trajton lidhjet midis komunitetit katolik dhe Kishës në sferën
shoqërore dhe kulturore. Monsinjori thekson se këto lidhje realizohen kryesisht
përmes hartimit dhe promovimit të librave, aktivitetit të koreve të kishës dhe
këngëtarëve, si dhe përmes hapjes dhe funksionimit të shkollave dhe
institucioneve të ndryshme me karakter fetar dhe laik.
Ai
trajton gjithashtu çështje të ndjeshme dhe delikate që lidhen me ruajtjen e
vlerave morale dhe integritetin e komunitetit, duke evidentuar vazhdimisht
rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet klerit dhe popullit.
Një
çështje tjetër që trajtohet është ajo e pajtimit të gjaqeve. Autori vë në dukje
rolin e madh të Kishës dhe të misionarëve të saj gjatë gjithë kohërave, duke
përmendur meshtarë të njohur si: P. Pazi, P. Bazhdari, F. Kordinjano, Gj.
Karma, M. Harapi, bashkë me fratela, të cilët kanë ndërmjetësuar dhe pajtuar
deri në 4 mijë gjaqe. Ky mision vepron edhe sot nën drejtimin e meshtarëve D.
Makaj, E. Troshani dhe L. Kçira.
Në
përgjigjen e fundit bëhet fjalë për hartimin e veprave të ndryshme mbi
historinë e Kishës, por fatkeqësisht vetëm për një hark kohor gjysmë shekullor
dhe jo më gjerë. Aty përmenden autorë të ndryshëm si: Imzot Z. Simoni, K.
Gjolaj, Z. Pëllumbi, P. Pepa, D. Gjeçaj, K. Çefa, S. Pepa, L. Zadeja, A.
Plasari, F. Radovani, A. Çapaliku, P. Doçi, N. Deda etj.
Franc
Vinsauer, prift dhe intelektual austriak i formuar mirë, trajton lidhjet midis
Austrisë dhe Mirditës. Në përgjigjet e tij të shumta, në mënyrë të përmbledhur,
ai flet për punën e madhe të kryer në ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave dhe
objekteve të tjera sociale në Mirditë, si dhe për lidhjet kulturore midis
Austrisë dhe krahinës. Ai thekson:
"Lidhja
Mirditë-Austri ka sjellë shumë të mira sipas historisë. Lufta dhe mjerimi janë
përvojat tona të përbashkëta në shekullin e kaluar. Ne kemi mundësi të mësojmë
me njëri-tjetrin dhe nga njëri-tjetri të krijojmë një shkëmbim" (f.184).
Vinsauer,
nismëtar i krijimit të "Karitasit Mirdita", kontribuoi me ndihma
materiale dhe shpirtërore gjatë dhjetë viteve në fusha të ndryshme të jetës dhe
veprimtarisë njerëzore. Objektivat për të ardhmen janë premtues: rindërtimi i
Muzeut Historik të Rrëshenit, hapja e kurseve në gjuhë të huaja, aftësimi
profesional i të rinjve dhe projekte të tjera. Ai shpreh dëshirën e tij për
arritjet e Mirditës me fjalët:
"U
bëftë Mirdita përsëri një vend i lulëzuar, këtë gjë e dëshiroj dhe shpresoj të
mund ta përjetoj" (f.184).
Pedagogia
e Universitetit të Kembrixhit në Angli, Klarisa De Vval, në intervistën e saj mbështet
tezën se mirditorët kanë një sens të theksuar të identitetit. Në njohjen e parë
me Mirditën (Rrëshen), ajo shprehet:
"Dendësia
e intelektualëve në qytet më habiste dhe ishte një faktor ndikues në vendimin
tim që të lidhesha me qytetin" (f.190).
Rreth
vlerave të antropologjisë sociale, një degë e re shkencore në Shqipëri, ajo
shpjegon qartë problemin dhe metodat e kërkimit në këtë fushë. Ajo thekson se
forma më rezultative është njohja direkte dhe nga afër e grupit që studiohet.
Po ashtu, ajo nënvizon rëndësinë e njohjes së gjuhës së popullit, veçanërisht
të shqipes, duke shkruar:
"Gjuha
shqipe më pëlqen shumë, pavarësisht nga gramatika e ndërlikuar, sepse fjalori
është shumë i pasur" (f.194).
Ajo
shprehet gjithashtu për disa projekte të parashikuara në fushën e arsimit në
Mirditë dhe thekson aftësitë krijuese të intelektualëve mirditorë:
"Jam
e bindur që ju, intelektualët e Mirditës, luani një rol të rëndësishëm"
(f.195).
Studiuesi
gjerman Peter Blomejer, në intervistën e tij, trajton temën "Mirditasit,
njerëz të pavarur, krenarë dhe shumë mikpritës" si cilësi morale dhe
virtyte të tyre. Ai flet për lidhjet dhe marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe
Gjermanisë, duke veçuar mbështetjen në fusha të ndryshme si bujqësi,
shëndetësi, drejtësi, legjislacion dhe arsim. Sa i përket prirjes së
nacionalizmave në Ballkan, ai shprehet:
"...ajo
çka synohet është të arrihet zbutja e nocionit kufij në kuptimin e uljes së
rëndësisë së kufijve" (f.200).
Për
studimet e tij mbi zakonet dhe traditat e Mirditës, Blomejer thotë:
"...për
këtë studim nuk kam përfshirë vetëm Mirditën, por dhe Shkodrën e Tropojën"
(f.201).
Sa
i përket Kanunit të Lekë Dukagjinit, ai shpreh mendimin se në rrugën e
zhvillimit modern të Shqipërisë, zbatimi i normave kanunore është i vështirë
për shkak të ndryshimit të kohërave.
Ish-ambasadori
norvegjez në Shqipëri, Tobias Sveningsen, intervistën e titullon "Mirdita,
qendër e qëndresës popullore shqiptare". Ndër përgjigjet e para, ai flet
për Fondacionin e Zgjidhjeve të Konflikteve dhe ndihmat e tij, sidomos në zonat
e Mirditës, duke përmendur trajnimet e ndryshme për mësuesit dhe nxënësit.
Në
një përgjigje tjetër, del qartë njohja e Mirditës prej këtij studiuesi, edhe në
planin historik, duke theksuar:
"Mirdita
në albanologji njihet si një nga qendrat e kulturës shqiptare" (f.205).
Sa
i përket marrëdhënieve Shqipëri-Norvegji, ai vë në dukje ndihmat dhe investimet
norvegjeze, veçanërisht në sektorin e energjisë shqiptare.









