E hene, 16.03.2026, 11:37 PM (GMT)

Mendime

Ilir Sefaj: Faji - si kut për matje në politikë!

E hene, 16.03.2026, 06:55 PM


Faji - si kut për matje në politikë!

Nga Ilir Sefaj

Kujtoj se me shumë të drejtë në optikën e qytetarit të Kosovës, binomi Kurti-Osmani, që në dukje u ngjiz tepër natyrshëm, u konceptua si imperativ i kohës në rrjedhën e jetës politike në vend, madje në të gjitha rrafshet.

Me gjithë rëniet dhe ngritjet e kohëpaskohshme që ishin evidente në këtë periudhë të bashkëpunimit mes figurave kryesore politike në vend, Albin Kurtit si kryeministër dhe Vjosa Osmanit si presidente e shtetit, u krijua përshtypja se në politikën e Kosovës po krijohet një klimë e re e reagimit politik karshi agjendave me tematikë kombëtare e ndërkombëtare, nga ajo e dy dekadave të para të pasçlirimit.

Në krye të institucioneve kryesore të shtetit, pa pasur nevojën e një bashkëpunimi me partitë opozitare, tashmë u vendosen njerëz që rrezatonin “shpresë” në sytë e qytetarit të Kosovës. Ishte kjo shpresë e munguar në dinamikën e jetës politike në vend, për arsye nga më të ndryshmet. Gjithsesi, nëse do shpërfaqnim paksa racionalizëm, ecja e vështirë e elitës politike në dy dekadat e para të pasluftës, për shumë arsye edhe do të mund të justifikohet disi, mbase! Vitet ikën dhe tashmë jemi ku jemi.

Sidoqoftë, pa dashur të thellohem shumë në sukseset apo mossukseset e binomit Kurti-Osmani në pesëvjeçarin e fundit, prapë natyrshëm ose jo, erdhi momenti i shpërbërjes së dyshes së famshme, e cila për pesë vjet me radhë pati në duar drejtimin e rrugëtimit politik, ekonomik e social të Republikës sonë.

Ky çakordim mes kreut të Ekzekutivit dhe presidentes së Kosovës erdhi si rezultat i mungesës së vullnetit politik që Vjosa Osmanit t’i jepej drita jeshile edhe për një mandat të dytë në krye të shtetit. Dhe, kjo situatë kontaminimi politik që u krijua nga prishja e tandemit Kurti-Osmani, e që erdhi nga veprimi apo mosveprimi i aktorëve politikë në vend, përfshirë pozitë e opozitë, në opinion u tentua të shitet si “faj” i njërës kundrejt palës tjetër. Duke qenë kështu, e bazuar në atmosferën e krijuar, i vetmi kut me të cilin mat qytetari i Kosovës sot, është “faji”! Dhe kjo, sa është meritë e politikës ditore, aq edhe e infantilitetit qytetar që vetëdijshëm ose pa të, di të kapërdijë gjithçka që i servohet, madje lehtazi dhe pa kundërshtinë më të vogël.

Gjithsesi, loja që u bë me emrin e presidentit krijoi hutinë e radhës tek qytetari i vendit, madje kjo po ndodhte menjëherë pas periudhës mbi 1-vjeçare të ngërçit politik me të cilin u karakterizua Republika e Kosovës në vitin që e lamë pas.

Kryeministri aktual i vendit, që disa preferojnë ta quajnë, kryeministër në detyrë, duke e pasur përballë një opozitë të rraskapitur (shih: më shumë se të lodhur), e duke mos e pasur hipotekën e të korruptuarit mbi supe, së paku si emër i përveçëm, ka arritur ta krijojë narracionin e të besueshmit në optikën e opinionit të brendshëm, dhe kjo nuk është pak. Shkurt, qytetari i Kosovës i beson kryeministrit të vendit. I beson edhe sot dhe do t’i besojë edhe në zgjedhjet e mundshme që do të mund të organizohen në rast se Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, që ditë më parë e nxori presidentja e Kosovës.

Edhe pse në realitetin tonë politikë, madje çdo ditë, në ekrane televizive, portale, media të ndryshme na shfaqen ekspertë që flasin për ligje e Kushtetutë, e veprimeve politike që ndërlidhen me aktorë politikë, kujtoj se dilemën e kushtetutshmërisë së dekretit që e nxori presidentja e vendit, do e zgjidh verdikti i Gjykatës Kushtetuese, Gjykatë kjo, e cila në këto vitet e fundit ka qenë mjaft e zënë me mbarëvajtjen ligjshmërisë së vendimeve të marra nga institucione të ndryshme të Kosovës, në veçanti ai i Kuvendit.

Në demokracitë e avancuara, siç pa mëdyshje mëton të jetë edhe kjo e jona, janë krejt normale divergjencat politike, lojërat për pushtet, pse jo edhe ndërskamcat politike, sepse në fund të fundit, siç me të drejtë është thënë, “politika është art i së mundshmes”, por edhe një qasje e përgjegjshme karshi situatës aktuale politike është më shumë se e nevojshme, sidomos kur dihet që Republika e Kosovës ende ka probleme të theksuara që lidhen direkt me jetën e qytetarit, por edhe të atyre të  aspektit të politikës rajonale e të gjeopolitikës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx