E diele, 22.02.2026, 11:32 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Tradhëtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia na nxorën nga Europa (2)

E diele, 22.02.2026, 06:55 PM


PREJ LIBRIT  FRITZ RADOVANIT: PJESA E II.

Tradhëtarët

Enver Hoxha e Ramiz Alia

na nxorën nga Europa...

Melbourne 2010

Ua kushtoj të Parëve të mi,

Ejëllorëve (ose Radovanve) të vjetër,

dhe Gurakuqëve po aq Atdhetarë,

që menduen, punuen e u salvuen

për Shqipninë Europjane të

Gjergj Kastriotit - Skenderbeut!

Autori

Melbourne, Gusht 2010.

Redaktor: Daniel Gàzulli. 2010.

II. URAT LIDHËSE TË KËSHTJELLAVE SHQIPTARE

ME EUROPEN E QYTETNUEME NË SHEKULLIN XX.

Gjysa e dytë  e shekullit XIX, atëherë kur perandorisë turke filluen me iu lëkundë themelet, solli për Shqiptarë ndryshime të mëdha në të gjitha fushat e jetës politike, fetare dhe kulturore, në mbarë trojet tona etnike.

Papa Piu IX asht ndër dashamirët e mëdhej të Shqipnisë. Kur Ai ktheu Ipeshkvinë e Shkodrës në Argjipeshkvi në vitin 1867, parashikoi se kjo qendër e ardhëshme e Klerit Katolik Shqiptar shumë shpejt do të ishte një ndër urat kryesore të lidhjes së Shqipnisë me Europën. Kështjella e Shkodres, “Rozafa”, mbas datës 8 gushtit 1886, do t’ishte e pavarun nga Tivari dhe do të lidhej me “Kështjellat” tjera shekullore të Durrësit, Shkupit, Lezhës dhe me Abacinë e Oroshit, e quejtun e Shën Lleshdrit...Shkollat fetare fillojnë me vue gurt’ e parë  mbi rrenojat e vjetra, të asaj kulture aq shumë të dishrueme të kulturës Europjane. Filloi qarkullimi i revistave, librave letrare dhe teksteve shkollorë në Gjuhën tonë, që përhapeshin në të gjithë Shqipninë.

Ngjarjet vijuese të fillimit të shek. XX tregojnë vitalitetin e madh të kuadrit që u përgatit fillimisht ndër këto shkolla e që vazhduen studimet e nalta në vendet Perëndimore, kryesisht në Austri. Ai brez i shkolluem në Austri mund të quhet me plot gojë “Brezi i Artë” i kulturës Shqiptare, me pikpamje Europjane Përparimtare. Ipeshkvijtë dhe klerikët Shqiptarë janë teologë, dijetarë, letrarë, poetë, arkeologë, historianë, gjeografë, muzikantë e matematicienë e, pse jo, edhe rregjizorë e aktorë të përsosun të teatrit...

Detyrimisht kjo elitë do të ingranohej edhe në jetën politike.

Imzot Lazër Mjedja, Imzot Luigj Bumçi, Imzot Jak Serreqi, At Gjergj Fishta, At Mati Prennushi, Don Ndre Mjedja, Don Loro Caka, Don Zef Ashta, Imz.Vinçenc Prennushi, e vargu vazhdon pafund.., deri nalt në maje të maleve të Mirditës, në selinë e Imz. Preng Doçit, thëmelues i shoqnisë “Bashkimi”, që vuni bazën e shkrimit shqip me shkroja latine bashkë me At Fishten. Shqipnia rindërton mbi thëmele të vitit 1462 strukturën bazë e kryesore që duhet për ecjen përpara të arësimit dhe kulturës kombëtare, tue kthye me dinjitet fëtyrën e Saj nga kultura Europjane Perëndimore...

Përgatitja dhe shpërthimi i kryengritjeve të Malësorëve të Veriut, që kunorzohen me shpalosjen e Flamurit të Kastriotit në Malet e Deçiqit në Prill të 1911 nga kreshniku Dedë Gjo’ Luli, ndezin flakën e parë të Lirisë në mbretninë e errësinës otomane.

Lajmëtarët e parë të lirisë kombëtare shprazin bataret e tyne...Pushkët e tyne i ndigjon Mirdita, brofi në kambë Gjin Pjetër Pervizi e me bijtë e Shqipes së Kurbinit, me kmesën shekullore të tyne, shkroi në gur: “N’ maje të malit e n’ brigje t’ detit/ Të mos e lshojmë Flamurin e Kastriotit kurr!..”

Memorandumi i Gërçes asht “qefini” që Malësorët e Veriut i kanë dhurue përandorisë otomane, tue i tregue botnisht fundin e saj në Shqipni.

Asht një Europë mbarë që vështron një Popull Shqiptar të vuejtun, të shtypun, të robnuem, të nëpërmkambun, të dhunuem, të plaçkitun, me një Flamur “fele – fele”, të lidhun ny për shtizë, që vrapon me hov me e shpalosë në Vlonë... Dhe ia arrinë Ditës së Madhe të Pavarsisë me 28 Nandor 1912, me gjak e sakrifica, po ia mbërrinë me i tregue edhe njëherë Asaj Plakës Europë, se jam Bija Jote...Jam Shqipnia e Gjergj Kastriotit, Shpetimtarit Tand... A të kujtohet...? Si nëpër dhambë u ndigjue një “po”!

Aq donin Burrat e Shqipnisë, Ismail Qemali, Don Nikollë Kaçorri, Luigj Gurakuqi, Mustafa Kruja, Hoxhë Karbonara...e sa të tjerë, Emnat e të cilëve i mësova kur u bana 50 e sa vjeç, se edhe këta i pat fshi katili E. Hoxha.

Filloi rrebeshi i Malit të Zi mbi Shkoder...Duhej prishë “ura” e parë e lidhjeve me Europën...Gjuhej në top një popull i pambrojtun, por i vendosun me u groposë e mos me ra në dorë të pushtuesit të ri “serb” të pabesë, anmik shekullor i Shqiptarëve të Veriut... Krajli i Malit të Zi, dredh mustakët e në dëshprim kërkon me hapë një vorr të ri n;“uje” në Shkodër, ku njerzit arritën me hanger kelkaza...

Duhej shembë Katedralia e Saj...Atëherë Shkodra bie... Përpjekjet për shkatrrimin e Shqipnisë vazhdojnë me lanjen jashtë “hujve” të kufinit që nga viti 1913 të pjesës ma të madhe të trojeve tona shekullore. Europa asht e “zanun” me ngatrresat e pafund franko – gjermane...Rusia bolshevike e Leninit kërkon zgjanim.

Ballkani zhytet në gjak...E bashkë me té edhe Shqipnia ...Greku u zgjue nga gjumi e do pjesën e vet...nuk asht i knaqun me Çamëri e Vorio – Epir, do edhe Korçë e Gjirokastër ... Maqedonia Shqiptare coptohet në kasaphanen e re...Kosova nuk i takon ma Shqipnisë, me arësyetimin se forcohet “islamizmi”... e sa përralla të tjera që qarkullonin në kanceleritë europjane..., nga komshijtë tanë që,  përveç shovenizmit të tyne, në gjak tashti kanë edhe porosinë e atij...“shokut” Marks, që edhe na e kishte vlerësue “qytetnimin sllav” kundrejt “primjes grabitqare të Arnautëve” ...,  pa dijtë fare se ku binte Shqipnia.

Angazhimi i Klerit Katolik asht i pashembullt në Histori për me shpetue Tokën Shqiptare. Kontaktet e Tij në fushën politike e diplomatike tregojnë luftën e madhe që ai ka ba për Pavarësinë e Shqipnisë. Të gjitha forumet kombëtare e ndërkombëtare janë qendrat ku ai me guxim ka luftue për Shqipninë e Lirë dhe me primje Europjane. Nuk ka Ligë Popujsh, Lidhje Kombesh, Konferenca ndërkombëtare, Seli Mbretnore Europjane, Presidencë Amerikane, ky të mos ketë trokitë e hy, me dashjen e padashjen e tyne...një nga Prelatët e Klerit Katolik, deri ndër të pashkelunat shtroje shekullore të Papës së Romës, për çashtjen e madhe kombëtare të Korçës e Gjinokastres, nga Imz. Luigj Bumçi. Vetem Ai, mujti me shkëputë përjetësisht këto dy krahina nga pushtimi i tyne sllavo – grek oriental e i paskrupull... E, ende sot, ”Historia e Shqipnisë” nuk e shkruen emnin e Atij Atdhetari...

Në vitin 1922 Kisha Ortodokse Shqiptare shpallet e pavarun dhe në vitin 1937, mbas sa kohe kjo u njoh edhe nga Patriarkana e Konstantinopolit. Kjo ishte vepër e Fan S. Nolit, por si e tillë mbeti për pak kohë, mbasi asnjëherë nuk arriti me u ba “urë” lidhje me Europën, pse vetë F. S. Noli iku nga Shqipnia përgjithmonë, ndërsa pasuesit e tij u zhdukën shpejtë mbas vitit 1944.

Asht viti 1924, kur Luigj Gurakuqi, i mbështetun nga Kleri Katolik i Shqipnisë, predikon në Parlamentin Shqiptar për “Demokracinë” tonë të bazueme mbi parimet Europjane, tue i sjellë mbarë Europës, feudale apo diktatoriale bolshevike, fashiste, naziste apo monarkike, “leksionet e Tij” mbi “tolerancën fetare dhe krahinore në mes të Shqiptarëve”, model i ri dhe i panjohun fare ndër vendet e tyne...ku vlonte përgatitja për pushtime të reja e gjakderdhje të miljona njerëzve të pafaj, pre e diktatorëve të pashpirtë e kriminelë, të papërsëritshëm ndër njëzet shekujt e shkuem...Cila “Urë” në Europë mund t’ ishte ma e fortë dhe e çeliktë se vetë fjala dhe vepra “Demokraci”, që mund të na lidhte ne përjetësisht me Europën e qytetnueme dhe përparimtare...? – Asnjë tjetër përveç asaj “Ure” Gurakuqjane...që kishte projektue dhe donte me zbatue i Madhi Luigj Gurakuqi, deputeti i Shkodrës dhe Kryetar i Opozitës...në vitët 1923 – 24.

Ndërkohë rreth Shqipnisë ishin rreshtue ushtritë jugosllave dhe Ahmet Zogu rikthehet e merr pushtetin me ndihmen e tyne...

Në Mars 1925 vriten Luigj Gurakuqi, Bajram Curri; vazhdojnë vrasjet tjera me Hasan Prishtinën e derisa me 5 Mars 1927 varet në litar Don Gjon Gàzulli...Arratisen e amnistohen njerëz, por tiparet e fshehta të diktatorit tek Ahmet Zogu sa vinë e dalin në shesh...ndonse, siç shkruen Bernd J. Fischer në librin e tij “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipni” (1984), “Zogut i mungonin mjetet e tiranisë që të bëhej diktator i haptë dhe shtypës.” Ai arriti krijimin e një mjedisi për ndjenjat nacionale. Ai paraqitej se po respektonte opoziten dhe idealet e saj të demokracisë europjane, por vetëm për aq kohë sa atij nuk i rrezikohej pushteti përsonal. Ndonse perandoria osmane e kishte pengue Shqipninë me kenë europjane, dhe dihej tashma se Viena ishte e vetmja fuqi e madhe që kishte përkrahë forcimin dhe bashkimin e Shtetit Shqiptar, Ahmet Zogu asht përpjekë me mësue nga Viena kushtetushmeninë perëndimore, të cilën ai e kombinoi me despotizmin oriental të vetin. Ambjenti dhe rrethi i tij ishin tipik njerëz të mardhanjeve ekonomike mesjetare, që ruenin me fanatizëm paprekshmëninë e pronave të tyne bashkë me titujt feudalë. I vetmi që ka dëshmue vetvetën si liberal dhe asht përpjekë me dalë nga Mesjeta, ishte Mehdi Bej Frashëri, jurist me erudicion, i ndershëm, historian, shumë i përgatitun dhe mik i Klerit Katolik për pikëpamjet e tij të provueme Europjane.

Kur i pata tregue At Giaccomo Gardini-t për anëtarësimin e Shqipnisë në Konferencën Islamike me 2 Dhjetor 1992, atëherë Ai më shpjegoi se: “Në vitin 1926 Ahmet Zogu kërkoi mendim nga Vatikani si me veprue, mbasi “Konferenca Islamike” aso kohe kishte kërkue anëtarësimin e Shqipnisë. Mbreti i Shqipnisë Ahmet Zogu pat thirrë Delegatin Apostolik, që atëherë ishte në Shkodër, dhe i ka pasë kërkue se shka mendon Vatikani për lidhjet me ne, në kjoftë se na mund të hyjmë në Konferencën Islamike, mbas një kërkese që i ishte ba nga ana e tyne ato ditë? Delegati, tue u ndodhë para një kërkese të papritun prej Mbretit, i kishte kërkue dy javë kohë, sa me shkue deri në Vatikan dhe me sjellë mendimin e tyne për këte punë. Mbreti asht kenë dakord. Delegati ka shkue tek Papa Piu XI, dhe i ka tregue kërkesën e Mbretit. Papa i asht përgjigjë Mbretit nëpërmjet Delegatit me këto fjalë: “Në kjoftë se doni me ruejtë edhe atë pak Shqipni që ka mbetë, ju nuk duhet të angazhoheni me vendët e Lindjës. Na gjithmonë kemi thanë se Shqipnia asht vend Europian. Ju, mund të veproni si të doni. Ky asht mendimi ynë!”. Delegati asht kthye në Shqipni dhe i ka tregue Mbretit përgjigjen e Papës. Zogu asht kenë i squet dhe nuk ka hy në asnjë lidhje me shtetët e Lindjës. Papa, tue pa nevojën e një rishikimi të mardhanjeve me Shqipni, ka thirrë Ministrin e Vatikanit që merrej me shtetet Ballkanike dhe e ka ngarkue me detyrën e rishikimit të problemëve në këtë zonë. Ministri ka thirrë një grup klerikësh që do të vinin në Shqipni me pa dhe me veprue si duhej ma mirë, që shqiptarët të shtonin lidhjet me vendet e Europës. Në këtë grup jam thirrë edhe unë” (Dishmi gojore, 1992).

Në vitët 1933 – 34, në korrispondencën e Mbretit Zog me Hitlerin, shkëmbehen mendime rreth kërkesës së Hitlerit për vendosjen e disa çifutëve të pasun gjerman në Shqipni, me qellim që Shqipnia të forcohej ekonomikisht me bankat e hebrejve që do të instaloheshin këtu, tue sigurue edhe sovranitetin e Trojeve Shqiptare, të okupueme nga fqinjtë shovenistë sllavë...Po Mbreti nuk u pajtue me këtë propozim, i penguem nga rrethi fanatik musliman oriental me të cilët qeveriste vendin...

Në vitin 1932 Zogu fillon me mendue për një “reformë arësimore”, e cila u zbatue në prill të 1933, kur u emnue ministër arësimi Mirash Ivanaj, që ishte i njohun për përgatitje kulturore, por me primje antiklerikale katolike. Porsa filloi detyrën, me pelqimin e Mbretit, mbylli shkollat private, ndër të cilat numroheshin 17 shkolla katolike, që kishin 2560 nxanës, 12 prej të cilave ishin në Shkodër, të tjerat në Tiranë.

Ndonse reagimi kje i menjëhershëm, ky veprim solli një ftohje të mardhanjeve të Italisë me Shqipninë. Sigurisht kjo ndikoi edhe me Europën e zhvillueme.

Reforma agrare dhe veprime tjera që mundohet me i ligjrue me Kushtetutë, nuk ia arrinë, po mbesin të parealizueme nga paralizimi anadollak i feudalëve analfabetë që nuk e lanë Shqipninë me shkue drejt Europës, tue i vue vetës barrikada në të gjitha rrugët e hapuna, sepse, siç thotë shkrimtari amerikan Fischer në librin e Tij për mbretin: “Zogu u përpoq me u ba  monark Perëndimor, por mbeti me rranjë në Lindje.”

Dihet botnisht se, kur Luigj Gurakuqi u vra në Bari nga sherbëtorët e Ahmet Zogut, tue kenë Ministër i Financave në Shtetin Shqiptar me qeverinë e Fan S. Nolit...” iu gjeten 300 lira në xhep”... Sigurisht, një minister financash “budallë” me kaq pare në xhep nuk ka si përmendet as për nder, as për burrni e, aq ma pak si Demokrat, kur ministrat tonë sot...nuk dinë se në cilën bankë kanë kapitalet e tyne..!

Po dihet edhe se: “Zogu u largua nga Shqipëria me një qyp të madh me rubinë dhe smeraldë si edhe me një pjesë të rezervës së arit  të Bankës së Shtetit Shqiptar, që kapte shumën  prej 10 miljon dollarësh...Kur një prej njerëzve të Zogut, Sotir Martini, kërkoi të dinte nëse Foreign Office-i mund të krijonte mundësinë për transportimin  në Kanada të shtatë arkave me parà, leja u refuzue. Sekretari i Zogut Qazim Kastrati nënvizonte se Zogu kishte mjaft kredi në pikëpamje të marëdhenjeve  me qeverinë turke dhe në vendet e botës islamike, si i vetmi mbret musliman i një vendi europjan” (fq. 309), Ndërsa mbasardhësi i tij, Enver Hoxha, s’e pat at rrezik, se do të duheshin sa e sa vagona të trenit nga Tirana me u ngarkue me arkat e arit të 45 vjetëve të qeverisjes së tij, pa llogaritë vitet mbas vdekjes...Shumë studjues, krejtësisht të paanshëm, sot shkruejnë ..”Këte ose ate reformë mendoi ta bante edhe Ahmet Zogu, po mbet pa e ba derisa erdhi mbas tij në pushtet Enver Hoxha...”

Unë do të shkruej një rasë që asht thëmelore për një Udhëheqës të Shtetit Shqiptar. Ju vëreni ngjashmëninë e politikës së Zogut dhe Enver Hoxhës në lidhje me të njajten çashtje të madhe kombëtare, për Kosovën:

Fischer thekson se qeveria e Zogut kishte ma shumë jugorë se veriorë. “Njëkohësisht duhet vue në dukje se edhe në lidhje me politikën kosovare, jugorët i trembeshin dyndjes kosovare. Për ta çeshtja e Kosovës, duhej të shtyhej për një kohë tjetër, me shpresë që të harrohej terësisht.”

Një analogji e padiskutueshme me qendrimin tradhëtar të vitit 1944 – 45, kur Enver Hoxha shkapercente fjalën “Kosovë” nësa fliste në lidhje me marëdhanjet tona “vëllaznore” me popujt e Jugosllavisë dhe Titon.

Me 7 Prill 1939 Ahmet Zogu iku. Shqipnia u pushtue nga Italia. Të parët janë tregtarët që sjellin fëtyrën nga Italia fashiste.

Politika italiane filloi me rritjen e mirëkenjes ekonomike tek na, aqsa, Shqipnia ishte shumë ma mirë se vetë Italia. Shumë atdhetarë janë optimistë për ardhjen e fashizmit.

Ndër personalitetet ma të randësishme  janë Mustafa Kruja dhe Ernest Koliqi, të cilët rivendosin “urat” e lidhjeve të reja me Europën. Riorganizohet shkolla dhe kultura Shqiptare merr një hov të ri zhvillimi. Në trojet shqiptare hapen 120 shkolla shqipe me mësues shqiptarë, shumica në Kosovë. Tekstet e asaj kohe, të botueme nga Ministria e Arësimit në Tiranë, edhe sot janë ma të saktat e ma të plotat për nga ana shkencore dhe pedagogjike. Formohet në Tiranë më 1942  Instituti i Studimeve Shqiptare me kryetar z. Mustafa Kruja, i cili fillon menjëherë punën për gjuhën e përbashkët letrare shqipe.

Kisha Ortodokse Shqiptare, e njohun që me datë 12 prill 1937 nga Patriarkana e Konstantinopolit, me Sinodin e ri, tashti ka kryeqendren në Tiranë, dhe Kryetar i Saj asht Imz. Kristofor Kissi, metropolit i Durrësit dhe i Tiranës. Anëtarë janë: Imz. Agathangjelo Çançe i Beratit, Imz. Eulogio Kurilas i Korçës dhe Pantheleimon Kotoku i Gjirokastres. Të gjithë përdorin liturgjinë kishtare në gjuhën shqipe. Mirëkuptimi me të gjitha besimet tjera nuk asht formal. Imzot Kissi hapë një faqe me të vërtetë të lavdishme për Kishën Ortodokse Shqiptare dhe marëdhanjet e saj me Kishën Katolike Shqiptare dhe besimet tjera.

Edhe Kisha Katolike Shqiptare fillon marëveshjet me Ortodoksët tue arrijtë në shumë çashtje mirëkuptim dhe lidhje vërtet të vlefëshme për problemet kombëtare e në dobi t’ Atdheut. Asht shumë me interes studimi i kësaj periudhë historike për të gjitha besimet, mbasi aspak mbrapa nuk kanë qendrue as Muslimanët Bektashijë dhe Sunit, të cilët arrijnë me pasë kontakte vëllaznore me të Krishtenët dhe lidhje që, ndoshta, janë edhe të papërsëritëshme në historinë e mavonëshme. Një rol me randësi ka luejtë edhe Kisha Katolike e Vlonës me Imz. Jul Bonattin, në atë kohë. Ndërsa në Durrës Imz. Irene Banushi asht i pakrahasueshëm me punën që ka ba për përafrimin e besimeve. Në Shkodër, shumë familje muslimane shtrojnë edhe dreka për priftnit katolikë, që aso kohe janë kenë profesorë të fëmijëve të tyne, madje edhe jezuitë. Hoxhallarët: Hafiz Sali Myftia, Hafiz Ali Kraja, Xhemal Najpi, Hafiz Derguti, etj.,, tregojnë formimin e shpirtin atdhetar, tue arrijtë deri në martirizim mbas vitit 1944.

Ja një pohim i Hafiz Dergutit në qelinë e sigurimit në vitin 1947. Kur një bashvuejtës e pyet se cila ishte arësyeja që e torturonin aq shumë, Ai i përgjegjet: “Më kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça, e nesër me thanë se u pushkatuen priftnit me dëshmitë e rreme të hoxhallarëve. U kam thanë, bani çka të doni, se këte punë nuk e baj kurrë, pasha Allahun!” {Origjinali i dokumentit asht n’ Arkivin e Shtetit Shqiptar)

Se cili asht objektivi i Tyne shpirtnuer e atdhetar e tregon në vitin 1946 Hafiz Ibrahim Dalliu publikisht në Tiranë, me moshë afër të 80-tave. Dënohët mbasi deklaron në “gjyqin e popullit”: “... Kam dëgjuar ndër stacionet e Amerikës dhe të Londrës lajmet anglisht, mbasi dëshiroja që ata të zbarkonin në Shqipëri ... Ne nuk kemi asnjë lidhje me Lindjën, as të afërme dhe as të largët. Nga turqit ne kemi marrë vetëm besimin. Për të tjera nuk ka çka na duhët Anadolli...

Shqipëria është shtet që i përket vetëm Europës. Me Europën na lidhë pozita gjeografike, marëdhanjet shtetrore, ato kulturore e të gjitha të tjerat që vijnë pas, për një jetë më të mirë dhe të begatëshme të popullit tonë ...”

Ndërsa kryeministri Mustafa Kruja deklaron para Senatit të Romës më 1941, se: “Ajo ma e keqja asht se pushtimi turk na izoloi nga Europa..”

Për ditët e fundit të nandorit 1944 do t’i referohem një Antari të Regjencës Shqiptare!..

Shenim F. RADOVANI: Vazhdon Pjesa e III.

Melbourne, 22 Fruer 2026.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx