| E diele, 22.02.2026, 06:55 PM |
PREJ LIBRIT FRITZ RADOVANIT: PJESA E II.
Tradhëtarët
Enver Hoxha e Ramiz Alia
na nxorën nga Europa...
Melbourne 2010
Ua kushtoj të Parëve të mi,
Ejëllorëve (ose Radovanve) të vjetër,
dhe Gurakuqëve po aq Atdhetarë,
që menduen, punuen e u salvuen
për Shqipninë Europjane të
Gjergj Kastriotit - Skenderbeut!
Autori
Melbourne,
Gusht 2010.
Redaktor:
Daniel Gàzulli. 2010.
II. URAT LIDHËSE TË
KËSHTJELLAVE SHQIPTARE
ME EUROPEN E QYTETNUEME
NË SHEKULLIN XX.
Gjysa
e dytë e shekullit XIX, atëherë kur
perandorisë turke filluen me iu lëkundë themelet, solli për Shqiptarë ndryshime
të mëdha në të gjitha fushat e jetës politike, fetare dhe kulturore, në mbarë
trojet tona etnike.
Papa
Piu IX asht ndër dashamirët e mëdhej të Shqipnisë. Kur Ai ktheu Ipeshkvinë e
Shkodrës në Argjipeshkvi në vitin 1867, parashikoi se kjo qendër e ardhëshme e Klerit
Katolik Shqiptar shumë shpejt do të ishte një ndër urat kryesore të lidhjes së
Shqipnisë me Europën. Kështjella e Shkodres, “Rozafa”, mbas datës 8 gushtit
1886, do t’ishte e pavarun nga Tivari dhe do të lidhej me “Kështjellat” tjera
shekullore të Durrësit, Shkupit, Lezhës dhe me Abacinë e Oroshit, e quejtun e
Shën Lleshdrit...Shkollat fetare fillojnë me vue gurt’ e parë mbi rrenojat e vjetra, të asaj kulture aq
shumë të dishrueme të kulturës Europjane. Filloi qarkullimi i revistave,
librave letrare dhe teksteve shkollorë në Gjuhën tonë, që përhapeshin në të
gjithë Shqipninë.
Ngjarjet
vijuese të fillimit të shek. XX tregojnë vitalitetin e madh të kuadrit që u
përgatit fillimisht ndër këto shkolla e që vazhduen studimet e nalta në vendet
Perëndimore, kryesisht në Austri. Ai brez i shkolluem në Austri mund të quhet
me plot gojë “Brezi i Artë” i kulturës Shqiptare, me pikpamje Europjane
Përparimtare. Ipeshkvijtë dhe klerikët Shqiptarë janë teologë, dijetarë,
letrarë, poetë, arkeologë, historianë, gjeografë, muzikantë e matematicienë e,
pse jo, edhe rregjizorë e aktorë të përsosun të teatrit...
Detyrimisht
kjo elitë do të ingranohej edhe në jetën politike.
Imzot
Lazër Mjedja, Imzot Luigj Bumçi, Imzot Jak Serreqi, At Gjergj Fishta, At Mati
Prennushi, Don Ndre Mjedja, Don Loro Caka, Don Zef Ashta, Imz.Vinçenc
Prennushi, e vargu vazhdon pafund.., deri nalt në maje të maleve të Mirditës,
në selinë e Imz. Preng Doçit, thëmelues i shoqnisë “Bashkimi”, që vuni bazën e
shkrimit shqip me shkroja latine bashkë me At Fishten. Shqipnia rindërton mbi
thëmele të vitit 1462 strukturën bazë e kryesore që duhet për ecjen përpara të
arësimit dhe kulturës kombëtare, tue kthye me dinjitet fëtyrën e Saj nga
kultura Europjane Perëndimore...
Përgatitja
dhe shpërthimi i kryengritjeve të Malësorëve të Veriut, që kunorzohen me
shpalosjen e Flamurit të Kastriotit në Malet e Deçiqit në Prill të 1911 nga
kreshniku Dedë Gjo’ Luli, ndezin flakën e parë të Lirisë në mbretninë e
errësinës otomane.
Lajmëtarët
e parë të lirisë kombëtare shprazin bataret e tyne...Pushkët e tyne i ndigjon
Mirdita, brofi në kambë Gjin Pjetër Pervizi e me bijtë e Shqipes së Kurbinit,
me kmesën shekullore të tyne, shkroi në gur: “N’ maje të malit e n’ brigje t’
detit/ Të mos e lshojmë Flamurin e Kastriotit kurr!..”
Memorandumi
i Gërçes asht “qefini” që Malësorët e Veriut i kanë dhurue përandorisë otomane,
tue i tregue botnisht fundin e saj në Shqipni.
Asht
një Europë mbarë që vështron një Popull Shqiptar të vuejtun, të shtypun, të
robnuem, të nëpërmkambun, të dhunuem, të plaçkitun, me një Flamur “fele –
fele”, të lidhun ny për shtizë, që vrapon me hov me e shpalosë në Vlonë... Dhe
ia arrinë Ditës së Madhe të Pavarsisë me 28 Nandor 1912, me gjak e sakrifica,
po ia mbërrinë me i tregue edhe njëherë Asaj Plakës Europë, se jam Bija
Jote...Jam Shqipnia e Gjergj Kastriotit, Shpetimtarit Tand... A të kujtohet...?
Si nëpër dhambë u ndigjue një “po”!
Aq
donin Burrat e Shqipnisë, Ismail Qemali, Don Nikollë Kaçorri, Luigj Gurakuqi,
Mustafa Kruja, Hoxhë Karbonara...e sa të tjerë, Emnat e të cilëve i mësova kur
u bana 50 e sa vjeç, se edhe këta i pat fshi katili E. Hoxha.
Filloi
rrebeshi i Malit të Zi mbi Shkoder...Duhej prishë “ura” e parë e lidhjeve me
Europën...Gjuhej në top një popull i pambrojtun, por i vendosun me u groposë e
mos me ra në dorë të pushtuesit të ri “serb” të pabesë, anmik shekullor i
Shqiptarëve të Veriut... Krajli i Malit të Zi, dredh mustakët e në dëshprim
kërkon me hapë një vorr të ri n;“uje” në Shkodër, ku njerzit arritën me hanger
kelkaza...
Duhej
shembë Katedralia e Saj...Atëherë Shkodra bie... Përpjekjet për shkatrrimin e
Shqipnisë vazhdojnë me lanjen jashtë “hujve” të kufinit që nga viti 1913 të
pjesës ma të madhe të trojeve tona shekullore. Europa asht e “zanun” me
ngatrresat e pafund franko – gjermane...Rusia bolshevike e Leninit kërkon
zgjanim.
Ballkani
zhytet në gjak...E bashkë me té edhe Shqipnia ...Greku u zgjue nga gjumi e do
pjesën e vet...nuk asht i knaqun me Çamëri e Vorio – Epir, do edhe Korçë e
Gjirokastër ... Maqedonia Shqiptare coptohet në kasaphanen e re...Kosova nuk i
takon ma Shqipnisë, me arësyetimin se forcohet “islamizmi”... e sa përralla të
tjera që qarkullonin në kanceleritë europjane..., nga komshijtë tanë që, përveç shovenizmit të tyne, në gjak tashti
kanë edhe porosinë e atij...“shokut” Marks, që edhe na e kishte vlerësue
“qytetnimin sllav” kundrejt “primjes grabitqare të Arnautëve” ..., pa dijtë fare se ku binte Shqipnia.
Angazhimi
i Klerit Katolik asht i pashembullt në Histori për me shpetue Tokën Shqiptare.
Kontaktet e Tij në fushën politike e diplomatike tregojnë luftën e madhe që ai
ka ba për Pavarësinë e Shqipnisë. Të gjitha forumet kombëtare e ndërkombëtare
janë qendrat ku ai me guxim ka luftue për Shqipninë e Lirë dhe me primje
Europjane. Nuk ka Ligë Popujsh, Lidhje Kombesh, Konferenca ndërkombëtare, Seli
Mbretnore Europjane, Presidencë Amerikane, ky të mos ketë trokitë e hy, me
dashjen e padashjen e tyne...një nga Prelatët e Klerit Katolik, deri ndër të
pashkelunat shtroje shekullore të Papës së Romës, për çashtjen e madhe
kombëtare të Korçës e Gjinokastres, nga Imz. Luigj Bumçi. Vetem Ai, mujti me
shkëputë përjetësisht këto dy krahina nga pushtimi i tyne sllavo – grek
oriental e i paskrupull... E, ende sot, ”Historia e Shqipnisë” nuk e shkruen
emnin e Atij Atdhetari...
Në
vitin 1922 Kisha Ortodokse Shqiptare shpallet e pavarun dhe në vitin 1937, mbas
sa kohe kjo u njoh edhe nga Patriarkana e Konstantinopolit. Kjo ishte vepër e
Fan S. Nolit, por si e tillë mbeti për pak kohë, mbasi asnjëherë nuk arriti me
u ba “urë” lidhje me Europën, pse vetë F. S. Noli iku nga Shqipnia
përgjithmonë, ndërsa pasuesit e tij u zhdukën shpejtë mbas vitit 1944.
Asht
viti 1924, kur Luigj Gurakuqi, i mbështetun nga Kleri Katolik i Shqipnisë,
predikon në Parlamentin Shqiptar për “Demokracinë” tonë të bazueme mbi parimet
Europjane, tue i sjellë mbarë Europës, feudale apo diktatoriale bolshevike,
fashiste, naziste apo monarkike, “leksionet e Tij” mbi “tolerancën fetare dhe
krahinore në mes të Shqiptarëve”, model i ri dhe i panjohun fare ndër vendet e
tyne...ku vlonte përgatitja për pushtime të reja e gjakderdhje të miljona
njerëzve të pafaj, pre e diktatorëve të pashpirtë e kriminelë, të papërsëritshëm
ndër njëzet shekujt e shkuem...Cila “Urë” në Europë mund t’ ishte ma e fortë
dhe e çeliktë se vetë fjala dhe vepra “Demokraci”, që mund të na lidhte ne
përjetësisht me Europën e qytetnueme dhe përparimtare...? – Asnjë tjetër përveç
asaj “Ure” Gurakuqjane...që kishte projektue dhe donte me zbatue i Madhi Luigj
Gurakuqi, deputeti i Shkodrës dhe Kryetar i Opozitës...në vitët 1923 – 24.
Ndërkohë
rreth Shqipnisë ishin rreshtue ushtritë jugosllave dhe Ahmet Zogu rikthehet e
merr pushtetin me ndihmen e tyne...
Në
Mars 1925 vriten Luigj Gurakuqi, Bajram Curri; vazhdojnë vrasjet tjera me Hasan
Prishtinën e derisa me 5 Mars 1927 varet në litar Don Gjon Gàzulli...Arratisen
e amnistohen njerëz, por tiparet e fshehta të diktatorit tek Ahmet Zogu sa vinë
e dalin në shesh...ndonse, siç shkruen Bernd J. Fischer në librin e tij “Mbreti
Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipni” (1984), “Zogut i mungonin mjetet e
tiranisë që të bëhej diktator i haptë dhe shtypës.” Ai arriti krijimin e një
mjedisi për ndjenjat nacionale. Ai paraqitej se po respektonte opoziten dhe
idealet e saj të demokracisë europjane, por vetëm për aq kohë sa atij nuk i
rrezikohej pushteti përsonal. Ndonse perandoria osmane e kishte pengue
Shqipninë me kenë europjane, dhe dihej tashma se Viena ishte e vetmja fuqi e
madhe që kishte përkrahë forcimin dhe bashkimin e Shtetit Shqiptar, Ahmet Zogu
asht përpjekë me mësue nga Viena kushtetushmeninë perëndimore, të cilën ai e
kombinoi me despotizmin oriental të vetin. Ambjenti dhe rrethi i tij ishin
tipik njerëz të mardhanjeve ekonomike mesjetare, që ruenin me fanatizëm
paprekshmëninë e pronave të tyne bashkë me titujt feudalë. I vetmi që ka
dëshmue vetvetën si liberal dhe asht përpjekë me dalë nga Mesjeta, ishte Mehdi
Bej Frashëri, jurist me erudicion, i ndershëm, historian, shumë i përgatitun
dhe mik i Klerit Katolik për pikëpamjet e tij të provueme Europjane.
Kur
i pata tregue At Giaccomo Gardini-t për anëtarësimin e Shqipnisë në Konferencën
Islamike me 2 Dhjetor 1992, atëherë Ai më shpjegoi se: “Në vitin 1926 Ahmet
Zogu kërkoi mendim nga Vatikani si me veprue, mbasi “Konferenca Islamike” aso
kohe kishte kërkue anëtarësimin e Shqipnisë. Mbreti i Shqipnisë Ahmet Zogu pat
thirrë Delegatin Apostolik, që atëherë ishte në Shkodër, dhe i ka pasë kërkue
se shka mendon Vatikani për lidhjet me ne, në kjoftë se na mund të hyjmë në
Konferencën Islamike, mbas një kërkese që i ishte ba nga ana e tyne ato ditë?
Delegati, tue u ndodhë para një kërkese të papritun prej Mbretit, i kishte
kërkue dy javë kohë, sa me shkue deri në Vatikan dhe me sjellë mendimin e tyne
për këte punë. Mbreti asht kenë dakord. Delegati ka shkue tek Papa Piu XI, dhe
i ka tregue kërkesën e Mbretit. Papa i asht përgjigjë Mbretit nëpërmjet
Delegatit me këto fjalë: “Në kjoftë se doni me ruejtë edhe atë pak Shqipni që
ka mbetë, ju nuk duhet të angazhoheni me vendët e Lindjës. Na gjithmonë kemi
thanë se Shqipnia asht vend Europian. Ju, mund të veproni si të doni. Ky asht
mendimi ynë!”. Delegati asht kthye në Shqipni dhe i ka tregue Mbretit
përgjigjen e Papës. Zogu asht kenë i squet dhe nuk ka hy në asnjë lidhje me
shtetët e Lindjës. Papa, tue pa nevojën e një rishikimi të mardhanjeve me
Shqipni, ka thirrë Ministrin e Vatikanit që merrej me shtetet Ballkanike dhe e
ka ngarkue me detyrën e rishikimit të problemëve në këtë zonë. Ministri ka
thirrë një grup klerikësh që do të vinin në Shqipni me pa dhe me veprue si
duhej ma mirë, që shqiptarët të shtonin lidhjet me vendet e Europës. Në këtë
grup jam thirrë edhe unë” (Dishmi gojore, 1992).
Në
vitët 1933 – 34, në korrispondencën e Mbretit Zog me Hitlerin, shkëmbehen
mendime rreth kërkesës së Hitlerit për vendosjen e disa çifutëve të pasun
gjerman në Shqipni, me qellim që Shqipnia të forcohej ekonomikisht me bankat e
hebrejve që do të instaloheshin këtu, tue sigurue edhe sovranitetin e Trojeve
Shqiptare, të okupueme nga fqinjtë shovenistë sllavë...Po Mbreti nuk u pajtue
me këtë propozim, i penguem nga rrethi fanatik musliman oriental me të cilët
qeveriste vendin...
Në
vitin 1932 Zogu fillon me mendue për një “reformë arësimore”, e cila u zbatue
në prill të 1933, kur u emnue ministër arësimi Mirash Ivanaj, që ishte i njohun
për përgatitje kulturore, por me primje antiklerikale katolike. Porsa filloi
detyrën, me pelqimin e Mbretit, mbylli shkollat private, ndër të cilat numroheshin
17 shkolla katolike, që kishin 2560 nxanës, 12 prej të cilave ishin në Shkodër,
të tjerat në Tiranë.
Ndonse
reagimi kje i menjëhershëm, ky veprim solli një ftohje të mardhanjeve të
Italisë me Shqipninë. Sigurisht kjo ndikoi edhe me Europën e zhvillueme.
Reforma
agrare dhe veprime tjera që mundohet me i ligjrue me Kushtetutë, nuk ia arrinë,
po mbesin të parealizueme nga paralizimi anadollak i feudalëve analfabetë që
nuk e lanë Shqipninë me shkue drejt Europës, tue i vue vetës barrikada në të
gjitha rrugët e hapuna, sepse, siç thotë shkrimtari amerikan Fischer në librin
e Tij për mbretin: “Zogu u përpoq me u ba
monark Perëndimor, por mbeti me rranjë në Lindje.”
Dihet
botnisht se, kur Luigj Gurakuqi u vra në Bari nga sherbëtorët e Ahmet Zogut,
tue kenë Ministër i Financave në Shtetin Shqiptar me qeverinë e Fan S.
Nolit...” iu gjeten 300 lira në xhep”... Sigurisht, një minister financash
“budallë” me kaq pare në xhep nuk ka si përmendet as për nder, as për burrni e,
aq ma pak si Demokrat, kur ministrat tonë sot...nuk dinë se në cilën bankë kanë
kapitalet e tyne..!
Po
dihet edhe se: “Zogu u largua nga Shqipëria me një qyp të madh me rubinë dhe
smeraldë si edhe me një pjesë të rezervës së arit të Bankës së Shtetit Shqiptar, që kapte
shumën prej 10 miljon dollarësh...Kur
një prej njerëzve të Zogut, Sotir Martini, kërkoi të dinte nëse Foreign
Office-i mund të krijonte mundësinë për transportimin në Kanada të shtatë arkave me parà, leja u
refuzue. Sekretari i Zogut Qazim Kastrati nënvizonte se Zogu kishte mjaft kredi
në pikëpamje të marëdhenjeve me qeverinë
turke dhe në vendet e botës islamike, si i vetmi mbret musliman i një vendi
europjan” (fq. 309), Ndërsa mbasardhësi i tij, Enver Hoxha, s’e pat at rrezik,
se do të duheshin sa e sa vagona të trenit nga Tirana me u ngarkue me arkat e
arit të 45 vjetëve të qeverisjes së tij, pa llogaritë vitet mbas
vdekjes...Shumë studjues, krejtësisht të paanshëm, sot shkruejnë ..”Këte ose
ate reformë mendoi ta bante edhe Ahmet Zogu, po mbet pa e ba derisa erdhi mbas tij
në pushtet Enver Hoxha...”
Unë
do të shkruej një rasë që asht thëmelore për një Udhëheqës të Shtetit Shqiptar.
Ju vëreni ngjashmëninë e politikës së Zogut dhe Enver Hoxhës në lidhje me të
njajten çashtje të madhe kombëtare, për Kosovën:
Fischer
thekson se qeveria e Zogut kishte ma shumë jugorë se veriorë. “Njëkohësisht
duhet vue në dukje se edhe në lidhje me politikën kosovare, jugorët i
trembeshin dyndjes kosovare. Për ta çeshtja e Kosovës, duhej të shtyhej për një
kohë tjetër, me shpresë që të harrohej terësisht.”
Një
analogji e padiskutueshme me qendrimin tradhëtar të vitit 1944 – 45, kur Enver
Hoxha shkapercente fjalën “Kosovë” nësa fliste në lidhje me marëdhanjet tona
“vëllaznore” me popujt e Jugosllavisë dhe Titon.
Me
7 Prill 1939 Ahmet Zogu iku. Shqipnia u pushtue nga Italia. Të parët janë
tregtarët që sjellin fëtyrën nga Italia fashiste.
Politika
italiane filloi me rritjen e mirëkenjes ekonomike tek na, aqsa, Shqipnia ishte
shumë ma mirë se vetë Italia. Shumë atdhetarë janë optimistë për ardhjen e
fashizmit.
Ndër
personalitetet ma të randësishme janë
Mustafa Kruja dhe Ernest Koliqi, të cilët rivendosin “urat” e lidhjeve të reja
me Europën. Riorganizohet shkolla dhe kultura Shqiptare merr një hov të ri
zhvillimi. Në trojet shqiptare hapen 120 shkolla shqipe me mësues shqiptarë,
shumica në Kosovë. Tekstet e asaj kohe, të botueme nga Ministria e Arësimit në
Tiranë, edhe sot janë ma të saktat e ma të plotat për nga ana shkencore dhe
pedagogjike. Formohet në Tiranë më 1942
Instituti i Studimeve Shqiptare me kryetar z. Mustafa Kruja, i cili
fillon menjëherë punën për gjuhën e përbashkët letrare shqipe.
Kisha
Ortodokse Shqiptare, e njohun që me datë 12 prill 1937 nga Patriarkana e
Konstantinopolit, me Sinodin e ri, tashti ka kryeqendren në Tiranë, dhe Kryetar
i Saj asht Imz. Kristofor Kissi, metropolit i Durrësit dhe i Tiranës. Anëtarë
janë: Imz. Agathangjelo Çançe i Beratit, Imz. Eulogio Kurilas i Korçës dhe
Pantheleimon Kotoku i Gjirokastres. Të gjithë përdorin liturgjinë kishtare në
gjuhën shqipe. Mirëkuptimi me të gjitha besimet tjera nuk asht formal. Imzot
Kissi hapë një faqe me të vërtetë të lavdishme për Kishën Ortodokse Shqiptare
dhe marëdhanjet e saj me Kishën Katolike Shqiptare dhe besimet tjera.
Edhe
Kisha Katolike Shqiptare fillon marëveshjet me Ortodoksët tue arrijtë në shumë
çashtje mirëkuptim dhe lidhje vërtet të vlefëshme për problemet kombëtare e në
dobi t’ Atdheut. Asht shumë me interes studimi i kësaj periudhë historike për
të gjitha besimet, mbasi aspak mbrapa nuk kanë qendrue as Muslimanët Bektashijë
dhe Sunit, të cilët arrijnë me pasë kontakte vëllaznore me të Krishtenët dhe
lidhje që, ndoshta, janë edhe të papërsëritëshme në historinë e mavonëshme. Një
rol me randësi ka luejtë edhe Kisha Katolike e Vlonës me Imz. Jul Bonattin, në
atë kohë. Ndërsa në Durrës Imz. Irene Banushi asht i pakrahasueshëm me punën që
ka ba për përafrimin e besimeve. Në Shkodër, shumë familje muslimane shtrojnë
edhe dreka për priftnit katolikë, që aso kohe janë kenë profesorë të fëmijëve
të tyne, madje edhe jezuitë. Hoxhallarët: Hafiz Sali Myftia, Hafiz Ali Kraja,
Xhemal Najpi, Hafiz Derguti, etj.,, tregojnë formimin e shpirtin atdhetar, tue
arrijtë deri në martirizim mbas vitit 1944.
Ja
një pohim i Hafiz Dergutit në qelinë e sigurimit në vitin 1947. Kur një bashvuejtës
e pyet se cila ishte arësyeja që e torturonin aq shumë, Ai i përgjegjet: “Më
kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça, e nesër me thanë se u
pushkatuen priftnit me dëshmitë e rreme të hoxhallarëve. U kam thanë, bani çka
të doni, se këte punë nuk e baj kurrë, pasha Allahun!” {Origjinali i dokumentit
asht n’ Arkivin e Shtetit Shqiptar)
Se
cili asht objektivi i Tyne shpirtnuer e atdhetar e tregon në vitin 1946 Hafiz
Ibrahim Dalliu publikisht në Tiranë, me moshë afër të 80-tave. Dënohët mbasi
deklaron në “gjyqin e popullit”: “... Kam dëgjuar ndër stacionet e Amerikës dhe
të Londrës lajmet anglisht, mbasi dëshiroja që ata të zbarkonin në Shqipëri ...
Ne nuk kemi asnjë lidhje me Lindjën, as të afërme dhe as të largët. Nga turqit
ne kemi marrë vetëm besimin. Për të tjera nuk ka çka na duhët Anadolli...
Shqipëria
është shtet që i përket vetëm Europës. Me Europën na lidhë pozita gjeografike,
marëdhanjet shtetrore, ato kulturore e të gjitha të tjerat që vijnë pas, për
një jetë më të mirë dhe të begatëshme të popullit tonë ...”
Ndërsa
kryeministri Mustafa Kruja deklaron para Senatit të Romës më 1941, se: “Ajo ma
e keqja asht se pushtimi turk na izoloi nga Europa..”
Për
ditët e fundit të nandorit 1944 do t’i referohem një Antari të Regjencës Shqiptare!..
Shenim F. RADOVANI:
Vazhdon Pjesa e III.
Melbourne, 22 Fruer
2026.