E enjte, 22.01.2026, 10:56 PM (GMT)

Kulturë

Nikollë Loka: Një analizë rreth traditës, fatit dhe identitetit në romanin “Shtjellë Fatesh” të autorit Llesh Ndoj

E enjte, 22.01.2026, 06:50 PM


NJË ANALIZË RRETH TRADITËS, FATIT DHE IDENTITETIT NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH” TË AUTORIT LLESH NDOJ

Nga Dr. Nikollë Loka

Përveç se studiues, Llesh Ndoj është poet dhe shkrimtar. Në studime, poezi dhe prozë ai trajton kryesisht temën e vendlindjes, që përbën boshtin kryesor tematik të të gjithë krijimtarisë së tij. Fakte tronditëse të jetës, ngjarje historike dhe vet jeta me të gjithë kompliksitetin e saj vijnë në mënyrë artistike në këtë roman, ku Lleshi ka dhënë fakte reale, vende e rrethana shoqërore, duke i dhënë veprës peshë, autenticitet dhe besueshmëri. Përmes imagjinatës së shkrimtarit ai ka krijuar personazhe dhe situata që shprehin karakterin kompleks të shoqërisë malësore gjatë shek. XX. Pas dy librave studimorë kushtuar vendlindjes Domgjon dhe zonës së Fanit, autori kalon në krijimtari letrare, ku dijet historike i kthen në rrëfim artistik.

Romani “Shtjellë fatesh” është një vepër shumëdimensionale që përshkruan jetën në Mirditë, kryesisht në vendbanimet rreth Munellës, të mbërthyera në mes të traditës dhe modernitetit, që formësojnë jetën e përditshme. Autori, në funksion të trajtimit letrar krijon kundërshti të theksuara për të vënë në dukje tensione midis jetës dhe vdekjes, si dhe për të përshkruar ngjarje tronditëse, që kanë ndodhur në vendlindjen e tij, Domgjon, e fshatrat fqinj më të.

Ndonëse vdekjet, traumat dhe tragjeditë e jetës së atëhershme e kishin bërë jetën të vështirë, pa e justifikuar, autori e trajton me kujdes dhe dashuri atë mënyrë jetese, pasi vjen si trashëgimi e brezave. Me shumë dashuri vjen në roman fëmijërija e Diellores, personazhi shumë i dashur i nënës së autorit, që kishte mbetur jetime dhe ishte rritur tek të afërmit. Ndjeshmëria e Lleshit për të është e thellë dhe e idealizuar, duke i krijuar mundësi lexuesit të kuptojë dhimbjet dhe mungesën që ndjen djali për nënë e tij edhe pas kaq vitesh të ndarjes nga jeta.

Një nga aspektet kryesore të këtij romani është dinamika e formimit të personazheve dhe marrëdhënia midis tyre. Kështu Roza, nusja e Tefës, që ishte burrë i ve dhe me dy fëmijë të mitur, i merr përgjegjësitë e saj me dinjitet. Ajo vjen në roman si nuse e traditës dhe e normave të shoqërisë malësore, që i përcjell vajzës së burrit, Hanës, traditën, e edukon për t’u bërë një fëmër e pavarur dhe e fortë. Përmes Rozës dhe Hanës autori vlerëson edukatën tradicionale dhe përcjelljen e saj ndër breza. Roza del në roman si prani ngushëlluese dhe rregullatore e jetës familjare. Edhe pse ajo nuk ishte nëna biologjike e dy fëmijve të familjes, bëhet nëna shpirtërore e tyre. Ajo nuk e zëvendëson Meren, gruan e parë të Tefës dhe nënën e fëmijëve, megjithatë e vazhdon jetën aty ku dhimbja kishte lënë boshllëk, të cilin ajo e mbush me dashuri të heshtur dhe me dinjitet njerëzor.

Shoqëria malësore që trajtohet në roman, është e rrënjosur thellë në besime dhe zakone të vjetra, brenda të cilave solidariteti, ndihma reciproke dhe përkujdesja për familjen përbëjnë vlerat themelore. Në shoqërinë patriakale burrat përgjigjen për mbrojtjen e jetës, të pronës e të pasurisë, ndërsa gratë përcjellin ndër breza praktika dhe detyra për vajzat dhe janë edukatoret e para të fëmijëve. Brenda këtij realiteti shfaqet një personazh i veçantë, Leksi, që në fakt është autori i romanit, i cili është në kërkim të zbulimit të lidhjes midis njerëzve dhe vendit të lindjes, duke ndërmarrë një udhëtim të brendshëm shpirtëror, që ndërthuret si me përvojat personale, ashtu dhe me kujtesën e historinë kolektive të njerëzve.

Në roman autori bën lidhje në mes të realitetit dhe mitit. Elementët mitologjikë u japin thellësi ngjarjeve, duke lidhur jetët personale me histori që përcaktojnë fate njerëzore. Historia e dy vëllezërve që vrasin njëri - tjetrin për një grua, është një mit që ilustron pasionin e verbër dhe pasojat fatale të ndërprerjes së jetës brenda familjes dhe shoqërisë malësore. Përdorimi i legjendave të Domgjonit në veçanti e të krejt Mirditës në përgjithësi, si ato të lidhura me murana dhe krushq të vrarë, ndihmon në ndriçimin e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve dhe ndikimin e Kanunit e të traditave të vjetra mbi jetët e tyre. P. sh., tek personazhi i Prenës shohim gruan që ngrihet kundër praktikave kanunore, kur duan ta ndajnë nga fëmija i saj. Ajo, pasi ka humbur burrin, sipas traditës nuk mund të martohej në po të njëtin fshat, gjë e cila ndodh, për të qenë më afër fëmijës së saj. Konflikti midis dëshirës prej nëne për ti pasur fëmijët afër dhe normave shoqërore, të cilave ajo u nënshtrohet pjesërisht, pasqyron tensionin midis rregullave kanunore të shoqërisë tradicionale dhe aspiratave të individëve të cënuar  nga këto rregulla dhe që vuajnë të gjithë jetën.

Në roman Munella trajtohet e ritrajtohet disa herë dhe, nga sfond, bëhet pjesë akive e përjetimeve të banorëve. Rrëfimet nga lëgjendat dhe ato nga ngjarjet e vërteta dëshmojnë se Munella ndër breza kishte sjellë fat e fatkeqësi. Në këtë shtjellë qëndron dhe Hana, figura tragjike dhe lirike njëherësh, e cila përmes këngës së jetimit bashkon dhimbjen e vet e të vëllait Noan me kujtesën kolektive, ku bashkëjeton miti, njeriu dhe natyra. Hana qëndron midis reales dhe mistikës. Ajo këndon dhe krijon muzikë me gjethet e ahut. Kënga dhe muzika e saj shëndrrohen në mjet rrëfimi dhe kujtese. Zëri Hanës bëhet kështu zë i të gjithë jetimëve dhe kënga që ajo këndon nuk është zgjedhur rastësisht. Djali që e rrëmben, Hila, nuk është thjeshtë pengëmarrës, por një protagonist ndryshimesh të fateve njerëzore, në rradhë të parë të fatit të tij dhe të Hanës. Vajza nuk reziston nga “rrëmbimi”, pasi ngjarja që ndodh përjetohet prej saj si fatalitet. Ajo shfaq një moment pafuqie, por edhe një pranim ta pavetëdijshëm të vullnetit që duket se ishte paracaktuar, pra që Hila do të ishte burri i saj i ardhshëm. Për më tepër Hana ndjen edhe tërheqje fizike ndaj tij. Kjo histori rrëmbimi, e njohur në mjediset e Malësisë, lidhet me zakone dhe rregulla shoqërore që e bëjnë lexuesin të kuptojë rrethanat historike dhe kulturore të zhvillimit të kësaj dukurie.

Një temë thelbësore e romanit është lidhja e njerëzve me vendlindjen. Toka e vendlindjes është përshkruar si element shpirtëror i pandashëm nga njerëzit. Migrimi përshkruhet si një cikël i natyrshëm i jetës që sjellë përfitime dhe pasoja. Autori trajton lidhjet Domgjon Kosovë, të projektuara ndër breza, si dhe zbulon një lidhje tjetër të Domgjonit me Himarën, si dëshmi e një dukurie të vjetër, që shfaqet e rishfaqet si një kërkesë për t’u rizbuluar e njohur.

Ky roman trajton fate njerëzore, që nisin që në titullin e tij, pasqyron realitetin e përditshëm të lidhur me fatin traditat dhe mentalitetin. Autori Llesh Ndoj jep hollësi rreth mjedisit natyror e shoqëror dhe tregon mjeshtri për të krijuar kompleksitetin e jetës në Malësi. Ai i lidh vlerat shoqërore dhe morale të komunitetit të banorëve me jetën e përditshme, duke treguar aftësi në përshkrimin e psikologjisë kolektive.

Lleshi kombinon realizmin me simbolizmin, duke u dhënë ngjarjeve dimension fizik dhe emocional. Ngjarjet sjellin në vëmendjen e lexuesve thellësinë emocionale dhe psikologjike të personazheve, duke i bërë ata të besueshëm. Lleshi ndërthurë mirë fragmente tragjike, mitike, historike dhe romantike, në një narrativë komplekse dhe dramatike, ku shpreh ndjeshmëri të thellë për vlerat morale, humanizmin, traditën dhe trashëgiminë. Stili i rrëfimit të tij është i balancuar midis detajeve realiste dhe prurjeve të imagjinatës, duke bërë që lexuesi ta përjetojë veprën në mënyrë të plotë e ta lexojë me një frymë.

Vepra pasuron letërsinë bashkëkohore shqiptare, duke ruajtur e rivitalizuar trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore.

Romani “Shtjellë fatesh” përfaqëson një arritje të rëndësishme në krijimtarinë letrare të Llesh Ndojt, ku përvoja jetësore, dijet historike dhe ndjeshmëria artistike shkrihen natyrshëm, duke dëshmuar mjeshtëri narrative dhe kombinuar realizmin me simbolizmin dhe duke ndërtuar personazhe psikologjikisht të besueshme Përmes këtij romani ai i jep zë kujtesës kolektive dhe vlerave tradicionale, dhe i bën ato të prekshme për lexuesin bashkëkohor.

Vepra “Shtjellë fatesh” e pasuron letërsinë bashkëkohore shqiptare dhe ushtron ndikim të thellë te lexuesi, duke e ftuar atë të reflektojë mbi fatin, identitetin dhe trashëgiminë shpirtërore.

Lezhë, më 17 janar 2026



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx