Kulturë
Nikollë Loka: Një analizë rreth traditës, fatit dhe identitetit në romanin “Shtjellë Fatesh” të autorit Llesh Ndoj
E enjte, 22.01.2026, 06:50 PM
NJË ANALIZË RRETH TRADITËS, FATIT DHE IDENTITETIT NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH” TË AUTORIT LLESH NDOJ
Nga
Dr. Nikollë Loka
Përveç
se studiues, Llesh Ndoj është poet dhe shkrimtar. Në studime, poezi dhe prozë
ai trajton kryesisht temën e vendlindjes, që përbën boshtin kryesor tematik të
të gjithë krijimtarisë së tij. Fakte tronditëse të jetës, ngjarje historike dhe
vet jeta me të gjithë kompliksitetin e saj vijnë në mënyrë artistike në këtë
roman, ku Lleshi ka dhënë fakte reale, vende e rrethana shoqërore, duke i dhënë
veprës peshë, autenticitet dhe besueshmëri. Përmes imagjinatës së shkrimtarit
ai ka krijuar personazhe dhe situata që shprehin karakterin kompleks të
shoqërisë malësore gjatë shek. XX. Pas dy librave studimorë kushtuar
vendlindjes Domgjon dhe zonës së Fanit, autori kalon në krijimtari letrare, ku
dijet historike i kthen në rrëfim artistik.
Romani
“Shtjellë fatesh” është një vepër shumëdimensionale që përshkruan jetën në
Mirditë, kryesisht në vendbanimet rreth Munellës, të mbërthyera në mes të
traditës dhe modernitetit, që formësojnë jetën e përditshme. Autori, në
funksion të trajtimit letrar krijon kundërshti të theksuara për të vënë në
dukje tensione midis jetës dhe vdekjes, si dhe për të përshkruar ngjarje
tronditëse, që kanë ndodhur në vendlindjen e tij, Domgjon, e fshatrat fqinj më
të.
Ndonëse
vdekjet, traumat dhe tragjeditë e jetës së atëhershme e kishin bërë jetën të
vështirë, pa e justifikuar, autori e trajton me kujdes dhe dashuri atë mënyrë
jetese, pasi vjen si trashëgimi e brezave. Me shumë dashuri vjen në roman
fëmijërija e Diellores, personazhi shumë i dashur i nënës së autorit, që kishte
mbetur jetime dhe ishte rritur tek të afërmit. Ndjeshmëria e Lleshit për të
është e thellë dhe e idealizuar, duke i krijuar mundësi lexuesit të kuptojë
dhimbjet dhe mungesën që ndjen djali për nënë e tij edhe pas kaq vitesh të
ndarjes nga jeta.
Një
nga aspektet kryesore të këtij romani është dinamika e formimit të personazheve
dhe marrëdhënia midis tyre. Kështu Roza, nusja e Tefës, që ishte burrë i ve dhe
me dy fëmijë të mitur, i merr përgjegjësitë e saj me dinjitet. Ajo vjen në
roman si nuse e traditës dhe e normave të shoqërisë malësore, që i përcjell
vajzës së burrit, Hanës, traditën, e edukon për t’u bërë një fëmër e pavarur
dhe e fortë. Përmes Rozës dhe Hanës autori vlerëson edukatën tradicionale dhe
përcjelljen e saj ndër breza. Roza del në roman si prani ngushëlluese dhe
rregullatore e jetës familjare. Edhe pse ajo nuk ishte nëna biologjike e dy
fëmijve të familjes, bëhet nëna shpirtërore e tyre. Ajo nuk e zëvendëson Meren,
gruan e parë të Tefës dhe nënën e fëmijëve, megjithatë e vazhdon jetën aty ku
dhimbja kishte lënë boshllëk, të cilin ajo e mbush me dashuri të heshtur dhe me
dinjitet njerëzor.
Shoqëria
malësore që trajtohet në roman, është e rrënjosur thellë në besime dhe zakone
të vjetra, brenda të cilave solidariteti, ndihma reciproke dhe përkujdesja për
familjen përbëjnë vlerat themelore. Në shoqërinë patriakale burrat përgjigjen
për mbrojtjen e jetës, të pronës e të pasurisë, ndërsa gratë përcjellin ndër
breza praktika dhe detyra për vajzat dhe janë edukatoret e para të fëmijëve.
Brenda këtij realiteti shfaqet një personazh i veçantë, Leksi, që në fakt është
autori i romanit, i cili është në kërkim të zbulimit të lidhjes midis njerëzve
dhe vendit të lindjes, duke ndërmarrë një udhëtim të brendshëm shpirtëror, që
ndërthuret si me përvojat personale, ashtu dhe me kujtesën e historinë
kolektive të njerëzve.
Në
roman autori bën lidhje në mes të realitetit dhe mitit. Elementët mitologjikë u
japin thellësi ngjarjeve, duke lidhur jetët personale me histori që përcaktojnë
fate njerëzore. Historia e dy vëllezërve që vrasin njëri - tjetrin për një
grua, është një mit që ilustron pasionin e verbër dhe pasojat fatale të
ndërprerjes së jetës brenda familjes dhe shoqërisë malësore. Përdorimi i
legjendave të Domgjonit në veçanti e të krejt Mirditës në përgjithësi, si ato
të lidhura me murana dhe krushq të vrarë, ndihmon në ndriçimin e marrëdhënieve
ndërmjet njerëzve dhe ndikimin e Kanunit e të traditave të vjetra mbi jetët e
tyre. P. sh., tek personazhi i Prenës shohim gruan që ngrihet kundër praktikave
kanunore, kur duan ta ndajnë nga fëmija i saj. Ajo, pasi ka humbur burrin,
sipas traditës nuk mund të martohej në po të njëtin fshat, gjë e cila ndodh,
për të qenë më afër fëmijës së saj. Konflikti midis dëshirës prej nëne për ti
pasur fëmijët afër dhe normave shoqërore, të cilave ajo u nënshtrohet
pjesërisht, pasqyron tensionin midis rregullave kanunore të shoqërisë
tradicionale dhe aspiratave të individëve të cënuar nga këto rregulla dhe që vuajnë të gjithë
jetën.
Në
roman Munella trajtohet e ritrajtohet disa herë dhe, nga sfond, bëhet pjesë
akive e përjetimeve të banorëve. Rrëfimet nga lëgjendat dhe ato nga ngjarjet e
vërteta dëshmojnë se Munella ndër breza kishte sjellë fat e fatkeqësi. Në këtë
shtjellë qëndron dhe Hana, figura tragjike dhe lirike njëherësh, e cila përmes
këngës së jetimit bashkon dhimbjen e vet e të vëllait Noan me kujtesën
kolektive, ku bashkëjeton miti, njeriu dhe natyra. Hana qëndron midis reales
dhe mistikës. Ajo këndon dhe krijon muzikë me gjethet e ahut. Kënga dhe muzika
e saj shëndrrohen në mjet rrëfimi dhe kujtese. Zëri Hanës bëhet kështu zë i të
gjithë jetimëve dhe kënga që ajo këndon nuk është zgjedhur rastësisht. Djali që
e rrëmben, Hila, nuk është thjeshtë pengëmarrës, por një protagonist ndryshimesh
të fateve njerëzore, në rradhë të parë të fatit të tij dhe të Hanës. Vajza nuk
reziston nga “rrëmbimi”, pasi ngjarja që ndodh përjetohet prej saj si
fatalitet. Ajo shfaq një moment pafuqie, por edhe një pranim ta pavetëdijshëm
të vullnetit që duket se ishte paracaktuar, pra që Hila do të ishte burri i saj
i ardhshëm. Për më tepër Hana ndjen edhe tërheqje fizike ndaj tij. Kjo histori
rrëmbimi, e njohur në mjediset e Malësisë, lidhet me zakone dhe rregulla
shoqërore që e bëjnë lexuesin të kuptojë rrethanat historike dhe kulturore të
zhvillimit të kësaj dukurie.
Një
temë thelbësore e romanit është lidhja e njerëzve me vendlindjen. Toka e
vendlindjes është përshkruar si element shpirtëror i pandashëm nga njerëzit.
Migrimi përshkruhet si një cikël i natyrshëm i jetës që sjellë përfitime dhe
pasoja. Autori trajton lidhjet Domgjon Kosovë, të projektuara ndër breza, si
dhe zbulon një lidhje tjetër të Domgjonit me Himarën, si dëshmi e një dukurie
të vjetër, që shfaqet e rishfaqet si një kërkesë për t’u rizbuluar e njohur.
Ky
roman trajton fate njerëzore, që nisin që në titullin e tij, pasqyron
realitetin e përditshëm të lidhur me fatin traditat dhe mentalitetin. Autori
Llesh Ndoj jep hollësi rreth mjedisit natyror e shoqëror dhe tregon mjeshtri
për të krijuar kompleksitetin e jetës në Malësi. Ai i lidh vlerat shoqërore dhe
morale të komunitetit të banorëve me jetën e përditshme, duke treguar aftësi në
përshkrimin e psikologjisë kolektive.
Lleshi
kombinon realizmin me simbolizmin, duke u dhënë ngjarjeve dimension fizik dhe
emocional. Ngjarjet sjellin në vëmendjen e lexuesve thellësinë emocionale dhe
psikologjike të personazheve, duke i bërë ata të besueshëm. Lleshi ndërthurë
mirë fragmente tragjike, mitike, historike dhe romantike, në një narrativë
komplekse dhe dramatike, ku shpreh ndjeshmëri të thellë për vlerat morale,
humanizmin, traditën dhe trashëgiminë. Stili i rrëfimit të tij është i
balancuar midis detajeve realiste dhe prurjeve të imagjinatës, duke bërë që
lexuesi ta përjetojë veprën në mënyrë të plotë e ta lexojë me një frymë.
Vepra
pasuron letërsinë bashkëkohore shqiptare, duke ruajtur e rivitalizuar
trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore.
Romani
“Shtjellë fatesh” përfaqëson një arritje të rëndësishme në krijimtarinë letrare
të Llesh Ndojt, ku përvoja jetësore, dijet historike dhe ndjeshmëria artistike
shkrihen natyrshëm, duke dëshmuar mjeshtëri narrative dhe kombinuar realizmin
me simbolizmin dhe duke ndërtuar personazhe psikologjikisht të besueshme Përmes
këtij romani ai i jep zë kujtesës kolektive dhe vlerave tradicionale, dhe i bën
ato të prekshme për lexuesin bashkëkohor.
Vepra
“Shtjellë fatesh” e pasuron letërsinë bashkëkohore shqiptare dhe ushtron ndikim
të thellë te lexuesi, duke e ftuar atë të reflektojë mbi fatin, identitetin dhe
trashëgiminë shpirtërore.
Lezhë, më 17 janar 2026









