Faleminderit
Gjon Keka: Me vdekjen e presidentit Ibrahim Rugova kombi ynë humbi njeriun e madh
E merkure, 21.01.2026, 03:57 PM

Me vdekjen e presidentit Ibrahim Rugova kombi ynë humbi njeriun e madh dhe orientuesin e qartë dhe të palëkundshëm të Kosovës europiane
Nga
Gjon Keka
Janari
ia hoqi kombit tonë dy personalitete mbikohore të papërsëritshme, duke e lënë
kështu popullin tonë Dardano-Arbëror me një humbje të madhe dhe të pamatshme,
dhe njëkohësisht edhe në rrezik të ekzistencës dhe të humbjes së orientimit europian
të shtetit dhe popullit në përgjithësi. Më 17 janar 1468 vdiq kryeheroi,
burrështeti, strategu e gjenerali i të gjitha kohërave, Gjergj Kastrioti, po në
këtë muaj të fatkeqësisë së kombit tonë, më 21 janar 2006 vdiq edhe vizionari,
burrështeti, presidenti dr. Ibrahim Rugova.
Vdekja
e këtyre dy personaliteteve mbikohore u raportua në të gjitha vendet e botës së
civilizuar dhe demokratike, dhe kudo në botë si një lajm i trishtueshëm dhe një
humbje që asnjëherë nuk do të mund ta plotësonte kombi ynë, mungesën e tyre
fizike dhe yllrrëfyese për orientimin dhe të ardhmen e kombit tonë
dardano-arbëror.
Pasi
kryeheroin tonë Gjergj Kastriotin – Diellin e madh të Arbërisë – e kujtova para
disa ditësh me një shkrim, sot këto rreshta po ia kushtoj edhe presidentit
vizionar, të urtë e të pavdekshëm të Dardanisë, dr. Ibrahim Rugovës, ai që e
ringjalli si Pjetër Bogdani emrin e Dardanisë dhe punoi e veproi për një
Dardani (Kosovë) të lirë, demokratike e të pavarur, dhe në miqësi të përhershme
me ShBA dhe Europën si familje dhe pjesë e saj e natyrshme.
Vdekja
e këtij Dardani të madh para 20 vjetëve u përshkrua me pikëllimin dhe simpatinë
e thellë jo vetëm nga i gjithë populli ynë pa dallim, por edhe nga
personalitete të botës së civilizuar dhe demokratike, më saktësisht nga e
gjithë bota.
Me
vdekjen e tij, Dardania humbi njeriun e saj, krahun e Shqiponjës Kastriotiane,
orientuesin e qartë dhe të palëkundshëm të Kosovës drejt familjes europiane dhe
civilizimit të saj, si dhe ideatorin e miqësisë apo lidhjes së përhershme me
ShBA si të vetmet rrugë të sigurta të kombit tonë, të Dardanisë sonë, për të
pasur një të ardhme europiane dhe siguri dorë për dore me ShBA-në.
Sot,
kur po përkujtomë atë, na kujtohet imazhi i njeriut të urtë të Dardanisë, i
vizionarit, i Atit themelues të Kosovës Republikë, i shqiptuesit të fjalës së
ëmbël “Liri”, pastaj të demokracisë dhe pavarësisë.
Presidenti
Ibrahim Rugova ishte Dardani i katërt i madh pas Konstantit të Madh, Pjetër
Bogdanit të Madh dhe Idriz Seferit të Madh.
Dardania
jonë sot ka mbetur pa yllin orientues europian dhe e ngulfatur nga helmet
ideologjike fetaro-politike, antikombëtare dhe antiperëndimore.









