Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjon Keka: Me vdekjen e presidentit Ibrahim Rugova kombi ynë humbi njeriun e madh

| E merkure, 21.01.2026, 03:57 PM |


Me vdekjen e presidentit Ibrahim Rugova kombi ynë humbi njeriun e madh dhe orientuesin e qartë dhe të palëkundshëm të Kosovës europiane

Nga Gjon Keka

Janari ia hoqi kombit tonë dy personalitete mbikohore të papërsëritshme, duke e lënë kështu popullin tonë Dardano-Arbëror me një humbje të madhe dhe të pamatshme, dhe njëkohësisht edhe në rrezik të ekzistencës dhe të humbjes së orientimit europian të shtetit dhe popullit në përgjithësi. Më 17 janar 1468 vdiq kryeheroi, burrështeti, strategu e gjenerali i të gjitha kohërave, Gjergj Kastrioti, po në këtë muaj të fatkeqësisë së kombit tonë, më 21 janar 2006 vdiq edhe vizionari, burrështeti, presidenti dr. Ibrahim Rugova.

Vdekja e këtyre dy personaliteteve mbikohore u raportua në të gjitha vendet e botës së civilizuar dhe demokratike, dhe kudo në botë si një lajm i trishtueshëm dhe një humbje që asnjëherë nuk do të mund ta plotësonte kombi ynë, mungesën e tyre fizike dhe yllrrëfyese për orientimin dhe të ardhmen e kombit tonë dardano-arbëror.

Pasi kryeheroin tonë Gjergj Kastriotin – Diellin e madh të Arbërisë – e kujtova para disa ditësh me një shkrim, sot këto rreshta po ia kushtoj edhe presidentit vizionar, të urtë e të pavdekshëm të Dardanisë, dr. Ibrahim Rugovës, ai që e ringjalli si Pjetër Bogdani emrin e Dardanisë dhe punoi e veproi për një Dardani (Kosovë) të lirë, demokratike e të pavarur, dhe në miqësi të përhershme me ShBA dhe Europën si familje dhe pjesë e saj e natyrshme.

Vdekja e këtij Dardani të madh para 20 vjetëve u përshkrua me pikëllimin dhe simpatinë e thellë jo vetëm nga i gjithë populli ynë pa dallim, por edhe nga personalitete të botës së civilizuar dhe demokratike, më saktësisht nga e gjithë bota.

Me vdekjen e tij, Dardania humbi njeriun e saj, krahun e Shqiponjës Kastriotiane, orientuesin e qartë dhe të palëkundshëm të Kosovës drejt familjes europiane dhe civilizimit të saj, si dhe ideatorin e miqësisë apo lidhjes së përhershme me ShBA si të vetmet rrugë të sigurta të kombit tonë, të Dardanisë sonë, për të pasur një të ardhme europiane dhe siguri dorë për dore me ShBA-në.

Sot, kur po përkujtomë atë, na kujtohet imazhi i njeriut të urtë të Dardanisë, i vizionarit, i Atit themelues të Kosovës Republikë, i shqiptuesit të fjalës së ëmbël “Liri”, pastaj të demokracisë dhe pavarësisë.

Presidenti Ibrahim Rugova ishte Dardani i katërt i madh pas Konstantit të Madh, Pjetër Bogdanit të Madh dhe Idriz Seferit të Madh.

Dardania jonë sot ka mbetur pa yllin orientues europian dhe e ngulfatur nga helmet ideologjike fetaro-politike, antikombëtare dhe antiperëndimore.