Kulturë
Sami Islami: Teatri taragjik i jetës nën diktaturën komuniste
E diele, 18.01.2026, 06:50 PM
TEATRI TARAGJIK I JETËS NËN DIKTATURËN KOMUNISTE
Dy
fjalë për romanin me titull “Meri”
të autores Miranda Hanku
Nga
Sami Islami
Ardhja
e autores Miranda Hankut (me këtë roman)
tek publiku i gjerë lexues, tregon qartë guximin e një shkrimtareje të re për
t’iu futur kësaj gjinie letrare. Dhe, duke i hyrë kësaj pune, duhet theksuar
se edhe marrja në shqyrtim të temës për
jetën nën diktaturë, qe zgjedhje e
qëlluar.
Nëpërmjet
rrugëtimit të personazheve, e
sidomos të krye personazhit të librit, pra të Merit, dalin në pah shumë
të palara të sistemit: përgjimet, ndjekjet, persekutimet, arrestimet, shantazhet etj. Dhe për çudi të gjitha këto
hipokrizi regjimi komunist po i bënte
për ta justifikuar veten dhe të ashtuquajturën,
“lidhjen e fortë” të partisë
pushtet me popullin.
Romanin
e përshkon fund e krye fati i njerëzve të thjeshtë, që ballafaqohen me situata
të ndryshme. Këta njerëz jetojnë në një burg të madh, ku sigurimi i shtetit
është i përhapur gjithandej. Kësaj “dore
të zgjatur” nuk mund t’i shpëtonte askush, as Meri e as gjithë familja e saj,
bashkë me miq e farefis. Po kështu kësaj murtaje nuk i shpëtoi as gjyshi i
Merit, të cilit shumë vjet më parë shteti ia kishte konfiskuar gjithë pasurinë, të cilën ai e
kishte fituar me punë e djersë. Babai i
Merit, Astriti dhe shoku i tij Fatosi,
po ashtu do të jenë në shënjestër të hetuesve. Astriti si i dyshimtë për aktivitet kundër regjimit,
nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, si person që nuk donte të bëhej mashë e
pushtetit për të dëshmuar rrejshëm për shokun dhe kolegun e tij të
punës, Fatosin, i cili akuzohej si sabotator dhe agjent rus.
Romani
e ruan boshtin e narracionit nëpër mes të fatit të Merit, motrës së saj, Ledias, si dhe nënës së
tyre Anilës. Jeta e Merit në roman ka të ngjarë të jetë edhe jeta e vetë
autores së romanit , Miranda Hankut, e cila,
në të njëjtën kohë është edhe
personifikim i fatit jetësor të mijëra e
mijërave vajzave të tjera nën regjimin diktatorial.
Demaskimin
e sistemit të komunist në Shqipëri e plotëson edhe personazhi i hetuesit, i
cili duke e keqpërdorur pozitën e tij
shtetërore, i vë përpara interesat e tij
personale. Vlen të përmendet rasti kur hetuesi i tashëm ishte i ri, qysh në kohën e studimeve, ai paska ra në dashuri me ish studenten e
gjeneratës, Anilën. Propozimin e tij
Anila e kishte refuzuar, duke i dhënë një pikë të madhe këtij muhabeti. Por
përderisa për Anilën kjo punë kishte përfunduar qysh atëherë, për hetuesin e
ardhshëm ky ishte moment i freskët ende
po mendonte mënyra për zgjidhjen e tij.
Duke
i pasur parasysh fatet e jetës, Anila martohet me Astritin dhe krijon familje.
Mirëpo, më vonë, ngjarjet në roman zhvillohen në mënyrë dramatike. Puna shkon
deri aty sa i shoqi i Anilës merret ne pyetje nga hetuesia.
Dhe hetuesi qëllon mu ai djali që i kishte pas dështuar në dashuri me të
gjatë studimeve. Ai kishte fërkuar duart duke menduar se tani do të ishte koha
ideale për t’u hakmarrë dhe për ta poshtëruar atë. Gramozi, që në roman
del vazhdimisht me inicialet GD, urdhëron që Anila t’i shkonte edhe në
zyrë. Ajo shkon por me mençurinë dhe shkathtësinë e saj arrin t’i shmanget
egërsisë së tij, duke mos e lejuar t’i realizonte qëllimet e tij bizare.
Intensiteti
i ngjarjeve në roman nis të bie, e të merr kahje tjetër, pas vitit 1985, kur vdes diktatori Enver
Hoxha. Në këtë kohë po vërehej një lloj frymëmarrje më e lehtë e
popullit. Me pushtimin i ambasadave të
huaja, ikjeve masive të njerëzve jashtë
Shqipërisë, nisin të duken shkëndijat e para se demokracia nuk është larg për
shqiptarët. Ishe koha kur Shqipëria po fillonte të hapej edhe për të huajt. Shembull konkret ishte rasti i ardhjes së shumë gazetarëve të
huaj e në mes tyre, të gazetarit anglez Simon Clipi.
Ikjes
nga ferri komunist i bashkohet edhe
personazhi kryesor i romanit, Meri. Edhe
pse me zemër të thyer, edhe kjo do të gjendet në mesin e njerëzve
që i kishin pushtuar ambasadat dhe (më vonë) i kishin stërngarkuar
anijet. Duke e imagjinuar rrugën e pafund
edhe ajo po largohej nga familja. Në këtë trazim dilemash dhe
emocionesh, Merit, për çudi, po i
shfaqeshin disa xixa gëzimi. Dhe këto mornica gëzimi ishin për dy arsye
kryesore: e para, se po largohej nga një
regjim më antipopullori në botë dhe, e dyta se,
më në fund do të bashkohej me të
dashurin e saj Skënderin, të cilin për shkak të biografisë së tij nuk ishte e
mundur të qëndronte në Shqipëri, po i cili po e priste përtej detit në tokën
italiane.
Në
fund dua ta uroj Mirandën për këtë libër të bukur dhe i dëshiroj rrugë të suksesshme dhe të mbarë
në krijimtari edhe në të ardhmen.









