Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sami Islami: Teatri taragjik i jetës nën diktaturën komuniste

| E diele, 18.01.2026, 06:50 PM |


TEATRI TARAGJIK I JETËS NËN DIKTATURËN KOMUNISTE

Dy fjalë për romanin  me titull “Meri” të  autores Miranda Hanku

Nga Sami Islami

Ardhja e autores Miranda  Hankut (me këtë roman) tek publiku i gjerë lexues, tregon qartë guximin e një shkrimtareje të re për t’iu futur kësaj gjinie  letrare.  Dhe, duke i hyrë kësaj pune, duhet theksuar se edhe marrja në shqyrtim të   temës për jetën nën  diktaturë, qe zgjedhje e qëlluar.

Nëpërmjet rrugëtimit të  personazheve, e sidomos  të krye personazhit  të librit, pra të Merit, dalin në pah shumë të palara të sistemit: përgjimet, ndjekjet, persekutimet, arrestimet,  shantazhet etj. Dhe për çudi të gjitha këto hipokrizi regjimi komunist  po i bënte për ta justifikuar veten dhe të ashtuquajturën,  “lidhjen e fortë”  të partisë pushtet me popullin.

Romanin e përshkon fund e krye fati i njerëzve të thjeshtë, që ballafaqohen me situata të ndryshme. Këta njerëz jetojnë në një burg të madh, ku sigurimi i shtetit është i përhapur gjithandej. Kësaj  “dore të zgjatur” nuk mund t’i shpëtonte askush, as Meri e as gjithë familja e saj, bashkë me miq e farefis. Po kështu kësaj murtaje nuk i shpëtoi as gjyshi i Merit, të cilit shumë vjet më parë shteti ia kishte  konfiskuar gjithë pasurinë, të cilën ai e kishte fituar me punë e djersë.  Babai i Merit, Astriti dhe shoku i tij Fatosi,  po ashtu do të jenë në shënjestër të hetuesve. Astriti  si i dyshimtë për aktivitet kundër regjimit, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, si person që nuk donte të bëhej mashë e pushtetit  për të dëshmuar  rrejshëm për shokun dhe kolegun e tij të punës, Fatosin, i cili  akuzohej  si sabotator dhe agjent  rus.

Romani e ruan boshtin e narracionit nëpër mes të fatit të  Merit, motrës së saj, Ledias, si dhe nënës së tyre Anilës. Jeta e Merit në roman ka të ngjarë të jetë edhe jeta e vetë autores së romanit , Miranda Hankut, e cila,  në të njëjtën kohë është  edhe personifikim i fatit  jetësor të mijëra e mijërave vajzave të tjera nën regjimin diktatorial.

Demaskimin e sistemit të komunist në Shqipëri e plotëson edhe personazhi i hetuesit, i cili duke e keqpërdorur  pozitën e tij shtetërore, i  vë përpara interesat e tij personale. Vlen të përmendet rasti kur hetuesi i tashëm ishte i ri, qysh  në kohën e studimeve, ai  paska ra në dashuri me ish studenten e gjeneratës,  Anilën. Propozimin e tij Anila e kishte refuzuar, duke i dhënë një pikë të madhe këtij muhabeti. Por përderisa për Anilën kjo punë kishte përfunduar qysh atëherë, për hetuesin e ardhshëm ky ishte moment  i freskët ende po mendonte mënyra për zgjidhjen e tij.

Duke i pasur parasysh fatet e jetës, Anila martohet me Astritin dhe krijon familje. Mirëpo, më vonë, ngjarjet në roman zhvillohen në mënyrë dramatike. Puna shkon deri aty sa i shoqi i Anilës merret ne pyetje nga  hetuesia.  Dhe hetuesi qëllon mu ai djali që i kishte pas dështuar në dashuri me të gjatë studimeve. Ai kishte fërkuar duart duke menduar se tani do të ishte koha ideale për t’u hakmarrë dhe  për  ta poshtëruar atë. Gramozi, që në roman del  vazhdimisht me inicialet  GD, urdhëron që Anila t’i shkonte edhe në zyrë. Ajo shkon por me mençurinë dhe shkathtësinë e saj arrin t’i shmanget egërsisë së tij, duke mos e lejuar t’i realizonte qëllimet e tij bizare.

Intensiteti i ngjarjeve në roman nis të bie, e të merr kahje tjetër,  pas vitit 1985, kur vdes diktatori  Enver  Hoxha. Në këtë kohë po vërehej një lloj frymëmarrje më e lehtë e popullit. Me  pushtimin i ambasadave të huaja,  ikjeve masive të njerëzve jashtë Shqipërisë, nisin të duken shkëndijat e para se demokracia nuk është larg për shqiptarët. Ishe koha kur Shqipëria po fillonte të hapej edhe  për të huajt. Shembull konkret  ishte rasti i ardhjes së shumë gazetarëve të huaj e në mes tyre, të  gazetarit  anglez Simon Clipi.

Ikjes nga ferri komunist  i bashkohet edhe personazhi kryesor i romanit,  Meri. Edhe pse me zemër të thyer, edhe kjo do të gjendet në mesin  e njerëzve  që i kishin pushtuar ambasadat dhe (më vonë) i kishin stërngarkuar anijet. Duke e imagjinuar rrugën e pafund  edhe ajo po largohej nga familja. Në këtë trazim dilemash dhe emocionesh, Merit, për çudi,  po i shfaqeshin disa xixa gëzimi. Dhe këto mornica gëzimi ishin për dy arsye kryesore:  e para, se po largohej nga një regjim më antipopullori në botë dhe, e dyta se,  më në fund  do të bashkohej me të dashurin e saj Skënderin, të cilin për shkak të biografisë së tij nuk ishte e mundur të qëndronte në Shqipëri, po i cili po e priste përtej detit në tokën italiane.

Në fund dua ta uroj Mirandën për këtë libër të bukur dhe  i dëshiroj rrugë të suksesshme dhe të mbarë në krijimtari  edhe në të ardhmen.