E shtune, 17.01.2026, 07:49 PM (GMT)

Intervista » Marku

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin, piktorin dhe publicistin Fritz Radovani

E shtune, 17.01.2026, 04:00 PM


INTERVISTË ME SHKRIMTARIN, PIKTORIN DHE PUBLICISTIN FRITZ RADOVANI

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Fritz Kolë Radovani ka lindur më 6 janar 1940 në Shkodër, Shqipëri. Është biri i Kol Radovanit, oficer policie, dhe i Viktore (Prennushi) Radovani, shtëpiake. Ka pasur dy vëllezër më të mëdhenj, Alfonsin dhe Toninin, të cilët sot nuk jetojnë.

Më 13 tetor 1943, gjatë bombardimit të Tiranës nga aviacioni anglez, ku humbën jetën 503 persona, u vra edhe i ati, Kol Radovani. Ai u varros të nesërmen në varrezat familjare në Shkodër. Pas kësaj ngjarjeje, familja u vendos përfundimisht në Shkodër. Megjithëse Kol Radovani ishte oficer policie, familjes nuk iu njoh kurrë e drejta e pensionit.

Në vitin 1950, vëllai i madh, Alfons Radovani, maturant në atë kohë, u arrestua dhe u dënua me 8 vjet burg politik. Po atë vit, vëllai i dytë, Tonin Radovani, u përjashtua nga gjimnazi, ndonëse ishte nxënës i shkëlqyer. Ai më pas punoi gjithë jetën si argjendar në kooperativën metalike deri në vdekje. Alfons Radovani u dënua për herë të dytë në vitin 1967, këtë herë me 10 vjet të tjera burg politik.

Federik Radovani kreu Shkollën Pedagogjike në Shkodër dhe u emërua dizenjator në Kabinetin Metodik të Shkodrës, ku punoi deri në vitin 1974. Më pas shërbeu për dy vjet si mësues. Në vitin 1975, me emërim të z. Bilal Parruca, filloi punë si dizenjator në Fabrikën e Mendafshit në Shkodër, ku punoi deri në daljen në pension në vitin 1992. Në këtë periudhë ishte edhe anëtar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura. Gjatë gjithë jetës së tij nuk ka qenë asnjëherë anëtar apo aktivist i ndonjë partie politike.

Në dhjetor 1999, më datë 6, emigroi në Australi, fillimisht me dokumente si kosovar. Në vitin 2005, fitoi të drejtën për t’u pajisur me dokumente të rregullta australiane. Në të njëjtën periudhë iu dha e drejta të ribashkohej me fëmijët e tij, djalin Euzebio dhe vajzën Jakuelina, të cilët jetojnë edhe sot në Melbourne. Ai dhe bashkëshortja e tij përfitojnë pension të rregullt.

Në Australi, aktiviteti i tij shoqëror është përqendruar kryesisht në Shoqërinë Katolike të Melbournit, ku ka bashkëpunuar ngushtë me kryetarin e ndjerë Lekë Ndreka. Ka ruajtur miqësi të ngushtë edhe me të ndjerët Zeqir Lushaj dhe Pjetër Gjonin, të cilët i kujton me respekt të veçantë si miq dhe bashkëpunëtorë.

Arsyeja kryesore e largimit nga Shqipëria ka qenë biografia familjare dhe persekutimi politik, përfshirë faktin që tre dajë të tij, Don Kolec Prennushi, Paulin Prennushi dhe Mikel Prennushi, kanë qenë të burgosur politikë, ndërsa At Mati Prennushi, xhaxhai i nënës së tij, është pushkatuar në Shkodër më 11 mars 1948, për shkak të shërbimit të tij si klerik katolik.

Këto rrethana e shtynë Federik Radovanin të studiojë dhe të shkruajë mbi persekutimin në Shkodër dhe historinë kombëtare shqiptare. Pas vitit 2002, ai ka botuar disa libra, ndër të cilët: “Një Monument nën Dhé”, “At Pjetër Mëshkalla”, “Statuti i Vitit 1951”, “Vegim”, “BSPSH Shkodër”, “Flamuri i Gjergj Kastriotit në Shqipni”, “Rilindja Kombëtare”, “Tradhtarët e Atdheut”, etj.

Gjithashtu, ai ka botuar artikuj historikë dhe përkujtimorë mbi figura të nderuara të historisë shqiptare në organe të ndryshme mediatike jashtë Shqipërisë, si “Zemra Shqiptare”, VOAL”, “Albspirit” e të tjera. Të gjitha shkrimet dhe materialet e tij kanë karakter thjesht atdhetar.

***

Në këtë intervistë ekskluzive për Zemra Shqiptare, kemi nderin të dialogojmë me një prej dëshmitarëve më të veçantë të historisë shqiptare të shekullit XX. Jeta e tij është e lidhur ngushtë me fatkeqësitë dhe sfidat e kohës, duke nisur nga humbja tragjike e babait në moshë të vogël e deri te persekutimi i vazhdueshëm i familjarëve të tij nga regjimi komunist.

Përmes rrëfimit të tij, zbulojmë jo vetëm vuajtjet personale e familjare, por edhe rezistencën e një qytetari që u rrit mes pasigurisë, shtypjes dhe censurës ideologjike. Ai na sjell kujtime prekëse nga Shkodra e fëmijërisë, periudha e përndjekjeve të egra, sfidat në arsim e punë, si dhe momentet vendimtare të angazhimit të tij në lëvizjen sindikale dhe antikomuniste gjatë viteve të tranzicionit.

Intervista eksploron gjithashtu pasionet e tij artistike dhe krijuese, të cilat e shoqëruan gjatë gjithë jetës, si dhe mendimet e tij mbi Shqipërinë e sotme, sfidat e komunitetit shqiptar në diasporë dhe aspiratën e përhershme për bashkim kombëtar.

Ky rrëfim është një udhëtim emocional dhe historik; një pasqyrë e qartë e një jete të përkushtuar për të mbajtur gjallë kujtesën, vlerat dhe identitetin shqiptar, pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme.

***

GM: Keni lindur në Shkodër më 6 janar 1940, dhe tragjikisht, më 13 tetor 1943 humbët babanë tuaj. A mund të ndani me ne kujtimet ose ndjenjat tuaja lidhur me këtë humbje të dhimbshme?

FR: Po, jam le mu në shtëpinë ku jam edhe rritë nga prindët Kolë e Viktore  Radovani. Në vitin 1943 baba ishte drejtor i policisë shqiptare në Tiranë. Kemi banue në rrugen e Kavajës, në një rrugicë që ngjarjet e vitit 1943 kur unë ishe tri vjeç më ishin tiposë aq fort në kujtesë, sa në vitin 1962, tue ecë me Prof. Vladimir Janin nga Kisha e Jezuitëve, i kam thanë: “Profesor, do të ndalohemi për një çast se më duket kjo asht rruga kur në vitin 1943, me 13 Tetor asht bombardue Tirana nga Aleatet, në Luften e Dytë Botnore, këtu duhet të jenë shtëpia që kemi banue dhe më asht vra baba!” Ai u çudit sesi kishte mundësi me kujtue unë rrugucën mbas gati 20 vjetesh, dhe menjëherë posa kemi hy i kam thanë: “Po, kjo asht rrugica dhe kjo asht shtëpija!”…Trokita në derë dhe doli një grue e moshueme. Unë i shpjegova se në vitin 1943 këtu më asht vra baba nga bombardimi dhe, prej asaj ditë unë nuk e kam pa ma kurrë ketë shtëpi, nga e cila kam kujtimin ma të dhimbshëm si fëmijë, mbasi ishim vetem me nanën dhe një ushtarë që ishte roje e babës, që quhej Hasan po që edhe ai atë ditë asht plagosë.

Ajo na ftoi mbrendë dhe posa hyna në deren e shtëpisë, u ndalova në korridor ku kishte ngja vrasja nga një skeqe e një bombes që goditi baben në anen e djathtë të ballit dhe ai ra përtokë, aty u mbulue rreth trupit me gjak…unë kujtoj vetem thirrjen teme “Babë çou!”, por shpjegimet e vdekjes mi ka thanë nana sa vite ma vonë…Kujtoj një prift që ka ardhë i pari dhe asht ulë pranë babës me njenin gju në pellgun e gjakut dhe i tha dishka…Ai ishte kenë At Pjeter Mëshkalla që posa ka marrë vesht ka ardhë dhe i ka ba Shartet e vdekjes…dhe ka vazhdue me shkue ndër shtëpijat tjera edhe pse bombet vazhdonin me ra mbi kokat tona. Ne u nisem për Shkoder atë natë me axhen e nanës, At Mati Prennushin që ishte me sherbim fetar në Tiranë dhe dajen tem Paulin Prennushin, që ishte sekretar i z. Kolë Bibë Mirakaj. Kujtoj se kemi ardhë natën në Shkoder dhe të nesermen Baba asht vorrosë me një ceremoni të madhe në Rëmaji. Për shumë kohë nana edhe Kryqin e ka lanë pa emen tek vorri, se kishte frikë se mos ia prishin vorrin komunistët…ashtu, si kanë veprue me të tjerë.

GM: Humbja e babait ka lënë një boshllëk të përhershëm në jetën tuaj. Kur ktheheni mbrapa te fëmijëria, si e përjetoni atë periudhë – cilat kujtime dhe ndjenja shfaqen më fuqishëm brenda jush?

FR: Pershtypja e atij gjaku që rrethonte Baben, më ka mbetë per shumë vite, sa kur shihshe gjak deri në moshen 16 – 17 vjeç  mue më binte të fikët. Në vitin 1944 kur kanë “hy këta” siç thonte gjithë Populli për komunistët, kam shkue dhe kam jetue tek daja i em Don Kolec Prennushi, ku ishte edhe gjyshja Nana Nine dhe tezja Rozë, të cilat më kanë rritë atje në fshatin Dajç të Bregut të Bunës, deri në vitin 1949 kur erdha në Shkoder, me vazhdue shkollen shtatëvjeçare. Kujtoj frikën nga “partixhanët” siç i quente gjyshja, me 29 nandor 1944, kur erdhën me kontrollue qelen e dajës…dhe, frikën e madhe kur hypën në hatlla me shikue mos kemi kend të  mëshefun…

GM: Në vitin 1945, sapo po hapej një kapitull tjetër i errët i historisë së kombit tonë, dy dajat tuaj, Paulin dhe Mikel Prennushi, u arrestuan. A mund të na tregoni me çfarë motivi ndodhi kjo dhe si e përjetuat atë periudhë të vështirë?

FR: Nana me dy vëllaznit e mi ma të mëdhaj jetonte në  Shkoder. Di se, mbas vitit 1944, pra mbasi kanë “hy këta”, komunistët nuk na kanë pague asnjë ditë pension për vrasjen e Babës, edhe pse “Ai ishte viktimë e luftës”…Nana asnjëherë nuk na ka tregue se Ajo ishte thirrë në vitin 1945 nga një komision që plotsonte dokumenta për viktimat e luftës në komitetin ekz. të Shkodres, por Ajo i kishte thanë: “Unë nuk kerkoj pension nga ju, mbasi kam frikë se çohet Kola prej vorrit dhe më pështynë që kam kerkue me marrë pensionin e tij nga komunistat!” “ Këte e mësova nga një mik i emi në vitin 1992 kur më tregoi dokumentin që ruhej në arkivin e komitetit ekzekutiv, mbasi i kishte mbetë në krye “guximi i Nanës seme”…Gjithnjë kujtoj gjyshen tue kja kur i vinin lajmet nga Shkodra për arrestimet e djelmëve të saj, vetem se kanë kenë oficera si Mikeli ashtu edhe Paulini, ndonse atëherë Mikeli u lirue mbas dy tre muejsh për me u arrestue prap në vitin 1952 dhe me u denue 10 vjet për agjitacion e propagandë “neni i arrestimeve në masë” ndersa, Paulini në 1945 u dënue 5 vjet burg dhe mbasi i ka krye…mbet pa punë deri në vitin 1956 që u interrnue në Kuç të Vlonës, prej ku asht lirue mbas 5 vjetësh…Arrestimet e tyne u shoqnonin me disa kontrollle të shtëpisë nga forcat e sigurimit, që hapnin edhe leshin e dyshekve mes dhomës… dhe kontrollonin çdo skutë në shtëpi.

Nana shkonte e vinte tek dyertë e burgjeve me sofratasa e ndrresa të palame…E kur unë vijshe me pa Nanën në Shkoder, më merrte përdore me pa surretnit e Dulaq Lekiqit e Elez Mesit…!

GM: Një vit më vonë, u arrestua At Mati Prennushi, axha i nënës tuaj. A mund të na shpjegoni cilat shfajësime u përdorën për të justifikuar këtë arrestim?

FR: Arrestimi i At Matisë pritej nga Ai dhe të tjerët. Ai nuk ka pranue asnjëherë dhunuesit dhe heshtjen ndaj diktatorëve. Njëqind vjet ma parë ishte përkrah Dedë Gjo’ Lulit në Deçiq. Në 1913 u kap nga malazezët dhe gati përfundoi në litar mos t’ ishte At Gjergj Fishta. Në 1912 asht në Gerçë. Në 1924 asht pranë Opozitës, Në 1926 asht me Malësorët e Veriut kundër Ahmet Zogut. Nderhynë tek Zogu dhe e shpeton nga vdekja miku i Tij At Pal Dodaj. Nuk pajtohet me okupacionin italian dhe nuk e ka nënshkrue aktin e pranimit të qeverisë së tyne në 1939. Në kohën e gjermanëve nderhynë vetë si njohës i mirë i gjuhës gjermane dhe shpeton disa partizan nga pushkatimi, të cilët si “shpërblim” e pushkatuen në vitin 1948. Në 1945 asht takue me Sheuqet Peçin dhe Mehmet Shehun dhe i ka kundershtue çdo fjalë që çonte në shkëputje të Kishës Katolike Shqiptare  nga Vatikani, rrugë e cila do të këthente fëtyren e Shtetit Shqiptar nga lindja, tue shkatrrue të gjitha përpjekjet e Shqiptarëve me kenë pjesë e pandame e Europës së qytetnueme, vepra të cilat Kleri i kishte fillue para datës 28 Nandor 1912 me Don Nikollë Kaçorrin e pasue me Imzot Mjedjen, Serreqin, Bumçin. Doçin e gjithnjë deri me 29 Nandor 1944, kur asht At Anton Harapi që ka nderhy si Rregjent i Shtetit Shqiptar me u lidhë me Aleatët e Luftës së Dytë Botnore, dëshmi të cilën e dij nga i ndjeri Rregjent i asaj kohë Cafo Beg Ulqini. Arrestimi i At Matisë lidhet me “legjendat” e sigurimit të shtetit, që futi armët ndër kisha dhe pushkatoi me datën 11 Mars 1948, mbas 16 – 17 mujesh hetuesi, pa gjyq publik por të mbyllun At Matinë, At Çiprian Nikën, Imzot Frano Gjinin që ishte Rregjent i Delegacionit Apostolik të Vatikanit në Shqipni dhe Imzot Nikoll Dedën, se gjoja edhe këta kishin armë ndër kisha e qelat e tyne.

GM: Në vitin 1948, u arrestua daja juaj, Don Kolec Prennushi, një tjetër klerik i njohur dhe figurë e respektuar. Si do ta përshkruanit jetën dhe veprimtarinë e tij?

FR: Po, bash natën e Shën Kollit, që kishte miq për emen. Don Koleci ishte nipi i At Matisë, por edhe Ky jo vetëm që nuk pranonte kompromis me komunista por edhe i kishte shpreh mendimet e veta që në 1931, posa komunizmit filloi me i ardhë era e qelbun e tij edhe në Shqipni. Në vitin 1949 – 50 asht kundërshtar i haptë i shtetit komunist që kerkonte nënshkrimin e “Statutit të Kishës Katolike Shqiptare” dhe asht Kleriku që paraqiti arësyet fetare dhe Atdhetare në mbledhjet e zhvillueme për këte çeshtje në Argjipeshkvi, argumente që i mbrojti me bindje mbasi nuk pranonte asnjë lidhje as formale me Lindjen komuniste. Mbas 11 mujsh tortura, u pat lirue gjoja “për mungesë provash” dhe me 2 korrik 1950 vdiq nga zemra, pra mbas 8 muejsh që sigurimi e nisi me vdekë në shtëpi.

GM: Në vitin 1950, është arrestuar dhe dënuar vëllai juaj, Alfonsi. A mund të na tregoni si ndodhi arrestimi i tij, përse u dënua dhe sa ishte dënimi?

FR: Posa krimineli Hilmi Seiti erdhi në Shkoder, hodhi sytë e tij prej imorali nga Rinia e Shkodres. Solli ma shumë se 100 konviktor nga Jugu si spijun me shue Lëvizjet antikomuniste që kishin marrë hov e nuk pushonin me trakte e veprime tjera kundër okupacionit komunist.

Një nga antikomunistët e pathyeshem ishte Bardhosh Dani, i cili kryesonte grupin e formuem në gjimnazin e Shkodres, ku merrte pjesë edhe vëllau i em Alfonsi. Grupi ka arritë me pasë 120 anëtarë dhe pjesa dermuese studenta të Gjimnazit.  Mbas vrasjes së Herojve Bardhosh Dani, Mark Cacaj dhe Brahim Dergutit, në shtëpinë tonë asht mbledhë një grup dhe kanë mendue me riorganizue veprimtarinë antikomuniste. I ngarkuemi i sigurimit Kasem Troshani, arrinë me futë në kthetra të sigurimit studentët Pjerin Vata dhe Njazi Uruçi, të cilët i arreston dhe i liron mbas tri ditësh. Mbas dy ditësh që i liron i arreston prap me grupin e denoncuem prej tyne, kështu me 10 maji 1950, rreth orës 22.00 të darkës arrestohet Alfonsi dhe 9 shokë të tjerë, të cilët mbas tre muej hetuesi dënohen me shumë vite burg. Alfonsi u dënue 8 vjet dhe bani 4 ndër kampet e shfarosjes nga Myzeqeja.

GM: Në vitin 1956, pasi përfunduat Shkollën e Mesme Pedagogjike, u emëruat mësues në fshatin Macukull të Burrelit. Cila ishte arsyeja që nuk shkuat atje?

FR: E vetmja shkollë që kishe të drejtë me ndjekë ishte shkolla pedagogjike, që pregatiste vetem njerëz me u tretë malesh e fshatrash ku ishin ma të humbunat e Shqipnisë. Mue më doli emnimi kur perfundova shkollën në Macukull të Burrelit. Nana nuk më la me shkue se atje kishte punue Baba kur ishte qarkkomandant në Burrel. Komunistët e ndjekun prej tij ishin gjallë. Unë duhet thanë “për fat” u sëmura dhe me një raport nga i Ndjeri Dr. Dhimiter Lito, i cili u lidh me mësuesit e mij z. Gani Daiu nga Elbasani dhe  Dedë Shala nga Shkodra, nderhyne tek shefi arësimit Nuri Çaushi edhe ky nga Elbasani dhe kështu u emnova si disenjator në kabinetin metodik, punë jo shumë e preferueme nga piktorët se rroga mujore ishte 3500 lekë të vjetra, kur një mësues merrte 5000 lekë minimumi.

GM: Pas kthimit në Shkodër, keni punuar në Kabinetin Pedagogjik dhe më vonë si mësues në lagjen Liria. Cilat janë disa nga kujtimet tuaja më të veçanta nga ajo periudhë?

FR: Mbas gati 4 vjetësh nga tetori 1956 e deri në prill të 1960 që kam punue në kabinetin metodik, më ra “shkurtim” kuadri. Vetem tre muej ishe në dispozicion dhe në shtator të 1960 u emnova mësues në lagjen “Liria”, shkollë fillore për mësues që nuk duheshin me u pa tue u sjellë në shkollat e qytetit… ajo ishte në lagjen e njohtun të “magjypve”…

Më ka pasë pyet një nëpunës i komitetit ekzekutiv të Shkodres: “Si po kalon me rracen e zezë!..” dhe, unë iu përgjigja: “Janë me fëtyra të zeza por shpirtin e kanë ma të bardhë se ata që kanë fëtyren e bardhë…e punojnë në ndertesa ma të bukra se ajo ku jam unë!...” Ruej kujtime të bukra dhe shumë domethanëse të periudhës së “revolucionit Kultural” të 1967, kohë në të cilen u provue edhe guri…

GM: Në vitin 1965 përfunduat Liceun Artistik me korespondencë në Tiranë. Pse nuk ju është dhënë e drejta për të vazhduar studimet e larta?

FR: Liceu Artistik ishte shkollë  e mesme, kur Akademia e Arteve (Istituti i lartë në Tiranë) nxirte kuadro përditë. Ishte kambngulja e Prof. Vladimir Janit që na dhuroi atë mundësi që pothuej nuk kishte asnjë vlerë, por ma vonë edhe pse nuk njihej si shkallë e shkollës së lartë, ne na ka ndihmue shumë, flas për “ne” që ishim të deklasuem e nuk kishim të drejtë me ndjekë asnjë shkollë të lartë. “Lufta e kllasave” ishte në kulmin e saj edhe para e mbas vitit 1967...Shkollat e larta për “ne” ishin gjithnjë të mbylluna. U lejohej pak kujt me ndonjë përjashtim ose “mik” të fortë.

GM: Vëllai juaj i madh, Alfonsi, u arrestua dhe dënua përsëri në vitin 1967. A mund të na tregoni pse ndodhi kjo?

FR: “Revolucioni Kultural” që drejtohej nga vetë krimineli Ramiz Alia në Shkoder, filloi me Klerin dhe vazhdoi me çdo Shqiptar që besonte në Zotin. Nga burgu i parë vëllau kishte mbetë pa ia pague borxhin e Babës komunistave, të cilët në 1967 jo vetëm shpikën se “Kol Radovani asht vra me atentat në Tiranë”...por lidhin vëllaun me klerin në një grup ku nuk njihte gjysen e tyne, dhe shkojnë deri aty sa “në vitin 1967 hetuesit Elham Gjika dhe Dhimiter Shkodrani, shkojnë në Gjendje Civile të Shkodres dhe shkyjnë fleten e rregjistrit themelor ku me datën 14 Tetor 1943, kur asht shenue vdekja e Babës aty, asht shkrue edhe se “arësyeja e vdekjes asht nga bombardimi i Kryeqytetit Tirana, me datën 13 Tetor 1943, ora 13...” Në gjyq prokurori Faik Minarolli e pyeti Alfonsin: “Ti a beson në Zotin?” dhe ky, iu përgjigj “PO”...E prokurori vazhdoi: “Ja pra ke kemi para trupit gjykues, djalin e një krimineli që kemi vra me atentat dhe vazhdon rrugen e babait të tij, me sabotue revolucionin që po zhvillon populli shqiptar....duke shpallur këtu se beson edhe Zotin...” Për këte u dënue 10 vjet burg dhe i kaloi në kampet e Vlonës dhe të Spaçit...deri në vitin 1977.

GM: Po ju, çfarë ndodhi në ato kohë dhe si e përjetuat këtë periudhë të vështirë, të mbushur me pasiguri?

FR: Sekretari i partisë së shkollës “Liria” ku ishe unë, më kerkoi me demaskue vëllaun në një mbledhje të këshillit pedagogjik. Unë nuk pranova me shpjegimin se unë nuk di gja çka ka ba as Baba as vëllau.  Një spijun Angjelin Kumrija, kur kontrollon dhomen e Don Mark Hasit, aty gjenë një foto që unë kishe ba kur ishe 13 vjeç (1953) me Don Markun që atëherë banonte tek na. E çon foton në komitetin e partisë dhe ia jep Xhemal Dinit, tue i thanë: “Shifni ke mbani në rradhët e arësimit..!”

Xhemali, vjen në shtëpinë e kulturës ku po pregatitej një ekspozitë për 7 Marsin dhe ishe edhe unë. Aty më kerkoi me shkrue një artikull sesi kleri ka përvetsue veprat e artit të piktorit Kol Idromeno. Unë i thashë se nuk kam fakte, ai më tha ti shkrueje se faktet ti japim na. Unë nuk pranova me shkrue për dishka që jo vetem nuk e dijshe por, as nuk e besojshe... Mbas pak ditësh më trasferuen në fshatin Kosmaç. Aty drejtori Bahri Dibra dhe Fehmi Lohja u munduen me më kurdisë se tregoi barceleta me karakter kunder pushtetit. Mesuesit Feti Zekja, Fatbardha Seferi, Lili Kodheli, Nail Rroji jo vetëm më mbrojtën por edhe më shpetuen nga një kurthë shumë e rrezikshme e sigurimit. Mbas pak ditësh jam thirrë nga Kryetari i komitetit Bilal Parruca, i cili më tha: “Ti Fritz je edhe piktor, kemi nevojë me të çue në tisazh, prandej qyshë neser ke me fillue punën aty.” Nenkuptohej “Shko e mos ban za, se po të gjenë ndonjë e keqe me vazhdue me kenë mësues…” Bilali e mori këte vendim por të vertetën e kam mësue prej tij në vitin 1994: “Kam veprue ashtu se shigjetat kunder teje ishin të fanatikëve që u mundonin me të shkatrrue jeten pa asnjë shkak, vetem si piktor i aftë që ishe por, tue të lidhë me pohimin e vëllaut në gjyq që pat thanë se besoj në Zotin! Kjo nuk më ka pelqye me ndodhë  edhe me ty. Në punen teme si kryetar komiteti jam mundue mos me perkrah kurrë fanatizmin e fanatikët!”

Kjo asht një e vertetë që nuk e kam mohue kurrë.

GM: Në vitin 1969 u larguat përfundimisht nga arsimi. Ishte kjo një zgjedhje e juaja, apo kishte ndonjë arsye tjetër pas saj?

FR: Puna si piktor për mue ishte e pelqyeshme, por piktoret tjerë nuk e preferonin se kishte  një ngarkesë me 8 orë punë në ditë, 15 ditë pushim, prodhimi nuk i lejonte me marrë leje krijimtarije dhe rroga ishte prap minimale rreth 5.400 lekë të vjetra, ndersa si mësues rroga e mësuesve të vizatimit kalonte 6500 dhe kishte edhe muejt e pushimit përveç privilegjeve tjera... leje krijimtarije etj. që unë nuk i kam pasë kurrë, mbasi nuk ishte anëtar i Lidhjes së Artistëve. Arësyeja vetkuptohet.

GM: Cila ishte rruga tjetër që ndoqët dhe ku u punësuat më pas?

FR: Posa shkova ditën e parë në fabrikë, kryeingjenjeria Liri Ymeri, më tha se nuk ishte dakord se mesa dinte ajo, unë jam i paaftë dhe me biografi jo të mirë, mbasi “të kujtoj kur ishe në pedagogjike dhe atëherë aty ju ishit të gjithë me biografi të keqe!”... Por nderhyni Bilal Parruca dhe fillova punën. Pa fillue mirë filluen edhe “fletë rrufetë” dhe mbledhjet e kolektivit...e pa fund.

Nga viti 1969 e deri në 1990 kur u ba drejtoreshë Liri Ymeri, dy herë ka “shkurtue” organiken me qellim largimi nga puna dhe dy herë më ka pushue nga puna pa shkak “se due me marrë kuader të lartë”...njëherë më ka rikthye Hantije Çela, ish nxanëse e emja vetem dy muej kur ishe në dispozicion, njëherë prap Bilal Parruca, kur ishte zv. minister i Industrisë së Lehtë, njëherë Eleni Pashko, ministre e Industrisë dhe heren e fundit Vito Kapo, ministre e Industrisë. Për dy rastet e fundit mësova nga Gramoz Pashko në vitin 1991, se si Eleni Pashko si Vito Kapo kishin kuptue nga drejtoresha Liri Ymeri se “largimi i em lidhej me fanatizmin ekstrem të Liri Ymerit, si antikatolike e njohtun të cilin ajo e mëshefte nën ‘luftën e kllasava”.

GM: Në periudhën e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri, në vitin 1991, u zgjodhët Kryetar i Sindikatës së Fabrikës së Pëlhurave të Shkodrës. Çfarë mund të ndani me ne nga kjo përvojë?

Periudha e Bashkimit te Sindikatave te Pavaruna asht e lavddishmja!

FR: Ngjarjet e vitit 1989 dhe Muri i Berlinit, sollen ndryshime të paimagjinueshme aqsa të paprituna për ne, që ishim të zhytun në llumin e komunizmit pa shpresë me pa Lirinë. Aq edhe e papritun asht kenë zgjedhja eme si Kryetar i Sindikates së Fabrikës së Pelhurave në vitin 1991. Rolin kryesor në ato zgjedhje e ka luejtë atëherë elektriçisti i fabrikës Xhemal Uruçi. Sigurisht punëtorët me donin dhe me respektonin fort aqsa zgjedhja eme më vuni para detyrimeve të mëdha, për të cilat nuk jam kursye në asnjë rrethanë me ua shperblye nderimin e tyne të madh për mue. Kjo lidhet edhe me praninë teme mes tyne, mbasi unë ishe ndër të paktit që nuk u lejojshe me kenë në administratë.

Kujtoj kur u zgjodha një punëtore stampimi  e quejtun Albina Mëshkalla thirri: “Rroftë Lekë Valeza!” Ishte nje kohe e lavdishme!

GM: Në të njëjtin vit (1991) u zgjodhët edhe anëtar i Kryesisë së BSPSh-së (Bashkimi i Sindikatave të Pavarura Shqiptare) në Shkodër. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?

FR: Po në janar kam marrë pjesë që në mbledhjen e parë posa u krijue BSPSH në Uzinen Mekanike nga Ferdinand Temali dhe Arben Borshi, të dy ishin punëtorë të pushuem nga puna...për këte veper. Kur u zgjodh Kryesia e perbame nga 13 vetë u zgjodha edhe unë. Mu caktue sektori i propagandes dhe lidhjet me besimet në Shkoder. Mbas datës 2 Prill 1991 jam caktue edhe perfaqsues i BSPSH me ndjekë çeshtjen e vrasjeve të 2 Prillit. Këto detyra ishin shumë të rendsishme, por sukseset e BSPSH janë arritë në saje të mirkuptimit dhe bashkveprimit tonë, tue u drejtue nga një djalë trim, guximtarë dhe i pjekun para kohe, që në çdo veprim asht tregue i matun dhe i çilter me të gjithë bashkpunëtoret, tue qendrue në ballin e luftës çdo minut me rrezik jete. Perkushtimi i Tij, ishte nxitje për të gjithë ne tjerët. Gjithashtu në Fabrikë anëtarët e Kryesisë më kanë ndihmue jashta maset.

GM: Cilat do të konsideroni si kontributet tuaja kryesore në lëvizjen kundër qeverisë komuniste të Ramiz Alisë dhe në përhapjen e ideve kundër komunizmit?

FR: Mbledhjet tona ishin të shkurta, po çdo vendim donte kohë edhe ma të shkurtë. Ajo që nuk na lente me u zgjatë ishte turma e Rinisë dhe e qytetarëve të nderuem të Shkodres, që na ndiqte çdo minut. Nuk kishte snajper, tytë mitralozi apo autoblindë që mund të zmbrapte hovin e Popullit Shkodres për përmbysjen e diktaturës komuniste. Se si vepronte kjo Rini e këta qytetarë unë do të tregoj një rasë që më ka ngja mue. Në darkë më ka shoqnue deri në shtëpi, gjithnjë Ferdinandi se kishte edhe Ai shtëpinë nga unë. Filloi me na ra në sy një djalë që na ndiqte mbrapa rreth 10 – 15 ml... me duer ndër xhepa. Një natë ishe vetem. Edhe Ai mbas meje. Ishte natë me hanë rreth orës 22 e darkës. Pak pa mërritë tek shtëpia eme vendosa me e ndalue dhe me e pyet shka kerkon që vjen mbas meje...dhe ashtu veprova, ndonse në rrugë nuk kishte asnjë njeri veç nesh, unë dhe Ai, u këtheva dhe e prita, posa u afrue e pyeta...Ai nuk priti fare që me mbarue unë fjalën, por zbërthej një bluzë pune, vuni dorën në një revolver që kishte në bel dhe, më tha: “Ndigjo Fritz Radovani, spijunët e sigurimit nuk të ndrrojnë as për mish dashi, prandej unë vij mbas teje dhe kush të guxojnë me tu afrue, ma parë do ti numrohen këta shtatë fishekë ballit, mandej po mbet gjallë, unë jam Xh Xh (nuk mendoj me e publikue emnin se nuk e di ku ndodhet tashti) ti nuk më njeh por unë do të vdes me ty...se, lufta yte asht ideali i të parëve tonë, e po kje nevoja unë nuk do të kursej jeten teme me të shpetue ty nga rreziku i komunistave...” Atëherë, cili duhet t’ ishte qendrimi ynë kur një djalë i ri musliman më ruente koken pa e pasë pa kurrë  ma përpara Atë djalë trim!?

GM: Cilët ishin disa nga personazhet kryesore të Shkodrës që, sipas jush, luajtën një rol të rëndësishëm në rrëzimin e sistemit komunist?

FR: Shkodra ka pasë edhe ka trima. Revoltat fillojnë vetem nga Trimat që nuk njohin vdekje për Atdhe! Ngjarjet fillojnë në Janarin e 1990 me Rin Monajken, Gjergj Livadhin e Dedë Kasnecin...por, i pari që ngriti Flamurin e Demokracisë në Shqipni ishte Don Simon Jubani. Vrasja e djalit Pllumb Pllumbaj dhe mbas pak ditësh rrëzimi i turpëshem i bustit Enver Hoxhës, tue u “lagë” ashtu si e ka meritue, në 13 dhetor para Prefekturës së Shkodres, formimi i BSPSH në janarin e 1991 në Shkoder, i kanë paraprijë të gjitha ngjarjeve të lavdishme dhe poaq tragjike që sollën demokracinë në Shqipni. Roli që ka luejtë në këto ngjarje BSPSH dhe Kryetari i Saj Ferdinand Temali, i pasuem nga gjithë Kryesia dhe aktivistët Arben Broci, Qazim Lika dhe Rinia e Populli i Shkodres, janë faktori vendimtar që kanë krye amanetin e Luigj Gurakuqit me Opoziten e vitit 1924...lanë të shkrueme prej Tyne me gjakun e vet të paster dhe të kulluem.

GM: Si do ta përshkruanit shkurtimisht Shqipërinë komuniste të viteve 1944–1992?

FR: Komunizmi asht i pari sistem terrorist në botë që ka inaugurue terrorin në masë si mjet qeverisës. Shqipnia asht vendi që ka provue ma keq se kushdo tjetër këte fakt historik për 65 vjet... dhe vazhdon edhe sot me kenë nën këte terror komunist.

Nëse, ky veprim nuk do të vehet në bankat e një drejtësie nderkombëtare, tue u çveshë i pari krimineli Enver Hoxha e mbas tij Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha dhe pasuesit e tyne, nga dekoratat dhe privilegjet që vazhdojnë me i gëzue edhe sot këta tradhëtarë të Atdheut dhe të Popullit Shqiptar, “demokracia, paqa dhe mirkuptimi mes vllazenve shqiptarë”, ndër të gjitha Trojet tona asht aq larg sa larg jam edhe unë nga Shqipnia, Atdheu i dashtun i emi!

GM: Mund të ndani me ne disa kujtime nga periudha e shkollimit në Shkodër? Sa e fuqishme ishte propaganda ideologjike komuniste në shkollat e atyre viteve?

FR: Propaganga ishte primare e mbas saj vinte edukata dhe qendrimi i nje nxanesi cilido  t’ jshte ai. Sigurisht femijte e komunistave gjithnje ishin te ptivilrgjuem, ndersa te deklasuemit vazhdonin me luften e klasave. Ajo lufte nuk ju ndante gjithe jeten e shpesh vdekja ishte pasoje e saj.

GM: Jeni autor i disa librave të rëndësishëm. Mund të na tregoni çfarë ju frymëzoi të shkruanit këto vepra, si u zhvillua procesi juaj krijues dhe si do t’i përshkruanit përmbajtësisht, duke na treguar gjithashtu mesazhin dhe idetë kryesore që dëshironi të transmetoni për secilën prej tyre?

FR: Frymzimi kryesor ndër librat e mij ishte kryesisht “ramja e Murit të Berlinit” dhe perdes së komunizmit në shtetet Europjane. Ndërsa në Shqipni nuk ishte ma egërsia e “luftës së klasave” ashtusi përpara. Vetë zgjedhja ime Kryetar i BSPSH në fabrikën e mendafshit tregonte se jemi para ndryshimeve rrajsore. Gjithshka e vërtetonin faktet! Liria e fjalës dhe e mendimit solli ndryshimet e mëdha që përmbysën komunizmin ekstrem në të gjitha Demokracitë Popullore Europjane. E në Shqipni nuk mund të haarrohet kurrë hapja e burgjeve dhe kampeve të punës.

Shqipnia e gëzoi fjalën “Liri e Demokraci”, edhe pse gabimet vazhduenë. E ata gabime risollën prap sistemin e sotëm komunist të pandreqshëm!

GM: Piktura duket se ka qenë një bashkëudhëtare e pandarë në rrugëtimin tuaj. Si do ta përshkruanit marrëdhënien tuaj me këtë art?

FR: Piktura asht kenë pasioni im kryesor! Edhe Miqët e përjetshëm si Ferdinand Paci, Pjerin Sheldija, Jakup Keraj, Ndoc Gurashi, etj... deri tek Profesor Simon Rrota dhe Vladimir Jani, mbeten të pavdekshem në gjithë jetën time. Kujtimet e Tyne ishin edukata dhe morali ynë! Piktura ime asht kenë grafika bardh e zi me bojë kine, me të cilën kam jetue!

Edhe sot, mbas sa vitesh, kam punue Portretin e At Gjergj Fishtes!

Arti, cilido që të jetë, asht mjeti ma i mirë me kuptue jetën, me të mirat dhe dobsitë e saj. Arti kthjellon mendjen e njeriut në jetë!

GM: Shqipëria ka kaluar tre pushtime të njëpasnjëshme që nga viti 1939: fashist, nazist dhe komunist. Pushtimi komunist, për shkak se udhëheqësi ishte ‘shqiptar’, u quajt ‘Çlirim’. Megjithatë, disa mendojnë se Shqipëria u çlirua vetëm në vitin 1992. Cili është mendimi juaj për këtë periudhë dhe si e shihni procesin e çlirimit?

FR: Shqipnia, nën shtetet socialiste dhe komuniste, asht kene gjithnjë, e edhe sot, e robnueme nën diktaturën komuniste, e ndoshta ma barbare se asnjëherë. Sot, në Shqipni, rrezikon shfarosja! E vetmja shpresë sot atje asht ndërhymja e Presidentit Amerikan, Trump. Vetëm Ai mundet me e shpëtue Shqipninë nga shfarosja komuniste!

Epokat e pushtimeve të Shqipnisë duhen fshi nga historia dhe duhen përmbledhë në tekste të veçanta, ku shpjegohen pasojat që i sjellin ato shoqnisë Shqiptare!

Kryesisht duhet të përqendrohemi tek pasojat që shkatërrojnë jetesën dhe demokracinë Europjane, për të cilën sakrificat janë kenë të mëdhaja.

Asht e domosdoshme të nxirret nga arkivi shifra e të pushkatuemve, të arrestuemve, t’interrnuemve dhe ajo ma e sakta sesa janë përfshi në “Luftën e Kllasave”, prej kohës kur Shqipnia u pushtue prej komunizmit.

GM: Edhe sot, disa tru-varfër, vazhdojnë ta nderojnë Enver Hoxhën. Si e shihni këtë fenomen?

FR: Me nderue edhe sot Enverin dhe modelin e tij, asht vetem një çmendi!

E çmendia nuk ka kufi në trunin e smurë nga komunizmi! Asnjëherë nuk duhet të pajtohemi me heshtjen apo me cilësitë antinjerëzore të atij sistemi, qe ka kalue Shqipnia nën thundrat e atyne diktatorëve barbar!

GM: Disa klerikë dhe besimtarë fyejnë flamurin dhe figurat e kombit. Si e shihni këtë sjellje?

FR: Pasojat e sotme, kryesisht në lidhje me besimet, janë dobësi e klerikëve.

Besimi duhet të mbesë primar në edukimin e fëmijëve! Ndersa shkollat fetare duhet të çveshen nga fanatizmi dhe fryma antikombtare.

Përgjegjësi kryesore kanë shkrimtarët e sotëm dhe fryma antikombtare ndër tekstet shkollore dhe në edukimin e rinisë sonë. Mungon vllaznimi!

GM: Gjatë komunizmit, kleri katolik u persekutua më shumë se të tjerët. Cilat ishin faktorët politikë dhe ideologjikë që e bënë atë ‘armik’ të sistemit?

FR: Besimi Katolik kishte në Shkodër katër shkolla të mesme. Ndersa klerkët e mësuesit e tyne ishin universitare! Aty ku nuk kishin kuadër, e kërkonin nga jashta shtetit. Primare gjithnjë ka kene kërkesa për atdhetarizëm dhe besim. Këtë e verteton At Fishta ndër të gjitha librat dhe veprimet e Tij, tue fillue nga Alfabeti i Gjuhës Shqipe e deri tek Lahuta e Malcisë.

Mos studimi i At Fishtës në shkolla asht mungesa ma e madhe e të gjitha shkollave që janë sot në Shtetin Shqiptar. Ajo që damton sot shkollat tona ma shumë asht “përjashtimi i shkrimtarve atdhetarë nga tekstet shkollore, tue fillue nga klasa e parë fillore!

GM: Çfarë përfaqëson Shkodra për ju?

FR: Shkodra ishte, asht e do të jete themeli shpirtnor e kulturor i Shqipnisë!

Kurr mos harroni thanjen e Papës Gjon Pali II në Shkodër, në 1993:

“Ate që ka kalue Shqipnia nën zgjedhën komuniste, nuk e ka provue asnjë nga shtetet Europjane!” Besoj e kujtoni këtë thanje!

GM: Cili do të ishte vlerësimi juaj për Shqipërinë politike postkomuniste dhe si e gjykoni procesin e tranzicionit, funksionimin e institucioneve dhe zhvillimin e demokracisë gjatë këtyre dekadave?

FR: Primare në shtetin Shqiptar asht vendosja e demokracisë Europjane. Të gjitha tjerat janë të pavlera për përparimin kombtar të Shqipnisë! Për fatin e keq të shtetit Shqiptar, duhet theksue mungesa e drejtuesve të shtetit me kulturen e duhun dhe aftësinë e tyne të bazueme nga njohja e ligjve dhe inteligjenca, e cila përgjithsisht mungon tek ata. Bota e ynë nuk ka asgja mangut që nuk e ka demokracia Europjane!

GM: Mund të na tregoni pak për komunitetin shqiptar në Australi dhe çfarë përfaqëson Australia për ju?

FR: Australia asht ndër shtetet ma të përparueme dhe demokratike të gjithë botës! Australia asht ndër ata shtete ku nuk ka asnjë fanatizëm!

Shqiptarët këtu gëzojnë të gjitha të drejtat që i duhen me jetue të lirë dhe me kushte të mira ekonomike e politike. Kryeministri e ka mbiemnin e Tij me origjinë shqiptare. Shteti Australian asht shtet demokratik!

GM: Bashkimi kombëtar mbetet një aspiratë historike e shqiptarëve. Duke marrë parasysh dinamikat e sotme gjeopolitike dhe proceset e integrimit evropian, sa i realizueshëm ju duket ky projekt në rrethanat aktuale?

FR: Realizimi i kësaj ideje kërkon kohë! Të gjitha tokat shqiptare nuk kanë asnjë nevojë për komunista! Kur Shqipnia të çveshet nga komunizmi, do të jetë primare Bashkimi Kombëtar, mbi baza demokratike Europjane.

Primare mbetet vendosja e demokracisë, tue u çveshe nga pasojat e mbrapambetjes kulturore dhe fanatizmi fatar e krahinor! Figurat e nderueme të Veriut duhen vendosë në vendet e veta, tue fillue nga Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, At Anton Harapi, Oso Kuka etj., etj.!

GM: Cilat janë sfidat më të mëdha që shihni për shqiptarët, si në trojet e tyre, ashtu edhe në diasporë?

FR: Shqiptarët i respekton gjithë bota! Kryesore asht dashnia kombëtare.

Miqësia dhe beslidhja e shqiptarve asht e përjeteshme! Kini gjithnje parasysh se lumi i Shkumbinit nuk duhet të venë kufirin e Jugut ndaj Veriut! Shqipnia asht NJE dhe VETËM NJE!

GM: Cili është mesazhi i veçantë që do të donit t’u përcillnit brezave të rinj shqiptarë për historinë, kulturën dhe identitetin e tyre?

FR: Shqiptarve ju uroj kryesisht një shtet demokratik dhe të lirë!

Rraja e lirisë uroj të jenë mbi bazat e demokracisë Europjane dhe me parime të drejta e liridashëse! Larg, ma larg, me fanatizmin fetar dhe krahinor! E gjithmonë të mbeshtetun mbi gurt e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Shejtneshes Nënë Tereza!

Rrnoftë Shqipnia e lirë e demokratike Europjane!



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx