| E shtune, 17.01.2026, 04:00 PM |

INTERVISTË ME SHKRIMTARIN, PIKTORIN DHE PUBLICISTIN FRITZ RADOVANI
EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
Fritz
Kolë Radovani ka lindur më 6 janar 1940 në Shkodër, Shqipëri. Është biri i Kol
Radovanit, oficer policie, dhe i Viktore (Prennushi) Radovani, shtëpiake. Ka
pasur dy vëllezër më të mëdhenj, Alfonsin dhe Toninin, të cilët sot nuk
jetojnë.
Më
13 tetor 1943, gjatë bombardimit të Tiranës nga aviacioni anglez, ku humbën
jetën 503 persona, u vra edhe i ati, Kol Radovani. Ai u varros të nesërmen në
varrezat familjare në Shkodër. Pas kësaj ngjarjeje, familja u vendos
përfundimisht në Shkodër. Megjithëse Kol Radovani ishte oficer policie,
familjes nuk iu njoh kurrë e drejta e pensionit.
Në
vitin 1950, vëllai i madh, Alfons Radovani, maturant në atë kohë, u arrestua
dhe u dënua me 8 vjet burg politik. Po atë vit, vëllai i dytë, Tonin Radovani,
u përjashtua nga gjimnazi, ndonëse ishte nxënës i shkëlqyer. Ai më pas punoi
gjithë jetën si argjendar në kooperativën metalike deri në vdekje. Alfons
Radovani u dënua për herë të dytë në vitin 1967, këtë herë me 10 vjet të tjera
burg politik.
Federik
Radovani kreu Shkollën Pedagogjike në Shkodër dhe u emërua dizenjator në
Kabinetin Metodik të Shkodrës, ku punoi deri në vitin 1974. Më pas shërbeu për
dy vjet si mësues. Në vitin 1975, me emërim të z. Bilal Parruca, filloi punë si
dizenjator në Fabrikën e Mendafshit në Shkodër, ku punoi deri në daljen në
pension në vitin 1992. Në këtë periudhë ishte edhe anëtar i Bashkimit të
Sindikatave të Pavarura. Gjatë gjithë jetës së tij nuk ka qenë asnjëherë anëtar
apo aktivist i ndonjë partie politike.
Në
dhjetor 1999, më datë 6, emigroi në Australi, fillimisht me dokumente si
kosovar. Në vitin 2005, fitoi të drejtën për t’u pajisur me dokumente të
rregullta australiane. Në të njëjtën periudhë iu dha e drejta të ribashkohej me
fëmijët e tij, djalin Euzebio dhe vajzën Jakuelina, të cilët jetojnë edhe sot
në Melbourne. Ai dhe bashkëshortja e tij përfitojnë pension të rregullt.
Në
Australi, aktiviteti i tij shoqëror është përqendruar kryesisht në Shoqërinë
Katolike të Melbournit, ku ka bashkëpunuar ngushtë me kryetarin e ndjerë Lekë
Ndreka. Ka ruajtur miqësi të ngushtë edhe me të ndjerët Zeqir Lushaj dhe Pjetër
Gjonin, të cilët i kujton me respekt të veçantë si miq dhe bashkëpunëtorë.
Arsyeja
kryesore e largimit nga Shqipëria ka qenë biografia familjare dhe persekutimi
politik, përfshirë faktin që tre dajë të tij, Don Kolec Prennushi, Paulin
Prennushi dhe Mikel Prennushi, kanë qenë të burgosur politikë, ndërsa At Mati
Prennushi, xhaxhai i nënës së tij, është pushkatuar në Shkodër më 11 mars 1948,
për shkak të shërbimit të tij si klerik katolik.
Këto
rrethana e shtynë Federik Radovanin të studiojë dhe të shkruajë mbi
persekutimin në Shkodër dhe historinë kombëtare shqiptare. Pas vitit 2002, ai
ka botuar disa libra, ndër të cilët: “Një Monument nën Dhé”, “At Pjetër
Mëshkalla”, “Statuti i Vitit 1951”, “Vegim”, “BSPSH Shkodër”, “Flamuri i Gjergj
Kastriotit në Shqipni”, “Rilindja Kombëtare”, “Tradhtarët e Atdheut”, etj.
Gjithashtu, ai ka botuar artikuj historikë dhe përkujtimorë mbi figura të nderuara të historisë shqiptare në organe të ndryshme mediatike jashtë Shqipërisë, si “Zemra Shqiptare”, “VOAL”, “Albspirit” e të tjera. Të gjitha shkrimet dhe materialet e tij kanë karakter thjesht atdhetar.
***
Në
këtë intervistë ekskluzive për Zemra Shqiptare, kemi nderin të
dialogojmë me një prej dëshmitarëve më të veçantë të historisë shqiptare të
shekullit XX. Jeta e tij është e lidhur ngushtë me fatkeqësitë dhe sfidat e
kohës, duke nisur nga humbja tragjike e babait në moshë të vogël e deri te
persekutimi i vazhdueshëm i familjarëve të tij nga regjimi komunist.
Përmes
rrëfimit të tij, zbulojmë jo vetëm vuajtjet personale e familjare, por edhe
rezistencën e një qytetari që u rrit mes pasigurisë, shtypjes dhe censurës
ideologjike. Ai na sjell kujtime prekëse nga Shkodra e fëmijërisë, periudha e
përndjekjeve të egra, sfidat në arsim e punë, si dhe momentet vendimtare të
angazhimit të tij në lëvizjen sindikale dhe antikomuniste gjatë viteve të
tranzicionit.
Intervista
eksploron gjithashtu pasionet e tij artistike dhe krijuese, të cilat e
shoqëruan gjatë gjithë jetës, si dhe mendimet e tij mbi Shqipërinë e sotme,
sfidat e komunitetit shqiptar në diasporë dhe aspiratën e përhershme për
bashkim kombëtar.
Ky
rrëfim është një udhëtim emocional dhe historik; një pasqyrë e qartë e një jete
të përkushtuar për të mbajtur gjallë kujtesën, vlerat dhe identitetin shqiptar,
pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme.
***
GM: Keni lindur në
Shkodër më 6 janar 1940, dhe tragjikisht, më 13 tetor 1943 humbët babanë tuaj.
A mund të ndani me ne kujtimet ose ndjenjat tuaja lidhur me këtë humbje të
dhimbshme?
FR:
Po, jam le mu në shtëpinë ku jam edhe rritë nga prindët Kolë e Viktore Radovani. Në vitin 1943 baba ishte drejtor i
policisë shqiptare në Tiranë. Kemi banue në rrugen e Kavajës, në një rrugicë që
ngjarjet e vitit 1943 kur unë ishe tri vjeç më ishin tiposë aq fort në kujtesë,
sa në vitin 1962, tue ecë me Prof. Vladimir Janin nga Kisha e Jezuitëve, i kam
thanë: “Profesor, do të ndalohemi për një çast se më duket kjo asht rruga kur
në vitin 1943, me 13 Tetor asht bombardue Tirana nga Aleatet, në Luften e Dytë
Botnore, këtu duhet të jenë shtëpia që kemi banue dhe më asht vra baba!” Ai u
çudit sesi kishte mundësi me kujtue unë rrugucën mbas gati 20 vjetesh, dhe
menjëherë posa kemi hy i kam thanë: “Po, kjo asht rrugica dhe kjo asht
shtëpija!”…Trokita në derë dhe doli një grue e moshueme. Unë i shpjegova se në
vitin 1943 këtu më asht vra baba nga bombardimi dhe, prej asaj ditë unë nuk e
kam pa ma kurrë ketë shtëpi, nga e cila kam kujtimin ma të dhimbshëm si fëmijë,
mbasi ishim vetem me nanën dhe një ushtarë që ishte roje e babës, që quhej
Hasan po që edhe ai atë ditë asht plagosë.
Ajo
na ftoi mbrendë dhe posa hyna në deren e shtëpisë, u ndalova në korridor ku
kishte ngja vrasja nga një skeqe e një bombes që goditi baben në anen e djathtë
të ballit dhe ai ra përtokë, aty u mbulue rreth trupit me gjak…unë kujtoj vetem
thirrjen teme “Babë çou!”, por shpjegimet e vdekjes mi ka thanë nana sa vite ma
vonë…Kujtoj një prift që ka ardhë i pari dhe asht ulë pranë babës me njenin gju
në pellgun e gjakut dhe i tha dishka…Ai ishte kenë At Pjeter Mëshkalla që posa
ka marrë vesht ka ardhë dhe i ka ba Shartet e vdekjes…dhe ka vazhdue me shkue
ndër shtëpijat tjera edhe pse bombet vazhdonin me ra mbi kokat tona. Ne u nisem
për Shkoder atë natë me axhen e nanës, At Mati Prennushin që ishte me sherbim
fetar në Tiranë dhe dajen tem Paulin Prennushin, që ishte sekretar i z. Kolë
Bibë Mirakaj. Kujtoj se kemi ardhë natën në Shkoder dhe të nesermen Baba asht
vorrosë me një ceremoni të madhe në Rëmaji. Për shumë kohë nana edhe Kryqin e
ka lanë pa emen tek vorri, se kishte frikë se mos ia prishin vorrin
komunistët…ashtu, si kanë veprue me të tjerë.
GM: Humbja e babait ka
lënë një boshllëk të përhershëm në jetën tuaj. Kur ktheheni mbrapa te
fëmijëria, si e përjetoni atë periudhë – cilat kujtime dhe ndjenja shfaqen më
fuqishëm brenda jush?
FR:
Pershtypja e atij gjaku që rrethonte Baben, më ka mbetë per shumë vite, sa kur
shihshe gjak deri në moshen 16 – 17 vjeç
mue më binte të fikët. Në vitin 1944 kur kanë “hy këta” siç thonte
gjithë Populli për komunistët, kam shkue dhe kam jetue tek daja i em Don Kolec
Prennushi, ku ishte edhe gjyshja Nana Nine dhe tezja Rozë, të cilat më kanë
rritë atje në fshatin Dajç të Bregut të Bunës, deri në vitin 1949 kur erdha në
Shkoder, me vazhdue shkollen shtatëvjeçare. Kujtoj frikën nga “partixhanët” siç
i quente gjyshja, me 29 nandor 1944, kur erdhën me kontrollue qelen e
dajës…dhe, frikën e madhe kur hypën në hatlla me shikue mos kemi kend të mëshefun…
GM: Në vitin 1945, sapo
po hapej një kapitull tjetër i errët i historisë së kombit tonë, dy dajat tuaj,
Paulin dhe Mikel Prennushi, u arrestuan. A mund të na tregoni me çfarë motivi
ndodhi kjo dhe si e përjetuat atë periudhë të vështirë?
FR:
Nana me dy vëllaznit e mi ma të mëdhaj jetonte në Shkoder. Di se, mbas vitit 1944, pra mbasi
kanë “hy këta”, komunistët nuk na kanë pague asnjë ditë pension për vrasjen e
Babës, edhe pse “Ai ishte viktimë e luftës”…Nana asnjëherë nuk na ka tregue se
Ajo ishte thirrë në vitin 1945 nga një komision që plotsonte dokumenta për
viktimat e luftës në komitetin ekz. të Shkodres, por Ajo i kishte thanë: “Unë
nuk kerkoj pension nga ju, mbasi kam frikë se çohet Kola prej vorrit dhe më
pështynë që kam kerkue me marrë pensionin e tij nga komunistat!” “ Këte e
mësova nga një mik i emi në vitin 1992 kur më tregoi dokumentin që ruhej në
arkivin e komitetit ekzekutiv, mbasi i kishte mbetë në krye “guximi i Nanës
seme”…Gjithnjë kujtoj gjyshen tue kja kur i vinin lajmet nga Shkodra për
arrestimet e djelmëve të saj, vetem se kanë kenë oficera si Mikeli ashtu edhe
Paulini, ndonse atëherë Mikeli u lirue mbas dy tre muejsh për me u arrestue
prap në vitin 1952 dhe me u denue 10 vjet për agjitacion e propagandë “neni i arrestimeve
në masë” ndersa, Paulini në 1945 u dënue 5 vjet burg dhe mbasi i ka krye…mbet
pa punë deri në vitin 1956 që u interrnue në Kuç të Vlonës, prej ku asht lirue
mbas 5 vjetësh…Arrestimet e tyne u shoqnonin me disa kontrollle të shtëpisë nga
forcat e sigurimit, që hapnin edhe leshin e dyshekve mes dhomës… dhe
kontrollonin çdo skutë në shtëpi.
Nana
shkonte e vinte tek dyertë e burgjeve me sofratasa e ndrresa të palame…E kur
unë vijshe me pa Nanën në Shkoder, më merrte përdore me pa surretnit e Dulaq Lekiqit
e Elez Mesit…!
GM: Një vit më vonë, u
arrestua At Mati Prennushi, axha i nënës tuaj. A mund të na shpjegoni cilat
shfajësime u përdorën për të justifikuar këtë arrestim?
FR:
Arrestimi i At Matisë pritej nga Ai dhe të tjerët. Ai nuk ka pranue asnjëherë
dhunuesit dhe heshtjen ndaj diktatorëve. Njëqind vjet ma parë ishte përkrah
Dedë Gjo’ Lulit në Deçiq. Në 1913 u kap nga malazezët dhe gati përfundoi në
litar mos t’ ishte At Gjergj Fishta. Në 1912 asht në Gerçë. Në 1924 asht pranë
Opozitës, Në 1926 asht me Malësorët e Veriut kundër Ahmet Zogut. Nderhynë tek
Zogu dhe e shpeton nga vdekja miku i Tij At Pal Dodaj. Nuk pajtohet me
okupacionin italian dhe nuk e ka nënshkrue aktin e pranimit të qeverisë së tyne
në 1939. Në kohën e gjermanëve nderhynë vetë si njohës i mirë i gjuhës gjermane
dhe shpeton disa partizan nga pushkatimi, të cilët si “shpërblim” e pushkatuen
në vitin 1948. Në 1945 asht takue me Sheuqet Peçin dhe Mehmet Shehun dhe i ka
kundershtue çdo fjalë që çonte në shkëputje të Kishës Katolike Shqiptare nga Vatikani, rrugë e cila do të këthente
fëtyren e Shtetit Shqiptar nga lindja, tue shkatrrue të gjitha përpjekjet e
Shqiptarëve me kenë pjesë e pandame e Europës së qytetnueme, vepra të cilat
Kleri i kishte fillue para datës 28 Nandor 1912 me Don Nikollë Kaçorrin e pasue
me Imzot Mjedjen, Serreqin, Bumçin. Doçin e gjithnjë deri me 29 Nandor 1944,
kur asht At Anton Harapi që ka nderhy si Rregjent i Shtetit Shqiptar me u lidhë
me Aleatët e Luftës së Dytë Botnore, dëshmi të cilën e dij nga i ndjeri Rregjent
i asaj kohë Cafo Beg Ulqini. Arrestimi i At Matisë lidhet me “legjendat” e
sigurimit të shtetit, që futi armët ndër kisha dhe pushkatoi me datën 11 Mars
1948, mbas 16 – 17 mujesh hetuesi, pa gjyq publik por të mbyllun At Matinë, At
Çiprian Nikën, Imzot Frano Gjinin që ishte Rregjent i Delegacionit Apostolik të
Vatikanit në Shqipni dhe Imzot Nikoll Dedën, se gjoja edhe këta kishin armë
ndër kisha e qelat e tyne.
GM: Në vitin 1948, u
arrestua daja juaj, Don Kolec Prennushi, një tjetër klerik i njohur dhe figurë
e respektuar. Si do ta përshkruanit jetën dhe veprimtarinë e tij?
FR:
Po, bash natën e Shën Kollit, që kishte miq për emen. Don Koleci ishte nipi i
At Matisë, por edhe Ky jo vetëm që nuk pranonte kompromis me komunista por edhe
i kishte shpreh mendimet e veta që në 1931, posa komunizmit filloi me i ardhë
era e qelbun e tij edhe në Shqipni. Në vitin 1949 – 50 asht kundërshtar i haptë
i shtetit komunist që kerkonte nënshkrimin e “Statutit të Kishës Katolike
Shqiptare” dhe asht Kleriku që paraqiti arësyet fetare dhe Atdhetare në
mbledhjet e zhvillueme për këte çeshtje në Argjipeshkvi, argumente që i mbrojti
me bindje mbasi nuk pranonte asnjë lidhje as formale me Lindjen komuniste. Mbas
11 mujsh tortura, u pat lirue gjoja “për mungesë provash” dhe me 2 korrik 1950
vdiq nga zemra, pra mbas 8 muejsh që sigurimi e nisi me vdekë në shtëpi.
GM: Në vitin 1950, është
arrestuar dhe dënuar vëllai juaj, Alfonsi. A mund të na tregoni si ndodhi
arrestimi i tij, përse u dënua dhe sa ishte dënimi?
FR:
Posa krimineli Hilmi Seiti erdhi në Shkoder, hodhi sytë e tij prej imorali nga
Rinia e Shkodres. Solli ma shumë se 100 konviktor nga Jugu si spijun me shue
Lëvizjet antikomuniste që kishin marrë hov e nuk pushonin me trakte e veprime
tjera kundër okupacionit komunist.
Një
nga antikomunistët e pathyeshem ishte Bardhosh Dani, i cili kryesonte grupin e
formuem në gjimnazin e Shkodres, ku merrte pjesë edhe vëllau i em Alfonsi.
Grupi ka arritë me pasë 120 anëtarë dhe pjesa dermuese studenta të Gjimnazit. Mbas vrasjes së Herojve Bardhosh Dani, Mark
Cacaj dhe Brahim Dergutit, në shtëpinë tonë asht mbledhë një grup dhe kanë
mendue me riorganizue veprimtarinë antikomuniste. I ngarkuemi i sigurimit Kasem
Troshani, arrinë me futë në kthetra të sigurimit studentët Pjerin Vata dhe
Njazi Uruçi, të cilët i arreston dhe i liron mbas tri ditësh. Mbas dy ditësh që
i liron i arreston prap me grupin e denoncuem prej tyne, kështu me 10 maji
1950, rreth orës 22.00 të darkës arrestohet Alfonsi dhe 9 shokë të tjerë, të
cilët mbas tre muej hetuesi dënohen me shumë vite burg. Alfonsi u dënue 8 vjet
dhe bani 4 ndër kampet e shfarosjes nga Myzeqeja.
GM: Në vitin 1956, pasi
përfunduat Shkollën e Mesme Pedagogjike, u emëruat mësues në fshatin Macukull
të Burrelit. Cila ishte arsyeja që nuk shkuat atje?
FR:
E vetmja shkollë që kishe të drejtë me ndjekë ishte shkolla pedagogjike, që
pregatiste vetem njerëz me u tretë malesh e fshatrash ku ishin ma të humbunat e
Shqipnisë. Mue më doli emnimi kur perfundova shkollën në Macukull të Burrelit.
Nana nuk më la me shkue se atje kishte punue Baba kur ishte qarkkomandant në
Burrel. Komunistët e ndjekun prej tij ishin gjallë. Unë duhet thanë “për fat” u
sëmura dhe me një raport nga i Ndjeri Dr. Dhimiter Lito, i cili u lidh me
mësuesit e mij z. Gani Daiu nga Elbasani dhe
Dedë Shala nga Shkodra, nderhyne tek shefi arësimit Nuri Çaushi edhe ky
nga Elbasani dhe kështu u emnova si disenjator në kabinetin metodik, punë jo
shumë e preferueme nga piktorët se rroga mujore ishte 3500 lekë të vjetra, kur
një mësues merrte 5000 lekë minimumi.
GM: Pas kthimit në
Shkodër, keni punuar në Kabinetin Pedagogjik dhe më vonë si mësues në lagjen
Liria. Cilat janë disa nga kujtimet tuaja më të veçanta nga ajo periudhë?
FR:
Mbas gati 4 vjetësh nga tetori 1956 e deri në prill të 1960 që kam punue në
kabinetin metodik, më ra “shkurtim” kuadri. Vetem tre muej ishe në dispozicion
dhe në shtator të 1960 u emnova mësues në lagjen “Liria”, shkollë fillore për
mësues që nuk duheshin me u pa tue u sjellë në shkollat e qytetit… ajo ishte në
lagjen e njohtun të “magjypve”…
Më
ka pasë pyet një nëpunës i komitetit ekzekutiv të Shkodres: “Si po kalon me
rracen e zezë!..” dhe, unë iu përgjigja: “Janë me fëtyra të zeza por shpirtin e
kanë ma të bardhë se ata që kanë fëtyren e bardhë…e punojnë në ndertesa ma të
bukra se ajo ku jam unë!...” Ruej kujtime të bukra dhe shumë domethanëse të
periudhës së “revolucionit Kultural” të 1967, kohë në të cilen u provue edhe
guri…
GM: Në vitin 1965
përfunduat Liceun Artistik me korespondencë në Tiranë. Pse nuk ju është dhënë e
drejta për të vazhduar studimet e larta?
FR:
Liceu Artistik ishte shkollë e mesme,
kur Akademia e Arteve (Istituti i lartë në Tiranë) nxirte kuadro përditë. Ishte
kambngulja e Prof. Vladimir Janit që na dhuroi atë mundësi që pothuej nuk
kishte asnjë vlerë, por ma vonë edhe pse nuk njihej si shkallë e shkollës së
lartë, ne na ka ndihmue shumë, flas për “ne” që ishim të deklasuem e nuk kishim
të drejtë me ndjekë asnjë shkollë të lartë. “Lufta e kllasave” ishte në kulmin
e saj edhe para e mbas vitit 1967...Shkollat e larta për “ne” ishin gjithnjë të
mbylluna. U lejohej pak kujt me ndonjë përjashtim ose “mik” të fortë.
GM: Vëllai juaj i madh,
Alfonsi, u arrestua dhe dënua përsëri në vitin 1967. A mund të na tregoni pse
ndodhi kjo?
FR:
“Revolucioni Kultural” që drejtohej nga vetë krimineli Ramiz Alia në Shkoder,
filloi me Klerin dhe vazhdoi me çdo Shqiptar që besonte në Zotin. Nga burgu i
parë vëllau kishte mbetë pa ia pague borxhin e Babës komunistave, të cilët në
1967 jo vetëm shpikën se “Kol Radovani asht vra me atentat në Tiranë”...por
lidhin vëllaun me klerin në një grup ku nuk njihte gjysen e tyne, dhe shkojnë
deri aty sa “në vitin 1967 hetuesit Elham Gjika dhe Dhimiter Shkodrani, shkojnë
në Gjendje Civile të Shkodres dhe shkyjnë fleten e rregjistrit themelor ku me
datën 14 Tetor 1943, kur asht shenue vdekja e Babës aty, asht shkrue edhe se
“arësyeja e vdekjes asht nga bombardimi i Kryeqytetit Tirana, me datën 13 Tetor
1943, ora 13...” Në gjyq prokurori Faik Minarolli e pyeti Alfonsin: “Ti a beson
në Zotin?” dhe ky, iu përgjigj “PO”...E prokurori vazhdoi: “Ja pra ke kemi para
trupit gjykues, djalin e një krimineli që kemi vra me atentat dhe vazhdon
rrugen e babait të tij, me sabotue revolucionin që po zhvillon populli
shqiptar....duke shpallur këtu se beson edhe Zotin...” Për këte u dënue 10 vjet
burg dhe i kaloi në kampet e Vlonës dhe të Spaçit...deri në vitin 1977.
GM: Po ju, çfarë ndodhi
në ato kohë dhe si e përjetuat këtë periudhë të vështirë, të mbushur me
pasiguri?
FR:
Sekretari i partisë së shkollës “Liria” ku ishe unë, më kerkoi me demaskue
vëllaun në një mbledhje të këshillit pedagogjik. Unë nuk pranova me shpjegimin
se unë nuk di gja çka ka ba as Baba as vëllau.
Një spijun Angjelin Kumrija, kur kontrollon dhomen e Don Mark Hasit, aty
gjenë një foto që unë kishe ba kur ishe 13 vjeç (1953) me Don Markun që atëherë
banonte tek na. E çon foton në komitetin e partisë dhe ia jep Xhemal Dinit, tue
i thanë: “Shifni ke mbani në rradhët e arësimit..!”
Xhemali,
vjen në shtëpinë e kulturës ku po pregatitej një ekspozitë për 7 Marsin dhe
ishe edhe unë. Aty më kerkoi me shkrue një artikull sesi kleri ka përvetsue
veprat e artit të piktorit Kol Idromeno. Unë i thashë se nuk kam fakte, ai më
tha ti shkrueje se faktet ti japim na. Unë nuk pranova me shkrue për dishka që
jo vetem nuk e dijshe por, as nuk e besojshe... Mbas pak ditësh më trasferuen
në fshatin Kosmaç. Aty drejtori Bahri Dibra dhe Fehmi Lohja u munduen me më
kurdisë se tregoi barceleta me karakter kunder pushtetit. Mesuesit Feti Zekja,
Fatbardha Seferi, Lili Kodheli, Nail Rroji jo vetëm më mbrojtën por edhe më
shpetuen nga një kurthë shumë e rrezikshme e sigurimit. Mbas pak ditësh jam
thirrë nga Kryetari i komitetit Bilal Parruca, i cili më tha: “Ti Fritz je edhe
piktor, kemi nevojë me të çue në tisazh, prandej qyshë neser ke me fillue punën
aty.” Nenkuptohej “Shko e mos ban za, se po të gjenë ndonjë e keqe me vazhdue
me kenë mësues…” Bilali e mori këte vendim por të vertetën e kam mësue prej tij
në vitin 1994: “Kam veprue ashtu se shigjetat kunder teje ishin të fanatikëve
që u mundonin me të shkatrrue jeten pa asnjë shkak, vetem si piktor i aftë që
ishe por, tue të lidhë me pohimin e vëllaut në gjyq që pat thanë se besoj në
Zotin! Kjo nuk më ka pelqye me ndodhë
edhe me ty. Në punen teme si kryetar komiteti jam mundue mos me perkrah
kurrë fanatizmin e fanatikët!”
Kjo
asht një e vertetë që nuk e kam mohue kurrë.
GM: Në vitin 1969 u
larguat përfundimisht nga arsimi. Ishte kjo një zgjedhje e juaja, apo kishte
ndonjë arsye tjetër pas saj?
FR:
Puna si piktor për mue ishte e pelqyeshme, por piktoret tjerë nuk e preferonin
se kishte një ngarkesë me 8 orë punë në
ditë, 15 ditë pushim, prodhimi nuk i lejonte me marrë leje krijimtarije dhe
rroga ishte prap minimale rreth 5.400 lekë të vjetra, ndersa si mësues rroga e
mësuesve të vizatimit kalonte 6500 dhe kishte edhe muejt e pushimit përveç
privilegjeve tjera... leje krijimtarije etj. që unë nuk i kam pasë kurrë, mbasi
nuk ishte anëtar i Lidhjes së Artistëve. Arësyeja vetkuptohet.
GM: Cila ishte rruga
tjetër që ndoqët dhe ku u punësuat më pas?
FR:
Posa shkova ditën e parë në fabrikë, kryeingjenjeria Liri Ymeri, më tha se nuk
ishte dakord se mesa dinte ajo, unë jam i paaftë dhe me biografi jo të mirë,
mbasi “të kujtoj kur ishe në pedagogjike dhe atëherë aty ju ishit të gjithë me
biografi të keqe!”... Por nderhyni Bilal Parruca dhe fillova punën. Pa fillue
mirë filluen edhe “fletë rrufetë” dhe mbledhjet e kolektivit...e pa fund.
Nga
viti 1969 e deri në 1990 kur u ba drejtoreshë Liri Ymeri, dy herë ka “shkurtue”
organiken me qellim largimi nga puna dhe dy herë më ka pushue nga puna pa shkak
“se due me marrë kuader të lartë”...njëherë më ka rikthye Hantije Çela, ish
nxanëse e emja vetem dy muej kur ishe në dispozicion, njëherë prap Bilal
Parruca, kur ishte zv. minister i Industrisë së Lehtë, njëherë Eleni Pashko,
ministre e Industrisë dhe heren e fundit Vito Kapo, ministre e Industrisë. Për
dy rastet e fundit mësova nga Gramoz Pashko në vitin 1991, se si Eleni Pashko
si Vito Kapo kishin kuptue nga drejtoresha Liri Ymeri se “largimi i em lidhej
me fanatizmin ekstrem të Liri Ymerit, si antikatolike e njohtun të cilin ajo e
mëshefte nën ‘luftën e kllasava”.
GM: Në periudhën e
lëvizjes antikomuniste në Shqipëri, në vitin 1991, u zgjodhët Kryetar i
Sindikatës së Fabrikës së Pëlhurave të Shkodrës. Çfarë mund të ndani me ne nga
kjo përvojë?
Periudha
e Bashkimit te Sindikatave te Pavaruna asht e lavddishmja!
FR:
Ngjarjet e vitit 1989 dhe Muri i Berlinit, sollen ndryshime të paimagjinueshme
aqsa të paprituna për ne, që ishim të zhytun në llumin e komunizmit pa shpresë
me pa Lirinë. Aq edhe e papritun asht kenë zgjedhja eme si Kryetar i Sindikates
së Fabrikës së Pelhurave në vitin 1991. Rolin kryesor në ato zgjedhje e ka
luejtë atëherë elektriçisti i fabrikës Xhemal Uruçi. Sigurisht punëtorët me
donin dhe me respektonin fort aqsa zgjedhja eme më vuni para detyrimeve të
mëdha, për të cilat nuk jam kursye në asnjë rrethanë me ua shperblye nderimin e
tyne të madh për mue. Kjo lidhet edhe me praninë teme mes tyne, mbasi unë ishe
ndër të paktit që nuk u lejojshe me kenë në administratë.
Kujtoj
kur u zgjodha një punëtore stampimi e
quejtun Albina Mëshkalla thirri: “Rroftë Lekë Valeza!” Ishte nje kohe e
lavdishme!
GM: Në të njëjtin vit
(1991) u zgjodhët edhe anëtar i Kryesisë së BSPSh-së (Bashkimi i Sindikatave të
Pavarura Shqiptare) në Shkodër. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?
FR:
Po në janar kam marrë pjesë që në mbledhjen e parë posa u krijue BSPSH në
Uzinen Mekanike nga Ferdinand Temali dhe Arben Borshi, të dy ishin punëtorë të
pushuem nga puna...për këte veper. Kur u zgjodh Kryesia e perbame nga 13 vetë u
zgjodha edhe unë. Mu caktue sektori i propagandes dhe lidhjet me besimet në
Shkoder. Mbas datës 2 Prill 1991 jam caktue edhe perfaqsues i BSPSH me ndjekë
çeshtjen e vrasjeve të 2 Prillit. Këto detyra ishin shumë të rendsishme, por
sukseset e BSPSH janë arritë në saje të mirkuptimit dhe bashkveprimit tonë, tue
u drejtue nga një djalë trim, guximtarë dhe i pjekun para kohe, që në çdo
veprim asht tregue i matun dhe i çilter me të gjithë bashkpunëtoret, tue
qendrue në ballin e luftës çdo minut me rrezik jete. Perkushtimi i Tij, ishte
nxitje për të gjithë ne tjerët. Gjithashtu në Fabrikë anëtarët e Kryesisë më
kanë ndihmue jashta maset.
GM: Cilat do të
konsideroni si kontributet tuaja kryesore në lëvizjen kundër qeverisë komuniste
të Ramiz Alisë dhe në përhapjen e ideve kundër komunizmit?
FR:
Mbledhjet tona ishin të shkurta, po çdo vendim donte kohë edhe ma të shkurtë.
Ajo që nuk na lente me u zgjatë ishte turma e Rinisë dhe e qytetarëve të
nderuem të Shkodres, që na ndiqte çdo minut. Nuk kishte snajper, tytë mitralozi
apo autoblindë që mund të zmbrapte hovin e Popullit Shkodres për përmbysjen e
diktaturës komuniste. Se si vepronte kjo Rini e këta qytetarë unë do të tregoj
një rasë që më ka ngja mue. Në darkë më ka shoqnue deri në shtëpi, gjithnjë
Ferdinandi se kishte edhe Ai shtëpinë nga unë. Filloi me na ra në sy një djalë
që na ndiqte mbrapa rreth 10 – 15 ml... me duer ndër xhepa. Një natë ishe
vetem. Edhe Ai mbas meje. Ishte natë me hanë rreth orës 22 e darkës. Pak pa
mërritë tek shtëpia eme vendosa me e ndalue dhe me e pyet shka kerkon që vjen
mbas meje...dhe ashtu veprova, ndonse në rrugë nuk kishte asnjë njeri veç nesh,
unë dhe Ai, u këtheva dhe e prita, posa u afrue e pyeta...Ai nuk priti fare që
me mbarue unë fjalën, por zbërthej një bluzë pune, vuni dorën në një revolver
që kishte në bel dhe, më tha: “Ndigjo Fritz Radovani, spijunët e sigurimit nuk
të ndrrojnë as për mish dashi, prandej unë vij mbas teje dhe kush të guxojnë me
tu afrue, ma parë do ti numrohen këta shtatë fishekë ballit, mandej po mbet
gjallë, unë jam Xh Xh (nuk mendoj me e publikue emnin se nuk e di ku ndodhet
tashti) ti nuk më njeh por unë do të vdes me ty...se, lufta yte asht ideali i
të parëve tonë, e po kje nevoja unë nuk do të kursej jeten teme me të shpetue
ty nga rreziku i komunistave...” Atëherë, cili duhet t’ ishte qendrimi ynë kur
një djalë i ri musliman më ruente koken pa e pasë pa kurrë ma përpara Atë djalë trim!?
GM: Cilët ishin disa nga
personazhet kryesore të Shkodrës që, sipas jush, luajtën një rol të rëndësishëm
në rrëzimin e sistemit komunist?
FR:
Shkodra ka pasë edhe ka trima. Revoltat fillojnë vetem nga Trimat që nuk njohin
vdekje për Atdhe! Ngjarjet fillojnë në Janarin e 1990 me Rin Monajken, Gjergj
Livadhin e Dedë Kasnecin...por, i pari që ngriti Flamurin e Demokracisë në
Shqipni ishte Don Simon Jubani. Vrasja e djalit Pllumb Pllumbaj dhe mbas pak
ditësh rrëzimi i turpëshem i bustit Enver Hoxhës, tue u “lagë” ashtu si e ka
meritue, në 13 dhetor para Prefekturës së Shkodres, formimi i BSPSH në janarin
e 1991 në Shkoder, i kanë paraprijë të gjitha ngjarjeve të lavdishme dhe poaq
tragjike që sollën demokracinë në Shqipni. Roli që ka luejtë në këto ngjarje
BSPSH dhe Kryetari i Saj Ferdinand Temali, i pasuem nga gjithë Kryesia dhe
aktivistët Arben Broci, Qazim Lika dhe Rinia e Populli i Shkodres, janë faktori
vendimtar që kanë krye amanetin e Luigj Gurakuqit me Opoziten e vitit
1924...lanë të shkrueme prej Tyne me gjakun e vet të paster dhe të kulluem.
GM: Si do ta
përshkruanit shkurtimisht Shqipërinë komuniste të viteve 1944–1992?
FR:
Komunizmi asht i pari sistem terrorist në botë që ka inaugurue terrorin në masë
si mjet qeverisës. Shqipnia asht vendi që ka provue ma keq se kushdo tjetër
këte fakt historik për 65 vjet... dhe vazhdon edhe sot me kenë nën këte terror
komunist.
Nëse,
ky veprim nuk do të vehet në bankat e një drejtësie nderkombëtare, tue u çveshë
i pari krimineli Enver Hoxha e mbas tij Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha dhe pasuesit
e tyne, nga dekoratat dhe privilegjet që vazhdojnë me i gëzue edhe sot këta
tradhëtarë të Atdheut dhe të Popullit Shqiptar, “demokracia, paqa dhe
mirkuptimi mes vllazenve shqiptarë”, ndër të gjitha Trojet tona asht aq larg sa
larg jam edhe unë nga Shqipnia, Atdheu i dashtun i emi!
GM: Mund të ndani me ne
disa kujtime nga periudha e shkollimit në Shkodër? Sa e fuqishme ishte
propaganda ideologjike komuniste në shkollat e atyre viteve?
FR:
Propaganga ishte primare e mbas saj vinte edukata dhe qendrimi i nje nxanesi
cilido t’ jshte ai. Sigurisht femijte e
komunistave gjithnje ishin te ptivilrgjuem, ndersa te deklasuemit vazhdonin me
luften e klasave. Ajo lufte nuk ju ndante gjithe jeten e shpesh vdekja ishte
pasoje e saj.
GM: Jeni autor i disa
librave të rëndësishëm. Mund të na tregoni çfarë ju frymëzoi të shkruanit këto
vepra, si u zhvillua procesi juaj krijues dhe si do t’i përshkruanit
përmbajtësisht, duke na treguar gjithashtu mesazhin dhe idetë kryesore që
dëshironi të transmetoni për secilën prej tyre?
FR:
Frymzimi kryesor ndër librat e mij ishte kryesisht “ramja e Murit të Berlinit”
dhe perdes së komunizmit në shtetet Europjane. Ndërsa në Shqipni nuk ishte ma
egërsia e “luftës së klasave” ashtusi përpara. Vetë zgjedhja ime Kryetar i
BSPSH në fabrikën e mendafshit tregonte se jemi para ndryshimeve rrajsore.
Gjithshka e vërtetonin faktet! Liria e fjalës dhe e mendimit solli ndryshimet e
mëdha që përmbysën komunizmin ekstrem në të gjitha Demokracitë Popullore
Europjane. E në Shqipni nuk mund të haarrohet kurrë hapja e burgjeve dhe kampeve
të punës.
Shqipnia
e gëzoi fjalën “Liri e Demokraci”, edhe pse gabimet vazhduenë. E ata gabime
risollën prap sistemin e sotëm komunist të pandreqshëm!
GM: Piktura duket se ka
qenë një bashkëudhëtare e pandarë në rrugëtimin tuaj. Si do ta përshkruanit
marrëdhënien tuaj me këtë art?
FR:
Piktura asht kenë pasioni im kryesor! Edhe Miqët e përjetshëm si Ferdinand
Paci, Pjerin Sheldija, Jakup Keraj, Ndoc Gurashi, etj... deri tek Profesor
Simon Rrota dhe Vladimir Jani, mbeten të pavdekshem në gjithë jetën time.
Kujtimet e Tyne ishin edukata dhe morali ynë! Piktura ime asht kenë grafika
bardh e zi me bojë kine, me të cilën kam jetue!
Edhe
sot, mbas sa vitesh, kam punue Portretin e At Gjergj Fishtes!
Arti,
cilido që të jetë, asht mjeti ma i mirë me kuptue jetën, me të mirat dhe dobsitë
e saj. Arti kthjellon mendjen e njeriut në jetë!
GM: Shqipëria ka kaluar
tre pushtime të njëpasnjëshme që nga viti 1939: fashist, nazist dhe komunist.
Pushtimi komunist, për shkak se udhëheqësi ishte ‘shqiptar’, u quajt ‘Çlirim’.
Megjithatë, disa mendojnë se Shqipëria u çlirua vetëm në vitin 1992. Cili është
mendimi juaj për këtë periudhë dhe si e shihni procesin e çlirimit?
FR:
Shqipnia, nën shtetet socialiste dhe komuniste,
asht kene gjithnjë, e edhe sot, e robnueme nën diktaturën komuniste, e ndoshta
ma barbare se asnjëherë. Sot, në Shqipni, rrezikon shfarosja! E vetmja shpresë
sot atje asht ndërhymja e Presidentit Amerikan, Trump. Vetëm Ai mundet me e
shpëtue Shqipninë nga shfarosja komuniste!
Epokat
e pushtimeve të Shqipnisë duhen fshi nga historia dhe duhen përmbledhë në
tekste të veçanta, ku shpjegohen pasojat që i sjellin ato shoqnisë Shqiptare!
Kryesisht
duhet të përqendrohemi tek pasojat që shkatërrojnë jetesën dhe demokracinë
Europjane, për të cilën sakrificat janë kenë të mëdhaja.
Asht
e domosdoshme të nxirret nga arkivi shifra e të pushkatuemve, të arrestuemve,
t’interrnuemve dhe ajo ma e sakta sesa janë përfshi në “Luftën e Kllasave”,
prej kohës kur Shqipnia u pushtue prej komunizmit.
GM: Edhe sot, disa
tru-varfër, vazhdojnë ta nderojnë Enver Hoxhën. Si e shihni këtë fenomen?
FR:
Me nderue edhe sot Enverin dhe modelin e tij, asht vetem një çmendi!
E çmendia nuk ka kufi në trunin e smurë nga komunizmi! Asnjëherë nuk duhet të pajtohemi me heshtjen apo me cilësitë antinjerëzore të atij sistemi, qe ka kalue Shqipnia nën thundrat e atyne diktatorëve barbar!
GM: Disa klerikë dhe
besimtarë fyejnë flamurin dhe figurat e kombit. Si e shihni këtë sjellje?
FR:
Pasojat e sotme, kryesisht në lidhje me besimet, janë dobësi e klerikëve.
Besimi
duhet të mbesë primar në edukimin e fëmijëve! Ndersa shkollat fetare duhet të
çveshen nga fanatizmi dhe fryma antikombtare.
Përgjegjësi
kryesore kanë shkrimtarët e sotëm dhe fryma antikombtare ndër tekstet shkollore
dhe në edukimin e rinisë sonë. Mungon vllaznimi!
GM: Gjatë komunizmit,
kleri katolik u persekutua më shumë se të tjerët. Cilat ishin faktorët politikë
dhe ideologjikë që e bënë atë ‘armik’ të sistemit?
FR:
Besimi Katolik kishte në Shkodër katër shkolla të mesme. Ndersa klerkët e mësuesit
e tyne ishin universitare! Aty ku nuk kishin kuadër, e kërkonin nga jashta
shtetit. Primare gjithnjë ka kene kërkesa për atdhetarizëm dhe besim. Këtë e
verteton At Fishta ndër të gjitha librat dhe veprimet e Tij, tue fillue nga
Alfabeti i Gjuhës Shqipe e deri tek Lahuta e Malcisë.
Mos
studimi i At Fishtës në shkolla asht mungesa ma e madhe e të gjitha shkollave
që janë sot në Shtetin Shqiptar. Ajo që damton sot shkollat tona ma shumë asht
“përjashtimi i shkrimtarve atdhetarë nga tekstet shkollore, tue fillue nga
klasa e parë fillore!
GM: Çfarë përfaqëson
Shkodra për ju?
FR:
Shkodra ishte, asht e do të jete themeli shpirtnor e kulturor i Shqipnisë!
Kurr
mos harroni thanjen e Papës Gjon Pali II në Shkodër, në 1993:
“Ate që ka kalue
Shqipnia nën zgjedhën komuniste, nuk e ka provue asnjë nga shtetet Europjane!” Besoj e kujtoni këtë
thanje!
GM: Cili do të ishte
vlerësimi juaj për Shqipërinë politike postkomuniste dhe si e gjykoni procesin
e tranzicionit, funksionimin e institucioneve dhe zhvillimin e demokracisë
gjatë këtyre dekadave?
FR:
Primare në shtetin Shqiptar asht vendosja e demokracisë Europjane. Të gjitha
tjerat janë të pavlera për përparimin kombtar të Shqipnisë! Për fatin e keq të
shtetit Shqiptar, duhet theksue mungesa e drejtuesve të shtetit me kulturen e
duhun dhe aftësinë e tyne të bazueme nga njohja e ligjve dhe inteligjenca, e
cila përgjithsisht mungon tek ata. Bota e ynë nuk ka asgja mangut që nuk e ka
demokracia Europjane!
GM: Mund të na tregoni
pak për komunitetin shqiptar në Australi dhe çfarë përfaqëson Australia për ju?
FR:
Australia asht ndër shtetet ma të përparueme dhe demokratike të gjithë botës!
Australia asht ndër ata shtete ku nuk ka asnjë fanatizëm!
Shqiptarët
këtu gëzojnë të gjitha të drejtat që i duhen me jetue të lirë dhe me kushte të
mira ekonomike e politike. Kryeministri e ka mbiemnin e Tij me origjinë
shqiptare. Shteti Australian asht shtet demokratik!
GM: Bashkimi kombëtar
mbetet një aspiratë historike e shqiptarëve. Duke marrë parasysh dinamikat e
sotme gjeopolitike dhe proceset e integrimit evropian, sa i realizueshëm ju
duket ky projekt në rrethanat aktuale?
FR:
Realizimi i kësaj ideje kërkon kohë! Të gjitha tokat shqiptare nuk kanë asnjë
nevojë për komunista! Kur Shqipnia të çveshet nga komunizmi, do të jetë primare
Bashkimi Kombëtar, mbi baza demokratike Europjane.
Primare
mbetet vendosja e demokracisë, tue u çveshe nga pasojat e mbrapambetjes
kulturore dhe fanatizmi fatar e krahinor! Figurat e nderueme të Veriut duhen
vendosë në vendet e veta, tue fillue nga Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, At
Anton Harapi, Oso Kuka etj., etj.!
GM: Cilat janë sfidat më
të mëdha që shihni për shqiptarët, si në trojet e tyre, ashtu edhe në diasporë?
FR:
Shqiptarët i respekton gjithë bota! Kryesore asht dashnia kombëtare.
Miqësia
dhe beslidhja e shqiptarve asht e përjeteshme! Kini gjithnje parasysh se lumi i
Shkumbinit nuk duhet të venë kufirin e Jugut ndaj Veriut! Shqipnia asht NJE dhe
VETËM NJE!
GM: Cili është mesazhi i
veçantë që do të donit t’u përcillnit brezave të rinj shqiptarë për historinë,
kulturën dhe identitetin e tyre?
FR:
Shqiptarve ju uroj kryesisht një shtet demokratik dhe të lirë!
Rraja
e lirisë uroj të jenë mbi bazat e demokracisë Europjane dhe me parime të drejta
e liridashëse! Larg, ma larg, me fanatizmin fetar dhe krahinor! E gjithmonë të
mbeshtetun mbi gurt e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Shejtneshes Nënë
Tereza!
Rrnoftë
Shqipnia e lirë e demokratike Europjane!