E shtune, 10.01.2026, 10:21 PM (GMT)

Kulturë

Poezi nga Xheni Krypi

E premte, 09.01.2026, 06:42 PM


Xheni Krypi

Tek unë do qëndrojë

Dashuria për ty, diku larg,

kërkon të fluturojë,

por është zog i plagosur —

e do, s'do,

tek unë do qëndrojë.

E ndiej si dridhet në gjoks,

si frymëmarrje që s'gjen strehë,

si një fjalë e pathënë

që digjet në heshtje,

midis mallit e dhimbjes së ëmbël.

Në çdo agim, ajo zgjohet me mall,

rrëshqet nëpër kujtime si dritë mbi ujë,

prek hijen tënde në ëndrra,

dhe sërish më kthehet mua —

e lodhur, por besnike.

Në krahët e mi gjen strehën e humbur,

në zemrën time, pushimin e stuhive.

Dhe unë, me butësi, ia lidh plagët,

me fjalë,

me frymë dashurie.

Se dashuria e vërtetë,

s'është ajo që fluturon larg,

por ajo që, edhe pa krahë,

nuk ikën kurrë...

sepse di —

tek unë do qëndrojë.

Të kam takuar diku

Të kam takuar diku,

në një hap drejt së ardhmes —

ku drita e mëngjesit

përkëdhelte hijet tona.

Ti më buzeqeshe,

dhe mes asaj drite të qetë,

"të dua" kumboi

si jehonë e pastër zemre.

Nuk e di nëse fole ti atë çast,

apo zëri vinte prej meje,

nga ai vend i fshehtë

ku ndjenjat lindin pa fjalë

Pylli në vjeshtë

Nën këmbët e mia

gjethet gërrhishtin lehtë,

sikur përplasen njerëzisht:

"sht... sht... qetësi..."

Era i shkund me butësi,

si duar që përkëdhelin kujtimet.

Rrezet e arta bien nëpër degë,

si fjalë dashurie të humbura në ajër.

Një zog i vonuar këndon

për diellin që ikën ngadalë,

ndërsa unë ndjej aromën e dheut

që merr frymë nën petale gjetherënieje.

A mos vallë,

vetë pylli ka rënë në dashuri?

Me vjeshtën që e vesh me të artë,

me erën që i puth degët e zhveshura,

apo me heshtjen e vet që kumbon

si një zemër që rreh fshehur në gjethe

Vetëm

Guxova të luaja me detin,

si fëmijë që s'njeh frikë nga thellësia.

U zhyta në kaltërsinë e tij të pafund,

dhe dallgët, si gjigandë lozonjarë,

nisa t'i copëtoja me duar drite.

Por, papritur, një djalë —

ndoshta nga ëndrra a nga vetë deti —

erdhi e më zhyti thellë.

Në heshtjen nën ujë,

në botën ku fryma është kujtim,

pashë sytë e tij si dy rreze që digjnin,

dhe u dorëzova.

Kur dola në breg,

rëra më përqafoi si në lamtumirë,

e era më tha diçka që s'e kuptova dot.

I lodhur deti heshti,

dhe unë po ashtu.

Tani, ngadalë, në vetminë time,

e pyes veten çdo mbrëmje:

Njeriu i vetëm,

ç'është ai vallë?

Një valë që s'ka breg,

apo një zemër që s'mësoi të prehet



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx