E hene, 05.01.2026, 02:23 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Ndërroi jetë akademik Nexhat Daci, i urtë por edhe guximtar

E shtune, 03.01.2026, 06:59 PM


NDËRROI JETË AKADEMIK NEXHAT DACI

I URTË POR EDHE GUXIMTAR

Nga Frank Shkreli

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës -- NDËRROI JETË AKADEMIK NEXHAT DACI – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës -- duke njoftuar kalimin në amshim të Akademikut Nexhat Daci tha se më 1 janar 2026 ndërroi jetë akademik Nexhat Daci, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ish-kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës në dy mandate dhe profesor shumëvjeçar në Universitetin e Prishtinës.

“Me dhembje dhe pikëllim të thellë njoftojmë se sot më 1 janar 2026 ndërroi jetë akademik Nexhat Daci, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, profesor shumëvjeçar në degën e kimisë të Fakultetit Filozofik, respektivisht të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës” thuhej në njoftim.

Lajmi se Akademiku dhe njëri prej figurave më të njohura të Kosovës të 10-viteve të para të këtij shekulli dhe të dekadës së nëntëdhjetave të shekullit të kalaur -- Nexhat Daci ka ndërruar jetë u prit me shprehje pikëllimi edhe nga udhëheqsit më të lartë aktualë të Republikës së Kosovës.  Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani tha se me pikëllim të thellë mori lajmin për ndarjen nga jeta e ish-Kryeparlamentarit të Republikës së Kosovës, akademikut dhe profesorit të nderuar, Nexhat Daci: “Akademik Daci ishte një personalitet i rrallë, i cili bashkoi dijen shkencore, përkushtimin akademik dhe angazhimin institucional, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si Kryetar i Kuvendit, deputet, akademik dhe udhëheqës i institucioneve shkencore të vendit”. Presidentja Osmani në reagimin e saj, përmendi edhe bashkpunimin e ngushtë të Akademik Nexhat Dacit me Presidentin historik të Repblikës së Kosovë, Dr Ibrahim Rugovën gjatë një prej periudhave më të vështira në historinë e Dardanisë: “Në vitet më të rënda për popullin e Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të nëntëdhjeta, Akademik Nexhat Daci u angazhua fuqishëm në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, si bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Me dije, maturi dhe vizion, ai dha një kontribut të çmuar në vendosjen e themeleve të forta të shtetit të Kosovës”, tha ndër të tjera Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr Vjosa Osmani, duke nënvijuar konributet  politike shumëdimensionale të Nexhat Dacit në ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës dhe në fusha të tjera, si  akademik dhe njëri prej intelektualëve më të shquar në historinë e Kosovës.

Ndërsa Kryeministri i vendit, Albin Kurti e cilësoi gjithashtu si pikëllues lajmin e kalimit në amshim të Dr Nexhat Daci, ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. “Nexhat Daci ishte kryetari i parë i Kuvendit të Kosovës pas çlirimit të vitit 1999, i zgjedhur dy herë kryetar, mes viteve 2000 – 2004 dhe 2004 – 2006. Ai ishte një nga figurat kryesore dhe më aktive në skenën politike në Kosovë mes viteve 2001 dhe 2011, kur si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës dhe pastaj nga viti 2007, si themelues dhe kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Dardanisë. Si anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008”, ishte reagimi i Kryeministrit Kurti (në faqen e tij sociale fejsbuk) për vdekjen e Dr Nexhat Dacit.

Unë kam patur nderin ta takoja disa herë të ndjerin Nexhat Daci, në kapacitetin tim si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-amerikan (NAAC) dhe më heret si shef i Drejtorisë së Zërit të Amerikës për Evropën, më vonë Euroazisë. E kujtoj si një njeri shumë të informuar dhe i angazhuar por shumë i qetë e urtë në paraqitje, me një kulturë të gjërë evropiane me vlera të jashtzakonshme politike por edhe jasht fushës së politikës, si njeri i vlerave intelektuale dhe kombëtare – por edhe si mik dhe bashkpuntor i ngusht i Presidentit Ibrahim Rugova, të cilin me një rast e kishte cilësuar si “personalitetin më të rëndësishëm të historisë së re në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë, sepse ai ishte edhe thyes i komunizmit në gjithë Evropën Juglindore”, duke iu referuar themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK) si partia e parë politike jo-komuniste në atë rajon në dhjetor të vitt 1989. Me Ibrahim Rugovën në krye dhe me bashkpuntorë të ngushtë si Nexhat Daci e shumë të tjerë LDK-ja ishte forca kryesore e rezistencës paqësore shqiptare kundër regjimit terrorist të Millosheviçit.

Gjatë atyre viteve dhe më vonë, Nexhat Daci kishte marrëdhënie të mira me komunitetin shqiptaro-amerikan, ndërsa ka theksuar gjithmonë kontributin e shqiptaro-amerikanëve për çlirimin dhe më vonë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ai kishte marrë pjesë në darkën gala të organizuar nga NAAC në vitin 2004, në nder të ish-Sekretarit të Shtetit Xhejms Bejker. Në takimet e mia me Nnexhat Dacin, si drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) në Prishtinë, e Dr Daci, në kapacitetin e tij si Kyetar i Kuvendit të Kosovës, gjithmonë shprehte mirënjohjen e tij veçanërisht për kontributin e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, por edhe të grupeve të tjera të diasporës shqiptare, në mbështetje të proceseve politike e shoqërore, gjatë viteve, në Kosovë. Roli dhe kontributi i shqiptaro-amerikanëve për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, ishte përherë subjekt i takimeve me të. Në bashkbisedimet me të ndjerin Daci, ai ishte shumë mirënjohës duke çmuar lartë Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan edhe si një urë-lidhëse midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe, përfundimisht, si një urë-lidhëse midis dy kombeve tona.

Patjetër që historia e Kosovës, por edhe historia kombëtare do ta vlersojë dhe do ta kujtojë Nexhat Dacin për rolin e tij në politikë, por mbi të gjitha, ai do mbetet edhe një figurë dhe autoritet i padiskutueshëm intelektual ndër shqiptarë, i cili u përpoq të sillte dijen dhe shkencën, në politikë duke I dhëne politikës një fytyrë më njerëzore. Një njeri me integritet të lartë prej intelektuali, si Kryetar i Kuvendit të republikëssë Kosovës ai u përpoq, me natyrën e tij të qetë e të urtë, të sillte norma dhe standarde normale për një legjislaturë të re, e pa përvojë politike, të një shteti të ri që posa ishte kishte filluar shtetformimin.

Me ndarjen e Nexhat Dacit nga kjo jetë, jo vetëm Kosova por edhe mbarë Kombi shqiptar humbi një figurë që la gjurmë historike me rëndësi në rrugëtimin e shtetit të ri dardan drejt lirisë dhe pavarësisë që gëzon sot. Është nder dhe privilegj për mua që e kam njohur si intelektual i dallur, akademik i shquar dhe politikan i ditëve të para të shtet-formimit të Kosovës, por edhe si njërin prej bashkpuntorve më të ngushtë të Presidentit historik Dr Ibrahim Rugova dhe një prej burrave më të shquar shumë-dimensional të Dardanisë dhe të Kombit, i cili punoi ç’ pfej fillimit si akademik dhe si politikan në konsolidimin e shtetit të ri – Republikës së Kosovës – shtet i lirë dhe i pavarur!

Në këtë ditë zije për familjen Daci dhe për Kosovën, u dërgoj ngushëllimet e mia më të përdhimbshme atyre, por njëkohësisht ndajë dhimbjen, vëllazërisht, edhe me të gjithë ata që e njohën e bashkpunuan me Dr Nexhat Dacin, në Nju Jork dhe në Washington, por edhe në Kosovë, sidomos me shumë pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan të cilët kanë punuar me të ndjerin Dr Nexhat Daci, duke dhënë kontributin e tyre të pakursyer ndër vite e dekada të kaluara për sigurimin e lirisë dhe për pavarësinë e Kosovës – shtetit të dytë të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor. I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij!

Autori në atë kohë Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), me Kryeparlamentarin e parë të Kosovës, Akademikun Nexhat Daci dhe me Këshilltarin e lartë të NAAC, Z. David Scotton, në Prishtinë (2005)

Autori, Dr Nexhat Daci, Dr Elez Biberaj në kryeqendrën e Zërit të Amerikës në Washinbgto DC

Dr Nexhat Daci ish-Kryetar i Akademisë dhe Arteve të Kosovës dhe Kryetari i parë i Kuvendit të Kosovës pas çlirimit të vitit 1999, në një vizitë në kryeqendrën e Zërit të Amerikës në Washington DC



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx