| E shtune, 03.01.2026, 06:59 PM |
NDËRROI JETË AKADEMIK NEXHAT DACI
I URTË POR EDHE GUXIMTAR
Nga Frank Shkreli
Akademia e Shkencave
dhe Arteve të Republikës së Kosovës -- NDËRROI JETË AKADEMIK NEXHAT
DACI – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës -- duke njoftuar kalimin në amshim të Akademikut Nexhat
Daci tha se më 1 janar 2026 ndërroi jetë akademik Nexhat Daci, ish-kryetar i
Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ish-kryetar i Kuvendit të
Republikës së Kosovës në dy mandate dhe profesor shumëvjeçar në Universitetin
e Prishtinës.
“Me dhembje dhe
pikëllim të thellë njoftojmë se sot më 1 janar 2026 ndërroi jetë akademik
Nexhat Daci, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe
kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, profesor shumëvjeçar në degën e
kimisë të Fakultetit Filozofik, respektivisht të Fakultetit të Shkencave
Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës” thuhej në njoftim.
Lajmi se Akademiku
dhe njëri prej figurave më të njohura të Kosovës të 10-viteve të para të këtij
shekulli dhe të dekadës së nëntëdhjetave të shekullit të kalaur -- Nexhat Daci ka
ndërruar jetë u prit me shprehje pikëllimi edhe nga udhëheqsit më të lartë
aktualë të Republikës së Kosovës.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani tha se me pikëllim të
thellë mori lajmin për ndarjen nga jeta e ish-Kryeparlamentarit të Republikës
së Kosovës, akademikut dhe profesorit të nderuar, Nexhat Daci: “Akademik Daci ishte një personalitet i
rrallë, i cili bashkoi dijen shkencore, përkushtimin akademik dhe angazhimin
institucional, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si Kryetar i Kuvendit, deputet,
akademik dhe udhëheqës i institucioneve shkencore të vendit”. Presidentja Osmani në reagimin e saj, përmendi
edhe bashkpunimin e ngushtë të Akademik Nexhat Dacit me Presidentin historik të
Repblikës së Kosovë, Dr Ibrahim Rugovën gjatë një prej periudhave më të
vështira në historinë e Dardanisë: “Në vitet më të rënda për popullin e
Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të nëntëdhjeta, Akademik Nexhat Daci u
angazhua fuqishëm në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, si bashkëpunëtor
i afërt i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Me dije, maturi dhe vizion,
ai dha një kontribut të çmuar në vendosjen e themeleve të forta të shtetit të
Kosovës”, tha ndër të tjera Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr Vjosa
Osmani, duke nënvijuar konributet
politike shumëdimensionale të Nexhat Dacit në ndërtimin e shtetit të ri
të Kosovës dhe në fusha të tjera, si
akademik dhe njëri prej intelektualëve më të shquar në historinë e
Kosovës.
Ndërsa Kryeministri i
vendit, Albin Kurti e cilësoi gjithashtu si pikëllues lajmin e kalimit në
amshim të Dr Nexhat Daci, ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-Kryetari
i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. “Nexhat
Daci ishte kryetari i parë i Kuvendit të Kosovës pas çlirimit të vitit 1999, i
zgjedhur dy herë kryetar, mes viteve 2000 – 2004 dhe 2004 – 2006. Ai ishte një
nga figurat kryesore dhe më aktive në skenën politike në Kosovë mes viteve 2001
dhe 2011, kur si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh deputet në
Kuvendin e Kosovës dhe pastaj nga viti 2007, si themelues dhe kryetar i partisë
Lidhja Demokratike e Dardanisë. Si anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës,
Nexhat Daci ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës,
më 17 shkurt 2008”, ishte reagimi i Kryeministrit Kurti (në faqen e tij sociale
fejsbuk) për vdekjen e Dr Nexhat Dacit.
Unë kam patur nderin
ta takoja disa herë të ndjerin Nexhat Daci, në kapacitetin tim si Drejtor
Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-amerikan (NAAC) dhe më heret si shef i
Drejtorisë së Zërit të Amerikës për Evropën, më vonë Euroazisë. E kujtoj si një
njeri shumë të informuar dhe i angazhuar por shumë i qetë e urtë në paraqitje,
me një kulturë të gjërë evropiane me vlera të jashtzakonshme politike por edhe
jasht fushës së politikës, si njeri i vlerave intelektuale dhe kombëtare – por
edhe si mik dhe bashkpuntor i ngusht i Presidentit Ibrahim Rugova, të cilin me
një rast e kishte cilësuar si “personalitetin më të rëndësishëm të historisë së
re në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë, sepse ai ishte edhe thyes i komunizmit në
gjithë Evropën Juglindore”, duke iu referuar themelimit të Lidhjes Demokratike
të Kosovës, (LDK) si partia e parë politike jo-komuniste në atë rajon në dhjetor
të vitt 1989. Me Ibrahim Rugovën në krye dhe me bashkpuntorë të ngushtë si Nexhat
Daci e shumë të tjerë LDK-ja ishte forca kryesore e rezistencës paqësore
shqiptare kundër regjimit terrorist të Millosheviçit.
Gjatë atyre viteve
dhe më vonë, Nexhat Daci kishte marrëdhënie të mira me komunitetin
shqiptaro-amerikan, ndërsa ka theksuar gjithmonë kontributin e shqiptaro-amerikanëve
për çlirimin dhe më vonë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ai kishte marrë pjesë në darkën gala të organizuar
nga NAAC në vitin 2004, në nder të ish-Sekretarit të Shtetit Xhejms Bejker. Në takimet e mia me Nnexhat Dacin, si drejtor
i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) në Prishtinë, e Dr Daci, në
kapacitetin e tij si Kyetar i Kuvendit të Kosovës, gjithmonë shprehte
mirënjohjen e tij veçanërisht për kontributin e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan,
por edhe të grupeve të tjera të diasporës shqiptare, në mbështetje të proceseve
politike e shoqërore, gjatë viteve, në Kosovë. Roli dhe kontributi i shqiptaro-amerikanëve
për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, ishte përherë subjekt i takimeve me të.
Në bashkbisedimet me të ndjerin Daci, ai ishte shumë mirënjohës duke çmuar
lartë Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan edhe si një urë-lidhëse midis
Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe, përfundimisht, si një
urë-lidhëse midis dy kombeve tona.
Patjetër që historia
e Kosovës, por edhe historia kombëtare do ta vlersojë dhe do ta kujtojë Nexhat
Dacin për rolin e tij në politikë, por mbi të gjitha, ai do mbetet edhe një figurë
dhe autoritet i padiskutueshëm intelektual ndër shqiptarë, i cili u përpoq të
sillte dijen dhe shkencën, në politikë duke I dhëne politikës një fytyrë më
njerëzore. Një njeri me integritet të lartë prej intelektuali, si Kryetar i Kuvendit
të republikëssë Kosovës ai u përpoq, me natyrën e tij të qetë e të urtë, të
sillte norma dhe standarde normale për një legjislaturë të re, e pa përvojë
politike, të një shteti të ri që posa ishte kishte filluar shtetformimin.
Me ndarjen e Nexhat
Dacit nga kjo jetë, jo vetëm Kosova por edhe mbarë Kombi shqiptar humbi një
figurë që la gjurmë historike me rëndësi në rrugëtimin e shtetit të ri dardan
drejt lirisë dhe pavarësisë që gëzon sot. Është nder dhe privilegj për mua që e
kam njohur si intelektual i dallur, akademik i shquar dhe politikan i ditëve të
para të shtet-formimit të Kosovës, por edhe si njërin prej bashkpuntorve më të
ngushtë të Presidentit historik Dr Ibrahim Rugova dhe një prej burrave më të
shquar shumë-dimensional të Dardanisë dhe të Kombit, i cili punoi ç’ pfej
fillimit si akademik dhe si politikan në konsolidimin e shtetit të ri –
Republikës së Kosovës – shtet i lirë dhe i pavarur!
Në këtë ditë zije për
familjen Daci dhe për Kosovën, u dërgoj ngushëllimet e mia më të përdhimbshme atyre,
por njëkohësisht ndajë dhimbjen, vëllazërisht, edhe me të gjithë ata që e
njohën e bashkpunuan me Dr Nexhat Dacin, në Nju Jork dhe në Washington, por edhe
në Kosovë, sidomos me shumë pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan të
cilët kanë punuar me të ndjerin Dr Nexhat Daci, duke dhënë kontributin e tyre
të pakursyer ndër vite e dekada të kaluara për sigurimin e lirisë dhe për pavarësinë
e Kosovës – shtetit të dytë të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor. I përjetëshëm
qoftë kujtimi i tij!
Autori në atë kohë Drejtor
Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), me Kryeparlamentarin
e parë të Kosovës, Akademikun Nexhat Daci dhe me Këshilltarin e lartë të NAAC,
Z. David Scotton, në Prishtinë (2005)
Autori, Dr Nexhat
Daci, Dr Elez Biberaj në kryeqendrën e Zërit të Amerikës në Washinbgto DC
Dr Nexhat Daci ish-Kryetar i Akademisë dhe Arteve të Kosovës dhe Kryetari i parë i Kuvendit të Kosovës pas çlirimit të vitit 1999, në një vizitë në kryeqendrën e Zërit të Amerikës në Washington DC