E marte, 23.12.2025, 10:56 PM (GMT)

Mendime

Gani Qarri: Premtime apo mashtrim për marrjen e votës

E marte, 23.12.2025, 04:55 PM


Premtime apo mashtrim për marrjen e votës

Nga Gani Qarri

Të presësh rritje 50 % të pagave nga ata të cilët, vetëm pak javë më parë kanë barrikaduar edhe buxhetin e vendit dhe bllokuar ndihmat ndërkombëtare, duke rrezikuar funksionalitetin e shtetit, përkeqësuar gjendjen sociale të qytetarëve dhe quar në humbjen e qindra miliona eurove ndihma nga Plani për Rritje i BE-së dhe Banka Ndërkombëtare të ndara për Kosovën, është vërtetë çmenduri dhe hipokrizi e llojit të politikanëve më të degjeneruar, që gjejnë terren të zhargaviten edhe sot.

Politikbërës edhe moralisht të dështuar që për fatin e keq të Kosovës, nuk u mjaftuan vetëm me barrikadimin për mbi 9 muaj, kundër konstituimit të institucioneve të shtetit, por i vendosën Kosovës edhe sanksione, e madje edhe më të rënda se vet BE, dhe derisa BE ngriu rreth 216 milion euro për dy vjet të masave shtrënguese, partitë opozitare me një të rënë si mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, me BE-në dhe Bankën Ndërkombëtare, i shkaktuan Kosovës mbi 200 milion euro humbje dhe krejt kjo vetëm paraprakisht-për periudhën aktuale.

Madje duke menduar se pasi-që Kosova u përfshi në dokumentin e Kongresit amerikan, që u nënshkrua edhe nga Presidenti Trump, ndoshta mund të ketë qasje edhe në buxhetin triljardësh të SHBA-ve, pikërisht ato parti opozitare të cilat me barrikadime e bllokada unike, dëmin më të rëndë edhe financiarisht, ia shkaktuan Kosovës, pa fije turpi keqpërdorin edhe fushatën zgjedhore, për mashtrimet e tyre, me të cilat ndotin jo vetëm tokën, por edhe qiellin, duke bërë premtimet të rrejshme për gjoja- rritjen e pagave "50%", sikur Kosova ta kishte në pronësi buxhetin e miratuar nga Donald Trumpi, për SHBA-të.

Krejt këto, në përpjekje për tu qitur hi syve qytetarëve, si mënyra e vetme, që u ka mbetur opozitarëve të inkriminuar, për të marrë edhe ndonjë votë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Premtimet e tilla marramendëse, që të realizohen dhe bëhen të besueshme edhe për qytetarët, duhet të shoqërohen me projekte të mirë-studiuara dhe transparencë të plotë nga ekspertët e fushave përkatëse për realizimin e tyre, të shpjegohet se nga do ti marrin mjetet dhe kush- e si, do të financoi për këto përmasa marramendëse të rritjes së pagave.

Pastaj duhet të shpalosen edhe treguesit bindës se në bazë të cilave kritere është e mundshme të realizohet kjo rritje tre-dimensionale, e për të fituar besimin dhe votën e qytetarëve, për të gjitha këto premtime megalomane,  duhet të ofrohet plani me afatet konkrete të realizimit të tyre.

Kështu që qytetarët e Kosovës, para se tu besojnë sloganeve kamufluese të partive politike, për rritje 50% të pagave, në vend se kandidatët për kryeministër të zotohen për luftimin e korrupsionit, nepotizmit, evazionit financiar, reformimin e sistemit gjyqësor e prokurorial, përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe krijimin e kushteve jetësore për punësim dhe mbështetje shtetërore të të rinjve tanë, që ata të mos largohen nga vendi, por të punojnë e kontribuojnë për shtetin e tyre, fillimisht duhet ta shikojnë me kujdes përformancën dhe programet zhvillimore të kandidatëve.

E ata kandidatë që bëjnë premtime pa mbulesë, pa u zotuar me argumente bindëse para qytetarëve se do të mbajnë edhe përgjegjësi nëse, premtimet e tyre nuk arrijnë ti realizojnë dhe premtimet e kandidatëve për kryeministër edhe në këtë fushatë zgjedhore, nuk bazohen në treguesit realë të jetësimit, sipas gjendjes ekonomike të vendit dhe mundësitë financiare të shtetit, çdo premtim jashtë këtyre parametrave është bosh dhe mashtrim publik i qytetarëve.

Premtimet paushallë që nuk përputhen me mundësitë financiare të shtetit as gjendjen ekonomike të vendit, nga figura të padëshmuara se i kanë realizuar ndonjëherë zotimet e dhëna në fushata zgjedhore, derisa nga përvoja me ta- në të kaluarën, njohim rritje pagash vetëm deri 4-5 %, propagandimet për rritje pagash 50% , të kandidatëve të tillë për kryeministër, janë thjeshtë premtime pa mbulesë, e pse jo edhe sajime tullumbacesh, të pompuara me frymë të gënjeshtërt njëpërdorimshme, vetëm sa për këtë fushatë elektorale.

Për rrjedhojë, vet qytetarët e Kosovës para se tu besojnë premtimeve paushallë me përmasa të pabesueshme megalomane që edhe vet kandidatët e dinë mirë, se nuk mund të realizohen, nuk mjafton ti përcjellin vetëm slloganet dhe ekspozimet elektorale të partive me premtime marramendëse, por duhet ta njohin mirë edhe të kaluarën e kandidatëve, sepse për jetësimin e premtimeve të tyre utopike, Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme ekonomike as mundësi reale financiare, ndaj keni kujdes dhe mos ju besoni, sidomos atyre që kanë bllokuar buxhetin e shtetit dhe kanë sanksionuar Kosovën me mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare duke quar në humbjen e qindra milionave euro, të ndara për vendin tonë nga BE e Banka Ndërkombëtare, thjeshtë dhe qartë: Mos ua besoni Votën!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx