| E marte, 23.12.2025, 04:55 PM |
Premtime apo mashtrim për marrjen e votës
Nga Gani
Qarri
Të presësh rritje 50 % të pagave nga ata të
cilët, vetëm pak javë më parë kanë barrikaduar edhe buxhetin e vendit dhe
bllokuar ndihmat ndërkombëtare, duke rrezikuar funksionalitetin e shtetit,
përkeqësuar gjendjen sociale të qytetarëve dhe quar në humbjen e qindra miliona
eurove ndihma nga Plani për Rritje i BE-së dhe Banka Ndërkombëtare të ndara për
Kosovën, është vërtetë çmenduri dhe hipokrizi e llojit të politikanëve më të
degjeneruar, që gjejnë terren të zhargaviten edhe sot.
Politikbërës edhe moralisht të dështuar që për
fatin e keq të Kosovës, nuk u mjaftuan vetëm me barrikadimin për mbi 9 muaj,
kundër konstituimit të institucioneve të shtetit, por i vendosën Kosovës edhe
sanksione, e madje edhe më të rënda se vet BE, dhe derisa BE ngriu rreth 216
milion euro për dy vjet të masave shtrënguese, partitë opozitare me një të rënë
si mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, me BE-në dhe Bankën Ndërkombëtare,
i shkaktuan Kosovës mbi 200 milion euro humbje dhe krejt kjo vetëm
paraprakisht-për periudhën aktuale.
Madje duke menduar se pasi-që Kosova u përfshi
në dokumentin e Kongresit amerikan, që u nënshkrua edhe nga Presidenti Trump,
ndoshta mund të ketë qasje edhe në buxhetin triljardësh të SHBA-ve, pikërisht
ato parti opozitare të cilat me barrikadime e bllokada unike, dëmin më të rëndë
edhe financiarisht, ia shkaktuan Kosovës, pa fije turpi keqpërdorin edhe
fushatën zgjedhore, për mashtrimet e tyre, me të cilat ndotin jo vetëm tokën,
por edhe qiellin, duke bërë premtimet të rrejshme për gjoja- rritjen e pagave
"50%", sikur Kosova ta kishte në pronësi buxhetin e miratuar nga
Donald Trumpi, për SHBA-të.
Krejt këto, në përpjekje për tu qitur hi syve qytetarëve,
si mënyra e vetme, që u ka mbetur opozitarëve të inkriminuar, për të marrë edhe
ndonjë votë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Premtimet e tilla marramendëse, që të realizohen
dhe bëhen të besueshme edhe për qytetarët, duhet të shoqërohen me projekte të
mirë-studiuara dhe transparencë të plotë nga ekspertët e fushave përkatëse për
realizimin e tyre, të shpjegohet se nga do ti marrin mjetet dhe kush- e si, do
të financoi për këto përmasa marramendëse të rritjes së pagave.
Pastaj duhet të shpalosen edhe treguesit bindës
se në bazë të cilave kritere është e mundshme të realizohet kjo rritje
tre-dimensionale, e për të fituar besimin dhe votën e qytetarëve, për të gjitha
këto premtime megalomane, duhet të
ofrohet plani me afatet konkrete të realizimit të tyre.
Kështu që qytetarët e Kosovës, para se tu
besojnë sloganeve kamufluese të partive politike, për rritje 50% të pagave, në
vend se kandidatët për kryeministër të zotohen për luftimin e korrupsionit,
nepotizmit, evazionit financiar, reformimin e sistemit gjyqësor e prokurorial,
përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe krijimin e kushteve jetësore për punësim
dhe mbështetje shtetërore të të rinjve tanë, që ata të mos largohen nga vendi,
por të punojnë e kontribuojnë për shtetin e tyre, fillimisht duhet ta shikojnë
me kujdes përformancën dhe programet zhvillimore të kandidatëve.
E ata kandidatë që bëjnë premtime pa mbulesë, pa
u zotuar me argumente bindëse para qytetarëve se do të mbajnë edhe përgjegjësi
nëse, premtimet e tyre nuk arrijnë ti realizojnë dhe premtimet e kandidatëve
për kryeministër edhe në këtë fushatë zgjedhore, nuk bazohen në treguesit realë
të jetësimit, sipas gjendjes ekonomike të vendit dhe mundësitë financiare të
shtetit, çdo premtim jashtë këtyre parametrave është bosh dhe mashtrim publik i
qytetarëve.
Premtimet paushallë që nuk përputhen me
mundësitë financiare të shtetit as gjendjen ekonomike të vendit, nga figura të
padëshmuara se i kanë realizuar ndonjëherë zotimet e dhëna në fushata
zgjedhore, derisa nga përvoja me ta- në të kaluarën, njohim rritje pagash vetëm
deri 4-5 %, propagandimet për rritje pagash 50% , të kandidatëve të tillë për
kryeministër, janë thjeshtë premtime pa mbulesë, e pse jo edhe sajime
tullumbacesh, të pompuara me frymë të gënjeshtërt njëpërdorimshme, vetëm sa për
këtë fushatë elektorale.
Për rrjedhojë, vet qytetarët e Kosovës para se
tu besojnë premtimeve paushallë me përmasa të pabesueshme megalomane që edhe
vet kandidatët e dinë mirë, se nuk mund të realizohen, nuk mjafton ti
përcjellin vetëm slloganet dhe ekspozimet elektorale të partive me premtime
marramendëse, por duhet ta njohin mirë edhe të kaluarën e kandidatëve, sepse
për jetësimin e premtimeve të tyre utopike, Kosova nuk ka kapacitete të
mjaftueshme ekonomike as mundësi reale financiare, ndaj keni kujdes dhe mos ju
besoni, sidomos atyre që kanë bllokuar buxhetin e shtetit dhe kanë sanksionuar
Kosovën me mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare duke quar në humbjen e
qindra milionave euro, të ndara për vendin tonë nga BE e Banka Ndërkombëtare,
thjeshtë dhe qartë: Mos ua besoni Votën!