E diele, 21.12.2025, 11:06 PM (GMT)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: E bukur dhe e frikshme…

E diele, 21.12.2025, 06:55 PM


E BUKUR DHE E FRIKSHME…

Nga Visar Zhiti

Kështu ndoshta do ta quaja veprimtarinë në Universitetin e Illinoisit, më i madhi, aty mes Kolegjit të Mjekëve në Qendrën e Shëndetit Global, i ftuar nga Shefi i Departamentit, Profesor Damiano Rondelli, italian, shkencëtar-fizikan në Hematologji/Onkologji, autor i shumë botimeve profesionale, por ai së fundmi ka nxjerrë dhe një libër me poezitë e tij ndër vite.

Takimin në Sallën e Konferencave e hapi Profesori amerikan, Stevan M. Weine, psikiatër, studiues i njohur ndërkombëtarisht për veprat e tij psikologjike, dhunën, gjenocidin dhe pasojat mendore të luftës. Mes botimeve të tij është dhe libri studimor, i rëndësishëm, për Allen Ginsberg,  ku e trajton jo thjesht si poet, por si rast paradigmatik në marrëdhëniet mes krijimtarisë, traumës dhe etikës së dëshmisë. Kjo do të ishte dhe optika e takimit me mua? Dhe kujtoja në ftesë tigfjalëshin “Klinika e Poezisë”, ishte metaforike?

E bukur dhe e frikshme! - s’e di pse thashë me vete. Se takimi është i bukur në vetvete, por e kaluara, të vërtetat e saj, mendimi post-traumatik, ato që do të thuhen, e sotmja, ballafaqimet…. mbartin pasiguri dhe druajtje deri në frikê. Kështu po më dukej.

Të pranishmit në sallë nuk ishin thjeshtë lexues apo studentë, por studiues, kërkues shkencorë, pedagogë, etj, të apasionuar dhe pas letërsisë, e kuptova, ja, ai profesori ukrainas në anë, ka botuar tre romane, më treguan. Ta duash poezinë edhe si mjek, - tha Profesor Damiano Rondelli dhe lexoi në anglisht nga libri i tij, por dhe ta përballosh realitetin me poezi, të ecësh me atë në çdo vështirësi e gëzim si… - dhe tha emrin tim, - e falenderojmë që na erdhi bashkë me të shoqen, Edën, edhe ajo si poezia… - dhe takimi vazhdoi si një bashkëbisedim mes atij dhe meje, ku për çdo çështje që u fol, apo etapë të jetës sime si dëshmi u lexua një poezi, që edhe u duartrokit. Kujtesa emocionale, parësore për mua a për poezinë…

U bënë dhe pyetje. Në mbyllje të takimit, Profesor Stevan M. Weine prandaj dhe tha se patëm mes nesh një dëshmitar moral. Shkëmbyem libra…

…më pas shëtitëm pak në rrugët universitare, edhe pse dimër, por s’ishte ai i ftohti i madh pas  borës, vizituam dhe zyrën e Profesorit, Shefit të këtij Divizioni në UIC, Dr. Damiano Rondelli, shumë libra dhe medalje e dekorata, po edhe poezi, - po mendoja, më e vyera, - ky është dhe thelbi, poezia e jetës…

Eda ime, që mbajti dhe shënime, mbase sjell një shkrim me ato që u thanë në takim, përtej asaj që thashë unë: e bukur dhe e frikshme. Mos do të ishte më mirë: bukuri e frikshme apo frikë e bukur? Frikë e shenjtë nga dija, nga pafundësia e saj dhe misteri…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx