| E diele, 21.12.2025, 06:55 PM |

E
BUKUR DHE E FRIKSHME…
Nga
Visar Zhiti
Kështu
ndoshta do ta quaja veprimtarinë në Universitetin e Illinoisit, më i madhi, aty
mes Kolegjit të Mjekëve në Qendrën e Shëndetit Global, i ftuar nga Shefi i
Departamentit, Profesor Damiano Rondelli, italian, shkencëtar-fizikan në Hematologji/Onkologji,
autor i shumë botimeve profesionale, por ai së fundmi ka nxjerrë dhe një libër
me poezitë e tij ndër vite.
Takimin
në Sallën e Konferencave e hapi Profesori amerikan, Stevan M. Weine, psikiatër,
studiues i njohur ndërkombëtarisht për veprat e tij psikologjike, dhunën,
gjenocidin dhe pasojat mendore të luftës. Mes botimeve të tij është dhe libri
studimor, i rëndësishëm, për Allen Ginsberg,
ku e trajton jo thjesht si poet, por si rast paradigmatik në marrëdhëniet
mes krijimtarisë, traumës dhe etikës së dëshmisë. Kjo do të ishte dhe optika e
takimit me mua? Dhe kujtoja në ftesë tigfjalëshin “Klinika e Poezisë”, ishte
metaforike?
E
bukur dhe e frikshme! - s’e di pse thashë me vete. Se takimi është i bukur në
vetvete, por e kaluara, të vërtetat e saj, mendimi post-traumatik, ato që do të
thuhen, e sotmja, ballafaqimet…. mbartin pasiguri dhe druajtje deri në frikê.
Kështu po më dukej.
Të
pranishmit në sallë nuk ishin thjeshtë lexues apo studentë, por studiues,
kërkues shkencorë, pedagogë, etj, të apasionuar dhe pas letërsisë, e kuptova,
ja, ai profesori ukrainas në anë, ka botuar tre romane, më treguan. Ta duash
poezinë edhe si mjek, - tha Profesor Damiano Rondelli dhe lexoi në anglisht nga
libri i tij, por dhe ta përballosh realitetin me poezi, të ecësh me atë në çdo
vështirësi e gëzim si… - dhe tha emrin tim, - e falenderojmë që na erdhi bashkë
me të shoqen, Edën, edhe ajo si poezia… - dhe takimi vazhdoi si një
bashkëbisedim mes atij dhe meje, ku për çdo çështje që u fol, apo etapë të
jetës sime si dëshmi u lexua një poezi, që edhe u duartrokit. Kujtesa
emocionale, parësore për mua a për poezinë…
U
bënë dhe pyetje. Në mbyllje të takimit, Profesor Stevan M. Weine prandaj dhe
tha se patëm mes nesh një dëshmitar moral. Shkëmbyem libra…
…më
pas shëtitëm pak në rrugët universitare, edhe pse dimër, por s’ishte ai i
ftohti i madh pas borës, vizituam dhe
zyrën e Profesorit, Shefit të këtij Divizioni në UIC, Dr. Damiano Rondelli,
shumë libra dhe medalje e dekorata, po edhe poezi, - po mendoja, më e vyera, -
ky është dhe thelbi, poezia e jetës…
Eda
ime, që mbajti dhe shënime, mbase sjell një shkrim me ato që u thanë në takim,
përtej asaj që thashë unë: e bukur dhe e frikshme. Mos do të ishte më mirë:
bukuri e frikshme apo frikë e bukur? Frikë e shenjtë nga dija, nga pafundësia e
saj dhe misteri…