Mendime
Don Fran Sopi: Ejani tek Unë… një mesazh i Kohës së Ardhjes për të rinjtë
E hene, 01.12.2025, 06:55 PM
Ejani tek Unë… një mesazh i Kohës së Ardhjes për të rinjtë
(“Ejani
tek Unë, të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë, dhe unë do t’ju
çlodh” – Mt 11,28)
Shkruan:
Don Fran Sopi
Këto
fjalë të Jezusit janë një ftesë e drejtpërdrejtë për Kohën e Ardhjes –
Adventin. Ato janë një thirrje që troket fuqishëm në zemrat e të rinjve, të
cilët sot jetojnë në një botë të trazuar, të përfshirë nga kriza në çdo sferë
të jetës. Bota nuk vuan vetëm nga mungesa e paqes, por edhe nga mungesa e dritës
brenda njeriut, e cila dritë shpeshherë venitet, sidomos në shpirtin e rinisë
së sotme globale.
Shumë
të rinj përballen me depresion, stres, ankth, presion shkollor, sfida
familjare, pasiguri për të ardhmen, krahasime të lodhshme në rrjetet sociale
dhe frikën se mos zhgënjejnë të tjerët. Këto nuk janë gjëra të vogla. Janë
barrë që rëndojnë mendjen, zemrën dhe trupin. Dhe kur të gjitha këto mbahen të
mbyllura brenda vetes, ato e lodhin edhe aq njeriun, pra, ia zbehin dritën e
brendshme dhe krijojnë ndjenjën e vetmisë.
Koha
e Ardhjes–Advent vjen pikërisht për këtë arsye, e cila veq tjerash është një
kohë e veçantë që ju fton të mos izoloheni, të mos e përballoni gjithçka vetëm,
të mos e mbani gjithë peshën e jetës mbi supet tuaja të brishta. Adventi është
një dritë që troket me në mënyrë paqësore me një urtësi, qetësi dhe dashuri në
zemrën tuaj dhe ju thotë: hapuni! Mos e lini shpirtin tuaj të mbetet i cunguar
dhe i ngujuar. Mos kini frikë të tregoni çfarë po përjetoni.
Zoti,
edhe në këtë Kohë të Ardhjes, ju thërret: “Ejani tek Unë…”, jo për t’ju
qortuar, por për t’ju lehtësuar. Ai e njeh lodhjen tuaj, edhe kur buzëqeshja
përpiqet ta fshehë. E di frikën për të ardhmen, edhe kur përpiqeni të dukeni të
fortë. Ai, di pyetjet që shkrihen brenda jush dhe shpesh mbeten pa përgjigje.
Prandaj vjen si Fëmijë i butë në Betlehem, që askush të mos trembet t’i hapë
zemrën. Por Zoti nuk ju thërret vetëm drejt Vetës së Tij. Ai ju fton të hapeni
edhe me prindërit tuaj. Edhe kur mendoni se nuk ju kuptojnë mjaftueshëm, ata ju
duan më shumë se kushdo tjetër. Ata e shohin lodhjen tuaj, edhe kur ju nuk ua
tregoni. Prandaj guxoni të flisni me ta. Ndarja e barrës e lehtëson barrën.
Hapjuni
edhe njerëzve që ju duan sinqerisht, mësuesve që ju mbështesin, miqve të
vërtetë, familjarëve që janë pranë jush. Njeriu nuk është krijuar të ecë vetëm,
e aq më pak kur është i ri. Keni të drejtë të kërkoni ndihmë. Keni të drejtë të
flisni. Keni të drejtë të mos jeni gjithmonë “të fortë”.
Edhe
rinia shqiptare sot po kalon një krizë të thellë: shumë të rinj tanë po
largohen nga vendi, disa të tjerë humbin shpresën, shumë mbyllen në vetvete dhe
disa madje mendojnë se jeta nuk ka kuptim. Por të Adventi ju kujton se jeta ka
kahje. Se ju nuk jeni rastësi në këtë botë por ju jeni dritë. Zoti ju ka krijuar
me një plan të bukur dhe me një mision unik që askush tjetër nuk mund ta
përmbushë në vendin tuaj.
Adventi
është një ftesë për t’u çliruar apo për t'u çvedhur nga frika, për t’u ngritur
nga lodhja, për të mos ndërtuar mure burgjesh apo heshtjeje rreth vetes. Ai
vjen për t’ju kujtuar se zemra juaj ka vlerë, jeta juaj ka vlerë, drita juaj ka
vlerë. Dhe mos harroni se askush nuk ju do më shumë se Zoti, prindërit tuaj dhe
njerëzit që ju duan me zemër.
Prandaj,
në këtë Kohë të Ardhjes–Advent lutemi të mos mbani brenda asgjë që ju rëndon.
Hapeni zemrën, flisni dhe kërkoni ndihmë sepse Jezusi që është Shpëtimtari i
botës po vjen për t’ju dhënë paqen që ju mungon, forcën që kërkoni dhe dritën
që do t’ju udhëheqë drejt viteve më të bukura të jetës suaj.
Sepse
kur drita e Adventit hyn në zemër, asnjë errësirë nuk mund të jetë më e fortë
se ju.
Don Fran Sopi, meshtar në Kishën Katolike “Shën Katarina” –
Pejë









