Mendime
Idriz Zeqiraj: Vetting-u që penalizon dhe Byroja që konfiskon, arsyeja e bllokadës së PAN-it!
E hene, 01.12.2025, 06:51 PM
VETTING-U QË PENALIZON DHE BYROJA QË KONFISKON,
ARSYEJA E BLLOKADËS TË PAN-IT!
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Zgjedhjet
lokale, edhe pse ndryshojnë nga ato qendrore-parlamentare, janë indikacione që
parashikojnë, në një masë, rezultatet për zgjedhjet e reja parlamentare të
pritshme. Me gjithë angazhimin enorme të mediave mercenare të Kosovës, me
mbështetjen e hapur të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, bashkëpunimi deri
në koordinim me mediat serbe dhe vet Serbinë, në paraqitjen e zymtë dhe
dobësimin e Albin Kurtit, me LVV të tij, edhe pse fitorja e llogaritur në vota,
më 9 shkurt 2025, ishte e parë me 22 komuna të Kosovës. Shifrat për rënie
rapide të LVV, sipas debateve të çdo natshme, me reprizë të nesërmen, më shumë
flasin për mercenarizmin e lukunisë mediatike mercenare të PAN-it, se sa për të
vërtetën faktike.
Akuzat që ia bënë opozita Albin
Kurtit dhe LVV së tij, janë identike me ato që ia bënë Vuçiqi me bandën e tij
serbe. Ka një kontradiktë qartazi të lexueshme: Opozita e pranon se
"sanksionet e vëna nga BE-ja, janë padrejta dhe arbitrare, sepse ato duhej
t`i viheshin Serbisë". Dhe, në të njëjtën kohë akuzojnë se
"sanksionet na i vuri Albini", duke e shfajësuar plotësisht Serbinë
dhe BE-në! Madje, për të gjitha veprimet e Qeverisë Kurti, për ta shtrirë sovranitetin,
dënoheshin zëshëm nga opozita, njësoj si Serbia.
Thirrja për bashkim, qoftë edhe
koalicion parazgjedhor, i opozitës të bashkuar, është një indikacion
domethënës, se frika e opozitës është tmerruese, sepse asnjëra syresh nuk e
përballon "ortekun" elektoral të Albin Kurtit, me partinë e tij,
gjithnjë aktive dhe në ngritje. Opozita PAN-iste, më sakt, krerët e tij dhe
eksponentët e bandave të tyre, kanë frikë nga VETTING-u, me dosje penalizuese
dhe BYROJA e Verifikimit të Pasurive hajnore e grabitçare. Prandaj e
mbajtën të bllokuar, fillimisht, Kuvendin, tani Qeverinë, duke pritur
mrekullira shpëtimi nga ndonjë katarsis ballkanik. Njësoj si shefi i tyre
Hashim, "rrafsh Kosova, edhe komandantët e Zonave në burg, vetëm unë të
shpëtoj!"
Thënë troç, opozita, me gjithë
armatën propagandistike lehaqene, si dikur ati i tyre shpirtëror, filo-sllavi
Enver Hoxha, kur Shqipëria ishte - Superfuqi Propagandistike Botërore -,
fillimisht, e Serbisë, pastaj e Rusisë, e Kinës dhe e llumhanës marksistë-leniniste
botërore. Megjithatë, nuk po arrinë ta bindë popullin e Kosovës, se ajo
përballon revanshin e Serbisë, për mbrojtjen e sovranitetit tokësor të
Atdheut-Kosovë. Aq më pak, kur disa bijë bastardë e shpirt shitur, bënë pazare
të pista me Serbinë, Francën dhe Shqipërinë, për ta ndarë Kosovën.
Prandaj, shumësia e popullit vazhdon
të shpresojë dhe besojë se Kurti me LVV dhe aleatet "GUXO" dhe
"ALTERNATIVA", janë garanci e ruajtjes të sovranitetit dhe të
integritetit tokësor të Kosovës. Pikërisht, për këtë ka fituar tri palë
zgjedhjet e fundit, lehtësisht, dhe me diferencë votash domethënëse, në raport
me subjektet tjera politike.
Populli që ka interes parësor
ndërtimin, forcimin dhe begatimin e shtetit, mendon edhe për kursimin e milionave.
Presidentja Vjosë Osmani, si trashëgimi ideale e themeltarit të shtetit,
Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, emri i saj është lakuar si më
meritore, për vazhdimin e mandatit presidencial. Vihet re një interesim i
shtuar i opinionit, se një koalicion i LVV me LDK-në, do ta mundësonte
shmangien e zgjedhjeve të serishme për Presidentin, në prillin e vitit të
ardhshëm. Por, ndryshe mendojnë disa parti halabake, llaskuce, abuzuese të
pacipshme të buxhetit shtetëror, të cilat ende pa mbaruar afati, fillojnë
pazaret e radhës, për zgjedhjen e Presidentit!
Realisht, zgjidhja më ideale e
zgjedhjes së Presidentit të vendit, do të ishte vota zgjedhore gjithë
popullore. Dhe, kjo do të ishte një zgjidhje e përhershme dhe e përjetshme,
duke u dhënë fund të gjitha pazareve të pista ndër partiake, që praktikohen,
abuzueshëm dhe turpshëm, në rastet e zgjedhjes së Presidentit nga Parlamenti!
Dhe, nëse Qeveria bie në duar të
partive të ish-shefave të PAN-it, do ta vazhdojnë pazarin e lënë në gjysmë, më
sakt, të ndërprerë dhunshëm nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë,
krijesë ekskluzive e SHBA-së dhe të shteteve të Quintit.









