E hene, 01.12.2025, 09:27 PM (GMT)

Kulturë

Shefqet Dibrani: Elegjitë si përkujtim artistik për të birin – Mentorin

E hene, 01.12.2025, 06:52 PM


ELEGJITË SI PËRKUJTIM ARTISTIK PËR TË BIRIN – MENTORIN

Mentor Sulejman Dërmaku, 01.12.1973 – 01.08.1993

Nga Shefqet DIBRANI

Sot, poeti, profesori, lektori, gazetari dhe intelektuali i shquar Sulejman Dërmaku ka vendosur ta shënojë ditëlindjen e të birit, Mentorit, në një mënyrë të veçantë. Në këtë ditë, babai i Mentor Dërmakut e bën publik librin e tij me elegji kushtuar të birit në amshim, me rastin e 52-vjetorit të lindjes së tij.

Për Sulejman Dërmakun, ikja e pakthyeshme e Mentorit është kthyer në përditshmëri - në vetë jetën e tij, të mbushur me dhimbje të heshtur, me buzëqeshje dhe sjellje fisnike. Poeti nuk dëshiron të lëndojë askënd, por mungesa e të birit, si në ditët pranverore të gëzueshme, ashtu edhe në vjeshtat e trishtueshme, e ka shndërruar përjetimin e tij në elegji. Këto elegji e kthejnë sot para lexuesit një dramë shpirtërore që ngrihet në përmendore artistike me vlera të rralla dhe me mesazh të thellë edukativ.

Poeti i këndon verës së përcëlluar me zemër të ftohtë, ashtu siç i këndon dimrit të ashpër me zemër të prusht nga malli për të birin. Libri "SI NJË ËNDËRR", poezi për të cilën studiuesi letrar Prend Buzhala pati shkruar një ese që e shoqëron botimin, merr pikërisht këtë titull të dhënë nga vetë babai, në përkushtim të të birit, në përvjetorin e 52-të të lindjes së Mentorit.

Ky vëllim elegjish, i redaktuar nga Shefqet Dibrani, përfshin edhe fragmente nga shkrimet e tij. Bashkë me botuesin Naser Vitija, editor i Shtëpisë Botuese DRITApres, ata i japin dritë këtij kujtimi të përhershëm, ku prindërit e Mentor S. Dërmaku (01.12.1973 – 01.08.1993) e kthejnë dhimbjen e sotme në kujtim letrar.

Bashkë me këtë hyrje, po sjellim edhe pamjen e kopertinave dhe parathënien e librit, të shkruar nga kritiku letrar Shefqet Dibrani.

***

DHEMBJA SI TESTAMENT I DASHURISË

Në fillim

Vëllimi "SI NJË ËNDËRR - elegji" nga Sulejman Dërmaku, është një nga dhembjet më të thella të ligjërimit elegjiak në poezinë shqipe bashkëkohore. Babai nuk rrëfen dhe as nuk vajton humbjen e të birit, Mentorit. Poeti, përmes dhembjes personale, ka ndërtuar elegji pas elegjie arkitekturën e pikëllimit, një kujtesë e gjallë, ku dhembja, kujtimi, malli i pashuar dhe pyetjet metafizike bëhen substancë e vetë jetës. Në këtë vëllim, dhembja nuk është moment, por mot i përhershëm, kohë e pandryshueshme, siç e thotë vetë autori në poezinë "Dhembje":

DHEMBJE

Sot

Sikur edhe dje

Sonte

Sikur edhe mbrëmë

Nesër

Sikur edhe sot

Sikur mot për mot

Dhembja

S'm'u shqit dot

1.10.1995, Gjermani

Vëllimi me elegji i Sulejman Dërmakut është një kapitull i hapur për dhembjen e tij, dhe dëshmi e një testamenti të dashurisë prindërore, që me çdo kusht kërkon të mbajë gjallë praninë e të birit në mungesë. Elegjitë nuk kanë të bëjnë vetëm me humbjen, ato i japin dhembjes frymë, zemrës një ritëm të ri, sikur të ishte engjëll që jeton diku midis tokës e qiellit. Sulejman Dërmaku shkruan me përvojën e njeriut i cili me çdo kusht bën përpjekje të rrojë sa më gjatë kujtimi, të mëkojë fjalët nga dhembja dhe të mos e lejojë kujtesën të mungojë. Edhe lexuesi më i rëndomtë do t'i përjetojë thellë këto elegji në të cilat ende ndihet prania e dashurisë për të, bashkë me të gjitha shenjat e mungesës dhe mënyra për të jetuar me mungesën e përhershme. Këto vargje janë elegji, janë edhe lutje, në anën tjetër është dhembje e babait e sublimuar në dashuri, i vetëdijshëm për të jetuar me mungesën. Andaj, çdo varg duket se është një mision për të mbajtur praninë e të birit që nuk është më, por zemra e tij nuk e pranon dot.

Në këto elegji, dhembja është një mënyrë e re për të jetuar më tutje, një dritë që udhëheq poetin-prind edhe nëpër natën e heshtjes. Sulejman Dërmaku e ka shndërruar pikëllimin në varg dhe vargun në një përkushtim elegjiak, që nuk harrohet kurrë, shprehur me një dashuri të prerë, e cila për të gjallë të tij refuzon të vdesë. Ai i drejtohet të birit të vet në trajtën e një bisede të ndërprerë, por kurrë të shuar: "Thonë se shpirtrat në amshim/ na shikojnë nga qielli/ nuk e di nëse është kështu/ biri im" (poezia, "SHPIRTRAT SHIHEN"), që përjetohet si mosbesim në atë përgjysmim të asaj peme me jetë, duke mundësuar motivin të bëhet si urë e tërë vëllimit elegjiak. Qëllimi është të jetuarit me dhembje dhe me mungesën e përhershme, që si varg nuk ndjek kohë lineare. Vargjet janë shkruar nga një zemër e përvëluar, që zemërimin e ka filluar që në momentin kur humbi birin, andaj vargu frymon një dhembje të vërtetë dhe të pakthyeshme. Së këndejmi, dashuria e prindit nuk shuhet as nga amshimi, përkundrazi, ajo përjetësohet pikërisht nëpërmjet kësaj mungese, e regjistruar si pika e lotit që e shpon edhe gurin.

Në këto vargje, prindi/poet nuk shkruan për të harruar, ai shkruan për të mos harruar asnjë thërrmijë të pranisë së të birit, buzëqeshjen dhe shikimin e tij, vitet-moshën e papërmbushur dhe fjalën e pashkruar. Për këtë arsye, duket sikur çdo varg i elegjisë është një gur varri, por edhe një rreze drite, në çdo datë morti, në çdo ditë gëzimi, si një lot dhe një bekim i përhershëm për Mentorin (01.12.1973-01.8.1993).

"Kur shikoj fotot e vjetra nganjëherë

E ti në to shkëlqen plot jetë, biri im

Ah, sa e pamëshirë kjo jetë përherë

Në lule të rinisë kalove në amshim...

...

Dhe jo çfarëdo dashurie të botës njimtare

Veç dashuri shpirti që prindi ndien për fëmijë

Po jeta s'të pyetka, nuk paskësh mëshirë fare

Për lotët e dashurinë tonë s'dashka t'ia dijë"

(Nga poezia "JETA S'TË PYETKA")

Poeti, ka ndërtuar një varg të heshtur, që duket se është rrënuar nga pikëllimi, andaj edhe fjalët i rrinë si hije rreth zemrës. Në këto vargje s'ka metafora të zbukuruara, sepse metaforë e vargut vetvetiu është dhembja e poetit. Këto vargje nuk synojnë të impresionojnë askënd, por tregojnë se plaga e shpirtit nuk shërohet, as koha nuk shëron, vetëm se dhembja ka gjetur ritmin e saj të frymëmarrjes. Në elegjitë e Sulejman Dërmakut, dhembja nuk është vetëm një përjetim, ajo është një hapësirë e banueshme në zemrën e poetit, është përjetim brenda botës poetike, ku prindi jeton me mungesën e përhershme të të birit dhe me praninë e përhershme të dhembjes. Andaj, elegjitë janë një udhëtim i përditshëm nëpër plagët që nuk shërohen as me kalimin e viteve, as me kohën e ikur dhe as me lutjet e përhershme. Përkundrazi, koha e ka thelluar peshën e dhembjes, ndërsa zemra e tij ka ruajtur këtë thesar artistik, sado i hidhur të jetë. Në këtë mënyrë, dhembja e poetit bëhet testament i dashurisë, mënyrë e vetme për ta mbajtur të gjallë një jetë që është shuar fizikisht, por vazhdon të jetojë shpirtërisht.

Amshimi si "vegim" i dhembjes dhe bukuria e humbur

Libri hapet me elegjinë "VEGIM", si një lajtmotiv qendror i dhembjes e që përsëritet si një ritëm i brendshëm, në kufirin mes realitetit dhe botës së amshuar. Në elegjinë "VEGIM", nipi i bëhet ura e vetme tokësore, ndërsa i biri shfaqet si prani e padukshme: "Më fanitesh/ Realitet/ A vegim", ku poeti e ndërton figurën e pikëllimit, ndërsa sytë shohin mungesën, zemra përjeton dhembjen. E njëjta vijë konceptuale vazhdon më tej: "Nipi është me ty/ Realitet/ e unë/ Vegim", ku prania dhe mungesa krijojnë një binar, ku jeta dhe vdekja ecin paralelisht, prandaj amshimi nuk është vetëm hapësirë e errët. Amshimi është një vend simbolik, ku mblidhen të gjitha kundërshtitë e zemrës, shprehur si kontrast i skajeve, "Ballë borë/ Buzët shkrumbon/ Faqe akull/ Përqafimi përcëllon", dhe vargu shndërrohet në figurë të dualitetit emocional, djegie dhe ngrirje, mall dhe heshtje, prani dhe largësi. Pra, Biri në amshim nuk është as i gjallë e as i zhdukur: "Biri im/ Gojëmbyllur... Symbyllur/ Të detit kaltri/ Biri im/ Në Amshim", në elegjinë "AMSHIM", poeti ka arritur të shkruajë një varg të thjeshtë, por tronditësh, që dëshmon se bukuria e fëmijës së humbur ruhet si ngjyrë e detit, por heshtja e tij është e ftohtë si tallazet e tij.

Koha si plagë e hapur

Motivi i datave të dhembshme, është një shënim tjetër i këtyre elegjive. Çdo 1 gusht dhe 1 dhjetor bëhen rituale të dhembjes. Në poezinë "1 DHJETOR 1973 / 1993", kundërvihen dy botë:

1973

1 dhjetor

Bie dëborë

Zemra ngroh

Ditë-lindja jote

Këtë e shoh

Rrodhën vitet

U bëre burrë

Ditëlindjen e njëzetë

Ta kremtosh

S'arrite kurrë

Dhe më pas:

1993

1 dhjetor

Nuk bie dëborë

Zemra mardh

(Dhe përcëllon njëherësh)

Nuk di

Si të gjej ngushëllim

Të të kremtoj

Ditë-lindjen

A të të qaj

Ditë-vdekjen

Biri im

1.12.1993, Ferizaj

Pra, datat në këtë elegji nuk janë vetëm kujtime, ato janë akte të vazhdueshme të jetuara. Acar, vapë, dëborë, verë, të gjitha kthehen në metafora të dhembjes, dhe si realizime artistike për t'u veçuar. Të këtij niveli janë edhe elegjitë: "PA TY DHE PA EMËR"; "KËNGË E DHJETORIT"; "SHIKIMI YT"; "VDEKJE NUK ËSHTË KUR VDES", e ndonjë tjetër.

Pikëllimi që s'iku kurrë

Përgjatë të gjitha elegjive, simbolika e dhembjes shfaqet sikur të ishte personazh i gjallë, si hije që ndjek, si zë shoqërues. Në elegjinë "DHEMBJE SHPIRTËRORE", dhembja "banon" në zemrën e poetit: "Zjarr prush e flakë banon/ Thellë në timen zemër/ Zhurit djeg e përcëllon/ Pa çarë kokë për emër." Ndërsa në elegjinë "NGADO", dhembja është shoqëruesja e pashpërfillshme: "Ti s'm'u hoqe/ Ti më ndoqe/ Ti më shoqërove/ Ti më shqetësove/ Hap më hap/ Me mua shqim/ Dhembje/ E shpirtit tim." Prandaj, dhembja nuk është gjendje e brendshme, por figurë e jashtme, ajo ecën, udhëton, ndjek, shfaqet si hija që nuk ndahet.

Në këto elegji, mungesa është prani dhe e përhershme. Ajo nuk është zbrazëti, por një territor ku vargjet ndërtojnë shtëpinë e re për të dashurin e humbur. Në një prej fragmenteve mjaft prekëse, janë vargjet: "Çdo mot/ ndonëse fizikisht mungesor/ Për këtë, dhembja e pashuar/ dhe pikëllimi sëmbues/ janë të përhershëm tanët shoqërues." Këto vargje janë metaforë e pikëllimit sëmbues, dhembja e përhershme në këto elegji nuk është fizike, është ritmikë shpirtërore. Është dhembje përmes shpirtit dhe vargut. Kujtesa e t'et shndërrohet në përjetim dhe metamorfozë e dhembjes.

Elegjitë shpesh shtrojnë pyetje të drejtpërdrejta drejtuar Zotit dhe fatit, si në poezinë "PËRSE", e cila është një prej elegjive që shpreh sinqeritetin e prindit, i cili përmes vargut e shfaq një revoltë irracionale: "Rron/ I verbri/ Shurdhi/ I paafti/ I paralizuari/ Psikopati/ I sëmuri/ Biri im/ Shëndoshë si molla/ O Zot/ Përse të vdesë." Në këtë elegji, poeti përdor një figuracion të fortë të krahasimit, duke e vendosur absurditetin e humbjes përballë rasteve të tjera të mbijetesës. Revolta është e thjeshtë, e pastër, dhe për këtë arsye thellësisht tronditëse. Poeti Sulejman Dërmaku nuk qan, ai rrëfen dhe dëshmon. Kjo është një nga vlerat themelore të këtyre elegjive. Dhembja në këto elegji ka krijuar një dimension të ri të dashurisë, duke treguar se ndarja nuk është e pranueshme, ajo është e detyruar. Sipas kësaj, vargjet nuk mund ta ndryshojnë fatin e njeriut dhe as të poetit, por e ka shpëtuar kujtesën nga zhdukja dhe harresa, prandaj mund të them se këto elegji janë një gjëmë e vogël artistike kundër harresës. Diku tjetër, poeti e ndërton jetën si kujtim. Ta zëmë, te elegjia, "JETOJMË ME KUJTIMIN TËND", kujtimi i babait mëkon shpirtin që mban gjallë familjen: "Jeta jonë që nga ajo e diel e kobshme/ e 1 gushtit 1993/ qe dhe mbeti/ një kopje e zbehtë/ e jetës së njëmendtë." Ndërsa në elegjinë "MBURREMI QË E PATËM", me përkushtimin, "Tim biri, Mentorit, në 23-vjetorin e prehjes në amshim", kujtimi shndërrohet në krenari, në mënyrën e vetme për të kapërcyer dhembjen: "Ai për ne rron prore/ rron në zemrat tona... Mburremi që e patëm." Kjo lëvizje e poetit nga dhembja e pastër drejt krenarisë së butë dhe mirënjohjes shprehet me një ton pothuaj të shenjtëruar.

Koha që ndalet

Nëpër këto elegji, Biri i Sulejman Dërmakut mbetet një figurë e ngrirë në moshë. "Nëntëmbëdhjetë vjeç prore", thotë poeti, duke e bërë kohën të dorëzohet përpara ndjenjës. Djaloshi nuk ka të drejtë të plaket, të martohet, të rritet, prandaj ai bëhet simbol i përjetësisë së pafajshme, një jetë e ndërprerë që mbetet hëna e plotë e kujtimeve. Pikërisht elegjia "I AMSHUESHËM" e kristalizon këtë ide. Biri i poetit, "S'plaket dot/ Prore djalosh/ nëntëmbëdhjetëvjeçar/... i amshueshëm/ në zemër ar/ për ne", duke u shndërruar dhembja në muzë dhe inspirim krijues.

Muaji dhjetor ka një peshë të veçantë nëpër këto elegji, sepse gërshetohen dy data të kundërta, lindja dhe humbja, siç shprehet në vargjet: "Të të kremtoj ditëlindjen, a të të qaj ditë/vdekjen", është shprehur ai, si prind dhe poet. Dhjetori nuk është më muaj i dritave, është hapësirë ku gëzimi dhe pikëllimi jetojnë në të njëjtën frymë. "Dëgjoj këngën e dhjetorit të ftohtë.../ më ngrohet zemra si asnjëherë", në këto vargje poeti sikur e ndien birin që i vjen nëpër acar me besim se ringjallet edhe një herë, duke përshkruar një narracion estetik të këtij vëllimi me elegji përjetuese e përkushtuese, i bindur se nuk ka më ndarje të pastër mes jetës dhe amshimit. Andaj, dita e diel e humb karakterin e saj të pushimit dhe bëhet dita e kobit, "Atë ditë/... të përcollëm në amshim," kujton poeti. Ajo e diel e 1 gushtit 1993 nuk është thjesht datë, është stina me një plagë në zemër që ka prodhuar urrejtje ndaj të dielave, "sikur bëri që t'i urrejmë/ të gjitha të dielat", një nga figurat më tronditëse të poezisë, një ditë që për poetin po zgjatet qe 30 vjet dhe nuk do të mbarojë kurrë.

Dhembja si testament i dashurisë

Në poezitë e fundit, dhembja quhet "e përjetshme", si kujtim e jo mallkim. Dhembja është prova e një dashurie që nuk tretet, nuk harrohet, nuk shuhet. Është mënyra e vetme për ta mbajtur të birin pranë, është gjuha e vetme me të cilën poeti mund ta thërrasë jetën e tij të humbur. Biri i poetit është përkujtuar nëpër vargje, në botën ku vargjet rrojnë dhe ringjallin kujtimin. Dhembja tek Sulejman Dërmaku është dritë e zbehtë, por e pandalshme. Vargjet janë një testament i dashurisë, i shkruar me shpirt të thyer, por me zemër të fortë, andaj elegjitë, varg pas vargu, dëshmojnë se dashuria e një prindi nuk vdes kurrë, ajo vetëm shndërrohet në motiv për t'u bërë amshim poetik.

Në përfundim

Vëllimi "SI NJË ËNDËRR - elegji", është një testament poetik i një prindi, që nuk e mposht dot dhembjen, por e shndërron atë në ligjërim poetik, në kujtesë të qëndrueshme, në amshim të fjalës. Sulejman Dërmaku ka ndërtuar një poezi të pastër, të mbështetur mbi metafora të fuqishme të ftohtit, zjarrit, mallit dhe mosplakjes. Ajo që e bën këtë elegji unike është sinqeriteti që nuk dorëzohet para retorikës, por e kthen dhembjen në vijë drite, në një lloj komunikimi me të birin përtej kohës. Ky vëllim me elegji i Sulejman Dërmakut është si një qiri që digjet nga të dy skajet. Nga ai i kujtesës dhe ai i pritjes. Ai digjet, por nuk shteron. Ajo duket si një lule e mbirë në një tokë të djegur. Edhe lexuesi do ta kuptojë se dhembja nuk është vetëm plagë, por edhe dorë që mban lapsin për të shkruar, edhe zemër e plagosur që rron për këto vargje në kujtim të Birit që do të mbetet si një imazh i qetë, i brishtë, i pashuar e në pritje të kthimit, qoftë edhe në ëndërr ose në një varg të ri.

Shefqet DIBRANI

Prishtinë, 01 djetor 2025.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Asllan Dibrani (Luani): Frika nga Vota e Mërgatës Visar Zhiti: Flamuri i shtëpisë, i atit dhe birit dhe shpirtit të shenjtë… Vladimir Shyti: Agron Calliku, që vihet në rolin e mjekut psikiatër Adil Fetahu: Lirikë dashurie “e tensionit të lartë” Albert Vataj: Xhokonda e Prados, një tjetër Mona Lizë Bashkim Saliasi: Mjeku i tre kontinenteve me autorë Ted Allan - Sydney Gordon Albert Vataj: Lamtumira pa lavdi e Oscar Wilde Sevdail Hyseni: Nëntor Lugine - “Veç shqip” Albert Vataj: Kur libraritë ishin tempuj prehje dhe kreativiteti Lekë Mrijaj: At Marjan Prelaj - Autobiografi Albert Vataj: Flamur kuqezi, sot po du, me ty me gëzu, e me fluturu! Nexhmije Mehmetaj: Ejona Bytyqi – Zëri i ri shqiptar nga Gjeneva që po pushton skenën e diasporës Kadri Tarelli: Hysen Dizdari në libër me vlera të larta atdhetarie Ndue Dedaj: Ermonela Jaho në Gjakovë, si kthimi i “Doruntinës” Valentina Dafa: Refleksion mbi romanin “Lotët e një gruaje” të autores Blerina Pëllumbi Albert Habazaj: Pavarësia na flamurëron zemrat vlorërisht Jahja Drançolli: Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, simbolin më të çmuar të historisë sonë mijëravjeçare Visar Zhiti: Flamuri ynë, zjarr prometean dhe flatër engjëlli Albert Vataj: Lucia Pisapia Apicella, e shtuquajtura “Nëna e të Vdekurve”, e cila u dha prehje në paqen e përjetësisë 700 djemve Albert Zholi: Veprimtari mbresëlënëse në promovimin e dy librave të Meri Mezinit

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx