Kulturë
Shefqet Dibrani: Elegjitë si përkujtim artistik për të birin – Mentorin
E hene, 01.12.2025, 06:52 PM

ELEGJITË SI PËRKUJTIM
ARTISTIK PËR TË BIRIN – MENTORIN
Mentor
Sulejman Dërmaku, 01.12.1973 – 01.08.1993
Nga
Shefqet DIBRANI
Sot, poeti, profesori, lektori,
gazetari dhe intelektuali i shquar Sulejman Dërmaku ka vendosur ta shënojë
ditëlindjen e të birit, Mentorit, në një mënyrë të veçantë. Në këtë ditë, babai
i Mentor Dërmakut e bën publik librin e tij me elegji kushtuar të birit në
amshim, me rastin e 52-vjetorit të lindjes së tij.
Për Sulejman Dërmakun, ikja e
pakthyeshme e Mentorit është kthyer në përditshmëri - në vetë jetën e tij, të
mbushur me dhimbje të heshtur, me buzëqeshje dhe sjellje fisnike. Poeti nuk
dëshiron të lëndojë askënd, por mungesa e të birit, si në ditët pranverore të
gëzueshme, ashtu edhe në vjeshtat e trishtueshme, e ka shndërruar përjetimin e
tij në elegji. Këto elegji e kthejnë sot para lexuesit një dramë shpirtërore që
ngrihet në përmendore artistike me vlera të rralla dhe me mesazh të thellë
edukativ.
Poeti i këndon verës së përcëlluar me
zemër të ftohtë, ashtu siç i këndon dimrit të ashpër me zemër të prusht nga
malli për të birin. Libri "SI NJË ËNDËRR", poezi për të cilën
studiuesi letrar Prend Buzhala pati shkruar një ese që e shoqëron botimin, merr
pikërisht këtë titull të dhënë nga vetë babai, në përkushtim të të birit, në
përvjetorin e 52-të të lindjes së Mentorit.
Ky vëllim elegjish, i redaktuar nga
Shefqet Dibrani, përfshin edhe fragmente nga shkrimet e tij. Bashkë me botuesin
Naser Vitija, editor i Shtëpisë Botuese DRITApres, ata i japin
dritë këtij kujtimi të përhershëm, ku prindërit e Mentor S. Dërmaku (01.12.1973
– 01.08.1993) e kthejnë dhimbjen e sotme në kujtim letrar.
Bashkë me këtë hyrje, po sjellim edhe
pamjen e kopertinave dhe parathënien e librit, të shkruar nga kritiku letrar
Shefqet Dibrani.
***
DHEMBJA SI TESTAMENT I DASHURISË
Në fillim
Vëllimi "SI NJË
ËNDËRR - elegji" nga Sulejman Dërmaku, është
një nga dhembjet më të thella të ligjërimit elegjiak në poezinë shqipe
bashkëkohore. Babai nuk rrëfen dhe as nuk vajton humbjen e të birit, Mentorit.
Poeti, përmes dhembjes personale, ka ndërtuar elegji pas elegjie arkitekturën e
pikëllimit, një kujtesë e gjallë, ku dhembja, kujtimi, malli i pashuar dhe
pyetjet metafizike bëhen substancë e vetë jetës. Në këtë vëllim, dhembja nuk
është moment, por mot i përhershëm, kohë e pandryshueshme, siç e thotë vetë
autori në poezinë "Dhembje":
DHEMBJE
Sot
Sikur edhe dje
Sonte
Sikur edhe mbrëmë
Nesër
Sikur edhe sot
Sikur mot për mot
Dhembja
S'm'u shqit dot
1.10.1995, Gjermani
Vëllimi me elegji i Sulejman
Dërmakut është një kapitull i hapur për dhembjen e tij, dhe dëshmi e
një testamenti të dashurisë prindërore, që me çdo kusht kërkon të mbajë gjallë
praninë e të birit në mungesë. Elegjitë nuk kanë të bëjnë vetëm me humbjen, ato
i japin dhembjes frymë, zemrës një ritëm të ri, sikur të ishte engjëll që jeton
diku midis tokës e qiellit. Sulejman Dërmaku shkruan me
përvojën e njeriut i cili me çdo kusht bën përpjekje të rrojë sa më gjatë
kujtimi, të mëkojë fjalët nga dhembja dhe të mos e lejojë kujtesën të mungojë.
Edhe lexuesi më i rëndomtë do t'i përjetojë thellë këto elegji në të cilat ende
ndihet prania e dashurisë për të, bashkë me të gjitha shenjat e mungesës dhe
mënyra për të jetuar me mungesën e përhershme. Këto vargje janë elegji, janë
edhe lutje, në anën tjetër është dhembje e babait e sublimuar në dashuri, i
vetëdijshëm për të jetuar me mungesën. Andaj, çdo varg duket se është një
mision për të mbajtur praninë e të birit që nuk është më, por zemra e tij nuk e
pranon dot.
Në këto elegji, dhembja është një
mënyrë e re për të jetuar më tutje, një dritë që udhëheq poetin-prind edhe
nëpër natën e heshtjes. Sulejman Dërmaku e ka shndërruar
pikëllimin në varg dhe vargun në një përkushtim elegjiak, që nuk harrohet
kurrë, shprehur me një dashuri të prerë, e cila për të gjallë të tij refuzon të
vdesë. Ai i drejtohet të birit të vet në trajtën e një bisede të ndërprerë, por
kurrë të shuar: "Thonë se shpirtrat në amshim/ na shikojnë nga
qielli/ nuk e di nëse është kështu/ biri im" (poezia,
"SHPIRTRAT SHIHEN"), që përjetohet si mosbesim në atë përgjysmim të
asaj peme me jetë, duke mundësuar motivin të bëhet si urë e tërë vëllimit
elegjiak. Qëllimi është të jetuarit me dhembje dhe me mungesën e përhershme, që
si varg nuk ndjek kohë lineare. Vargjet janë shkruar nga një zemër e përvëluar,
që zemërimin e ka filluar që në momentin kur humbi birin, andaj vargu frymon
një dhembje të vërtetë dhe të pakthyeshme. Së këndejmi, dashuria e prindit nuk
shuhet as nga amshimi, përkundrazi, ajo përjetësohet pikërisht nëpërmjet kësaj
mungese, e regjistruar si pika e lotit që e shpon edhe gurin.
Në këto vargje, prindi/poet nuk
shkruan për të harruar, ai shkruan për të mos harruar asnjë thërrmijë të
pranisë së të birit, buzëqeshjen dhe shikimin e tij, vitet-moshën e
papërmbushur dhe fjalën e pashkruar. Për këtë arsye, duket sikur çdo varg i
elegjisë është një gur varri, por edhe një rreze drite, në çdo datë morti, në
çdo ditë gëzimi, si një lot dhe një bekim i përhershëm për Mentorin
(01.12.1973-01.8.1993).
"Kur shikoj fotot e vjetra
nganjëherë
E ti në to shkëlqen plot jetë, biri
im
Ah, sa e pamëshirë kjo jetë përherë
Në lule të rinisë kalove në amshim...
...
Dhe jo çfarëdo dashurie të botës
njimtare
Veç dashuri shpirti që prindi ndien
për fëmijë
Po jeta s'të pyetka, nuk paskësh
mëshirë fare
Për lotët e dashurinë tonë s'dashka
t'ia dijë"
(Nga poezia "JETA S'TË
PYETKA")
Poeti, ka ndërtuar një varg të
heshtur, që duket se është rrënuar nga pikëllimi, andaj edhe fjalët i rrinë si
hije rreth zemrës. Në këto vargje s'ka metafora të zbukuruara, sepse metaforë e
vargut vetvetiu është dhembja e poetit. Këto vargje nuk synojnë të
impresionojnë askënd, por tregojnë se plaga e shpirtit nuk shërohet, as koha
nuk shëron, vetëm se dhembja ka gjetur ritmin e saj të frymëmarrjes. Në
elegjitë e Sulejman Dërmakut, dhembja nuk është vetëm një përjetim,
ajo është një hapësirë e banueshme në zemrën e poetit, është përjetim brenda
botës poetike, ku prindi jeton me mungesën e përhershme të të birit dhe me
praninë e përhershme të dhembjes. Andaj, elegjitë janë një udhëtim i përditshëm
nëpër plagët që nuk shërohen as me kalimin e viteve, as me kohën e ikur dhe as
me lutjet e përhershme. Përkundrazi, koha e ka thelluar peshën e dhembjes,
ndërsa zemra e tij ka ruajtur këtë thesar artistik, sado i hidhur të jetë. Në
këtë mënyrë, dhembja e poetit bëhet testament i dashurisë, mënyrë e vetme për
ta mbajtur të gjallë një jetë që është shuar fizikisht, por vazhdon të jetojë
shpirtërisht.
Amshimi si "vegim" i dhembjes dhe bukuria e humbur
Libri hapet me elegjinë
"VEGIM", si një lajtmotiv qendror i dhembjes e që përsëritet si një
ritëm i brendshëm, në kufirin mes realitetit dhe botës së amshuar. Në
elegjinë "VEGIM", nipi i bëhet ura e vetme tokësore,
ndërsa i biri shfaqet si prani e padukshme: "Më fanitesh/
Realitet/ A vegim", ku poeti e ndërton figurën e pikëllimit, ndërsa
sytë shohin mungesën, zemra përjeton dhembjen. E njëjta vijë konceptuale
vazhdon më tej: "Nipi është me ty/ Realitet/ e unë/ Vegim",
ku prania dhe mungesa krijojnë një binar, ku jeta dhe vdekja ecin paralelisht,
prandaj amshimi nuk është vetëm hapësirë e errët. Amshimi është një vend simbolik,
ku mblidhen të gjitha kundërshtitë e zemrës, shprehur si kontrast i
skajeve, "Ballë borë/ Buzët shkrumbon/ Faqe akull/ Përqafimi
përcëllon", dhe vargu shndërrohet në figurë të dualitetit
emocional, djegie dhe ngrirje, mall dhe heshtje, prani dhe largësi. Pra, Biri
në amshim nuk është as i gjallë e as i zhdukur: "Biri im/
Gojëmbyllur... Symbyllur/ Të detit kaltri/ Biri im/ Në Amshim", në
elegjinë "AMSHIM", poeti ka arritur të shkruajë një varg të thjeshtë,
por tronditësh, që dëshmon se bukuria e fëmijës së humbur ruhet si ngjyrë e
detit, por heshtja e tij është e ftohtë si tallazet e tij.
Koha si plagë e hapur
Motivi i datave të dhembshme, është
një shënim tjetër i këtyre elegjive. Çdo 1 gusht dhe 1 dhjetor bëhen rituale të
dhembjes. Në poezinë "1 DHJETOR 1973 / 1993",
kundërvihen dy botë:
1973
1 dhjetor
Bie dëborë
Zemra ngroh
Ditë-lindja jote
Këtë e shoh
Rrodhën vitet
U bëre burrë
Ditëlindjen e njëzetë
Ta kremtosh
S'arrite kurrë
Dhe më pas:
1993
1 dhjetor
Nuk bie dëborë
Zemra mardh
(Dhe përcëllon njëherësh)
Nuk di
Si të gjej ngushëllim
Të të kremtoj
Ditë-lindjen
A të të qaj
Ditë-vdekjen
Biri im
1.12.1993, Ferizaj
Pra, datat në këtë elegji nuk janë
vetëm kujtime, ato janë akte të vazhdueshme të jetuara. Acar, vapë, dëborë,
verë, të gjitha kthehen në metafora të dhembjes, dhe si realizime artistike për
t'u veçuar. Të këtij niveli janë edhe elegjitë: "PA TY DHE PA EMËR";
"KËNGË E DHJETORIT"; "SHIKIMI YT"; "VDEKJE NUK ËSHTË
KUR VDES", e ndonjë tjetër.
Pikëllimi që s'iku kurrë
Përgjatë të gjitha elegjive,
simbolika e dhembjes shfaqet sikur të ishte personazh i gjallë, si hije që
ndjek, si zë shoqërues. Në elegjinë "DHEMBJE SHPIRTËRORE",
dhembja "banon" në zemrën e poetit: "Zjarr
prush e flakë banon/ Thellë në timen zemër/ Zhurit djeg e
përcëllon/ Pa çarë kokë për emër." Ndërsa në elegjinë "NGADO",
dhembja është shoqëruesja e pashpërfillshme: "Ti s'm'u hoqe/ Ti më
ndoqe/ Ti më shoqërove/ Ti më shqetësove/ Hap më hap/ Me mua
shqim/ Dhembje/ E shpirtit tim." Prandaj, dhembja nuk është
gjendje e brendshme, por figurë e jashtme, ajo ecën, udhëton, ndjek, shfaqet si
hija që nuk ndahet.
Në këto elegji, mungesa është prani
dhe e përhershme. Ajo nuk është zbrazëti, por një territor ku vargjet ndërtojnë
shtëpinë e re për të dashurin e humbur. Në një prej fragmenteve mjaft prekëse,
janë vargjet: "Çdo mot/ ndonëse fizikisht mungesor/
Për këtë, dhembja e pashuar/ dhe pikëllimi sëmbues/ janë të
përhershëm tanët shoqërues." Këto vargje janë metaforë e
pikëllimit sëmbues, dhembja e përhershme në këto elegji nuk është fizike, është
ritmikë shpirtërore. Është dhembje përmes shpirtit dhe vargut. Kujtesa e t'et
shndërrohet në përjetim dhe metamorfozë e dhembjes.
Elegjitë shpesh shtrojnë pyetje të
drejtpërdrejta drejtuar Zotit dhe fatit, si në poezinë "PËRSE",
e cila është një prej elegjive që shpreh sinqeritetin e prindit, i cili përmes
vargut e shfaq një revoltë irracionale: "Rron/ I
verbri/ Shurdhi/ I paafti/ I paralizuari/ Psikopati/ I
sëmuri/ Biri im/ Shëndoshë si molla/ O Zot/ Përse të vdesë." Në
këtë elegji, poeti përdor një figuracion të fortë të krahasimit, duke e
vendosur absurditetin e humbjes përballë rasteve të tjera të mbijetesës.
Revolta është e thjeshtë, e pastër, dhe për këtë arsye thellësisht tronditëse.
Poeti Sulejman Dërmaku nuk qan, ai rrëfen dhe dëshmon. Kjo
është një nga vlerat themelore të këtyre elegjive. Dhembja në këto elegji ka
krijuar një dimension të ri të dashurisë, duke treguar se ndarja nuk është e
pranueshme, ajo është e detyruar. Sipas kësaj, vargjet nuk mund ta ndryshojnë
fatin e njeriut dhe as të poetit, por e ka shpëtuar kujtesën nga zhdukja dhe
harresa, prandaj mund të them se këto elegji janë një gjëmë e vogël artistike
kundër harresës. Diku tjetër, poeti e ndërton jetën si kujtim. Ta zëmë, te
elegjia, "JETOJMË ME KUJTIMIN TËND", kujtimi i babait
mëkon shpirtin që mban gjallë familjen: "Jeta jonë që nga ajo
e diel e kobshme/ e 1 gushtit 1993/ qe dhe mbeti/ një kopje e zbehtë/ e
jetës së njëmendtë." Ndërsa në elegjinë "MBURREMI QË
E PATËM", me përkushtimin, "Tim biri, Mentorit, në
23-vjetorin e prehjes në amshim", kujtimi shndërrohet në krenari,
në mënyrën e vetme për të kapërcyer dhembjen: "Ai për ne rron
prore/ rron në zemrat tona... Mburremi që e patëm." Kjo lëvizje e
poetit nga dhembja e pastër drejt krenarisë së butë dhe mirënjohjes shprehet me
një ton pothuaj të shenjtëruar.
Koha që ndalet
Nëpër këto elegji, Biri i Sulejman
Dërmakut mbetet një figurë e ngrirë në moshë. "Nëntëmbëdhjetë
vjeç prore", thotë poeti, duke e bërë kohën të dorëzohet përpara
ndjenjës. Djaloshi nuk ka të drejtë të plaket, të martohet, të rritet, prandaj
ai bëhet simbol i përjetësisë së pafajshme, një jetë e ndërprerë që mbetet hëna
e plotë e kujtimeve. Pikërisht elegjia "I AMSHUESHËM" e
kristalizon këtë ide. Biri i poetit, "S'plaket dot/ Prore djalosh/
nëntëmbëdhjetëvjeçar/... i amshueshëm/ në zemër ar/ për ne", duke u
shndërruar dhembja në muzë dhe inspirim krijues.
Muaji dhjetor ka një peshë të veçantë
nëpër këto elegji, sepse gërshetohen dy data të kundërta, lindja dhe humbja,
siç shprehet në vargjet: "Të të kremtoj ditëlindjen, a
të të qaj ditë/vdekjen", është shprehur ai, si prind dhe poet.
Dhjetori nuk është më muaj i dritave, është hapësirë ku gëzimi dhe pikëllimi
jetojnë në të njëjtën frymë. "Dëgjoj këngën e dhjetorit të
ftohtë.../ më ngrohet zemra si asnjëherë", në këto vargje poeti sikur
e ndien birin që i vjen nëpër acar me besim se ringjallet edhe një herë, duke
përshkruar një narracion estetik të këtij vëllimi me elegji përjetuese e
përkushtuese, i bindur se nuk ka më ndarje të pastër mes jetës dhe amshimit.
Andaj, dita e diel e humb karakterin e saj të pushimit dhe bëhet dita e
kobit, "Atë ditë/... të përcollëm në amshim," kujton
poeti. Ajo e diel e 1 gushtit 1993 nuk është thjesht datë, është stina me një
plagë në zemër që ka prodhuar urrejtje ndaj të dielave, "sikur
bëri që t'i urrejmë/ të gjitha të dielat", një nga figurat më
tronditëse të poezisë, një ditë që për poetin po zgjatet qe 30 vjet dhe nuk do
të mbarojë kurrë.
Dhembja si testament i dashurisë
Në poezitë e fundit, dhembja
quhet "e përjetshme", si kujtim e jo mallkim. Dhembja
është prova e një dashurie që nuk tretet, nuk harrohet, nuk shuhet. Është
mënyra e vetme për ta mbajtur të birin pranë, është gjuha e vetme me të cilën
poeti mund ta thërrasë jetën e tij të humbur. Biri i poetit është përkujtuar
nëpër vargje, në botën ku vargjet rrojnë dhe ringjallin kujtimin. Dhembja
tek Sulejman Dërmaku është dritë e zbehtë, por e pandalshme.
Vargjet janë një testament i dashurisë, i shkruar me shpirt të thyer, por me
zemër të fortë, andaj elegjitë, varg pas vargu, dëshmojnë se dashuria e një
prindi nuk vdes kurrë, ajo vetëm shndërrohet në motiv për t'u bërë amshim
poetik.
Në përfundim
Vëllimi "SI NJË
ËNDËRR - elegji", është një testament poetik i një prindi, që nuk
e mposht dot dhembjen, por e shndërron atë në ligjërim poetik, në kujtesë të
qëndrueshme, në amshim të fjalës. Sulejman Dërmaku ka ndërtuar
një poezi të pastër, të mbështetur mbi metafora të fuqishme të ftohtit,
zjarrit, mallit dhe mosplakjes. Ajo që e bën këtë elegji unike është
sinqeriteti që nuk dorëzohet para retorikës, por e kthen dhembjen në vijë
drite, në një lloj komunikimi me të birin përtej kohës. Ky vëllim me elegji
i Sulejman Dërmakut është si një qiri që digjet nga të dy
skajet. Nga ai i kujtesës dhe ai i pritjes. Ai digjet, por nuk shteron. Ajo
duket si një lule e mbirë në një tokë të djegur. Edhe lexuesi do ta kuptojë se
dhembja nuk është vetëm plagë, por edhe dorë që mban lapsin për të shkruar,
edhe zemër e plagosur që rron për këto vargje në kujtim të Birit që do të
mbetet si një imazh i qetë, i brishtë, i pashuar e në pritje të kthimit, qoftë
edhe në ëndërr ose në një varg të ri.
Shefqet DIBRANI
Prishtinë, 01 djetor 2025.









