E premte, 21.11.2025, 10:31 PM (GMT)

Mendime

Nikoleta Kovaçi: Kush e kërcënon kryeministrin për Belindën?

E premte, 21.11.2025, 07:28 PM


Kush e kërcënon kryeministrin për Belindën?

Nga Nikoleta Kovaçi

Tue prit komisionerë zgjerimi e poshtërimi të shqiptarëve dhe Shqipnisë, dukshëm fytyra e kryeministrit dëshmon se asht në hall! E kushdo që e njeh, e di se individi Edi Rama nuk ka problem me prit e përcjellë vizitorë, sidomos nga k'ta të Europës! Prej vitesh ai e ka gjet formën se si me u nda të kënaqun ata, ani pse në kurriz të shqiptarëve, Shqipnisë e trojeve shqiptare!

Sigurisht se elektorati që e mbështet, e që nuk janë pak, kalojnë në delir teksa shohin liderin e tyne që ndonëse i ka ra qeveria tash 12 vjet, me çfarë do lloj hajduti të ngritin në poste kyçe, nuk dorëzohet, e ndërsa duhej të jipte dorëheqjen mramë, ata knaqen teksa e shohin që sod pret "njerëz të rëndësishëm" të BE-së!

Po kryeministri asht dukshëm i frustuem! I zanë në kurth nga veprat e Belindës, vepra të iniciueme prej tij, por që Belinda i ka krye me turrin e paskrupullt tue qenë e preferuemja e tij në qeveri e njëkohësisht edhe garanti i tij, kryeministri nuk mundet me e flakë kollaj Belindën e vet! E jo vetëm pse ajo s'ka ditë me vjedh me letra, tue pasë në duar gjithçka, por edhe për faktin se Belinda nuk asht aty vetëm si e preferuemja e Ramës! Belinda ishte dhe asht aty si garanci e shumëçkaje dhe e shumëkujt! Këtu nis edhe kurthi i kryeministrit!

Asnjë lojë juridike nuk e shpëton as individin Belinda Balluku dhe as pozicionet e larta qeverisëse që ajo ka mbajt gjatë kohës që ka krye veprat penale! Sigurisht që SPAK nuk asht prokuroria që i duhet këtij vendi e këtij rasti, pasi edhe ata prej nesh janë, por kur s'kena tjetër, duhet thanë boll që asht edhe kaq sa asht! Prokurori që ka në duar dosjen e madhe fort të zëvendëskryeministres asht kërcënue, asht shantazhue, pse jo, gojët e liga thonë se edhe asht veçue brenda ambienteve të SPAK për goditjen e parakohshme të zëvendëskryeministres! Me veçim kuptohet lënia mënjanë e tij nga kolegët që luajnë modelin nëpër media e takime ku ka kamera televizionesh! Po na kena fat: jo vetëm jena vend i vogël, po edhe nji grusht njerëz, e gjithçka merret vesh shpejt!

Telefonatat dhe mesazhet e shumta që ka marrë hetuesi i zëvendëskryeministres dhe Belindës, pasi ai ka barrën me hetue dy subjekte njëherësh në një, janë dokumentue nga ca ndërkombëtarë! Mbase jo nga Europa e Marta Kos që del xhiro me shoqen Elisa Spiropali rrugëve, por nga disa të tjerë, që lehtë nuk harrojnë! Kryeministri e di tashma! E ka marrë mesazhin, por si kryeministër! Mirëpo duke qenë se na kena politikë dhe politikanë zuzarë, asnjëherë k'ta nuk janë thjeshtë pozicion por janë edhe individë! Madje Edi Rama asht modeli ma i qartë i ksaj mbivendosjeje kur vjen puna te shfrytëzimi i postit dhe pushtetit! Pra individi Edi Rama, në lojën e Belinda Ballukut ka edhe probleme individuale! Ashtu siç gojët e liga thanë se u kërcënue prokurori, mund të jetë kërcënue edhe individi Edi Rama! E këtu gjanat ngatërrohen keqas, për shkak të manipulimit që krejt aktorët e përfshirë në hetim e pasqyrim hedhin për konsum ditor me titra që pulsojnë marramendsjëm nëpër ekrane!

Që individi Edi Rama e ka lëshue Belindën, kjo s'do mend! Kushdo që merr vesh nga loja e mediave, e kuptonte dje që 'oborrtarët' kishin marrë urdhën me e sulmue pa u ndalue asnji sekond zëvendëskryeministren. Që Ulsi Manja, i cili u ftue në takimin kokë me kokë të dy krerëve të qeverisë sonë, nuk ishte aty si ekspert juridik, pasi ai vështirë din me e lexue nji ligj jo ma me e interpretue e me gjet hapësirat që i duhen qeverisë me shpëtue prej llumhanes së vet, por ishte aty si personi që mundet me ba ndonjë telefonatë aty ku duhet dhe i duhet Edi Ramës, me qëllim që mos të përdoret telefoni i tij!

Por pse rrezikon kaq shumë kryeministri për individin Belinda Balluku? A mund të rrezikojë kaq shumë Edi Rama për një person? Jooo! Përveç se në raste kur dikush përtej tij asht ma i fuqishëm se ai e ligji vetë! E Belinda duket se ka pas njerëz që nuk e braktisin në mundësinë për flakje që ka Edi Rama! Na jena vend i vogël e popull i vogël, e të gjitha merren vesh...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx