E marte, 11.11.2025, 06:31 AM (GMT)

Mendime

Albert Zholi: Gëzim Tushi - Shtypi i shkruar mbetet një mënyrë e sigurt, e përgjegjëshme dhe më e qëndrueshme për të orientuar publikun

E hene, 10.11.2025, 06:53 PM


Flet "Mjeshtri i Madh", Gëzim Tushi:

Pavarësisht vështirësive të diktuara nga ndikimet "imperialiste" të kohës jeta ka evidentuar nevojën e domosdoshme të shtypit të shkruar.

-Shtypi i shkruar mbetet një mënyrë e sigurt, e përgjegjëshme dhe më e qëndrueshme për të orientuar publikun.

- Ka një lidhje të fortë ontologjike midis zhvillimit të vendit dhe lidhjen me leximin e shtypit.

- Vendet e zhvilluara Sh.B.A, Korenë e Jugut dhe Taivani janë vendet në të cilat ka një numur të madh titujsh gazetash, të emetuara në tirazh të madh dhe të tërhequra së tepërmi nga lexuesi...

-Shtypi ka disa epërsi që nuk i ka pjesa tjetër e medias tradicionale apo moderne, televizive, dixhitale dhe elektronike.

-Shtypi i ka më të qëndrueshme vëzhgimet, analizat dhe reflektimet për vlerësimin e kornizës sociale të jetës shoqërore, dhe shoqërinë në tërësi.

Kur tentohet të ketë krizë në shtyp, mbi të gjitha nuk është sinjal i mirë për shëndetin e demokracisë.

Shtypi, gazetari, opinioni publik-një marrëdhënie në "krizë" apo...

Pse Francis Fukuyama e lidh zhvillimin e vendit me leximin e shtypit?

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Liberalizimi i shoqërisë, individualizimi i jetës dhe ndikimi i tyre mbi marrëdhëniet e cënuara me shtypin dhe tregun mediatik në përgjithësi, kanë sjellë një situatë shqetësuese me shkaqe, arsye, lidhje të brendshme me natyrë deontologjike dhe në të njëjtën kohë edhe marrëdhëniet sociale kontroversale. Herë pas here kudo flitet për një "krizë" të shtypit të shkruar. Dhe kjo perifrazohet me mendjelehtësi si slogan formal e aspak shqetësues, kur në të vërtetë nëse futemi në thelbin, shkaqet e përmasat e kësaj krize, duhet të pranojmë se, më shumë se një plagë endemike e saj, kriza e shtypit, mbi të gjitha nuk është sinjal i mirë për shëndetin e demokracisë. Personalisht gjithnjë më ka shqetësuar kjo situatë kritike e medias së shkruar. Brenda këtij shqetësimi të personalizuar është fakti, që ontologjinë dhe fenomenologjinë e kësaj situate e kam analizuar në librin tim "Intelektuali, Media dhe Shoqëria".

Si do ta cilësoni shtypin shqiptar? A ndikon në opinionin popullor dhe a shihet si domosdoshmëri informacioni në popull dhe jo vetëm?

Sipas mendimit tim, në këtë "kolizion krize", janë përzjerë shumë shkaqe e faktorë të brendshëm, që lidhen me cilësinë e gazetave dhe profesionalizmin e gazetarëve si "aktorë" e profesionistë të tij. Por janë edhe shumë faktorë të jashtëm që kanë lidhje me ndërhyrjet dhe orientimet tematike dhe politike, duke ndikuar në cënimin e cilësisë, pavarësisë dhe profesionalizmit. Realitetet e shtypit, niveli i qarkullimit dhe shitjes së gazetave, mbyllja e vazhduar dhe dalja nga tregu i shumë titujve, është një realitet empirik, që nuk ka shumë nevojë për instrumenta sociologjikë për ta kuptuar dhe interpretuar. Padyshim shqetësues është rritja në përmasa kritike e indiferentizmit të lexuesit, "veljes" dhe largimit prej tij jo aq për shkak të çmimit të gazetave. Mungesa e cilësisë dhe mungesa e besimit për pavarësinë e shtypit, janë thelbësore për të shpjeguar këtë situatë.

Në pamje të parë, dhe në mënyrë sempliste e sipërfaqësore, situata e shtypit duket se është  në vështirësi nga evolucioni jetës sociale, pretencioziteti kulturor i lexuesit, sidomos kjo e lidhur në mënyrë substanciale, të qënësishme me realitetet që vijnë nga konkurenca e botës virtuale të informacionit. Shtypi dhe gazetarët duhet ta kuptojnë dhe brendësojnë në "lëkurën" e tyre këtë realitet të ndryshuar, në marrëdhëniet shtyp-gazetar-opinion publik. Koha ka bërë të vetën në ndryshimet që kanë ndodhur në realitetin konceptual, perceptues dhe analizues, për të cilat shtypi duhet të reflektojë, jo aq në funksionin e vet të informimit dhe komunikimit, por sidomos të funksionit si "ndihmëse sociale" e përmirësimit të shumëfishuar të impaktit në marrëdhëniet e njeriut me shoqërinë. Kjo do të thotë, se shtypi është përballë me qëndrimin dhe vlerësimin e personalizuar të lexuesit, i cili nuk është qënie passive, por qytetar aktiv, që edhe përmes shtypit gjykon, bën krahasime, kritikon, e mbështet duke qënë i bindur se në shoqërinë tonë ai është një "ndërmjetës social" në procesin qytetërues, duke shërbyer si katalizator për transformime pozitive në jetën e përbashkët sociale. Pavarësisht vështirësive të diktuara nga ndikimet "imperialiste" të kohës dhe epokës së dixhitalizimit të informacionit on-line, jeta ka evidentuar nevojën e domosdoshme të shtypit të shkruar, si një mënyrë e sigurt, e përgjegjëshme dhe më e qëndrueshme për të orientuar publikun.

Gazeta është sinkretike, sepse materiali i pasqyruar në të është dy kahësh: edhe si "objekt një përdorimësh", por edhe si objekt për reflektime më sintetike, afatgjata, me qëllime analize, ballafaqimi dhe padyshim edhe synime studimore të zhvillimit historik e bashkëkohor, të ndryshimeve që kanë pësuar realitetet politike e sociale në shoqërisë tonë. Shtypi ka disa epërsi që nuk i ka pjesa tjetër e medias tradicionale apo moderne, televizive, dixhitale dhe elektronike. Shtypi i ka më të qëndrueshme vëzhgimet, analizat dhe reflektimet për vlerësimin e kornizës sociale të jetës shoqërore, më të sigurta bazimin në parimet boshtore të komunikimit publik, me njeriun individualisht dhe shoqërinë në tërësi.

Dobësimi i interesit për shtypin e shkruar, një patologji sociale që vjen nga "presioni imperialist" i rrjeteve sociale apo komunikimit të informacionit elektronik, nuk është shenjë për t'u përshëndetuar duke e konsideruar në mënyrë sempliste si tregues dhe afirmim të modernitetit. Braktisja e shtypit nga lexuesi, edhe pse është e drejtë individuale për ndërtimin e një raport të personalizuar me të gjitha llojet e mediave tradicionale e moderne, në mënyrë sintetike është shprehje e faktit të pranuar dhe të vërtetuar, se ky qëndrim social tregon një shoqëri të "sëmurë", kur pushon së lexuari dhe diskutuari për shëndetin e vetes. Sepse shtypi i ka mundësitë më të gjëra, për të trajtuar në mënyrë sistemike problemet e kohës që jetojmë me të cilat po përballen njerëzit dhe shoqëria jonë. Një qëndrim më interaktiv me shtypin, është tregues i pjekurisë sociale, shprehje e paradigmës moderne, e cila kërkon jo të sillemi si vëzhgues, por të hyjmë brenda saj. Dhe gazetat janë instrumenti, që pavarësisht paragjykimeve, me siguri kalimtare, e bëjnë më mirë këtë detyrë qytetare, e luajnë në mënyrë më të sigurt këtë rol social. Shtypi i shkruar ka një meritë që është ontologjikisht e lidhur me specifikën e tij, Në kohën kur ka marrë përparësi vlera e individit dhe filozofia e individualizmit, gazetat janë mjet ndërkohor dhe mundësi e pakufizuar në hapësirë dhe kohë për përdorim personal. Me synime informimi, argëtimi, studimi apo ballafaqimi.

Por shtypi shqiptar ka mangësitë dhe patologjitë e veta, të cilat të vlerësuara në sasinë dhe cilësinë e tyre, janë bërë shkak për cënimin e identitetit ekzistencial. Ai ka filluar të "infektohet" nga sëmundjet determinante të informacioneve on-line dhe në jo pak raste, bie në "kurthin" e rrezikshëm, kur edhe ai e "bombardon" shoqërinë me shqetësime sterile dhe ndjenja të alarmit fals. Kjo dëmton rëndë sistemin e besimit të qytetarit me shtypin e shkruar. Dhe kjo është një nga arsyet e rënies së interesimit qytetar për shtypin e shkruar.

A është i sigurt shtypi në ekonominë e tregut, realist dhe a ka pavarësi shtypi shqiptar në përgjithësi ndaj problemeve dhe fenomeneve? A vrapon populli tek gazetat  dhe sa shpresë ngjall ai tek masa popullore?

Doemos shtypi është i inkorporuar në botën e ndërlikuar të ekonomisë së tregut, e ballfaquar egërsisht me rregulat e tregut. Sipas mendimit tim, kjo situatë delikate e uljes së autoritetit publik të shtypit, është e lidhur në mënyrë direkte apo të tërthortë, me faktin se shpesh deteriminimet sasiore të logjikës së tregut kanë ndikuar që shtypi të "humbasë veten".

Kjo situatë është e lidhur edhe me cilësinë, statusin deontologjik e profesional të gazetarëve të shtypit të shkruar. Në të ka autoritete të padiskutueshme morale, sociale e profesionale, që përbëjnë bërthamën, shtyllën mbajtëse të gazetave shqiptare, ashtu sikurse nuk mungojnë edhe ata, që kanë gabur "derën e hyrjes", që nuk gëzojnë autoritet apo që shfaqin shenja të dukshme naivizmi dhe mediokriteti gazetaresk. Shtypi është palca e "industrisë së informacionit" publik. Ajo kërkon profesionistët e saj, me nivel të lartë kulturor, dije të gjëra e kulturë sociale e profesionale, për të përballuar sfidat e gazetarisë profesionale dhe pretenciozitetin cilësor, gjithnjë e më shumë në rritje të publikut. Nuk bëhet koncerti (gazetaria) me pianistë (gazetarë) fillestarë dhe kulturalisht dhe profesionalisht të paorientuar.

Ndër patologjitë e shfaqura kohët e fundit në shtyp është një zgjerim i prirjes konformiste të tij, nën ndikimin e interesave të caktuara politike, sociale apo edhe ngushtësisht personale. Gazeta është mjeti public përmes të cilit duhet të rrjedhë guximi i denoncimit qytetar të së keqes sociale. Qytetari nuk ka nevojë, madje bezdiset dhe e neverit mendimi gazetaresk konformist. Ai kërkon të lexojë në gazetë të interpretuar qartë, saktë dhe elokuencë jo vetëm atë që duket, është evidente, mediatikisht është bërë e bujshme, por sidomos atë që ndodh nën sipërfaqen e jetës politike dhe natyrën eterne të polikrizave të shoqërisë tonë. Sepse shoqëria shqiptare sot, ndoshta si kurrë më parë është përballë nevojës  të dallimit midis  të shëndetshmes dhe patologjikes. Koha që jetojmë e ka të nevojshme që shtypi të gjejë rrugën e duhur, për të shkuar tek qytetari dhe për t'u bërë aleati i sigurt, i natyrshëm i tij. Aq më tepër tani kur zhvillimet e vrullshme të shoqërisë shqiptare plotësisht postmoderne e turbokapitaliste, kanë krijuar anomali dhe herë pas here edhe kriza konceptuale në opinionit publik si institucion legjitim dhe rregullator social i normave të përbashkëta të shoqërisë.

Një shtyp me koherencë sociale, kompetencë profesionale mund të bëhet instrument me influencë pozitive në jetën e shoqërisë, tashmë plotësisht liberale e individualiste, të ndihmojë duke i kthyer faqet e tij në hapësirë për të shpjeguar me korrektesë, nevojën që kemi për të ndërtuar mënyra të ndryshme jetese të qytetëruar. Ky do të ishte një plotësim nga shtypi i nevojës, për të ndikuar pozitivisht si antidote socio-mediatik, për të qënë përballë kaosit shpirtëror dhe konfuzionit moral që ka mbërthyer shoqërinë.

Koha kërkon nga shtypi angazhim të ri, një shikim ndryshe të realiteteve socio-politike, në mënyrë që të kemi atë shtyp të shkruar që vendos lidhjen dhe pasqyrimin e duhur, objektiv dhe pa pasione negative e qëndrime subjektiviste midis ngjarjeve politike e sociale dhe rezonancës së tyre mediatike. Padyshim, shtypi dhe gazetaria si profesion në tërësi, është përballë një ambiguiteti, sepse sot është duke u shfaqur plotësisht tendenca e jetës postmoderne, e shoqëruar me zgjerimin e tendencës së konturimit, sikurse thotë intelektuali i shquar Jasques Attali (Zhak Atali) një lexues dhe publik me strukturë sociale të ultrapersonalizuar. Të cilit është vështirë t'i afrohesh mediatikisht në mënyrë adekuate. Shtypi i ka të gjitha mundësitë, që në këtë situatë sociale kaotike, të bëhet një aktor i besueshëm, për të ndihmuar njerëzit që jetojnë në një shoqëri, në të cilën janë bërë të vështira evidentimi dallimeve të cilësive sociale, vlerave binare, që ndajnë të drejtën nga e gabuara, të mirën nga e keqja.

Kjo është një sfidë e madhe deontologjike, për të forcuar komplementaritetin midis ngjarjeve politike e sociale nga njëra anë, dhe rezonancës mediatike e gazetareske. Ky është parakushti, thelbësor, sipas mendimit tim, për ta mbrojtur dinjitetin e shtypit, autoritetin publik dhe mediatik, nga një lloj agresiviteti të transparencës perverse, që po shfaqet si patologji e dëmshme. Është koha që media e shkruar, por edhe ajo moderne elektronike e dixhitale, të kuptojnë se nuk vlen më gazetaria cinike dhe hipokrite. Shoqëria nuk ka nevojë, për ato media që krijojnë dhe shpërndajnë iluzione për shoqërinë. Media e shkruar nuk është thirrur për të përhapur utopi dhe iluzione sociale, që ndonjëherë e bëjnë "ilaçin mediatik" më keq se sëmundjet që ka shoqëria. Përkundrazi, shtypi do e rritë autoritetin e vet social, nëse synon të bëhet nxitës për ndërgjegjësimin qytetar. Në këto kushte është ultimative që gazetaria dhe gazetat, ndoshta më shumë se kurrë nuk kanë nevojë për gazetarë e analistë pa dinjitet, konformistë e oportunistë. Gazetaria ka nevojë për gazetarë dinjitozë, me peshë publike dhe jo "agjentë moralë" të opozitës apo "shërbëtorë të pushtetit".

Një gjë nuk duhet harruar. Ka një lidhje të fortë ontologjike midis zhvillimit të vendit dhe lidhjen me leximin e shtypit. Nuk është rastësi që filozofi i kohës sonë Francis Fukuyama, vendos në krye të vendeve të zhvilluara Sh.B.A-në, Korenë e Jugut dhe Taivanin. E dini pse? Sepse përveç të tjerash ato janë vendet në të cilat ka një numur të madh titujsh gazetash, të emetuara në tirazh të madh dhe të tërhequra së tepërmi nga lexuesi...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx