E premte, 24.10.2025, 06:18 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Ndue Dedaj: E dielë turistike në Iballe

E enjte, 23.10.2025, 06:58 PM


E DIELË TURISTIKE NË IBALLE

(19 tetor 2025)

NGA NDUE DEDAJ

Dyqind kilometra rrugë për të shkuar nga Tirana në Iballe të Pukës nuk janë pak, por është kënaqësi e veçantë. Nisemi herët në mëngjes nga “Vila L” (kompleks banimi) në Astir për të mbërritur po te “Vila L” (bujtinë turistike) në Iballe, që i përkasin të dyja biznesmenit iballas Lazër Mëhilli.

Na e prinë rrugëtimin miku i tij dhe yni, Ded Maluta, gjithashtu bizmesmen i njohur. Në grupin tonë ka studiues të historisë, etnografisë, gazetarë, punonjës kulture, që shtegtojmë drejt Iballes për t’u njohur nga afër me trashëgiminë historike, natyrën e pasur dhe njerëzit e atij vendi. Peizazhi aq i pikturuar nga vjeshta, nga Vau i Dejës në Pukë, të krijon ndjesinë e bukur se ke dhe ti “dorë” në penelin e saj. Na e tregojnë udhën vendasit, sidomos pjesën nga Ura e Bardhetit e sipër. Jaho Braho, i përfshirë nga profesioni i etnologut, flet për larminë e veshjeve të zonës etj.

Pasi pimë një kafe të “Stani i Lushit” në Kryezi, një bujtinë e re mikpritëse, që e vizitojmë dy herë brenda muajit, marrim përpjetë drejt Iballes. Kur mbërrijmë në njëfarë lartësie, Deda i thotë shoferit të mikrobusit të ndalojë dhe bën më dorë nga maja e malit, ku shihet Guri i Gjullisë (djallit) dhe në rrafshnaltë, Kalaja e Lekë Dukagjinit, që ai thotë se ka rrënoja. Unë do të kisha dëshirë të mbeteshim te mitologjia e atij gurit të gjodhive, por janë përfshirë në bisedë historianët Julian Vlashi dhe Paulin Zefi, kështu që ne të tjerët tashmë vetëm dëgjojmë bisedën e tyre për Dukagjinët, origjinën, shtrirjen, territoret që kishin në zotërim në Pukë, Zadrimë, Mirditë etj. “Ora e historisë” do të zgjasë bukur si shumë, pasi vetëm pas një ore do të vizitojmë muzeun e shkollës së parë shqipe të zonës, një nga më të mirët e arsimit në trevat tona, vepër e intelektualëve dhe biznesmenëve si Deda. Mbase askund tjetër më mirë se në këtë muze nuk e “lexon” Iballen historike, prek sadopak lashtësinë, njihesh me figurat e shquara të dala prej saj, Mirakajt, Thaçët, Pematët etj. Mes këtyre banorëve në fillimet e shekullit XX kishte qenë dhe Franc Nopça, i cili është në fotografi me ta me veshjen tonë kombëtare.

Mbetesh pa fjalë kur mendon se Iballja gjendet më shumë në muze se në realietin e ditës. Shkolla, ku është muzeu, nuk dallon nga ato të Tiranës për nga mjediset, por ka mbetur me një dorë nxënës, ndërkohë që dikur kishte mbi 850 nxënës, ku ata të të mesmes vinin nga e gjithë zona. Për më tepër kishte dhe konvikt. Iballja si fshat kishte mbi dy mijë banorë, kurse sot janë apo jo 150 vetë. Në kohën e luftës së ftohtë këtu kishte tre reparte ushtarake, që vigjilonin në këto bjeshkë, nga shihen alpet. Shumëkush beson se turizmi malor do ta kthejë jetëzimin e këtyre vendeve. Guest house “Vila L”, ku qëndruam për drekë, shërben traditën dhe prodhimet e zonës, përmes gatimeve me mjaft shije, ashtu si dhe shtëpitë e tjera turistike, tashmë një risi e këtyre malësive. Keni se ç’të shihni në Iballe, fshatin që shtrihet në një pllajë të bukur, me lendina të blerta, burime uji, gështenja, malin e Balit (nga besohet se ka marrë dhe emrin Iballa), kalanë e Lekës, kullën e vetme me karakoll në Kokdodë, ndërtuar në vitin 1800, kishën e Thaçit (Shna Ndojt) mbi rrënojat të një kështjelle antike, kishën famullitare françeskane, objekte të kultit islam, ish-kullën e Mirakajve etj., le pastaj po të shtyhesh më tej në Berishë. Një vend ka gjithëhere dhe gjuhën e tij të fshehtë, që është mjaft e moçme, rituale, e “pashkruar”. Vetëm dikush që e njeh atë e kupton se pse te kisha e Thaçit lisat e vjetër janë prerë në trungje të vegjël dhe lënë aty stivë që të kalbën, pa i shkuar mendja ndokujt me i mbart për të shtëpia  e vet për ngrohje. Kështu ka ndodhur gjithmonë me drurët dhe gurët e vendeve të shenjta e vakufeve.

Mos t’ju duket larg Iballja! Ne vërtet dje e bëmë vajtje e kthim brenda ditës nga Tirana, por herë tjetër do të rrimë më gjatë, bashkë me familjaret. Edhe pse deri atëherë mund të kenë mbaruar gështenjat “përtokë”, që na dhanë aq kënaqësi jo vetëm në tryezë, por dhe gjatë kalimit nëpër pyllin e gështenjave, ku kishte plot mbledhës, që mbushnin bagazhet e veturave, ku ndër blerësit ishim dhe ne…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx