| E enjte, 23.10.2025, 06:58 PM |

E DIELË TURISTIKE NË IBALLE
(19 tetor 2025)
NGA
NDUE DEDAJ
Dyqind
kilometra rrugë për të shkuar nga Tirana në Iballe të Pukës nuk janë pak, por
është kënaqësi e veçantë. Nisemi herët në mëngjes nga “Vila L” (kompleks
banimi) në Astir për të mbërritur po te “Vila L” (bujtinë turistike) në Iballe,
që i përkasin të dyja biznesmenit iballas Lazër Mëhilli.
Na
e prinë rrugëtimin miku i tij dhe yni, Ded Maluta, gjithashtu bizmesmen i njohur.
Në grupin tonë ka studiues të historisë, etnografisë, gazetarë, punonjës
kulture, që shtegtojmë drejt Iballes për t’u njohur nga afër me trashëgiminë
historike, natyrën e pasur dhe njerëzit e atij vendi. Peizazhi aq i pikturuar
nga vjeshta, nga Vau i Dejës në Pukë, të krijon ndjesinë e bukur se ke dhe ti
“dorë” në penelin e saj. Na e tregojnë udhën vendasit, sidomos pjesën nga Ura e
Bardhetit e sipër. Jaho Braho, i përfshirë nga profesioni i etnologut, flet për
larminë e veshjeve të zonës etj.
Pasi
pimë një kafe të “Stani i Lushit” në Kryezi, një bujtinë e re mikpritëse, që e
vizitojmë dy herë brenda muajit, marrim përpjetë drejt Iballes. Kur mbërrijmë
në njëfarë lartësie, Deda i thotë shoferit të mikrobusit të ndalojë dhe bën më
dorë nga maja e malit, ku shihet Guri i Gjullisë (djallit) dhe në rrafshnaltë,
Kalaja e Lekë Dukagjinit, që ai thotë se ka rrënoja. Unë do të kisha dëshirë të
mbeteshim te mitologjia e atij gurit të gjodhive, por janë përfshirë në bisedë
historianët Julian Vlashi dhe Paulin Zefi, kështu që ne të tjerët tashmë vetëm
dëgjojmë bisedën e tyre për Dukagjinët, origjinën, shtrirjen, territoret që
kishin në zotërim në Pukë, Zadrimë, Mirditë etj. “Ora e historisë” do të zgjasë
bukur si shumë, pasi vetëm pas një ore do të vizitojmë muzeun e shkollës së
parë shqipe të zonës, një nga më të mirët e arsimit në trevat tona, vepër e
intelektualëve dhe biznesmenëve si Deda. Mbase askund tjetër më mirë se në këtë
muze nuk e “lexon” Iballen historike, prek sadopak lashtësinë, njihesh me
figurat e shquara të dala prej saj, Mirakajt, Thaçët, Pematët etj. Mes këtyre
banorëve në fillimet e shekullit XX kishte qenë dhe Franc Nopça, i cili është
në fotografi me ta me veshjen tonë kombëtare.
Mbetesh
pa fjalë kur mendon se Iballja gjendet më shumë në muze se në realietin e
ditës. Shkolla, ku është muzeu, nuk dallon nga ato të Tiranës për nga mjediset,
por ka mbetur me një dorë nxënës, ndërkohë që dikur kishte mbi 850 nxënës, ku
ata të të mesmes vinin nga e gjithë zona. Për më tepër kishte dhe konvikt.
Iballja si fshat kishte mbi dy mijë banorë, kurse sot janë apo jo 150 vetë. Në
kohën e luftës së ftohtë këtu kishte tre reparte ushtarake, që vigjilonin në
këto bjeshkë, nga shihen alpet. Shumëkush beson se turizmi malor do ta kthejë
jetëzimin e këtyre vendeve. Guest house “Vila L”, ku qëndruam për drekë,
shërben traditën dhe prodhimet e zonës, përmes gatimeve me mjaft shije, ashtu
si dhe shtëpitë e tjera turistike, tashmë një risi e këtyre malësive. Keni se
ç’të shihni në Iballe, fshatin që shtrihet në një pllajë të bukur, me lendina
të blerta, burime uji, gështenja, malin e Balit (nga besohet se ka marrë dhe
emrin Iballa), kalanë e Lekës, kullën e vetme me karakoll në Kokdodë, ndërtuar
në vitin 1800, kishën e Thaçit (Shna Ndojt) mbi rrënojat të një kështjelle antike,
kishën famullitare françeskane, objekte të kultit islam, ish-kullën e Mirakajve
etj., le pastaj po të shtyhesh më tej në Berishë. Një vend ka gjithëhere dhe
gjuhën e tij të fshehtë, që është mjaft e moçme, rituale, e “pashkruar”. Vetëm
dikush që e njeh atë e kupton se pse te kisha e Thaçit lisat e vjetër janë
prerë në trungje të vegjël dhe lënë aty stivë që të kalbën, pa i shkuar mendja
ndokujt me i mbart për të shtëpia e vet
për ngrohje. Kështu ka ndodhur gjithmonë me drurët dhe gurët e vendeve të shenjta
e vakufeve.
Mos
t’ju duket larg Iballja! Ne vërtet dje e bëmë vajtje e kthim brenda ditës nga
Tirana, por herë tjetër do të rrimë më gjatë, bashkë me familjaret. Edhe pse
deri atëherë mund të kenë mbaruar gështenjat “përtokë”, që na dhanë aq kënaqësi
jo vetëm në tryezë, por dhe gjatë kalimit nëpër pyllin e gështenjave, ku kishte
plot mbledhës, që mbushnin bagazhet e veturave, ku ndër blerësit ishim dhe ne…









