E marte, 21.10.2025, 06:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Shyqyri Fejzo: “Përmidis Pazarit të Durrësit” me Edi Ramën

E hene, 20.10.2025, 06:51 PM


“Përmidis Pazarit të Durrësit” me Edi Ramën

Tregim Humoristik

Nga Shyqyri Fejzo

Oh! More Edi Rama! Po çfarë na bëre kështu more burrë! Po na thave sytë se  duam t’u shikojmë në television e nuk po të kapim dot. Le të tjerat, thonë se edhe deputetet, ministrat e drejtorë të rëndësishëm të institucioneve të veçanta, u a ke ndaluar daljen në television dhe debatet televizive. A,a,a! Po opozita me cilin do të kruajë brirët. Apo të lëshohen si të tërbuar në vathën e tyre ndaj njeri-tjetrit. Ne si popull, kemi kohë që shohim sehir, po kur njerëzit e opozitës “po e zbrazin në hi” duke ja mballosur njëri-tjetrit, atëhere sehiri shkon një grosh.

Ne, populli i thjeshtë, nuk na ze gjumi po nuk pamë debate në  television. Disa herë ka dalë në emisione e debate një A*ukat që mbiemri i fillon me shkronjën e fundit të alfabetit tonë  “ZH”. Sa na ka frymëzuar dhe entuziazmuar! Apo nuk përdor ca fjalë të lëmuara dhe fjali të kuptisura mirë. Mos dil ti po të duash në television. Ai i di saktë me datë e orë, ku kini qënë me cilin jini takuar çfarë kini biseduar dhe më fantastikja, çfarë do ju ndodhë në të ardhmen. Ai mbase nuk është magjistar, por nga veprimet  ngjan me zonjën dhjelpër e cila ndiqte dashin me shpresë mbase i këputen hallatet e me ato do të bënte një gosti të madhe për mikeshat e shoqet e saj.

Ky  A*ukati duket që duhet të jetë trim i madh se asnjëherë që e kemi parë, nuk ja bën kurrë tërr syri. E kanë majë të gjuhës: “kam kohë që e kam thënë unë…E thashë unë atëhere…Unë..Kur një ditë po bisedoja me një mik për atë, ai sikur më ftohu pak se më tha: “Ah!  Ta njohësh mirë ti, si  e dredh ai!”.Unë nuk i  kam për zemër ata që e dredhin si fletë plepi” sqarova më tej për pozicionin tim mikun. Ai, si u mendua pak, ma ktheu:

-Atë krahasimin “si fletë plepi” nuk e ke aq të zgjedhur. Nga krahina jonë e Sulovës, themi “e dredh si fletë lofate”.Lofata,  kjo  shkurre ka lule shumë të bukura po fletën e  kthen nga të fryjë era.

Ne duam t’i shikojmë e dëgjojmë deputetët, ministrat e zevendësat, drejtorët e disa dikastereve në debate. Aty pastaj ju vemë  notën. Se ti, me siguri e di atë punën e shalqinjve. Kur ke qënë adoleshent të kanë dërguar prindët ndonjëherë të blije shalqinj të Divjakës apo të Kavajës. Togu i madh me shalqinj, njëri më imirë se tjetri, të mëdhenj të bukur, lara-lara, me përjashtim të ndonjë “bishtpërdredhuri” që ti me atë nuk kishe asnjë punë. Në shtëpi, kur çahej me thikë, aty e shikoje çfarë kishte brenda. Kështu është puna dhe me deputetët. Nga jashtë edhe ata shkëlqejnë. Po nuk e çave me thikë të diskutojë, të ndeshet se nuk dihet, mund të dalë edhe kungull. Dihet se Murrizi është  shkurre që nuk rritet shumë, po gjembin e ka të hidhur, helm. E kini dëgjuar besoj çfarë zjarr e flakë merr ish deputeti që mban mbiemrin e kësaj shkurreje, si vullkan në shpërthim. Po të ishte shalqi (qoftëlarg jo bishtpërdredhur) apo kungull e të shpërthente në parlament ai, do bënte zhurmë e dëme dhjetë herë më të madhe se shashkat e molotovët. E, këto merita dalin kur njeriu me vepra, vetëm në lëvizje e ka treguar se cili është.

Jam i sigurtë se të vinë shumë probleme për të zgjidhur. Kur mblidhja fjalën e rrallë dhe frazeologjinë popullore në disa fshatra të rrethit tim,  një fshatar tha:”Kur shteroi pusi e pashë dhe ndjeva vlerën e ujit.” Dhe kishte të drejtë. Ju kush e di se sa probleme ju dalin lidhur me ujin. Ne, si shtet dihet se mbajmë vendin e dytë në Europë për ujin e pijshëm për frymë, po konkretisht e kemi gjendjen si mos e paçim. Në këtë mes ka një zgjidhje dhe ngushëllim. Ne vendin e dytë nuk na e heq ndonjë fuqi tjetër. Ujrat ku kanë buruar, rrjedhur dhe përfunduar në det atë rrugë do të bëjnë gjithnjë. Ty të lind e drejta të thuash:”Gjerat kanë rradhë. E dimë si e kemi gjendjen e duhet vënë dorë me një reformë të madhe. Po pse, unë e qeveria ime do i bëjë të gjitha. Kur uji nuk lëviz nga burimi e shtratii tij, ta lëmë atyre që do vinë ta vazhdojnë punën.”

Në vendin tonë kjo puna e parasë i ngjan asaj që rrëfejnë. Puna me paranë, w’është e verteta, nuk është dhe aq  e kollajtë. Në Angli me atë më heret u muar Adam Smithi, Shekspiri, në Francë u muar Aleksandër Dyma, Honore De Balzak dhe së fundi në vitin 1944 pa mbaruar ende lufta e dytë Botrore në Bretoon Woods të Amerikës u bë Marveshja e quajtur e Bretoon Woods e cila pati jetë deri në vitin 1971.

Ju, unë e qindra mijra bashkëatdhetarë, që kur kemi lindur, rritur e thinjur kemi parë, e dëgjuar “para të reja”, “para të vjetra”. Në këtë kor përzihet çdo shtetas, personalitete e media. Vjen mashkulli nga puna, ka marrë pagën dhe krenohet se mora X mijë lek të reja. Vjen gruaja që para pak ditësh ka bërë debat me të shoqin për blerjen e një veshje për vete dhe ai nuk e lejoi. “Sot e bleva kishte qënë x mijë lek të vjetra, ishte ulur kaq lek të vjetra dhe e bleva y lek të vjetra. Edhe Ju jo njëherë jini mburrur me lek të reja. Ju ose nuk doni, ose nuk ju le Evropi të bëni një reformë të këmbenit monedhën e vjetër me monedhë të re të prodhuar rishtaz me kursin 1 me 9 ose 1me 11.  Qytetari në këtë rast do punonte me lekun e ri, se llogaria këtu donte kohë dhe tabelë shumëzimi të konvertohej e vjetra me të renë. Kjo duket shumë e lehtë po vështirësia qëndron tek rezistenca stoike që mund të bëjnë njerëzit që fituan me grabitje apo marifete të tjera para me thasë, të cilave, në se do ndodhte këmbimi, duhej gjetur nga ata burimi i shumave të tilla.

Në një rast kam lënë pa përgjigje një mik gjerman të cilin e ftova në Shqipëri. Ai kishte qënë para dy vitesh dhe ishte i kënaqur me pushimet në Vlorë. Kishte merak të ktheheshim në një market të madh e modern me emrin “Merhori”në afërsi të qytetit të Kavajës. Kërkoi dy kg fiq të thatë. Pagoi dhe vura re se shtërngoi pak nofullat dhe ishte gati të shfrynte. E pyeta çfarë kishte. Tundi kokën. Heshti pak çaste dhe pastaj vazhdoi: --

-Obobo! Sa i paditur po dal! Atje në kambizëm për 100 euro mora një Skënderbe (5.000lek)më pak se dy vite më parë. Prita mos ishte gabim, mbasi   më parë pata marrë dy Skënderbe,  e dy prifta Pjetër Bogdani”Jo” më thanë “është forcuar leku.” Këtu në market për 2 kg fiq pagova 17 euro më tepër se dy vite më parë. Kërkova sqarim:”është forcuar leku”,më thanë dhe këtu. Unë këtë lloj matematike nuk e kuptoj.”tha duke shkundur dorën e vendosur pakot e fiqve në bagazh. Këtu mbeta  si ai që thoshte;  Fol o gur e fol o mur me gjermanin.

Edhe për një problem tjetër zoti Edi Rama. Kam dëshirë t’i biem “Përmidis pazarit të Durrësit”ashtu si titullohet ajo kënga e bukur që këndonte artisti Qemal Kërtusha. Rënie e kursit të euros. Në mendjen dhe sytë e sejcilit ky e ka emrin megakrim. Oligarkët, matrapazët, drogaxhinjtë, si mbushën dingëz me euro, çantat, llogaritë bankare etj.(thonë dëshmitarë,flasin dhe faktet nëpër botë), vendosën si monopol kursin e këmbimt të euros 20% më të ulët dhe menjëherë. Sejko i habitur thonë se shtrembëroi buzët nga ky propozim i papritur. I thanë: “Shko pi një kafe e një gotë raki në kujtim të atij mikut që ndërroi jetë parvjet.” Dihet, shtërngimi çon në bindje. Duke bërë llogaritë i pëlqeu propozimi dhe nuk ndërhyri, si i thanë “ustallarët.” Të dha shpjegime analitike për operacionin e madh duke ta bërë me sy edhe për fitimet që do të ketë buxheti duke mjelë emigrantët të cilët tani u futën në vathë dhe po milen, së bashku me familjet që marrin remitanca nga të afërmit. Le të flasë tani opozita po të dojë për borxhet e buxhetit.

-“A ja u mbyllëm gojën?” pyet me krenari Sejko. Po kjo krenari nuk shkoi gjatë që kur guvernatorin po e gudulis si pak thellë  SPAK-u, për të cilën bankieri ankohet se “po i prishet pavarësia”.

Në riorganizimin e zgjedhjen e qeverisë së re ju emruat dhe një ministre pa gjak e pa shpirt, Diellën. Doni që së shpejti të hiqen kartmonedhat në qarkullim dhe të zevendësohen me kartat bankare si në  shumë vende Europiane.. Deri tani para jashtë qarkullimit të centralizuara me karta bankare janë sipas llogarive tuaja, 40% e parave në qarkullim dhe këto jo të oligarkëve, po të shtresës së varfër. Kështu që në këtë aksion e reformë  bashkëkohore, rezistenca e pengesë do jenë oligarkët, pasanikët e mëdhenj. E kemi në gjak ne,  në traditë e zakon, që pa i numuruar, prekur dhe rinumuruar, ditën dhe natën paratë, nuk na ze gjumi. Kjo dikton të merren masa nga qeveria që pronarëve që dorëzojnë një kufi të caktuar parash dhe kur marrin karta, t’u jepet ilaç falas për gjumë. E shpreh një mendim, edhe pse e di që është i pa realizueshëm. Të ishte me jetë  bejtexhiu Hasan Zyko Kamberi do propozonim me të gjitha forcat që të  zgjidhej Guvernator i Bankës të Shqipërisë. Ai ka qënë nga ata  që e shikonte agimin financiar në mengjes një orë përpara shokëve e miqve të tij.

Shyqyri Fejzo Hamburg-Gjermani,Tetor 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx