E marte, 21.10.2025, 06:50 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Kujtoj martirin Loro Vata

E hene, 20.10.2025, 06:56 PM


Kujtoj martirin Loro Vata

Loro Vata: “Në torturë, një fije floku të ndan nga vdekja ose vetvrasja…”

Nga Fritz RADOVANI

Kishte kenë ndër male që në vitët e para të komunizmit bashkë me vëllaun e tij Gjergjin.

E kam njohë prej shumë kohe përpara vetëm për fëtyrë dhe e dijshe se ka ba shumë vite burg. Afër pata rasë me e njohë mbas vitit 1991. Ishte një galeri e vërtetë ngjarjësh historike.

I shpjegonte me imtësi ngjarjët e atëhershme dhe ishte me ia pasë lakmi memorien e pastër dhe të saktë që kishte, ndonse, mund të ishte ndër njerëzit që asht torturue sa pak kush. Kjo kuptohëj vetëm kur fliste dhe tregonte se ndër duert e cilëve katilë kishte kalue, ku kishte ba hetuesinë dhe në cilat kampe kishte vuejtë dënimin. Ishte njeri shumë i vuejtun por i pathyeshem…

Kujtoj, kur më pat tregue: “Njëditë nade herët, më mori roja e birucave në shtëpinë e Pjetër Çiurçisë, ku bajshe hetuesinë me njëfarë Fadil Kapisyzi, një kokërr sarahoshi e fanatiku i pashoq. Më çoj nalt. Mbrendë në zyrë të tij ishte edhe Dul Rrjolli, ndërsa, Simon Darragjati ishte i shtrimë për tokë e i lamë me gjak. Duli i holli Simonit një kovë me ujë për me e prue në vedi. Porsa u duk se po e merrte vedin, Duli i ra shpinës me një hu të trashë dhe i tha, se,  asgja nuk të ka ba Fadili ty, se shka kam ndër mend me të ba unë, a po flet, a po jo? – Simoni u përgjegj: Jo e jo, po të tham!! Fadili e humbi durimin mbasi kushedi sa kohë kishin që po e torturonin. E çoi nga toka, e afroi tek një dritare, të cilën, e hapi dhe i tha: Sot ose do të firmosësh proçesin ose po deshte, hidhu nga dritaria e ta mbyllim historinë tande! Pa e mbarue fjalën mirë, Simoni zgjodhi rrugën e vdekjës nga dritaria… As unë nuk e kuptoj ku e mori forcën, veç, kur, nuk e pashë ma në dhomë…Torturat e banë me vra vedin. Mbas tij Fadili u sjell nga unë, po ti shka po ban? – Unë iu përgjegja se, nuk kam asnjë arsye me vra vedin, ju, po deshët më hidhni vetë nga dritaria, por unë nuk bij! Duli më ra dy a tri herë me hunin që kishte në dorë, po, me thanë të drejtën pata frikë se po vdes pa muejtë me i lypë Zotit të falun për aktin e vetvrasjës, mbasi Simoni, kur po delte nga dritaria iu ndigjue vetëm fjala “o Zot…”, ndërsa, unë, pata frikë se nuk po mundëm me e thanë as atë. Mandej, edhe po mendojshe me vedi ndër ata pak sekonda kohë, këta qej, kështu mendojnë me na vra të gjithëve… po, të provoj me durue edhe pak si herët tjera…

Nxori një letër dhe ma vuni përpara, shkruej, më tha:

Unë, i pandehuri Loro Vata, nuk pranoj me nënshkrue proçes-verbal në hetuesinë që më ban kapiten Fadil Kapisyzi, në pezencën e Dul Rrjollit.

Tuj mos pasë se çka me thanë as, me shkrue ma tepër se këto sa thashë, i vërtetoj me nënshkrimin tem pa as ma të voglin shtërngim… dhe, vuna firmë.

Mirë, tha Fadili, këtë deklaratë e kemi këtu, tashti, shko e mendoju në birucë, që, kur të thërrasim, po nuk t’u mbush mendja me firmue do të gjejë ndera e Simonit e, mos mendo, se del gjallë prej duerve të mija!

Në torturë, një fije floku të ndanë nga vdekja ose vetvrasja!”

Kjo nuk asht thanje e emja! Këto janë fjalët e të Ndjerit Loro Vata, i dënuem politik nga rregjimi komunist i Enver Hoxhës. Ka mërrijtë me mbijetue deri në vitin 2000…
Të gjitha proceset e hetuesisë së Sigurimit komunist shqiptar mbyllën me këto fjalë:

“Tue mos pasë se çka me thanë, as me shkrue ma tepër se këto sa thashë ma sipër i vërtetoj me nënshkrimin tem pa as ma të voglin shtërngim. … Firma.” Kjo ishte formula me të cilën “vojohej” çdo i prangosun në hetuesinë komuniste!
Komunizmi asht një sistem përbindsh që përdoret nga njerëzit me qellime amorale, gjithmonë të errsueme, nën një pelerinë të pranueshme morale dhe humane që mashtron shumicën me fjalët: “Barazi për të gjithë njësoj!”. Sigurimi i shtetit asht mjeti ma i sakti antiligjor me të cilin shteti të krijon përshtypjen se ai po mbrohet nga ata elementa që e sulmojnë pandërpremje ligjin dhe rendin tue “komplotue dhe organizue skema për rrëzimin e sistemit komunist me dhunë”. Kërcnimi dhe terrorizmi i kuq ndaj popullit të nënshtruem nga frika nuk zhduken asnjëherë gjatë qeverisjes komuniste, por në rrethana të veçanta shtohen ose zbresin ashpërsinë e tyne të kombinueme me kërkesën e propagandës së kohës. Sistemi i diktaturës së proletariatit, ose komunizmi materialist leninist e stalinist që nuk kanë asnjëfarë ndryshimi njeni prej tjetrit, fillojnë me zhdukjen e inteligjencës evropjane Përendimore, shkatrrimin e aparatit shtetnor (të vjetër) dhe me vrasjet e metodat ma të pamëshirshme ata luftojnë për vdekje elementat përparimtar dhe klerin katolik, si pengesa kryesore për realizimin e djallzuem të qellimëve të veta shtypse dhe friguese në mbarë popullin. Shqipnia asht kenë shteti ma i vogël socialist në Evropë por, edhe ma i izoluemi e i vetmuemi prej shtetëve ballkanike. Kjo ishte pasojë historike që e veçonte ate në të gjitha pikëpamjet etnike, kulturore, etj.

Pozita e favorshme gjeografike e saj dhe qendresa ndaj asimilimit nga ma të mëdhajt apo pushtuesit ma të fuqishëm kanë ruejtë kenjën e saj por, gjithmonë tue u shikue me një smirë aq të theksueme sa shpesh ka shpërthye në urrejtje për zhdukje. Kjo u vërtetue mbas Luftës së Dytë Botnore, kur ajo u la si “plaçkë lufte” nga Rusvelti në Jalta nën thundrën e Jugosllavisë së Titos, mikut të bolshevikut Stalin, me vullnetin e pëlqimin e Enver Hoxhës, drejtues i Partisë komuniste Shqiptare, që u thëmelue nga vetë jugosllavët në vitin 1941 dhe, që, u shue në vitin 1991 tue i shërbye besnikisht politikës sllavo – komuniste.

Për ata që nuk e njohin këte sistem qeverisës shpesh krijohet idea e njëfarë stabiliteti dhe, ajo që mashtron opinjonin ndërkombëtar asht mbasmedia false antikombëtare që paraqet terrorin komunist si një “shpëtimtar” t’Atdheut dhe terroristët vrasës e torturues i ngritë në piedestalin e “heronjve të heshtun”, madje tue vazhdue edhe sot me i dekorue si njerëz të nderuem dhe të sakrificës në dobi të interesave t’ Atdheut, të ruejtjes së pavarsisë territoriale dhe të interesave të Popullit Shqiptar.Kjo arrihët nga pasojat e randa që ka kalue Shqipnia nën diktaturën komuniste gjysë shekullore, tue u shpërfëtyrue, tue shnjerzue, tue u frigue dhe tue u mbajtë nën terror t’egër e barbar nga një grup i dhunës dhe i informatorve të urryem, që me mjetët ma primitive të torturës dhe të nënshtrimit arrijnë me ba një “Popull të tanë” servil dhe hipokrit. Spijunët dhe provokatorët të çveshun moralisht dhe fizikisht nga Sigurimi i shtetit, arrijnë deri në kupolën ma të lartë të partisë dhe të shtetit tue survejue edhe bashpuntorët e vet, me të cilët një natë përpara kanë shkrepë gotat për fitorën ndaj “armikut të përbashkët”. Ka raste që ky kafshim i tyne ndaj njenitjetrit nuk arrinë deri në kockë, por pasoja asht e mnershme në shpartallimin moral, ku çdo ndjenjë edhe e fjetun njerzore venitët, shuhët, zhdukët, vdesin edhe qelizat e paralizueme të sajat, tue e këthye këte kufomë në vegël qorre të Sigurimit.

Këta njerëz të edukuem, të këshilluem, të financuem dhe të mobilizuem me armët e dhunës janë metastazat vdekjepruese të ideologjisë marksiste – leniniste, shfarosëse dhe rrënuese të një kombi, sëpse ata mbrenda Perdes së Hekurt kanë mbjellë vuejtje e fukarallek masiv, me anën e zhvillimëve të ngjarjeve të përditëshme dramatike, arrestimëve, vrasjeve, zhdukjeve, internimëve, shpartallimit shoqnor e kulturor, shpronsimëve, plaçkitjeve, djegëjeve haptas dhe zyrtarisht të librave, bibliotekave e muzeumëve, rrafshimit të vëprave të kultit dhe të fesë, tue arrijtë deri në veprën ma të kobëshme për një komb, çvarrosjen e të vdekunve të konsideruem “armiq” edhe pse kishin vdekë 50 vjet para ardhjes së komunizmit në pushtet.

Shteti komunist shqiptar i udhëhequn nga majmuni diktator Enver Hoxha, qeverisi për 40 vjet me dorën e rrebtë gjakatare të tij Sigurimin e shtetit, i shquem për dhunën ma mizore dhe tue vra e gjymtue në masë ka arrijtë me rranjosë në këte vend atë terror shtetnor që për dekada të tana populli nuk ka për të harrue termin rrënqethës të “Luftës së kllasave”. Përdorimi i formave ma të shëmtueme dhe ma të pamëshirshme të terrorizmit sillte ndër viktima dëshirën me vdekë një minut e ma parë, por torturuesit katil u thonin: “Jo, do t’ju ringjallim për t’ju torturuar prap, se nuk jemi ngopur me kaq sa kemi bërë!…”. Numri i të vdekunve në tortura nuk ka me u ditë kurrë. Të gjymtuemit fizikisht në hetuesi pothuej të gjithë janë vra e mbytë në labirintët e Sigurimit. Në gjithë qytetin e Shkodres, vetëm një avokat Baltasar Benussi, ka arrijtë me mbijetue dhe me dalë nga burgu, të gjithë tjerët janë zhdukë për me u mëshef gjurmët e krimëve si dikur në rendin e skllavrisë. Oficerët dhe agjentët e Sigurimit rrallëherë vrasin, ata torturojnë, rjepin, sakatojnë, dhunojnë seksualisht, djegin, presin gjymtyrë, dhe janë të mangët seksualisht e mendsisht. Ja një shembull:
Në vitin 1967 i burgosuni AR, në hetuesinë e Tiranës më ka tregue me gojën e tij se, për mue ishte e mnershme ardhja darkës të së dieles. Hetuesi katil Elham Xhika mbasi shetiste me gruen e tij në bulevardin e Tiranës, këthente në lulishtën tek Sahati, aty pinte dy tri gota raki, shpërlahej me birrë, ngopej me meze dhe përcillte gruen në shtëpi. Rreth orës 22.00 shkonte në hetuesi dhe merrte në dhomën e torturave të arrestuemin AR, të cilit i tregonte shëtitjen, pijen dhe ngopjen me ushqime e tashti, “para se të shkoj për të fjetur, kam ardhur për të torturuar ty se nuk më zë gjumi pa të masakruar për qejfë…” dhe, kjo torturë vazhdonte deri rreth orës 1 mbas mesnate kur AR mbetej pa ndjenja i shtrimë në çimento, i mbuluem në gjak e shpesh me dhambë të thyem përtokë… Ai ngulte kambë se AR ka mendue me krijue një Parti Demokristjane Shqiptare, gja e cila as nuk i kishte shkue ndonjëherë nëpër mend. I thonte se shpejt do të ballafaqoi edhe me bashpuntorin tend…por për AR ishte një fantazi ballafaqimi mbasi nuk kishte asgja të vërtetë akuza. Një ditë i sjellë të dy në zyre; AR dhe DMH. Ishin aty edhe dy hetuesit katil Elhami dhe imorali Dhimitër Shkodrani. Elhami i drejtohet AR, “E njeh këte kush është?” – AR i përgjigjet jo! Vërtetë nuk e njihte, as nuk e kishte pa kurrë atë përson. Përsëritë prap – shikoje mirë dhe mos gënje, se do të gjakos, ky është miku yt! – Ky i përgjigjët prap jo, nuk e njoh këte njeri!
Elhami e urdhnon AR me u sjellë me fëtyrë nga DMH dhe me e shikue mirë… Mbas 20 – 25 minutash e pyet prap, por AR nuk e njihte fare atë njeri. Atëherë, Elhami i thotë DMH, foli një çikë këtij maskarajt!…

Ai me një za të mekun i drejtohët AR: – “Jam Don Mark Hasi…”, AR tmerrohët kur e ndigjon tue folë, se me të vërtetë ishte Don Marku, një mik i tij, por që ishte shpërba fare dhe nuk njihej se kush ishte ma, i thotë: “Kush je mor ti, Don Marku je ti dhe, ke vojtë kështu? – Po,– i përgjigjet – ai vetë jam, nuk mujta me bajtë ma!”

Atëherë, AR i thotë: “Mos u torturo ma, por nënshkruej e ta mbyllim procesin!”…
Kështu, njëgjysëm miljoni shqiptar kanë “nënshkrue pa ma të voglin shtërngim”…
Sot, asht koha që nuk duhët me heshtë ma! Janë mbi 500 000 vetë që kanë kalue në hetuesinë komuniste, janë jo aq pak sa kujton Evropa, janë aqsa tue kujtue torturat e bame mbi trupat e Tyne të Pafajshme, nuk duhët të na zanë gjumi i natës, mbasi “diplomacia e heshtun” don me thanë: “Vazhdoni…por, jo, me né, na rrimë pa za… mbas jush!”…Turp!

E çka ishin këta që mbytën e vranë edhe mbi 45.000 vetë, deri në vitin 1974?

Në Janarin e vitit 1945, dy muej mbas “çlirimit”, Don Lazër Shantojës, i presin dy kambët me sharrë druevari dhe i thejnë dy parakrahët…e lanë zvarrë në çimenton e birucës të zhytun në ndytsinat e pisllekun e papastruem, pinte urinën e vet dhe hante ndytsinën që shkrryhej mbi te…vetëm se ishte Klerik katolik, dijetar, publiçist, shkrimtar e Atdhetar…
Në vitin 1946, avokat Muzafer Pipës, Zoji Thëmeli i futë në muskujt e krahve një hekur të skuqun, i cili i takon për shtyllën kurrizore…dhe, Muzaferi vdes!

Në vitin 1946, në burgun e Kishës Françeskane, vajza VK, përdhunohet nga Ahmet Suji e lidhun për tavolinë me sinxhir anijesh, tue mos mujtë me lëvizë nga pesha e tyne…
Ndërsa vajza ZVK, mbasi e kanë përdhunue e kanë hjellë të çveshun lakuriq në çimento të birucës ku ishte At Çiprian Nika, i cili ka çveshë mantelin dhe e ka mbulue në atë natë shumë të ftohët dimni, ndërsa Ai vetë ka vazhdue me qëndrue pa gjum në këmishë. E mbas disa dit
ësh po kjo gja asht persëritë me At Mati Prennushin.(Dëshmi gojore nga ZVK, në 1993).

Papa Josif Papamihajlin e zhysin për së gjalli në baltat e kënetës së Maliqit…
Në vitin 1946, Simon Darragjati, Kolec Deda, Prof. Simon Deda, hidhën poshtë nga dritarët, dhe u thehën rrashtat në kalldramët e shtëpijave të këthyeme në hetuesi…
Në vitin 1949, Imzot Prof. Jul Bonati gjindët në manikomjo i shkymë dhe i coptuem nga të çmendunit…i dërguem aty për atë qellim, mbasi u dënue nga gjykata…

Në vitin 1946 malësori NP u vesh me jelekun metalik, u lidh si dashi në hell dhe u vue mbi zjarrin e ndezun, për me pranue me krye vrasjën e Don Nikoll Gazullit…(Dëshmi nga At Konrrad Gjolaj, në vitin 1996).

At Frano Kiri, lidhët fëtyrë për fëtyrë tri ditë me një të vdekun, tue i kullue ujnat nga sipër At Franos. Më ka tregue me gojën e Tij në vitin 1962, sësi ka pi urinën e mbetun në rrasat e një banjos, mbas tri ditësh i etun sëpse nuk i kishin dhanë me pi ujë…

At Konrrad Gjolaj mbasi zhytej në ujë të ftohtë dhe të pistë, lehej i çveshun pa asnjë batani në birucë, për 7 javë në pikën e dimnit. (Dëshmi gojore në vitin 1996).

Imzot Errnesto Çoba, asht arrestue me datën 29.IV.1976 e deri ditën që ka vdekë me 8.I.1980 asht lanë i veshun me rrobat që ka pasë veshë ditën që asht arrestue, shtrihej në çimento dhe flente pa shtroje as mbuloje gjithë ata vite. Nuk i kanë lejue asnjë batani! Kur e çonin nga një vend në tjetrin e futshin në një thes dhe i lidhnin gryken…

Vajzës 20 vjeçare Maria Tuci i fusin gjysmën e trupit në thes ku ishin edhe dy mace mbrendë që i egërsonin tue i rrah…E shkreta vajzë gjakosej nga shkymja e thonjëve të tyne.
Don Mark Hasit, hetuesi Nesti Kopali i ka mbërthye gjuhën për tavolinë me thikë.
(Shenjën horizontale rreth 3 cm. në gjuhë, e kam pa me sytë e mij në vitin 1956).
Në vitin 1974, Don Mikel Beltoja shkyhet për gjymtyrësh para se me e vra…

Dr. Alfred Ashiku digjet me açid në organet gjenitale, si pasojë edhe vdes në Vlonë.
Kompozitori Prenkë Jakova hidhët nga dritaria e Shtëpisë së Kulturës në Shkoder.
Urija, etja, të ftohtit, pagjumsia, korrenti elektrik, rrahjet, kujzat ndër thonjë, vezët e zieme ndër stjetulla, varjet ndër hatlla e pemë në kohë bore e shiu, ilaçet për me çatrafilue sistemin nervor, shishet e ujit të kripun për të etunit, zhytjet ndër pusat e zezë, goditjet e kokës me dru, thymjet e dhambve apo të kockave, cigarët e ndezuna në sy apo në trup, zhguljet e thonjve me pinca, zhguljet e flokve dhe musteqeve, prania e vazhdueshme e parazitëve, morra, pleshta, minj, etj. e deri tek përdhunimi brutal e shtazor i vajzave të reja nga ana e kafshve të Sigurimit të shtetit, asht vetëm një kapitull i provës së thanjës të të Ndjerit Loro Vata, por gropat e Zallit të Kirit dhe hekurat e burgjeve të Shqipnisë duhet të daltojnë përjetsisht në gur dhe në bronx Martiriumin e Shqipnisë Socialiste 1944 – 1991.

Janë shkrue qindra mijra episode torture, do të shkruhën edhe kushedi sa të tjera, por një studim i plotë i torturave të bame nga Sigurimi komunist shqiptar endè mungon. Asht një detyrë ndaj Atdheut dhe Viktimave të terrorit komunist me përjetsue jetën dhe martirizimin e Atyne qindra mijra Shqiptarve, vëllazënve e motrave tona që meritojnë me Ju mbulue sot tokën me gjeth dafine, kur sipër Tyne nuk kanë endè as një Shenjë tek koka!

Populli Shqiptar sot asht para dy ngjarjeve me të vërtetë shumë të rëndësishme; para vëndimit të Parlamentit për hapjen e dosjeve dhe zgjedhjeve të reja 2009. Janë dy probleme shumë të lidhuna njena me tjetrën dhe që të dyja nëse nuk zgjidhën drejtë do të randojnë vetëm mbi shpatullat e Popullit. Po bahën 20 vjet që vazhdohet nga drejtuesit e shtetit tonë të ndiqët parimi leninist “Një hap para dhe dy hapa mbrapa!”

Ka pas thanë At Fishta: “Shqiptarët pelqejnë me ecë si gaforrja në një krah…”.

Me të vërtetë që po bahën 70 vjet që nga pushtimi fashist e shqiptarët vazhdojnë me ecë majtas, me mendue majtas, me folë majtas dhe me punue vetëm me dorën e majtë. Kur ishim fëmijë dhe uleshim në sofër, gjyshja ose nana kur na shihnin se kemi marrë lugën me dorën e majtë, gjithnjë na qortonin: “Mos e mbaj lugën me dorën e keqe, po kaloje në dorën e djathtë!”. Shqiptarët vazhdojnë me hangër me “dorën e keqe” edhe pse prëtendojnë me shkue në sofrën Europjane!… Asht e vërtetë që edhe në sofrën Europjane shumica po hanë me dorën e keqe, po, a nuk ban me ndjekë shëmbullin e atyne që hanë si duhët me hangër!
Hapja e dosjeve asht kusht thëmelor për zgjedhje të lira dhe të drejta demokratike. Ata që kërkojnë me vue kushte dhe nënpika për hapjën e tyne janë njerzit e njollosun që vazhdojnë me hangër në sofrën “demokratike” me dorën e majtë. Kush asht i pastër nuk ka frikë nga hapja e as nga publikimi i dosjeve, por çon dorën e djathtë nalt dhe voton ligjin pa shtojca e mungesa. Kush kërkon me u ulë në karrigat qeveritare dhe parlamentare, tue fillue nga Presidenti e me radhë duhët të fillojnë hapjen e dosjeve nga e vetja, mandej ato të shokve që kanë mendue me kenë pranë tyne në drejtim të punës shtetnore.

Në asnjë vend të Botës ligji nuk përjashton as nuk parashkruen ate që në dosje ka një njollë grih, të zezë apo të kuqe! Kush ka ba vepra të dobta apo të liga dhe nuk ka pasë korajo me u rrëfye tash 20 vjet, nuk duhët me vazhdue me kenë në organe shtetnore kur ligji i dosjeve përjashton praninë e tij, kushdo kjoftë ai! Të rinjtë, nuk duhët të mësohën me kenë indiferent apo pasiv në këto çeshtje, mbasi koha ma vonë ka me i fajsue bashpuntor me ata që janë të njollosun. Asnjë i rinj nuk asht fajtor kur mban qendrim të drejtë kjoftë edhe përball prindit, por kur vazhdon në heshtje me hangër me dorën e majtë ajo nuk falët.
Vetëm drejtësia dhe shpagimi sjellin pajtimin kombëtar, i cili asht endè larg!

Mos hapja e dosjeve dhe zvarrisja e pajtimit kombëtar janë pengesë e demokracisë!
Një rol të rëndësishëm duhët të losin Shoqata e të Përndjekunve politik dhe Kleri. Deri tashti, të dy këta institucione të dorës së parë kanë vazhdue me hangër me të dy duert. Asnjeni nuk asht në rolin që i përket! Asnjeni nuk çon zanin nalt, se thonë “fol me za t’ultë, se jemi në Kishë!”…Tjetri ka mësue nga Bibla “me falë”!…Dikush atje përsëritë fjalët dhe veprat e Judës dhe kërkon me ia lanë njollën apostujve, se gjoja kanë shtrembënue fjalët e Krishtit në Ungjillë. Po, ju, pyes dhe përgjigjuni: “Pse Krishti në Kryq u suell vetëm nga hajduti që kishte në krahun e djathtë? E, çka, i tha atij?…A ju kujtohët?…”.

“Zoti falë vetëm të penduemit për veprat e këqija që kanë ba!”. Nuk di se Zoti ka falë një njeri me premtimin që: “ti vazhdo” punën tande, se unë do të fali prap ma vonë!

Kujtoj me ket rast edhe At Bernardin Palin OFM, të cilin Fadili e mbyti në tortura dhe mbasi e la mbas deret me marrë erë Trupi i Tij e varrosen tek qerrshia, n’ oborin e hetuesisë.

Oh sa ka pa e provue ai vend? Deri kur keshtu?

Jo, zotni jo, morali kërkon drejtësi.

Shteti pa drejtësi asht shtet pa moral!

Populli duhët të vëndosin me vullnetin e lirë vetëm shtetin demokratik!

Fati i Atdheut kjoftë në dorën e Zotit dhe të Popullit besimtar Shqiptar!

Zot! Fali Shqipnisë ATE SHKA MERITON!

         Melbourne, 20 Tetor 2025.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx