E hene, 20.10.2025, 08:03 AM (GMT+1)

Faleminderit

Ilir Çumani: Nënë Tereza – kjo humaniste e ndërgjegjes njerëzore

E diele, 19.10.2025, 07:00 PM


NËNË TEREZA – KJO HUMANISTE E NDËRGJEGJES NJERËZORE

(Me rastin e 22 vjetorit të lumturimit të Shën Terezës)

Nga Ilir Çumani

Në vitin 1979, e gjithë bota u përul me veneracion të thellë para një gruaje të imët e shëndetlig, ajo vinte si një pranverë e heshtur që lulëzonte në mes të një bote të ftohtë.

Trupi i saj ishte i vogël, por kraharori i saj mbante një energji të fuqishme, një rrjedhë të pafund dhembshurie që përshkonte çdo zemër njerëzore.

Ajo grua nuk kishte pushtet, as pasuri, as vokacion politik, por mbante në vetvete një forcë më të madhe se çdo titull apo fron — një fuqi që ngjall shpresë dhe ngroh shpirtin e lodhur.

Asokohe, sytë dhe mendjet e burrave më të pushtetshëm të botës, por edhe të njerëzve më të zakonshëm, ishin të drejtuara nga një çast i heshtur dhe i madh: Nënë Tereza nderohej me Çmimin Nobel për Paqen.

Jo për fjalët e saj, por për veprën madhështore që fliste vetë, një poezi e gjallë e veprimit: dashurinë për njeriun, për të varfrin, për jetimët, për të moshuarit e braktisur, për të sëmurët dhe të harruarit.

Ajo bëri që dhimbja të gjejë prehje, një dorë që përkëdhel dhe një strehë të thjeshtë ku shpresa mund të ripushtohej.

Ajo nuk ngriti ura betoni, por ura të padukshme që lidhin zemrat dhe shpirtin e njeriut me njeriun.

Nuk ndërtoi gradaçela luksi, por strehëza të thjeshta ku jeta mund të rikuperonte frymën e humbur.

Nuk mbajti ligjërata për dashurinë, sepse ajo ishte vetë dashuria në veprim — një premtim që mbahet në çdo përqafim, në çdo dorë që jep shpresë.

Nënë Tereza ishte me origjinë shqiptare, dhe këtë fakt e mbante me krenari të heshtur, si një gur i çmuar i fshehur në zemër.

Me rrënjët e saj të forta, ajo dëshmoi se nga një popull i vogël mund të lindë një shpirt i madh, një fuqi që ndryshon botën.

Ajo i dha botës atë pjesë të bukur të humanizmit që shqiptarët e mbajnë të rrënjosur brez pas brezi — filozofinë e bashkëjetesës dhe harmonisë, dashurinë për tjetrin, për të pamundurin, për njeriun në nevojë.

Në shoqëritë ku shpesh mungon ndjeshmëria, Nënë Tereza na kujton se pa drejtësi sociale nuk ka paqe; pa paqe nuk ka lumturi të përbashkët, dhe çdo njeri meriton një vend në tryezën e dinjitetit, një vend ku shpresa dhe dashuria janë ushqim për shpirtin.

Në botën e sotme, ku egoizmi shpesh mbizotëron mbi dhembshurinë, fjala e saj mbetet profeci:

“Nëse gjykon njerëzit, nuk ke kohë t’i duash ata.”

Një fjalë e vogël, por e fortë dhe i rëndë si një shkëmb, që na kujton se dashuria nuk është luks, por detyrë, dhe vetëm zemrat e hapura mund të ndërtojnë një botë më të mirë.

Nënë Tereza nuk është vetëm një simbol i mirësisë, por më së shumti një testament shpirtëror që flet për jetën e përjetshme të dhembshurisë.

Dashuria e saj nuk ishte luks shpirtëror, por revolucioni më i madh i njerëzimit, një thirrje për çdo shoqëri që dëshiron të mbetet njerëzore, një kujtesë se zemra mund të bëjë atë që pushteti, pasuria dhe titulli nuk mundin kurrë ta bëjnë: të ndryshojë botën.

Tiranë - 18 tetor, 2025



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx